“Shqipëria ka përparuar”, ambasadorja e BE: Dialog për protestat, dhuna s’ka vend në demokraci
TIRANË- Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë drejt rrugës së integrimit Europian, por theksoi se ka ende sfida të rëndësishme si korrupsioni.
“Dje KE miratoi progresraportin e Shqipërisë. Raporti është tashmë publik dhe të gjithë shqiptarët mund ta lexojnë. Mesazhi i këtij raporti është shumë i thjeshtë: ‘Shqipëria ka ecur përpara’. Ky raport paraqet punën tuaj, vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje të vazhdueshme. Sa i takon drejtësisë, korrupsionit, raporti evidenton një punë të mirë. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë, sepse korrupsioni mbetet një sfidë reale”, tha ambasadorja.
Ndërkohë, duke u ndalur te protestat në vend, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në raport, ambasadorja theksoi se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Ambasadorja vuri theksin te dialogu për angazhimin e të gjitha palëve, në mënyrë që sipas saj, pakënaqësitë të dëgjohen dhe të trajtohen.
“Protestat paqësore janë një e drejtë demokratike. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike, pavarësisht se nga kush vjen. Ajo që mungon sot është dialogu dhe të gjitha palët, pa përjashtim, duhet të bëjnë përpjekje të vërteta për të nisur dialogun. Ne duhet ta luftojmë këtë polarizim dhe kjo mund të bëhet vetëm me mënyra demokratike, duke gjetur mënyrat që pakënaqësitë të dëgjohen dhe të trajtohen, jo me anën e dhunës. Protesta kemi edhe në Europë, në shumë shtete. E rëndësishme është të kuptojmë se cilat janë pakënaqësitë dhe të gjejmë mënyrat për t’i trajtuar ato", tha ambasadroja Sofia Moreira de Sousa.
/ZËRI
“Nesër hapet dialogu online”, Rama: 3 grupe studentësh janë kthyer me kërcënime që mos takoheshin me mua
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapjen e një dritareje të re dialogu online, duke nisur nga nesër, përmes së cilës të interesuarit do të kenë mundësi të ndërveprojnë drejtpërdrejt me të dhe qeverinë.
Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së, Rama foli edhe për protestat, duke pretenduar se tre grupe studentësh kanë qenë të gatshëm për dialog, por, sipas tij, janë kthyer mbrapsht me dhunë dhe presion. Rama u ndal te përplasjet dhe dhuna, duke theksuar se nuk do të tërhiqet dhe askush nuk mund ta trembë me dhunë.
“Nesër do të ndezim një tjetër dritare dialogu, që i ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua dhe qeverinë. Studentë që kërcënohen nga pseudo studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe i çojnë mesazhe të ndryshme atyre që mendojnë ndryshe. Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra. Pastaj të bullizuar në ekstrem. Një gjë dua të jetë e qartë, nuk jam më student dhe pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog. Kam dalë kundër një regjimi real jo imagjinar, për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua. Kush mendon se me trembjen, dhunën, do ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë llogaritë gabim. Edhe ata që ngrenë dorën kundër policisë, por edhe atyre që bllkojnë rrugën”, theksoi Rama.
/ZËRI
“A mund të kthehet lëvizja studentore si ajo e Serbisë?”, Rama: Shqipëri-Serbi, dy realitet të ndryshme
TIRANË- Protestat në vend kanë qenë në fokus të pyetjeve drejtuar kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së.
I pyetur nëse protestat në Shqipëri mund të shndërrohen në një lëvizje studentore të ngjashme me atë në Serbi, Rama u shpreh se dy vendet nuk kanë asnjë ngjashmëri mes tyre. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se janë dy realitete të ndryshme, duke iu referuar edhe qëndrimit të BE lidhur ndyrshimin e të dyja vendeve.
“Se sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situata në Serbi me situatën në Shqipëri, këtë mund ta konstatoni duke e krahasuar qëndrimin e BE ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit.
Janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët njëra me tjetrën, pavarësisht përpjekjes për ti bashkuar në funksion të një agjende që nuk është agjenda e BE-së, nuk është as e qeverisë por e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë.
Sa i përket mobilizimit të madh e kam bërë vetë dallimin me protestave të fillim qershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë sorrash dhe korbash që nuk kishte se si të mos kalonte te dhuna. Ishte e dhunshme edhe pa qenë me gurë e moltovë në dorë, kur parullë kishte: “Ska dialog, jep dorëheqjen", tha kryeministri Rama./ZËRI
“A e keni kërcënuar Veliajn?” Rama reagon për akuzat: Si ato zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë përplasjen në distancë me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, pas akuzave të drejtpërdrejta të këtij të fundit ndaj kreut të qeverisë.
I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së, Silvio Moreira de Sousa, Rama shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke i cilësuar polemikat si “zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard”.
Kjo përbën reagimin e parë publik të Ramës lidhur me akuzat e Veliajt, i cili nga burgu ka pretenduar se është kërcënuar përmes ministrit Toni Gogu dhe se i është kërkuar të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, duke e akuzuar kryeministrin se qëndron pas protestave kundër tij.
"Dua të them që raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon. Sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik. Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë. Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë.
Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju", u shpreh Rama./ZËRI
“Detyra e qeverisë që ta garantojë dialogun”, Rama për protestat: Tejkalimi i forcës nga policia do të shqyrtohet
TIRANË- Ambasadorja e BE-së i ka dorëzuar sot kreut të qeverisë Edi Rama progres-raportin e KE-së për Shqipërinë. Ndërkohë, në një konferencë të përbashkët, kreu i qeverisë komentoi gjetjet e raportit, ku është ndalur edhe tek protetsat. Rama shprehet se e drejta për protestë duhet të garantohet, por pa akte dhune, ndërsa thekson se dialogu është thelbësor për bashkëjetesën demokratike dhe mazhoranca ka detyrimin ta garantojë atë.
“Po ashtu, raporti ngre shqetësime për funksionimin e institucioneve, mbikëqyrjen parlamentare dhe cilësinë e opinionit publik. Flet edhe për protestat, duke cituar edhe përdorimin e tepruar të forcës nga policia, teksa edhe dialogu nënvizohet si rruga ku duhet të përqendrohemi. Asnjë konstatim i raportit nuk mund të anashkalohet, ashtu si edhe ky i fundit. E drejta për protestë duhet garantuar dhe dhuna duhet dënuar. Tejkalimi i forcës duhet shqyrtuar seriozisht. Ndërsa dialogu është një etikë për bashkëjetesën demokratike dhe mazhoranca jonë e ka për detyrim që ta garantojë këtë. Nuk po flas vetëm për anën e ndritshme të këtij raporti, por edhe për atë me hije të kësaj medaljeje. Të dyja janë të vërteta dhe të dyja përbëjnë këndvështrimin realist të KE-së për Shqipërinë”, shprehet Rama.
/ZËRI