Aktualitet

Shqipëria cashless, ekspertët skeptikë: Nuk ndalon pastrimin e parave, monopol i Bankave!

Vende të përparuara, të cilat kanë një eksperiencë më të gjatë me pagesat digjitale dhe një shkallë disafish më lartë të përdorimit të tyre, këshillojnë vijimin e përdorimit të parasë fizike si një mjet pagese të qëndrueshëm dhe i besueshëm, veçanërisht gjatë krizave.

Loreta Koleci
Shqipëria cashless, ekspertët skeptikë: Nuk ndalon pastrimin e
Foto ilustruese

TIRANË- Monedhat nuk do na duhen më! Nuk do kemi më para në dorë për të paguar kafen, drekën, ushqimet në supërmakret apo veshjet në dyqane. Me pak fjalë në Shqipëri synohet që deri në vitin 2030 ekonomia të jetë e drejtuar drejt parasë digjitale, që do të thotë se në portofolat tanë do të kemi një kartë nga e cila do të bëjmë të gjitha pagesat.

Po nga vjen kjo nismë?

Në korrik të këtij viti gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit të teknologjisë në Berat, Kryeministri Edi Rama shpalli ambicien për të transformuar Shqipërinë në një shoqëri pa para fizike deri në vitin 2030, ose e thënë ndryshe drej ekonomisë Cashless!

Sipas tij qeveria shqiptare synon që të gjitha transaksionet financiare të kalojnë në formë digjitale, duke e çliruar vendin nga përdorimi i parasë cash.

Dëgjojeni!

 “Ajo që mbeti pa u thënë është që ne kemi dhe një ambicie tjetër që deri në fund të dekadës Shqipëria të jetë cashless, pra transaksionet financiare të jenë digjitale, na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim, teknologjia nuk mungon. Është plotësisht e realizueshme dhe do çlirojë vendin nga një barrë pluhuri dhe ferrash në jetën e përditshme, dhe e fundit që kam është që në atë dokumentin që do përgatisni të jenë sa më të lirë dhe kreativ, pa vendosur limit. Deri në fund gushtit të mund të firmosin marrëveshjen kuadër me qeverinë për bashkëpunimin mes nesh.”, deklaroi Rama.

A jemi gati për një shoqëri pa para në dorë, kur shumë pagesa kryhen ende me para fizike? Këtë do na e tregojnë ekspertët!

I pyetur nga Zëri në lidhje me këtë hap që do të ndërmarrë qeveria, eskperti i ekonomisë Pano Soko u shpreh se qytetarët do të përballen me kosto të lartë të transaksioneve dhe në këtë mënyrë do krijohet një monopol bankar. 

“Në momentin që ne do të prezantonim një nismë të tillë e cila do ta digjitalizonte 100% të ekonomisë shqiptare, neve sapo iu kemi dhënë bankave kuadrin monopol. Duke qenë se banka nuk është në kontrollin e qeverisë, kemi hapur mundësinë që të abuzojë në mënyrën më klasike të mundshme, duke rritur kostot, ashtu sikurse bën çdo kompani monopol. Sepse ai të rrit çmimin jo bazuar në logjikë, por bazuar në interesin e vet. Përpara se të ndërmerret një masë e cila detyron qytetarët të digjitalizojnë paranë e tyre duke përdorur transaksione bankare fol nëjherë me bankën se kosotot e bankës janë të jashtëzakonshme. Mos iu bëj vetëm presion qytetarëve se kështu i bie që ti je punëtor i bankës. Kryeministri është punëtor marketing i bankës sepse iu thotë qytetarëve që për interes të bankës, shkoni te banka, ndersa bankës i thotë vazhdo me ato përqindjet që ke për komision etj etj dhe vazhdo fito para. Por kjo nuk është e drejtë! Ti i ke futur qytetarët si miu në qark. Ai nuk ka nga shkon do pranojë kosotot e bankës dhe kaq!”, tha ai.

Ndërsa për ekspertin e ekonomisë Zef Preçin Shqipëria ka disa faktorë problematikë që nuk e lejojnë që të drejtohet nga ekonomia Cashless, siç janë mungesa e aksesit të internetit në 1/3 e territorit dhe përqindja e lartë e popullsisë në moshë të tretë. Gjithashtu ai theksoi se kjo nismë nuk mund të bëhët realitet brenda 5 viteve.

“Ne kemi një shkallë penetrimi të internetit që nuk kalon 2/3 e territorit, kemi një përqindje të lartë të popullsisë që afron tek 1/4 në moshën e tretë, çka do të thotë që mundësitë për ta përdorur lehtëisht teknologjinë e informacionit janë më të kufizuara.  Në këto rrethana të flasësh për ekonomi pa para në dorë është një ëndërr e bukur vere, por që në thelb nuk është se të çon në gjëkundi. Ne jemi në këtë rrugë, po nuk është arritje e madhe të thuash se ne do e bëjmë për 5 vite, nuk bëhet për pesë vjet, nuk e bën as Suedia apo Danimarka apo vendet që kanë parametrat më të mirë në këtë fushë sepse duhet të luftojmë informalitetin, kriminalitetin, duhet ta bëjmë funksionale ekonominë tonë. Në këtë këndvështrim unë e shoh si përpjekje për të mbajtur gjallë frymën pro-evropiane që qeveria bën, por në të njëjtën kohë e shoh si jo realiste veçanërisht në kushtet e sotme.”, u shpreh ai.

Lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama, që ky vizion do të çojë drejt një ekonomie formale dhe uljen e qarkullimit të parave të pista, ekspertët u shprehën skeptikë!

“Paraja e pistë pastrohet. Ku pastrohet? Në bankë. Në momentin që ne do ta çojmë gjithë paranë te banka apo do ta digjitalizojmë të gjithë paranë, nuk kemi ndërprerë pastrimin e parasë, sepse dhe paraja e pistë te banka do shkojë, siç shkon sot! Nuk është digjitalizimi I përdorimit të parasë ai që e zgjidh problemin e pastrimit të parasë. Duhet ndërprerë rruga nga cash te banka, ajo duhet vëzhguar. Po e kërkojmë gabim zgjidhjen, nuk është kjo zgjidhja për paranë e pistë, fare, zero. Madje e lehtëson më tepër!”, tha Soko.

“Ne problemin e kemi me administratën, problemin e kemi me bzinesin, problemet i kemi me komunitetin e qytetarëve dhe nëse nuk ndryshojnë pozititivisht këto element sepse nuk është çështje e teknologjisë është çështje e njeriut, në këtë kuptim rritja e kapaciteteve te administrata, përmirësimi i funskionimit të enteve rregullatore që nxitet nga konkurrenca në tregje.

Problemi më i madh i ekonomisë tonë ëshstë produktiviteti i ulët i saj, keqqeverisja, mungesa e vizionit për të ardhmen. Është joshëse të flasësh për ide të tilla, është joshëse për veshët e perendimorëve, por kapërcimi i problematikës me rendimentin e punës, me inovacionet, është një mundim është një sfidë që uroj që qeveria e re që do të krijohet në shtator të mos marrë parasysh deklaratat e kryeministrit dhe të mos vazhdojë të vazhdojë vazhimin e asaj që ka bërë në këto 10 vjet.

Kështu që evazioni, shmanja e taksave në tërësi, korrupsioni nuk ulen se përdor pajisje më të sofistikuara për të mos thënë që historia e lobimit të parave të pista në ekonominë shqiptare tregon që pjesa më e kriminalizuar e shoqërisë, segmentet e krimit të organizuar dhe të elitës së korruptuar në simbiozë me të janë një hap përpara edhe ideve të kësaj natyre.”, tha Preçi.

Zëri iu drejtua edhe Banës së Shqipërisë, duke e pytur në lidhje me këtë hap të rëndësishëm të ekonomisë dhe vështirësitë që mund të hasen me kalimin e ekonomisë nga paraja në dorë drejt parasë digjitale. Përgjigja e Bankës së Shqipërisë ishte kjo:

"Shqipëria e 2030 do të jetë një realitet shumë i ndryshëm nga ky i sotmi përsa i përket pagesave digjitale. Duhet të kuptojmë që nuk bëhet fjalë për elemininim total dhe përfundimtar të cash-it. Vende të përparuara, të cilat kanë një eksperiencë më të gjatë me pagesat digjitale dhe një shkallë disafish më lartë të përdorimit të tyre, këshillojnë vijimin e përdorimit të parasë fizike si një mjet pagese të qëndrueshëm dhe i besueshëm, veçanërisht gjatë krizave. Paraja fizike duhet të jetë funksionale si mjet alternativ kur sistemet elektronike të pagesave ndërpriten për shkak të mungesës së energjisë elektrike, dështimeve të internetit, problemeve me softuerin apo ngjarjeve të tjera.”-mbyll banka shpjegimin për këtë çështje./ZËRI

Poll

MOS HUMB