Bota

Financon luftën e Putinit/ SHBA ultimatum 'Raiffeisen Bank': Tërhiquni nga marrëveshja me Deripaskën

"Raiffeisen" po blen aksionet nga kompania Strabag me bazë në Vjenë dhe nga një kompani tjetër, që grupi i Reuters e identifikoi si të kontrolluar nga manjati rus, i sanksionuar nga SHBA, Oleg Deripaska.

k.m.
Financon luftën e Putinit/ SHBA ultimatum 'Raiffeisen Bank':
Oleg Deripaska

VIENË- Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion "Raiffeisen Bank International" të Austrisë, bankës më të madhe perëndimore në Rusi, që të heqë dorë nga planet për të blerë aksione prej 1.5 miliardë euro (1.6 miliardë dollarë) nga një manjat rus. Ndërhyrja e Uashingtonit ka të ngjarë të prishë një nga marrëveshjet më të mëdha perëndimore në Rusi që nga fillimi i luftës në Ukrainë. E po ashtu të grumbullojë edhe më shumë presion mbi grupin austriak që kalon miliarda euro, pagesa ndërkombëtare për rusët. Lajmi tronditi investitorët.

"Raiffeisen" po blen aksionet nga kompania Strabag me bazë në Vjenë dhe nga një kompani tjetër, që grupi i Reuters e identifikoi si të kontrolluar nga manjati rus, i sanksionuar nga SHBA, Oleg Deripaska. Banka e faturoi marrëveshjen, përmes Rusisë, si një mjet për të zhbllokuar disa prej miliardave në euro që janë të bllokuara në Moskë. Por lajmi që u publikua në dhjetor nxiti një rritje të aksioneve të bankës, e cila është goditur rëndë për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë. Në javët e fundit, zyrtarë të lartë të Thesarit të SHBA kanë theksuar shqetësimet rreth transaksionit, duke shtuar edhe faktin se Deripaska është i sanksionuar. Zyrtarët e qeverisë amerikane, të cilët besojnë se Deripaska do të përfitojë nga shitja e aksioneve, kanë kërkuar që banka të japë detaje rreth individëve dhe kompanive të përfshira në marrëveshje.

Nëse Raiffeisen do të vazhdojë me akordin, atëhere bie në kundërshtim me sanksionet e SHBA dhe Uashingtoni mund të vendosë gjoba ndaj bankës. Një person i paidentifikuar tha për Reuters se autoritetet austriake nuk do ta jepnin dritën jeshile, ndërsa një tjetër tha se vetë banka po përgatitej të hiqte dorë nga marrëveshja.

Një zëdhënës i bankës tha se: Kemi verifikuar me zell pajtueshmërinë e transaksionit Strabag me të gjitha sanksionet përpara nënshkrimit dhe javët e fundit kishte "informuar të gjitha autoritetet përkatëse, duke përfshirë Thesarin e SHBA-së dhe OFAC (Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja). Vetëkuptohet që RBI nuk do të vazhdojë me asnjë marrëveshje që do të ishte në shkelje të sanksioneve.

Një zëdhënës i Deripaska-s vuri në dukje vërejtjet e mëparshme, ku ajo tha se ai nuk kishte kontroll mbi kompaninë që ka aksionet e Strabag, duke i shtuar se sanksionet perëndimore janë të gabuara dhe të bazuara në akuza të rreme.

Dy vjet pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, prania e vazhdueshme e Raiffeisen nënvizon thellësinë e marrëdhënieve midis Austrisë dhe Rusisë, të lidhura me tubacionet ruse të gazit dhe me Vjenën që shërben si qendër për paratë e gatshme nga Rusia dhe shtetet ish-sovjetike. Banka është parë si "shpëtim" për miliona klientë rusë që duan të dërgojnë euro ose dollarë jashtë vendit. 

Njësia e Integritetit të Bankës së Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së ka kërkuar gjithashtu të dhëna nga Raiffeisen për biznesin në Rusi. Një person tjetër tha se një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë kishte qenë në kontakt të rregullt me bankën austriake për lidhjet me Rusinë, ndaj edhe e kishte vizituar shpesh Vjenën për këtë çështje, por Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë rastin.

Por aksionet e Raiffeisen ranë pas lajmeve të Reuters, me rreth 16%. Raiffeisen gjithashtu anuloi shitjen e një obligacioni prej 650 milionë euro, sipas një prej bankave që organizonte procesin. Deri më tani, zyrtarët kryesorë austriakë, të indinjuar nga ajo që ata e shohin si ngacmim të SHBA-së ndaj një vendi të vogël, neutral, janë kundërpërgjigjur me pretendimin se janë pjesë e një grupi industrial me ndikim që mbështet ekonominë.

Por dy njerëz që kanë lidhje me qeverinë austriake, thanë se zyrtarët nuk ishin të vendosur që të mbronin marrëveshjen e fundit mbi aksionet në Strabag, kompani që edhe ndërtoi stadiumin olimpik për lojërat dimërore të Soçit dhe apartamentet luksoze në Moskë. Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cili mbikëqyr sanksionet e BE-së ndaj oligarkëve, përfshirë edhe Deripaskën, tha se ishte në dijeni të transaksionit dhe "ka kërkuar sqarime nga autoritetet austriake, përgjigjet e të cilave ende nuk e ka marrë."

"Jemi në kontakt edhe me autoritetet amerikane,"- tha zëdhënësi, duke shtuar: Në përgjithësi, sanksionet e BE-së, asetet e individëve dhe subjekteve që i nënshtrohen ngrirjes së aseteve duhet të ndalohen, d.m.th në thelb është e ndaluar të shiten këto pasuri.

Kohët e fundit, Austria i bëri presion Ukrainës që të hiqte RBI nga lista e zezë, duke qëndruar në mbështetje të sanksioneve të reja të BE-së ndaj Rusisë.

Austria dhe RBI donin që hiqeshin nga lista e "sponsorëve ndërkombëtarë të luftës" të Kievit, që ka përpiluar një material për të ekspozuar kompanitë që bëjnë biznes në Rusi. Edhe pse UniCredit e Italisë gjithashtu ka një biznes në Rusi, vëmendja është RBI, pasi është bankë më e madhe. Autoritetet ruse i kanë bërë të qartë RBI-së, e cila ka rreth 4 milionë persona me llogari bankare dhe 10,000 staf, se dëshirojnë që ata të vazhdojnë biznesin në Rusi pasi u mundësojnë pagesat ndërkombëtare.

Edhe pse RBI ishte zotuar se do të ndalte biznesin me rusët, dy vjet pas nisjes së luftës, pak ka ndryshuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB