"Netanyahu është kërcënimi më i madh për ekzistencën e Izraelit", demonstrata kundër luftës në Tel Aviv
TEL AVIV- "Fundi i një lufte të pafundme", qindra izraelitë demonstruan në Tel Aviv sonte kundër luftës kundër Iranit dhe Hezbollahut, duke u bërë thirrje autoriteteve të ndalojnë përleshjet.
"Mos bombardoni! Flisni!", “Ndaloni marrëzitë e Bibit", brohoritën demonstruesit që ishin mbledhur në sheshin Habima, në zemër të qytetit, përpara se tubimi të shpërndahej nga policia.
Një grua mbante një pankartë me frazën "Netanyahu është kërcënimi më i madh për ekzistencën e Izraelit", duke iu referuar kryeministrit të vendit.
View this post on Instagram
Pak pasi filloi demonstrata në orën 4 të pasdites, policia, e cila kishte autorizuar vetëm një tubim të kufizuar prej 150 personash për shkak të masave të sigurisë të vendosura për shkak të luftës, i largoi protestuesit larg vendit të ngjarjes. Disa u kthyen në shesh ose u ulën në tokë.
"Policia po përpiqet të na heshtë zërat, por është detyra jonë të jemi të pranishëm", tha për AFP-në Alon-Lee Green, bashkëdrejtor i Standing Together, një grup izraelito-palestinez që organizoi demonstratën.
"Ne jemi këtu për të kërkuar fundin e luftës në Iran, në Liban, në Gaza, e cila është ende duke vazhduar, për t'i dhënë fund bastisjeve në Bregun Perëndimor", tha ai./ZËRI
“Do të vazhdojmë të godasim Iranin”, Netanyahu: Shkatërruam 70% të prodhimit të çelikut
TEL AVIV- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se vendi i tij do të vijojë sulmet ndaj Iranit, teksa shtoi se objektiv janë burimet ekonomike që financojnë aktivitetet ushtarake. Netanyahu u shpreh se Izraeli ka goditur rëndë kapacitetet industriale të Iranit, duke pretenduar se është shkatërruar rreth 70% e aftësisë për prodhimin e çelikut, material që sipas tij përdoret për armë.
Ai shtoi se sulmet e fundit kanë në shënjestër edhe fabrikat petrokimike, të cilat i cilësoi si “makina e parave” të Iranit.
“Këto janë burimet që financojnë terrorin kundër nesh dhe botës. Ne do të vazhdojmë t’i godasim, siç kam premtuar”, deklaroi Netanyahu.
Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, me përshkallëzim të sulmeve dhe kërcënimeve mes dy vendeve./ZËRI
“Jetonin në luks”/ SHBA arreston mbesat e gjeneralit iranian të vrarë në 2020, Rubio: Na quanin ‘Satanai i Madh’
WASHINGTON- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arrestuar mbesën dhe stërmbesën e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, i cili u vra nga një sulm ajror amerikan në Irak në vitin 2020. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ato kishin jetuar në prej vitesh SHBA, por iu ndërpre statusi i tyre i ligjshëm i rezidentit të përhershëm nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Po ashtu thuhet se mbesa e Soleimanit ka vazhduar të jetë një “mbështetëse e hapur” e regjimit iranian dhe se ajo ka promovuar “propagandën” e regjimit në SHBA. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rubio shkruan se familjaret e Soleiman jetonin në luks në SHBA, por ato do të dëbohen.
“Deri pak kohë më parë, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj ishin mbajtëse të një karte të gjelbër dhe jetonin në luks në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tani janë nën kujdestarinë e agjentëve të anti-emigracionit (ICE) dhe “do të dëbohen”. Afshar është mbesa e gjeneralit të ndjerë iranian Qasem Soleimani. Ajo është gjithashtu një mbështetëse e zjarrtë e regjimit iranian, e cila ka festuar sulmet kundër amerikanëve dhe i është referuar vendit tonë si ‘Satanai i Madh’. Këtë javë kam revokuar statusin ligjor si për Afshar ashtu edhe për vajzën e saj, të cilat tani janë nën kujdestarinë e ICE, në pritje për t’u dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Administrata Trump nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet një strehë për shtetas të huaj që mbështesin regjime terroriste anti-amerikane”, shkruan Rubio./ZËRI
Lufta në Lindjen e Mesme/ Aviacioni europian në rrezik, vendet kanë deri në 8 muaj rezerva karburanti
LINDJA E MESME- Lufta që po zhvillohet në Lindjen e Mesme po vë nën presion Aviacionin Europian, me disa vende që kan raportuar se kanë 3 deri në 8 muaj rezerva karburanti për avionët e tyre. Sipas “Corriere Della Sera”, disa qeveri nuk po përjashtojnë më as skenarët e racionimit të karburantit që mund të sjell një reduktim të fluturimeve nga maji ose qershori ku fillimisht do të prekeshin avionët private dhe më pas linjat e rregullta.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, pas shpërthimit të luftës mes SHBA-ve dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, ka reduktuar pothuajse në zero numrin e cisternave që kalojnë ngushticën: nga një mesatare prej 60 cisternash që kalonin në ditë përpara nisjes së luftës.
Një raport i Scope Ratings nga vitit 2025 tregon se Gjiri Persik furnizonte 43% të nevojave për karburant të avionëve në Europë ndërsa vendet që kanë varësinë më të madhe janë Spanja, Italia dhe Greqia që varen nga rrugëtimi i cisternave përmes Kanalit të Suezit dhe Mesdheut Lindor.
Aviacioni britanik, me numrin më të madh të pasagjerëve në lëvizje në kontinent, është aktualisht më i ekspozuar ndaj krizës energjetike. Nëse furnizimet nga Gjiri “nuk mund të zëvendësohen, Mbretëria e Bashkuar mund të mbetet pa rezerva karburanti brenda tre muajve”, pra deri në qershor, llogarit kompania Argus.
Portugalia mund të shterojë brenda katër muajve, Hungaria në pesë, Danimarka në gjashtë. Italia dhe Gjermania kanë rreth shtatë muaj rezerva, ndërsa Franca dhe Irlanda tetë. Deri më tani Aeroportet ndërkombëtare nuk kanë raportuar për probleme, por janë gjithnjë e më të shqetësuara për aksesin në karburant./ZËRI
“60 mijë dollarë shpërblim”/ Mister fati i pilotit amerikan në Iran, Teherani i gatshëm për bisedime: Zbatoni kushtet tona
WASHINGTON- Forcat iraniane kanë nisur kërkimet për një pilot amerikan të zhdukur të shtunën nga një prej dy avionëve luftarakë të rrëzuar mbi Iranin dhe Gjirin Persik. Kapja e tij rrit rreziqet për Washingtonin, ndërsa lufta hyri në javën e gjashtë, ku tregon se ka më pak mundësi për bisedime paqeje.
Incidentet tregojnë rreziqet me të cilat përballen ende avionët amerikanë dhe izraelitë mbi Iranin, pavarësisht pohimeve të Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit të tij të Mbrojtjes, Pete Hegseth, se forcat amerikane kishin kontroll të plotë të qiellit.
Perspektiva e një anëtari të shërbimit amerikan gjallë dhe në arrati në Iran vjen disa ditë pasi Trump kërcënoi ta bombardonte Iranin “dhe ta kthente përsëri në Epokën e Gurit” në një konflikt që ka mbështetje të ulët publike midis amerikanëve dhe kërcënon të shkaktojë dëme afatgjata në ekonominë globale.
Me udhëheqjen e Iranit sfiduese që nga fillimi i luftës, ministri i jashtëm e la derën hapur për zhvillimin e bisedimeve të paqes me SHBA-në nëpërmjet ndërmjetësimit nga Pakistani, por nuk dha asnjë shenjë të gatishmërisë së Teheranit për t'u përkulur ndaj kërkesave të Trump.
"Ne jemi thellësisht mirënjohës ndaj Pakistanit për përpjekjet e tij dhe nuk kemi refuzuar kurrë të shkojmë në Islamabad. Ajo që na intereson janë kushtet e një FUNDI përfundimtar dhe të qëndrueshëm të luftës së paligjshme që na është imponuar", tha Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi në X.
Zjarri iranian rrëzoi një avion luftarak amerikan F-15E. Dy helikopterë Black Haëk të angazhuar në kërkimin e pilotit të zhdukur u goditën nga zjarri iranian, por ia dolën të dilnin nga hapësira ajrore iraniane, thanë dy zyrtarët amerikanë për Reuters. Shkalla e lëndimeve të ekuipazhit është e paqartë.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se po kontrollonte një zonë jugperëndimore pranë vendit ku u rrëzua avioni i pilotit, ndërsa guvernatori rajonal premtoi një shpërblim prej 60 mijë dollarë për këdo që kap ose vret "forcat armiqësore".
Iranianët e goditur nga fuqia ajrore amerikane që kur SHBA-të dhe Izraeli filluan sulmet e tyre më 28 shkurt festuan rrëzimin e aeroplanëve. Kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf tha në X se lufta ka ndryshuar nga "ndryshim regjimi" në një gjueti për pilotë./ZËRI
"A i keni parë pilotët tanë?"/ Irani ironizon SHBA-në për operacionin e kërkim-shpëtimit të avionit F-15E

IRAN- Përmes rrjeteve sociale, kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka tallur operacionin e vazhdueshëm të kërkim-shpëtimit nga SHBA për pilotin e zhdukur të avionit amerikan F-15E, i cili u rrëzua dje.
Ai shkruan për “luftën e shkëlqyer pa strategji” nga amerikanët.
“Pasi e mundëm Iranin 37 herë radhazi, kjo luftë e shkëlqyer pa strategji që ata filluan tani është degraduar nga ‘ndryshimi i regjimit’ në ‘Hej, a mund t’i gjejë dikush pilotët tanë?’”, shkroi Mohammad Bagher Ghalibaf.
After defeating Iran 37 times in a row, this brilliant no-strategy war they started has now been downgraded from “regime change” to “Hey! Can anyone find our pilots? Please?????”
— محمدباقر قالیباف | MB Ghalibaf (@mb_ghalibaf) April 3, 2026
Wow. What incredible progress. Absolute geniuses.
Duke nisur që nga mbrëmja e djeshme, forcat amerikane janë angazhuar me helikopterë dhe avionë të kërkim‑shpëtimit për ta gjetur pilotin, por mjedisi është shumë i rrezikshëm./ZËRI
Avioni amerikan F-15 i rrëzuar, forcat iraniane thirrje qytetarëve: Mos e keqtrajtoni pilotin nëse e gjeni
IRAN- Teksa në Iran po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit nga SHBA për pilotët amerikanë të rrëzuar me avionët e tyre luftarakë, edhe autoritetet iraniane kanë nisur punën për gjetjen e tyre.
Përmes televizionit ushtarak iranian IRIB, forcat e armatosura të vendit i kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos lejojnë keqtrajtim ndaj pilotit të avionit të rrëzuar F-15E nëse ai gjendet.
"Shumë njerëz në Iranin jugperëndimor nxituan me automjete private në zonën përreth vendit të rrëzimit të avionit luftarak amerikan për të arrestuar pilotin. Forcat e armatosura iraniane i bënë thirrje publikut të mos lejojë që askush të keqtrajtojë pilotin," thuhet në videon e shpërndarë nga IRIB.
Të premten, autoritetet iraniane njoftuan se kishin rrëzuar dy avionë luftarakë amerikanë në provincat Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad dhe në Gjirin Persik./ZËRI
Avionët amerikanë të rrëzuar / SHBA planifikon shpëtimin, Irani njofton shpërblim për kapjen e pilotëve
IRAN- Ish-pjesëtari i lartë i Marinës Amerikane dhe njohësisht këshilltar në Këshillin e Atlantikut, Harlan Ullman, e ka cilësuar operacionin e kërkim-shpëtimit për pilotin amerikan të avionit të rrëzuar F-15E si një operacion të rrezikshëm.
Ai tha për Al Jazeera se pala ushtarake amerikane mund të përdorë helikopterë AC-130 në lartësi të ulëta, gjë që sipas tij i bën ata veçanërisht të prekshëm nga sulmet e mundshme iraniane. Ullman tha se amerikanët nuk do të përfshijnë trupa ushtarake në tokë, më shumë për të shmangur sulmet.
"Ekipet tona janë më të mirat në fushën e tyre dhe do të bëjnë gjithçka që mundin për të rikuperuar anëtarin e dytë të ekuipazhit. Pyetja është se në çfarë gjendjeje është ai anëtar: a u plagos gjatë rënies me parashutë? A ka mjete të mjaftueshme për të mbijetuar? A do të jemi në gjendje të shkojmë atje mjaftueshëm shpejt për ta rikuperuar atë?" -tha Ullman.
Zona ku u rrëzua piloti amerikan është një rajon rural dhe malor. Autoritetet iraniane u kanë kërkuar gjithashtu qytetarëve të hetojnë provincat ngjitur të Chaharmahal dhe Bakhtiari. Po ashtu, televizioni shtetëror iranian njoftoi se do ofrohet një shpërblim për këdo që kapte gjallë pilotët amerikanë.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte informuar për incidentin. Të premten, autoritetet iraniane njoftuan se kishin rrëzuar dy avionë luftarakë amerikanë në provincat Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad dhe në Gjirin Persik./ZËRI