
SERBI- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka “sfiduar” këtë të martë NATO-n duke pohuar se është punë e Serbisë ku vendoset ushtria e saj. Deklaratën lideri serb e bëri gjatë konferencës së përbashkët me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg në Beograd.
Sipas Vuçiç, ushtria serbe i ka kryer detyrat e saj në mënyrë profesionale, nuk i ka tejkaluar asnjëherë të drejtat, kompetencat e saj dhe ka pasur gjithmonë marrëdhënie korrekte me KFOR-in dhe NATO-n.
Aleksandër Vuçiç: Për ne është e rëndësishme të bashkëpunojmë me NATO-n dhe KFOR-in. Ne po bëjmë gjënë e duhur duke bashkëpunuar me NATO-n, ndërveprimi ynë është në një nivel të mire. Ku dhe si ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë pa rrezikuar askënd, kjo është puna jonë.
Kreu i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), gjatë fjalës së tij tha se ngritja e gatishmërisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit të Kosovës nuk i shërben përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe zbutjes së tensioneve./Zëri.ai