
SERBI-Partia Socialiste e Serbisë së bashku me partnerët e saj të koalicionit 'Serbia e Bashkuar' dhe 'Të Gjelbërit' kanë dorëzuar në Komisionin Republikan Zgjedhor listën e saj zgjedhore me nënshkrime të qytetarëve. Lista zgjedhore do të quhet “Ivica Daçiç – kryeministër”, raporton politica.rs. Në prezantimin e listës më 2 nëntor morën pjesë kryetari i SPS-së, Ivica Daçiç dhe liderët e Serbisë së Bashkuar dhe Serbisë së Gjelbër, Dragan Markoviç Palma dhe Ivan Kariç, si dhe kandidatë për deputetë.
Por mes listës zgjedhore të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) të cilën e udhëheq, Daçiç në të i ka bërë vend edhe Marko Millosheviçit, djalit të “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviçit. Marko Millosheviç, u shfaq në publik për herë të parë pas më shumë se 20 vitesh.
Kreu i SPS-së, Daçiç, pas dorëzimit të listës, tha se partia e tij do të vazhdojë të bashkëpunojë me Partinë Progresive Serbe dhe se ai dhe kreu i shtetit, Aleksandër Vuçiç, para disa javësh ranë dakord që të shkojnë të ndarë në zgjedhje dhe se pas zgjedhjeve do të jenë në koalicion.
Më 30 tetor, Qeveria e Serbisë i propozoi Vuçiçit që të shpërndante Parlamentin. Në njoftimin e Qeverisë serbe u tha se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare në rrethanat ekzistuese do të sigurojë, veç tjerash, “një nivel të lartë të demokracisë dhe uljen e tensioneve midis medimeve të ndryshme në shoqëri”. Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor 2023. Me shpalljen e zgjedhjeve, fushata parazgjedhore zyrtarisht ka nisur në Serbi. Fushata do të zgjasë deri mesnatën e 14 dhjetorit, kur do të nisë heshtja zgjedhore./Zëri.ai