
KOSOVË- Dy javë para zhvillimit të zgjedhjeve bnë Kosovë janë raportuar një sërë incidentesh. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, njoftoi se është sulmuar me një koktejl molotovi banesa e aktivistes së tyre, Aleksandra Popoviç. Lëvizja Popullore Serbe ka njoftuar gjithashtu se persona të panjohur më 24 janar tentuan të djegin një tabelë të saj në Moguillë, pranë Kllokotit, gjithashtu një komunë me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit.
Tabela ishte vendosur përballë shtëpisë familjare të Divna Andreës, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Popullore Serbe.
Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka konfirmuar se të dyja incidentet janë raportuar dhe se rastet po hetohen.
Lista Serbe dhe Lëvizja Popullore Serbe pretendojnë se këto incidente janë sulme të motivuara politikisht dhe se janë bërë për të frikësuar kandidatët dhe aktivistët e tyre.
“Pa dyshim që bëhet fjalë për një sulm të motivuar politikisht dhe përpjekje për të frikësuar anëtarët e këshillave zgjedhore të Listës Serbe, me qëllim që t’i pengojnë ata nga ndjekja dhe kontrolli i zgjedhjeve, në mënyrë që të favorizohen disa parti të tjera të preferuara nga Prishtina”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
Ndërkohë, Milija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të reagojë lidhur me përpjekjen për djegien e billbordit të tyre, duke deklaruar se në këto kushte nuk mund të mbahen zgjedhje demokratike.
“Nuk na keni frikësuar”, deklaruan nga kjo parti, sipas REL.