Gjyqi në themel për Veliajn, shtyhet sërish seanca
TIRANË- Është shtyrë seanca penale në Gjykatën e Posaçme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe 29 të pandehurit e tjerë. Seanca e radhës do të mbahet më datë 15 prill, ora 09:00. Seanca e sotme ka qenë e tensionuar dhe me debate procedurale mes avokatëve dhe gjykatës.
Teksa në GJKKO zhvillohej gjyqi për çështjen "Veliaj", kryebashkiaku nuk u paraqit në seancë. Nga ana tjetër, Veliaj ishte prezent në Gjykatën Administrative për seancnën ndaj prokurorit Ols Dado. Kryebashkiaku mbërriti mesditën e sotme, i shoqëruar nga policia dhe me pranga në duar./ZËRI
I shoqëruar nga furgoni i policisë, me pranga dhe një libër në duar, Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative
TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës ka mbërritur në Gjykatën në Administrative, teksa sot po mbahet edhe gjyqi në themel për dosjen çështjen Veliaj. Siç shihet edhe nga pamjet, Veliaj ka qenë i shoqëruar nga forca të shumta policie, nën masa të rrepta sigurie. Ky është mometi kur Veliaj zbret nga furgoni i policisë, me pranga dhe një libër të Fan Nolit në duar.
Veliaj ka kërkuar largimin e Prokurorit Dado nga procesin e tij, me pretendimin se emërimi i tij bie ndesh me gjyqin.
Vlen të theksohet se kryebashkiaku Veliaj nuk u paraqit në gjyqin që u zhvillua në GJKKO, këtë të premte. Ndërsa, në seancën për përballjen me prokurorin Dado, Erion Veliaj ka vendosur që të jetë prezent së bashku me avokatin e tij, Plarent Ndreca./ZËRI
Dosja "Veliaj"/Të pandehurit kërkojnë gjykim të veçuar-Bushka: S'ka prova, s'jam më deputete! Ndreca: Jemi pa akte
TIRANË- Sot në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 29 të tjerëve, shoqëruar me tensione dhe debate mes palëve mbrojtëse dhe prokurorëve. Detaje të tjera nga seanca gjyqësore janë zbardhur nga seanca, ku burime bëjnë me dije se shumë prej të pandehurve kërkojnë gjykim të shkurtuar dhe të veçuar
Mbrojtja e biznesmenit Elman Abule ka kërkuar që gjykimi i tij të zhvillohet veçmas nga ai i Veliajt. Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokatja Romina Zano ka deklaruar se veprat penale për të cilat akuzohet Abule nuk janë kompetencë e GJKKO. Ajo ka kërkuar gjithashtu që çështja e tij të shqyrtohet me gjykim të shkurtuar.
Gjithashtu, edhe avokati Henrik Ligori, që përfaqëson ish-deputeten Klotilda Bushkën, nënvizoi se klientja e tij nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka konsideruar të pambështetur në prova dhe fakte. Mbrojtja ka kërkuar shpalljen e moskompetencës së GJKKO-së, pasi ajo nuk është më deputete. Avokati Henrik Ligori ka kërkuar dhe pushimin e çështjes.
Avokati Sokol Hazizaj, që përfaqëson shoqërinë Kontakt dhe Fatmir Bektashin nënvizoi se në seancën e kaluar kishte kërkuar ndarjen e çështjes dhe gjykim me procedurë të shkurtuar. Prokurori Ols Dado u shpreh se më parë duhet të shqyrtohen kërkesat paraprake të mbrojtjes para se të kalojnë tek gjykimi i shkurtuar.
E njëjta kërkesë, për shpalljen e moskompetencës për gjykim nga GJKKO ka ardhur dhe nga avokati i biznesmenit Mirton Lika.
Kristina Marku, në cilësinë e avokates së Ina Goxhës kërkoi gjykim të shkurtuar dhe veçimin e çështjes për të pandehurit që nuk mund të jenë pjesë e një gjykimi me shumë të pandehur, duke theksuar se disa prej tyre ndodhen në gjykim të zakonshëm.
Ivi Rrokaj, që mbron interesat e të pandehurës Flutura Xhani, kërkoi gjithashtu gjykim të shkurtuar, ndarjen e çështjes dhe dërgimin e saj për gjykim në një tjetër gjykatë, pasi sipas tij kjo gjykatë nuk ka kompetencë.
Ndërkohë që avokati i kryebashkiakut Veliaj, Plarent Ndreca, paraqiti pretendime shtesë për mungesë fshikujsh në dosje.
Kërkesat e mbrojtjes në seancë:
Avokatja Romina Zano: Kërkon që të ndahet çështja për Elman Abulen dhe më pas shpalljen e moskompetencës lëndore nga ana e gjykatës së posaçme dhe dërgimin e çështjes për gjykim në një tjetër gjykatë.
Elman Abule: Unë kërkoj gjykim të shkurtuar, i qëndroj kërkesës së bërë nga ana e avokates.
Dritan Jahaj, përfaqësues i Mirton Likës dhe shoqërisë së tij LAL ShPK: Kërkesa jonë ka të bëjë me konstatimin e kompetencës lëndore. Ne konstatojmë që kjo gjykatë nuk është kompetente për të gjykuar këto vepra, kërkojmë që çështja të kalojë në një tjetër gjykatë.
Avokat Henrik Ligori: Për të pandehurën Klotilda Bushka, e mbrojtura prej nesh zonja Bushka që në fazën e hetimit paraprak, nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësuar si të pambështetur në prova dhe fakte. Gjyqtari i seancës paraprake e kaloi çështjen për gjyq, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes në atë proces. Së pari pari konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe moskopetencën lëndore të kësaj gjykate dhe dërgimin e çështjes në një tjetër gjykatë. Ne kemi sjell një dokument që Bushka nuk është më deputete.
Avokati Lulëzim Bajramemaj: Për Frosina Bollon dhe shoqërinë, kërkojmë gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes në lidhje vijim e gjykimit të çështjes.
Avokat Leonard Repi: Për të pandehurën Adela Kondakçiu ne kërkojmë që të gjykohemi me procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe veçimin e çështjes.
Ols Dado: Kërkesa e mbrojtës së zotit Veliaj për një afat prej dy javësh, është e panevojshme, sepse zoti Veliaj ka ndryshuar disa mbrojtës, aktet i janë dhënë, sepse mund te jemi serish edhe pas një muaj me të njëjtën situatë, ndryshim avokati dhe ai do të kërkojë kohe për t’u njohur me aktet. Për të pandehurin Elman Abulen dhe shoqërinë ‘Rametal’, që kërkojnë moskopetencë, kërkojmë që të rrezohet, pasi jemi në një procedim të lidhur. Ndërsa për gjykimin e shkurtuar dhe ndarjen e çështjes do të shprehemi në momentin e duhur procedural. Përsa i përket të pandehurës Klotilda Bushka situata është edhe më e qartë për shkak të funksionit të saj.
Avokatja Romina Zano: Ne kërkojmë gjykim të shkurtuar por edhe ndarjen e çështjes nga të gjithë të bashkëpandehurit e tjerë.
Avokat Plarent Ndreca: Të mbrojturit prej meje i mungojnë 24 fashikuj. Ne jemi pa akte dhe nuk mund të bëjmë një mbrojte efektive./ZËRI
Debate në gjyqin për Veliajn/ Haxhia: Proces qesharak! Ndreca: Në dosje mungojnë 24 fashikuj, duam kohë...
TIRANË- Seanca në themel për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që po zhvillohet në GJKKO është shoqëruar me debate në lidhje njohjen e dosjes nga ana e palës mbrojtëse.
Avokati Maks Haxhia ka ngritur shqetësimin nëse avokatja e Pranvera Doci, e cila iu caktua nga gjykata gardianit Fation Baci, është e njohur me dosjen hetimore. Haxhia, i cili në këtë proces mbron Ajola Xoxën, tha se procesi po bëhet qesharak. Avokati është shprehur se kolegia duhet të shprehet qartë mbi këtë çështje, edhe në funksion të përgjegjësive disiplinore.
Maks Haxhia: Jam legjitimuar te ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht është njohur me dosjen hetimore apo jo? Pra përfaqësuesja ligjore Pranvera Doci e caktuar kryesisht për Fatjon Barcin. Duam të bëjmë proces jo sa për te pasur një avokat. Të lutem prokuror të mbaroj une. Sepse po bëhet qesharak procesi.
Ols Dado i drejtohet Maks Haxhisë: Nuk je kryetar i dhomës zotëri je avokat i të pandehurit. Ti urdhëron këtu të flas apo nuk flas unë?
Engjëllushe Tahiri: Si ju ashtu edhe Maks Haxhia mbroni të pandehur në proces. Ju mund të keni tagra të tjera, por këtu jeni vetëm mbrojtës ligjor.
Ndërkohë, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca mbështeti qëndrimin e Haxhias, duke argumentuar se ai nuk mund të ndajë rolet e tij.
“Mbështes kolegun Maks Haxhia, i ka të dyja cilësitë dhe nuk mund të dal nga njëra apo nga tjetra. Procesi i rregullt ligjore lidhet dhe me mënyrën si ushtron profesionin avokati”, tha avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.
Ndërkohë, Ndreca paraqiti gjithashtu një kërkesë me shkrim, duke sqaruar se ka kërkuar më herët të njihet me aktet e dosjes dhe oraret përkatëse në gjykatë. Ai tha se ende nuk i është vënë në dispozicion në mënyrë elektronike e gjithë dosja prej 60 mijë faqesh dhe se ende paraqitet në Gjykatë për ta lexuar. Sipas tij mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166 (pra 24 fashikuj) dhe shtoi se rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.
Plarent Ndreca: Jeni ju ata që vendosni. Të gjithë çka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliaj. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vij në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe më është thënë se do të vijnë elektronike. Unë kam qenë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.
Megjithatë, prokurori Dado ka deklaruar se kërkesa e mbrojtjes është e panevojshme, sepse aktet janë dorëzuar.
“Mund të ndodhë që edhe pas një muaji të kemi të njëjtën situatë me ndryshim avokati dhe ai (Veliaj) do të kërkojë kohë për t’u njohur me aktet”, ka argumentuar ai.
Gjyqi në themel ndaj Veliajt, nis seanca e 4-ërt në GJKKO! Kryebashkiaku mungon: Do pres deri sa...
TIRANË- Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës e gjyqit në themel për dosjen që përfshin kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe 16 persona të tjerë dhe 12 shoqëri. Seanca ka nisur që prej orës 09:00, ndërsa mësohet se Veliaj nuk është i pranishëm, dhe përfaqësohet nga ish-deputeti i PS, avokati Plarent Ndreca.
Kryebashkiaku ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm derisa sa të përfundojë së lexuari dosjen 60 mijë faqe që iu dërgua në qelinë e paraburgimit në Durrës, rreth 1 muaj më parë, 1 vit pas arrestimit. Më 11 mars u raportua se Veliajt i janë dërguar me furgon në burgun e Durrësit të gjitha materialet me 72 fashikuj me rreth 28 mijë faqe.
Në seancë i pranishëm është prokurori i çështjes Ols Dado ndërsa mungon Altin Dumani. Po ashtu, gjykata ka kërkuar dhe prezencën e policit të burgut të Durrësit, Fatjon Baci, i cili është shoqëruar nga Policia e Burgjeve për në Gjykatën e Posaçme. Baci akuzohet se i dha telefonin e tij kryebashkiakut Veliaj gjatë një shoqërimi për në GJKKO.
Seanca e shkuar, përfundoi pa u hapur shqyrtimi gjyqësor, njësoj si dy seancat e para. Shkak u bë mungesa e Artan Simonit, avokati i gardianit të Burgut të Durrësit, Fatjon Baci.
Avokati Simoni kishte dorëzuar një raport se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kishte kërkuar shtyrjen e senacës. Por, GJKKO i caktoi Bacit një avokat kryesisht, Pranvera Doçin dhe urdhëroi shoqërimin e detyruar të tij në seancën e radhës për t’u shprehur vetë për avokatin.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI