Ekonomi

Shqipëri “cashless” në 2030! Ibrahimaj prezanton 12 masat: Do ngrihet Këshilli për Pagesat Digjitale

Ministrja tha se brenda këtij muaji synohet ngritja e Këshillit për Pagesat Digjitale.

F.I
Shqipëri “cashless” në 2030! Ibrahimaj prezanton 12 masat:
Delina Ibrahimaj

TIRANË-Nisma për një Shqipëri pa para fizike, duket se po merr formë. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot nismën kombëtare “Cashless Albania 2030”. Sipas saj kjo është një nismë kombëtare që synon të rrisë përdorimin e pagesave digjitale nga qytetarët dhe bizneset, duke ndërtuar një infrastrukturë moderne, të sigurt dhe funksionale.

Programi i ndërmarë synon që në Shqipëri deri në vitin 2030 ekonomia të jetë e drejtuar drejt parasë digjitale, që do të thotë se në portofolat tanë do të kemi një kartë nga e cila do të bëjmë të gjitha pagesat. Ministrja tha se brenda këtij muaji synohet ngritja e Këshillit për Pagesat Digjitale. Ndërkohë në muajin Janar synohet fillimi i implementimit të masave, të cilat deri tani në kuadër të programit janë 12:

1.Uljes graduale e tavanit të pagesave cash

2.Detyrimit ligjor për tregtarët për t’u pajisur me terminalë POS

3.Detyrimit ligjor për institucionet publike dhe shoqëritë publike për t’u pajisur me terminalë POS

4.Eliminimit të transfertave cash të pagesave qeveritare

5.Nxitjes së përdorimit të pagesave elektronike nga punonjësit e administratës publike

6.Respektimit të arkës ditore

Më pas synohet një përmirësim i infrastrukturës dhe kostove nëpërmjet:

7.Kufizimit të tarifave (Interchange Fee)

8.Bashkëpunimit me bankat dhe IPE-të për ndërlidhjen me platformën publike të pagesave elektronike

9.Ndërlidhjes së pagesave me sistemin e fiskalizimit dhe vendosja e QR code universal për pagesat elektronike

10.Zbatimit të sistemit kombëtar të pagesave të menjëhershme

11.Bashkëpunimit me sektorin privat për shtrirjen e infrastrukturës së pagesave elektronike

Në program parashikohet edhe edukimi financiar nëpërmjet një fushate kombëtare e ndërgjegjësimit dhe informimit për pagesat digjitale të quajtur “Shqipëria paguan digjital”.

Nisma u njoftua në korrik të këtij viti gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit të teknologjisë në Berat,  ku vetë Kryeministri Edi Rama shpalli ambicien për të transformuar Shqipërinë në një shoqëri pa para fizike deri në vitin 2030, ose e thënë ndryshe drej ekonomisë Cashless! Sipas tij qeveria shqiptare synon që të gjitha transaksionet financiare të kalojnë në formë digjitale, duke e çliruar vendin nga përdorimi i parasë cash.

Poll

MOS HUMB