
KIEV- Shefi i komitetit ushtarak të NATO-s, Rob Bauer ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kiev. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se aleatët e Ukrainës nuk duhet të jenë pesimistë lidhur me aftësinë e shtetit për të zmbrapsur trupat ruse dhe bëri thirrje që paketat e rëndësishme të ndihmës të dërgohet me shpejtësi. Trupat e Kievit po përballen me mungesë të municioneve dhe të ushtarëve dhe po përballen me forcat ruse në lindje, të cilat po avancojnë, shkruajnë mediat e huaja.
“Ukrainës i duhet edhe më shumë mbështetje. Dhe ju duhet tani. Koha në Ukrainë nuk matet në ditë, javë apo muaj. Matet me jetën e njerëzve. Në shtetet e aleatëve java është javë. Në Ukrainë, një javë është një nënë, baba, fëmijë, mik, i dashur, që humb përgjithmonë”, tha ai.
Ai lavdëroi qëndrueshmërinë e Kievit dhe aftësinë për t’u përshtatur shpejt me shumë aspekte të luftimeve moderne. Bauer po ashtu u takua me shefin e ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, me të cilin bisedoi për situatën aktuale të luftimeve. Syrskyi shkroi në Facebook se gjatë takimit është biseduar për furnizimet me municione dhe për mbrojtjen ajrore. Ai udhëhoqi vizitën e parë zyrtare në Kiev të një delegacioni ushtarak të NATO-s që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës./ZËRI