Bota

Wall Street Journal: Irani qëndron pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit

Mediat ndërkombëtare hedhin dyshime se Hamasin e ka ndihmuar Irani, në sulmet ndaj Izraelit

D.XH
Wall Street Journal: Irani qëndron pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit
Moment nga sulmet në Izrael

RRIPI I GAZËS - Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, të cilat filluan të shtunën në mëngjes, ishin planifikuar javë më parë me ndihmën e zyrtarëve iranianë të sigurisë.

Kështu raporton Wall Street Journal. Gazeta, duke cituar zyrtarë të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut, shkruan se zyrtarët iranianë kanë dhënë miratimin për sulmin e militantëve palestinezë.

Një raport zyrtar thotë se Oficerët e Gardës Revolucionare Iraniane kanë punuar me Hamasin që nga gushti, për të planifikuar sulme nga ajri, toka dhe deti. Në takimet e zhvilluara në Bejrut morën pjesë edhe oficerët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i ka lavdëruar sulmet. Lideri iranian tha në X se kanceri i regjimit sionist do të çrrënjoset nga duart e popullit palestinez dhe forcave të rezistencës në të gjithë botën. Edhe platforma sociale X ragoi, duke thënë se postimi i Khameneit, shkel rregullat.

Edhe zëdhënësi i Hamasit, Ghazi Hamad, i tha BBC-së se grupi terrorist kishte mbështetje të drejtpërdrejtë nga Irani. Teherani u zotua të qëndrojë pranë luftëtarëve palestinezë deri në çlirimin e Palestinës dhe Jeruzalemit.

Katër grupe të tjera ushtarake të mbështetura nga Irani besohet se kanë marrë pjesë në takim, duke përfshirë anëtarë të Hamasit dhe Hezbollahut.  

Detajet e operacionit janë diskutuar gjatë një sërë takimesh në Bejrut, që përfshinin oficerë të lartë dhe përfaqësues të katër organizatave të mbështetura nga Irani, duke përfshirë Hamasin, i cili kontrollon Gazën.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken pohoi se gjithsesi, ende nuk ka prova se Irani ishte i përfshirë në sulm. “Ne nuk kemi asnjë informacion në këtë moment për të vërtetuar këtë pretendim”, tha një zyrtar amerikan për Wall Street Journal.

Kujtojmë se Izraeli dhe Palestina hynë në konflikt të armatosur. Hamas vrau mbi 800 izraelitë, ndërsa Izraeli vrau më pas mbi 550 palestinezë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB