
MAQEDONIA E VERIUT- Merr fund arratia. Arrestohet në Turqi Ljupço Palevski-Palço, i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit. Raportohet se ai është arrestuar në Turqi pasi më herët autoritetet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut kishin lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj tij.
Pritet që ai tu dorëzohet autoriteteve në Shkup, ndërsa katër të dyshuarit për vrasjen e të miturës, mes tyre edhe babai i vajzës, ndodhen në paraburgim në Shuto Orizarë. Ndërkohë këtë të martë 14-vjeçarja është përcjellë për në banesën e fundit nga familjarët dhe të afërmit. Pritet që në orët në vijim të dalin dhe rezultatet e Mjekësisë Ligjore, të cilat do të hedhin edhe më shumë dritë mbi rrethanat e vdekjes së të miturës.
Trupi i 14-vjeçares, Vanja Gorçevska, është gjetur të dielën, ndërsa Policia ka njoftuar se adoleshentja është vrarë. Në vrasjen e saj janë përfshirë pesë persona. Vanja u zhduk më 27 nëntor para shkollës së saj dhe u vra po atë ditë rreth orës 10 të mëngjesit, vetëm 40 minuta larg shtëpisë. Babai i saj është vendosur në pranga pasi akuzohet se e ka nxjerrë në pritë të bijën për të zhvatur të ëmën në proces divorci, por personi që ka kryer vrasjen është Ljupço Palevski-Palco. Aktualisht ai është në arrati dhe ndaj tij është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar./ZËRI