
KIEV -Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se ai kishte zëvendësuar gjeneralin e tij të lartë, një veprim që mund të rezultojë dramatik për ushtrinë e vendit, në një moment vendimtar në luftën e saj kundër Rusisë.
Vendimi i Zelenskyyt për të zëvendësuar Komandantin e Ushtrisë Valeriy Zaluzhnyi vjen pas ditësh spekulimesh dhe muajsh tensionesh, të raportuara mes të dyve, pasi kundërofensiva e Ukrainës ka dështuar dhe aleatët e Kievit kanë shfaqur lodhje, për të mbështetur kauzën ukrainase.
“Ne diskutuam hapur sot se çfarë ndryshimesh duhen në ushtri. Ndryshime urgjente”, tha Zelenskyy në një postim në Telegram. “I propozova gjeneralit Zaluzhny të vazhdojmë së bashku punën, në ekipin e shtetit ukrainas. Do të jem mirënjohës për mirëkuptimin e tij”, deklaroi kreu i shtetit ukrainas.
Ai shtoi se kishte emëruar gjeneral-kolonelin Oleksandr Syrskyi, komandantin e forcave tokësore të Ukrainës, për të udhëhequr ushtrinë. Ishte e paqartë nëse Zaluzhnyi u shkarkua apo ai dha dorëheqjen, por në një deklaratë në faqen e tij në Facebook, ai tha se kishte një bisedë të rëndësishme dhe serioze me Zelenskyyn dhe është marrë një vendim, për shkak të nevojës për të ndryshuar qasjet dhe strategjisë.
Një figurë popullore që erdhi për të mishëruar shpirtin luftarak të Ukrainës, Zaluzhnyi respektohet gjerësisht si brenda dhe jashtë vendit. Duke hequr dorë nga ai, Zelenskyy mund të theksojë fokusin tek lidershipi i tij, ndërsa Ukraina po lufton në një ofensivë të re me forcat e Kremlinit, në kohën kur ka dyshime nëse SHBA dhe vendet e tjera perëndimore do ta mbështesin akoma më tej Kievin, ekonomikisht dhe ushtarakisht.
Zaluzhnyi ka qenë në krye të ushtrisë së Ukrainës, që përpara pushtimit të plotë nga Moska në shkurt të vitit 2022 dhe vlerësohet nga shumë njerëz në Ukrainë dhe Perëndim, pasi ka luajtur një rol vendimtar në mbrojtjen e fortë befasuese të vendit, duke i mbajtur rusët nën kontroll për gati dy vjet.
Por thashethemet për të ardhmen e Zaluzhnyit kanë qarkulluar prej kohësh, të nxitura nga spekulimet e përhapura për një mosmarrëveshje me Zelenskyyn, mbi perspektivat e fushëbetejës së Ukrainës dhe nevojën për një mobilizim masiv të civilëve./ZËRI/