
BEOGRAD- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme lidhur me çështjen e Kosovës. Vuçiç lajmëroi të martën që do të jepte vendimin e tij të premten se çfarë do të vendosë për situatën në veri, pas takimit me përfaqësuesin e BE-së Miroslav Lajçak dhe ambasadorin amerikan, Christopher Hill. Sot, zyrtarisht doli me një plan që ka ndërmend ta implementojë. Presidenti theksoi se Beogradi është gjithmonë i hapur për dialog me Prishtinën dhe se ai është i gatshëm të shkojë në Bruksel për të vazhduar dialogun me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por shtoi se Serbia nuk do të lejojë persekutimin e serbëve që jetojnë në Kosovë. Ndër pikat që presidenti serb kërkon të plotësohen, janë zgjedhjet e lira në Veri të Kosovës, largimin e efektivëve të Policisë së Kosovës nga të gjitha institucionet dhe administrata. E po ashtu, ka akorduar edhe ndihma me para për serbët në Veri të vendit duke e cilësuar Veriun e Kosovës, si një "zonë të mbrojtjes së veçantë sociale"
PJESË NGA FJALIMI QË PO MBAN VUÇIÇ:
Serbia sot është në një situatë të vështirë juridiko-politike sa i përket Kosovës. Ekonomikisht po ecim shumë mirë, ndoshta edhe shkëlqyeshëm. Nuk ka dyshim se ajo që mbetet pika më e dhimbshme është Kosova. Para se të theksojmë masat konkrete, dua të theksojmë kontekstin me disa fjali. Kosova është fjala më e shtrenjtë për çdo serb. Askush nuk do të jetë kurrë i kënaqur. Çfarëdo që të propozonim, të gjithë do të ishin kundër. Nuk ka asnjë mrekullibërës që mund t'u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën. Unë e njoh çdo fshat serb, pothuajse çdo shtëpi serbe në Kosovë, i di të gjitha problemet. E di që nuk ka zgjidhje të mirë. Do të kemi shumë takime të rëndësishme, sepse duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, të kërkojmë aleatë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për atë plan dhe për këtë çështje. Lëvizja e parë serbe është kthimi në “Status quo ante”. - E shohim që e gjithë kjo nuk ka kuptim. Ne besojmë se, për çdo progres serioz në dialog, është e nevojshme:
1. Shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e OSBE-së dhe Misionit të BE-së.
2. Zbatimi i nenit 9 të Marrëveshjes së parë të Brukselit përmes kthimit kolektiv të serbëve në Drejtorinë Rajonale të PK-së Veri;
3. Kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në detyrë;
4. Tërheqja e forca speciale të Policisë së Kosovës nga bazat dhe pikat e kontrollit, si dhe tërheqja e tyre nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime jetike publike dhe administrative për qytetarët nga viti 1999 deri në mbylljen e tyre të paligjshme në vitin 2024;
5. Formimi urgjent, urgjent dhe përfundimtar i Bashkimit të Komunave Serbe, pa turbullira dhe lojëra të mëtejshme politike, na është e qartë se për 12 vjet ishte vetëm një lojë për të blerë kohë, me qëllim që ZSO të mos formohet kurrë.
6. Zbatimi i menjëhershëm i garancive të Bashkimit Evropian dhe SHBA nga 28 dhjetor 2022 dhe lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë që u arrestuan nga Policia e Kosovës.
7. Mundësimi i menjëhershëm i transaksioneve të pandërprera të pagesave dhe shërbimeve postare.
Po ashtu, Serbia do ta shpallë Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë sociale. U ra dakord që Kuvendi Kombëtar i Republikës së Serbisë brenda 45 ditëve të miratojë një ligj që do ta shpallë Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë sociale. Ky ligj do të rregullojë dhe kufizojë në mënyrë specifike shitjen e pasurive të paluajtshme. Serbët do ndihmohen me 20 mijë dinarëve, por edhe me tekstet falas për të gjithë nxënësit në Republikën e Kosovës. Çdo fëmijë i moshës parashkollore, si dhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, do të kenë një pagesë mujore prej rreth 5000 dinarë.
Por duket se Vuçiç zbuti tonet dhe se deklarata e tij nuk ishte aq e fortë sa e lajmëruan mediat serbe. Sipas tyre, presidenti do të deklaronte sot okupimin (pushtimin) e Veriut të Kosovës. Madje nuk e përjashtonin edhe afrimin e ushtrisë në kufi. Këto deklarata ngjallën reagime edhe në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti reaguan publikisht me deklaratat e forta që kanë ardhur nga Beogradi zyrtar. Presidentja e Kosovës i ka cilësuar kërcënimet e presidentit serb të njëjta me ato të Sllobodan Millosheviç. Ajo theksoi se lidhur me pretendimet e tij është njoftuar SHBA dhe BE.
“Unë e kuptoj se motivi prapa përkrahjes së Serbisë është motiv për ta afruar atë me BE-në, që do të ishte në interes të të gjithë rajonit tonë, por nuk po del të ketë sukses, pasi Vuçiçi po vazhdon me kërcënimet e tij të stilit Millosheviqian dhe planet e tij të stilit të Putinit. Të gjitha këto që i deklaron në baza ditore, unë komunikojë me liderë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera. Të gjitha këto shtete demokratike janë të interesuara që ta ndihmojnë Kosovën që ta mbrojmë sovranitetin tonë, t’i mbrojmë arritjet e përbashkëta,”- tha Osmani.
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti thotë se kërcënimet e Vuçiç vijnë në koordinim me Rusinë, por shtoi se Kosova nuk trembet nga kërcënimet që lëshon Vuçiç.
"Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike. Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta,"-tha Kurti.
Ndërkohë që deri më tani, ende nuk ka asnjë reagim nga ndërkombëtarët dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të cilët shpesh shkojnë për takime në Kosovë./ZËRI