Vendimi i Qeverisë, Rama i kalon Gonxhes varësinë e Drejtorisë së Arkivave
TIRANË- Drejtoria e Arkivave do të kalojë në varësinë e ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhes, sipas vendimit të marrë sot nga Këshilli i Ministrave. Këshilli i Ministrave vendosi sot për këtë ndryshim, teksa hyn në fuqi në mënyrë të menjëhershme.
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Prill 2026:
P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9154, DATË 6.11.2003, “PËR ARKIVAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në pikën 2, të nenit 10, fjalët “… në varësi të Kryeministrit …” zëvendësohen me “… në varësi të ministrit përgjegjës për kulturën …”.
Neni 2
Në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 11, fjalët “… Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit …” zëvendësohen me “… ministrit përgjegjës për kulturën …”.
Neni 3
Dispozitë kalimtare
Buxheti i miratuar për vitin 2026 për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, deri në rishikimin e ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, ekzekutohet në strukturën aktuale buxhetore, në përputhje me rregullat e legjislacionit buxhetor në fuqi.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9154, DATË 6.11.2003, “PËR ARKIVAT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
/ZËRI
Qeveria miraton 203 mln lekë për bashkësitë fetare nga buxheti 2026, më shumë para për KMSH-në
TIRANË- Qeveria ka ndarë buxhetin e vitit 2026 për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare. Sipas Këshillit të Ministrave ato do të përfitojnë 203 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ku më shumë do të përfitojë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Buxheti 2026 do të ndahet:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: 57 300 000 lekë
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë: 48 600 000 lekë
Kisha Katolike në Shqipëri: 48 600 000 lekë
Kryegjyshata Botërore Bektashiane: 48 500 000
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2026 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, pika 2, 3, 4, pika 2, 5, pika 1, e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit, prej 203 000 000 (dyqind e tre milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2026, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 57 300 000 (pesëdhjetë e shtatë milionë e treqind mijë) lekë, të ndarë në:
i. 28 200 000 (njëzet e tetë milionë e dyqind mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 94 (nëntëdhjetë e katër) punonjës të administratës;
ii. 29 100 000 (njëzet e nëntë milionë e njëqind mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 97 (nëntëdhjetë e shtatë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 48 600 000 (dyzet e tetë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, të ndarë në:
i. 24 600 000 (njëzet e katër milionë e gjashtëqind mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 82 (tetëdhjetë e dy) punonjës të administratës;
ii. 24 000 000 (njëzet e katër milionë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 80 (tetëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 48 600 000 (dyzet e tetë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, të ndarë në:
i. 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 50 (pesëdhjetë) punonjës të administratës;
ii. 33 600 000 (tridhjetë e tre milionë e gjashtëqind mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 112 (njëqind e dymbëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 48 500 000 (dyzet e tetë milionë e pesëqind mijë) lekë, të ndarë në:
i. 9 000 000 (nëntë milionë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 30 (tridhjetë) punonjës të administratës;
ii. 28 000 000 (njëzet e tetë milionë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;
iii. 11 500 000 (njëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën për vitin 2026, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.
2. Kalimi i fondit, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit prill të vitit 2026.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/ZËRI
Pranvera Skana emërohet zëvendësministre e Mbrojtjes
TIRANË- Pranvera Skana është emëruar në detyrën e zëvendësministres së Mbrojtjes. Vendimi u mor sot nga Këshilli i Ministrave dhe hyn në fuqi menjëherë, ndërsa pritet të botohet në Fletoren Zyrtare. Më parë kjo detyrë mbahej nga Andrea Shllaku.
Skana ka qenë kandidate në listat e PS-së për Lezhën në zgjedhjet e 2025-ës.
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Prill 2026:
V E N D I M PËR EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Pranvera Skana emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
/ZËRI
"Po diskutojmë me Shoqatat e Transportit për çmimin e biletave", Karakaçi: Së shpejti nënstacioni energjitik në Tiranë
TIRANË- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi se po shqyrtohen masat për çmimin e biletave të autobusëve. Karakaçi u shpreh pas mbledhjes së qeverisë se po zhvillojnë takime me shoqatat e transportit lidhur me kërkesat për rritjen e çmimeve të biletave, pas rritjes së kostos së naftës.
Karakaçi bëri me dije se së bashku me ministren Delina Ibrahimaj dhe kryetaren e komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, kanë zhvilluar një takim me Shoqatat e Transportit, duke marrë parasysh propozimet e transportuesve për ndryshime të mundshme.
“Jo më larg se para rreth dy orësh, bashkë me ministren e Ekonomisë dhe bashkinë e Tiranës ishim në takim me shoqatat e transportit. Situata e krizës dhe çmimeve është duke u ndjekur me kujdes. Qeveria ka njoftuar disa plane masash, si ngritja e Bordit të Transparencës dhe akcizën. E dimë që gjatë 2022 janë marrë disa akte subvencioni sa i përket shoqatave, ky element po diskutohet përsëri. Por jemi duke e marrë në konsideratë bashkë me propozime të tjera të bëra nga shoqatat e transportit”, tha ai.
I pyetur nga mediat, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dha më shumë detaje për marrëveshjen me OSHEE-në dhe BERZH-in për ndërtimin e një nënstacioni energjitik në Tiranë. Ky projekt do të përmirësojë furnizimin me energji në kryeqytet, një iniciativë që po realizohet në bashkëpunim me OSHEE dhe BERZH.
“Nënstacioni i qendrës hyn te asetet më të rëndësishme për sigurinë e furnizimit me energji të Tiranës. Jemi në faza të avancuara, projekti është për të ndërtuar një nënstacion të ri në qendër, nëntokë dhe me tre transformatorë. OSHEE është në fazën e shpalljes së fituesit, që ndiqet edhe nga BERZH në këtë proces, do të fillohet me ndërtimin brenda pak muajsh”, u shpreh ai.
"Bord për investimet nga jashtë BE-së", Ibrahimaj: 100 milionë lekë mbështetje për biznesin
TIRANË- Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në përfundim të mbledhjes së qeverisë bëri me dije se është miratuar ndërtimi i një bordi, i cili do të kontrollojë dhe do hetojë investimet e huaja direkte nga vendet jo-anëtare të BE-së. Siç deklaroi ministrja, investimet do të fokusohen kryesisht në sektorë me rëndësi kritike për sigurinë kombëtare, si mediat dhe fusha e mbrojtjes.
“Nëpërmjet aktit që sapo u miratua dhe nëpërmjet një mekanizmi të një bordi të drejtuar nga Ministri i Ekonomisë, një bord ndërministror, ne do të shqyrtojmë të gjithë investimet të cilat vijnë nga vende jo anëtare të Bashkimit Evropian, fillimisht në dy fusha, në fushën e medias dhe në fushën e mbrojtjes.", tha Ibrahimaj.
Po ashtu, ministrja Ibrahimaj njoftoi se Këshilli i Ministrave ka vendosur të mbështesë me 100 milionë lekë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas ministres, synohet zhvillimi ekonomik dhe rritja e konkurrueshmërisë së tyre në treg.
"Akti i tretë lidhet me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mesme, ne miratuam një fond prej 100 milionë lekësh, i cili do të akordohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha Ibrahimaj./ZËRI
Holta Zaçaj emërohet zv.guvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë
TIRANË- Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj është emëruar zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë. Vendimi u mor sot nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me propozim të Guvernatorit Gent Sejko.
"Në mbështetje të nenit 44 të ligjit 8269/1997 'Për Bankën e Shqipërisë', i ndryshuar, me propozimin e Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi dhe emëroi zj. Holta Zaçaj në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë", thuhet në njoftim.
Zaçaj disa javë më parë nisi punën si anëtare e Këshillit të Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, së bashku me Ervin Mete, Selami Xhepa dhe Jonida Prifti. Ndërsa në fund të viti të kaluar Zaçaj mbylli mandatin si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në të shkuarën ka qenë pedagoge, avokat dhe drejtuese e departamentit Ligjor në Alpha Bank Albania./ZËRI
Këshilli i Ministrave merr vendimin, Kumbaro: Tekste shkollore falas dhe për nxënësit e klasave 4 dhe 5!
TIRANË- Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro foli pas mbledhjes së qeverisë, ku deklaroi se nxënësit e klasave të 1 deri në të 5 do të përfitojnë tekstet shkollore falas për çdo vit. Më tej, Kumbaro shtoi se nxënësit e klasave të 6 deri në të 9 do të marrin tekste të reja njëherë në 3 vite. Sipas saj, ata janë më të rritur dhe konsiderohet se i mirëmbajnë më mirë ato.
Deri tani një vendim i ngjashëm prekte vetëm nxënësit nga klasa e parë në të tretë.
“Dy propozime të ministrisë janë miratuar. Ka të bëjë me arsimin paraunviersitar. Miratuam financimin nga buxheti i shtetit për klasat 4-5 për ciklin fillor për tekstet falas çdo vit, rreth 43 milionë lekë të reja. Bëhet fjalë përreth 9 mijë nxënës. Dua të theksoj që do të procedohet me të njëjtën logjikë njëherë në 3 vite për klasën 6-9, janë më të rritur dinë t’i mirëmbajnë tekstet. Vendimi 2 miraton mënyrën sesi llogaritet buxhetimi dhe financimi i kërkimit shkencor. Është një angazhim jo vetëm ligjor, por është dhe një angazhim që ka të bëjnë me kapitullin 25 për angazhimin në BE. Kapitulli 25-26 janë të ministrisë së Arsimit dhe të parët që do të mbyllen në procesin e negociatave”, tha Kumbaro./ZËRI
"Administrata pa letra", Ibrahimaj: Firmat online, s'ka më dokumente shkresore
TIRANË- Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi për mediat se administrata shqiptare nuk do të përdorë më dokumentet shkresore. Ajo bëri të ditur se firmat në administratë do të kryhen online dhe institucionet do të funksionojnë pa përdorimin e letrës. Sipas ministres, qeveria ka miratuar dhe dërguar në Parlament një projektligj për lëvizjen e lirë të shërbimeve.
“Firmat e administratës do të bëhen online. Do të eliminojmë të gjitha dokumentet shkresore dhe administrata shqiptare do të punojë pa letra. Kaluam në Këshillin e Ministrave dhe dërguam në Parlament një projektligj me lëvizjen e lirë të shërbimeve. Ne jemi duke punuar intensivisht me qëllim që të gjitha detyrat që qeveria shqiptare ka në zbatim të planit të integrimit, të përmbyllen me kujdes pa tejkaluar afatet”, u shpreh ministrja./ZËRI
"4 bashki të tjera shpallën zonat prioritare"! Demo për "Territorialen": Janë diskutuar disa variante, por s’ka qëndrim nga PS
TIRANË- Ministri Pushtetit Vendor, Ervin Demo, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se 4 bashki të reja kanë miratuar zonat prioritare lidhur me Paketën e Maleve. Siç deklaroi ministri, bëhet fjalë për Bashkinë Sarandë, Kuçove, Gramsh dhe Tropojë. Sipas ministrit Demo, në territor ka kaluar numri i 500 aplikimeve, si pasojë e interesit të bashkive që shpallin zonat prioritare.
“Vendimet e ditës së sotme: kemi pasur katër bashki të reja që sot kanë miratuar zonat prioritare, duke nisur me Bashkinë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë. Ne vazhdojmë të ecim çdo javë me bashkitë që miratojnë zonat e tyre prioritare. Tashmë mund të themi se numri i aplikimeve në territor, edhe për vetë faktin që numri i bashkive po rritet javë pas jave, është edhe më i madh. Janë kaluar 500 aplikime. Edhe në javët në vijim kemi një sërë bashkish që janë në procese përfundimtare të miratimit të zonave prioritare“, tha Demo.
Demo u pyet edhe për procesin e reformës territoriale dhe variantet që po diskutohen. Ministri theksoi se deri më tani nuk ka një variant konkret, por se po analizohen modele të ndryshme bazuar në specifikat e vendit. Ai deklaroi se janë diskutuar disa modele, por, megjithatë, aktualisht nuk ka ende një qëndrim zyrtar se cili variant do të propozohet nga Partia Socialiste.
“Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar janë diskutuar modele të ndryshme. Nuk ka një qëndrim ende nga PS. Ne besojmë dhe unë do t’i referohemi asaj që kam thënë vazhdimisht: duhet të ecim përpara me procesin. Të gjithë jemi duke menduar modele të ndryshme, të cilat nuk i kemi shpikur ne. Nuk ka qëndrim, kjo është shumë e saktë. Janë diskutuar në parim disa kolona kryesore, ku kjo reformë duhet të mbështetet dhe kjo e bën procesin më të shëndetshëm dhe produkti përfundimtar do jetë më i mirë”, tha ministri.
Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, zhvilluar të shtunën, 28 mars, u prezantuan katër variantet mbi “Territorialen”, që përfshijnë konsolidimin funksional, atë të dencentralizimit, forcimin e qarkut dhe rajonet strategjike.
Partia Demokratike nuk ka rënë dakort me skenarët e Partisë Socialiste, duke kërkuar rikthimin e Komunave, të krijohen rajone dhe Bashki të reja sipas numrit të popullsisë./ZËRI
"Dëmet s'janë të pariparueshme", Ibrahimaj për sulmet kibernetike: Po monitorohen, por s'mund t'i evitojmë!
TIRANË- Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, komentoi sulmet kibernetike që kanë goditur së fundmi dhe vazhdimisht institucionet shtetërore. Një ditë më parë, u raportua për sulm kibernetik nga "Homeland Justice" ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj deklaroi se, megjithëse sulmet janë të vazhdueshme, deri më tani nuk janë konstatuar dëme të pariparueshme. Megjithatë, Ibrahimaj shtoi se këto sulme nuk mund të evitohen, kryesisht në botën e zhvillimeve të teknologjisë.
"E vërteta është që të gjitha atakët kibernetike nuk kanë lënë gjurmë të pariparueshme. Kjo do të thotë që infrastrukturat kibernetike janë në fuqi. E rëndësishme është që të mos ketë dëme të pariparueshme. Në botën e zhvillimit të sistemeve, ajo që është e pashmangshme, nuk mund të evitohen keto sulme. Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm në kohë reale për të gjitha sulmet kibernetike dhe do vazhdojme të instestojmë në këtë drejtim. Infrastrukra e ngritur në një kohë rekod është vlerësuar ndërkombëtarisht për nivletet e larta...Siguria kibernetike në Republikën e Shqipërisë është në monitorim të vazhdueshëm. Ne duhet të garantojmë që nuk ka dëmë permanente, por nuk mund t'i ndakojmë sulmet.", tha Ibrahimaj.
Duke u ndalur te skandali i AKSHI-t dhe te dyshimet nëse kanë rrjedhur të dhëna nga ky institucion, Ibrahimaj tha se ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga prokuroria për këtë çështje. Sakaq, Ibrahimaj theskoi nuk mund të konfirmohet nëse ka pasur përdorim të të dhënave për qëllime personale.
"Nuk jam në dijeni të një rezultati të tillë hetimor që SPAK është duke kryer. Nuk mund të themi se ka pasur një përdorim për qëllime personale. Kur prokuroria dhe gjykata të dalë me një qëndrim, do ta themi me zë të plotë.", shtoi Ibrahimaj.
Ditën e djeshme u raportuar për një sulm kibernetik ndaj sistemeve të Gjykatës së Lartë në vend dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa përgjegjësinë për ndërhyrjen e mori sërish “Homeland Justice”.
Më 25 mars “Homeland Justice” sulmoi sistemet e Postës Shqiptare, vetëm pak ditë pasi edhe Kuvendi i Shqipërisë ra pre e një sulmi kibernetik. Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se sulmi pati si synim fshirjen e të dhënave dhe cënimin e sistemeve të brendshme, por rezultoi se infrastruktura kryesore e punës nuk u prek.
Nisur nga kjo ngjarje, në një seancë plenare të jashtëzakonshme Kuvendi miratoi pa prezencën e Partisë Demokratike, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Rezoluta dënoi sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa kundër terrorizmit./ZËRI