Ekonomi

Prokuroria faktoi mashtrimin me mikrokreditë, drejtori i Mbikëqyrjes në BSH: Qytetarët të vijojnë pagesat

Deniz Dëralla, është një prej personave përgjegjës, që ka zvarritur heqjen e licensave për kompanitë e mikrokredive

E.K
Prokuroria faktoi mashtrimin me mikrokreditë, drejtori i Mbikëqyrjes
Deniz Deralla

TIRANË- Pas mbylljes së kompanisë Micro Credit Albania, dhe FINAL, qytetarët janë në dilemë se çfarë do të ndodhë me kreditë e tyre që iu ishin shitur këtyre dy institucioneve financiare. BSH nuk ka ende një vendim të qartë se si do të bëhet ristrukturimi i këtyre kredive, që janë shitur dhe janë fryrë në vlera, e konfirmuar kjo dhe nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës.

Drejtori i departamentit të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, Deniz Dëralla në emisionin Zona Zero me Milaim Zekën, është shprehur se qytetarët do të duhet që të vazhdojnë të paguajnë detyrimet në mënyrë që të pastrojnë historikun e tyre në regjistrin e kredive. Por Dëralla, i cili është etiketuar si një prej personave përgjegjës që kanë lejuar skemën e mikrokredive, nuk ka dhënë asnjë sqarim si dhe ku do të duhet që të bëhet pagesa e këtyre kësteve.

Deniz Dëralla: “Qytetarët të vazhdojnë të paguajnë detyrimet e tyre në mënyrë që të pastrojnë historikun e tyre në regjistrin e kredisë. Vetëm shlyerja e plotë e detyrimit mund t’i bëjë këta qytetarë të besueshëm për sistemin financiar mund t’i bëjë ata që në të ardhmen të kenë mundësinë të marrin sërish kredi apo të financohen nga institucionet financiare. Ndërkohë i këshillojmë që të ruajnë mandat pagesat e tyre pasi shumë shpejt në momentin e vendosjes në likuidim të këtyre kompanive, sigurisht që do të bëhet evidenca e të gjithë këtyre pagesave, do të bëhet pasqyrimi në regjistrin e kredisë.”

Kreu i dhomës së Përmbaruesve, Tedi Malaveci e cilësoi si skemë kriminale gjithë rrugën e ndjekur me shitjen e kredive të këqija tek institucionet financiare jo banka, dhe vlerësoi se asnjë klient nuk mund të vazhdojë të shlyejë një kredi të marrë në kushtet e mashtrimit. Gjithashtu Malaveci sqaroi se këtë të martë mbahet seanca për kallëzimin që dhoma e përmbaruesve ka bërë ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në Prokurorinë e Posaçme.

Sipas Malavecit, kanë qënë në total 96 mijë kredi të shitura nga bankat e nivelit të dytë në këto institucione, të cilat kanë pasur një efekt social të madh./ZËRI

Poll

MOS HUMB