Energji & Mjedis

UNESCO: Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat i Biosferës

Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës do të përforcojë statusin e saj ndërkombëtar dhe do të promovojë më tej ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

F.I
UNESCO: Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat i Biosferës
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Ministria e Turizmit dhe Mjedisit njoftoi sot se UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës.

“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është një njohje për bukurinë e egër të Vjosës, mirënjohje për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Për lajmin ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili  theksoi vlerat e luginës dhe përpjekjet e deritanishme. Rama shprehet më tej se në shtator të këtij viti pritet edhe miratimi përfundimtar nga Këshilli i rezervave të Biosferës për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore.

"Një lajm që na mbush me emocion dhe krenari pas një pune të gjatë, me një vizion të qartë: UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere. Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar — është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës. Dhe asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm. Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është modeli i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit,"-shkruan Rama.

Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës do të përforcojë statusin e saj ndërkombëtar dhe do të promovojë më tej ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon. Lumi Vjosa është i njohur si “lumi i fundit i egër në Europë”, pasi rrjedh në mënyrë të lirë për rreth 270 km, nga burimet në malet e Pindit në Greqi (ku quhet Aoos), deri në derdhjen në detin Adriatik në Shqipëri.

Lugina e Vjosës është një ekosistem unik, që përfshin habitate të ndryshme si pyje, ishuj ranorë dhe toka bujqësore, më shumë se 1100 lloje bimore dhe shtazore, përfshirë specie të rrezikuara si vidra, pelikanët dalmatianë dhe peshq endemikë, është një korridor migrimi për shumë shpendë dhe një zonë e rëndësishme për biodiversitetin europian./ZËRI

Poll

MOS HUMB