LIVE UPDATES

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe objektivat, "analizë" për SPAK, Ballukun, AKSHI dhe Veliaj...

➤Kryeministri Edi Rama po mban konferencën e fundvitit. ➤Kreu i qeverisë po bën bën një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit 2025 dhe prioriteteve të qeverisë për periudhën në vijim, nga ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, etj. ➤Rama e nisi konferencën me një lajm të mirë për Shqipërinë, duke iu referuar një vlerësimi ndërkombëtar mbi lirinë ekonomike dhe njerëzore.

8 artikuj për këtë temë.
5 MUAJ ME PARE

Ç’do bëhet me Veliajn? Rama: I kyçur në qeli pa prova, akoma se kam kuptuar çfarë ka bërë

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është rikthyer sërish çështjes së kryebashkiakut Erion Velia, i cili prej një viti ndodhet në paraburgim. I pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit, Rama përsëriti të njëjtat komentet si me rastin e Ballukut, duke thënë se mungojnë provat.

Sipas kreut të qeverisë, Veliaj është rasti tipik i burgosjes pa prova duke shtuar se nuk e ka kuptuar ende se cilat janë akuzat që rëndojnë ndaj tij.

"Rast tipik! I kyçur në qeli, pa gjyq dhe ndërkohë vazhdon kërkimi i provave. Unë akoma nuk e kam marrë vesh, konkretisht dhe personalisht se çfarë ka bërë, që të jemi të qartë. Korrupsion në kuptimin e korrupsionit nuk e kam parë. Unë di një gjë që çdo qytetar i kësaj republike, që nuk është pjesë e organizatave kriminale s’ka pse të jetë në paraburgim. Këta për rrezikshmërinë që kanë, normalisht që ka shumë më tepër arsye, për të menduar që paraburgimi është gjëja e duhur, përjashto rastet e veprave të rënda, korrupsionin në flagrancë, që përsëri është pa diskutim fare e natyrshme që përfundojë në paraburgim, të gjitha rastet e tjera të paraburgimit duhet të jenë shumë të argumentuara", tha Rama.

/ZËRI

 

 

 

 

 

5 MUAJ ME PARE

Rama "s'harron" gjyqtarët: Paguhen më shumë se ne, pse duan rritje page?

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
edi rama

TIRANË- Drejtësia ka qenë në fokus të pyetjeve të gazetarëve drejtuar kryeministrit Edi Rama në konferecën e fundvitit. Teksa komentoi dhe renditi një sërë çështjet ku janë të përfshirë zyrtarët më të lartë politikë, Rama ironizoi kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave. Kreu i qeverisë u shpreh se rritja e pagave duhet të shoqërohet me zhvillim ekonomik dhe analizë të thellë.

“Këshilli i Europës thotë që në Shqipëri është shumë problem që nuk ka regjistrim të provave m,e video dhe audio. Nuk iu bën përshtypje ju, që gjyqtarët kërkojnë me gjykata që t’i rrisin rrogën vetes. Pse nuk e rrisni ju rrogës vetes me gjyq?! Sepse askush nga këta nuk ka bindjen se ka dorë edhe gurin edhe arrën, sepse të gjithë që rritja e pagave është ekskluzivitet i dy pushteteve të tjera. Si duan të rrisin pagat e vetes, kur kanë paga shumë herë më të larta se sa tonat.

Mua kjo më bën shumë përshtypje. Unë nuk mund të pres, që kjo të ndodhë, duhet ta parandalojmë. Nuk mundet që kura të bëhet më e rëndë se sa sëmundja. Siguria juridike rrezikohet, kur një vend ka më shumë të padënuar se sa të dënuar nëpër burgje. Pra, kjo është kura që bëhet më e rëndë se sëmundja. Janë dy momente kur kërcënohet shteti, nuk po flasim për stabilizim sepse me 83 mandate nuk bën destabilizim as dreqi këtu, flasim për dy aspekte ekonomia dhe administrata.

Që të rriten pagat duhet të rritet ekonomia. Na duhet një analizë, dhe po e bëjmë shumë të thellë në të gjitha anët. Nuk mund të hedhim beben bashkë me ujin e pijshëm, shyqyr beben e kemi shëndoshë e mirë dhe do e ndihmojmë që të rritet, drejtësia. Sistemi që ne kemi ngritur është një sistem që vetëqeveriset”, tha Rama./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

"Dorëheqje? Fituam 83 mandate"! Rama "merr në mbrojtje" AKSHI-n: Ai është institucion krenarie për ne

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ciloi AKSHI-n një institucion krenarie. Teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me hetimet për tenderët e AKSHI-t, Rama sqaroi se nuk do të ketë asnjë dorëheqje, duke kujtuar se PS është në qeveri pasi fitoi 83 mandate.

Pavarësisht skandalit të AKSHI-t, kreu i qeverisë u ndal te sukseset e këtij institucioni, duke theksuar se ka dhënë ndihmë për integrimin në BE. Lidhur me këtë, Rama njoftoi se vitin e ardhshëm pritet të lançohet e-Albania 2.0.

“Nuk besoj se publiku e shtron fare këtë pyetje. Po bëjmë konferencën e fundvitit dhe ky vit është më i suksesshmi i Shqipërisë. Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Këtë vit u mblodh Europa politike demokratike, në sheshin “Skënderbej”. Erdhën në një vend të korruptuar, mendoni ju? Jo. Si mendoni ju, e fal KE një vend që do ishte 1/10 e asaj që thonë tenxheret? Kurrë, asnjëherë. Nëse po ndodh sot ky proces, është meritë e  kësaj force politike. Ju i keni parë reagimet e të tjerëve, kur iu preket floku, se çfarë thanë. Nga unë nuk do dëgjoni sharje apo akuza, apo fjali në drjetim të godjes të repurtacionit dhe dëmtimit të këtyre organeve. Çfarë është ky muhabet, a do jeni dorëheqjen? Ne morëm 83 mandate në qershor. Dorëheqje për AKSHI? AKSHI është një institucion krenarie për ne, që të jemi të qartë bashkë. Është një institucion për të qenë krenar. Kur duhet të shkonit të mbanit radhë, edhe për një certifikatë të gjendjes civile, 620 miliardë lekë, 620 milionë euro, ka kursyer AKSHI për shqiptarët, falë digjitalizimit. Falë atij AKSHI, 3.4 milionë shqiptarë janë përdorues të rregullt të platformës e-Albania. Në 2025, janë 17 milionë shërbime të gjeneruara. Skuadra e AKSHI, ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE, që bëjnë gara me institucionet e infrastrukturës digjitale. Nëse Banka Botërore, jo para 100 vitesh, para pak kohe, e renditi Shqipërinë në vendin e 14 për maturitetin e qeverisë digjitale, ky është AKSH. Shumë shpejt në janar, shkurt, do të dalim me e-Albania 2.0, falë AKSHI.", u shpreh Rama./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

"Avokat" i Ballukut? "S'jemi zyrë noterie", Rama shigjeton SPAK: USB-ja me 16 mijë faqe dokumente, mesazhet s'janë prova

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjeve për një nga çështjet më të nxehta të vitit, atë të dosjes hetimore ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres, Belinda Balluku. Rama vijoi me retorikën e tij se vendimi për pezullimin e Ballukut ishte skandaloz, si asnjë rast tjetër në botë. 

Lidhur me qëndrimin e qeverisë për këtë çështje, Rama theksoi se nuk ka bërë avokatin zëvendës kryeministres, ndërsa nuk la pa përmendur mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Sipas kryeministrit, Këshilli nuk mund të marrë vendime dhe të aprovojë kërkesat e SPAK, pasi nuk është "noteri". 

Lidhur me USB-në e kërkuar për çështjen"Balluku", Rama tha se janë 16 mijë faqe, por që nuk janë të gjitha prova, pasi aty gjenden edhe kontrata e studime. 

“Të përgjigjem me pyetje, keni dëgjuar ndonjë fjalë të vetme avokatie në rastin konkret nga ana jonë? Nuk besoj. As unë dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. Ndryshon nga rastet e tjera, ka ardhur tek te. Nuk është një nga rastet në rrugët e pushtetit gjyqësor, të cilin pushteti gjyqësor, në këtë rast prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Kur rasti vjen në derën tonë, të pushtetit legjislativ, pushteti legjislativ duhet të shprehet. Nuk është noter i prokurorisë. Këshilli i Mandateve nuk është zyrë avokatie, parlamenti nuk i noterizon kërkesat që vijnë, i merr i sheh. Mos m’i përmend ato 16 mijë faqet. Ajo më provokon, më ka provokuar në ditën e parë. Po të isha në Këshillin e Mandateve, do i thoja, çohuni, merrni një dosje. Nuk mund të vini me 16 mijë faqe.

A e dini se për çfarë janë? Nuk janë produkt i hetimit. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime. Arkivi i ministrisë, i futur brenda. Vandak me dokumente zyrtare. Kjo është afërmendsh. USB e sjellë nga prokuroria, nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS, ai ministrja, avokati. Për të mos krijuar një shteg, që ja, i kanë nxjerrë këta. Nuk kemi të bëjmë me ndryshim qëndirmi, por me qëndrim të duhur, shumë korrekt. Rasti vjen në parlament, dhe para se të vijë në parlament, rasti u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv, brutalisht. Kërkesë skandaloze për pezullim, rast skandaloz në asnjë vend të botës. nuk ka ndodhur as në Europë, as në ndonjë vend të botës. Mbajtëm qëndrim institucional, në parlament do të mbajmë qëndrim”, theksoi ai.

Duke qëndruar të çështja "Balluku", Rama komentoi dosjen e SPAK duke theksuar se mesazhet e dala në media nuk mund të jenë prova. Sipas tij, mesazhet e publikuara nga dosja janë pjesë e procesit, por kurrsesi prova.

“Që kur mesazhet janë prova?! Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqesh si në kohën e gjuetisë së shtrigave. Mesazhet dhe cdo gjë tjetër që lidhet kush tha çfarë tha janë pjesë e procesit, nuk e përjashtoj unë këtë. Por parapërfytyroni çfarë ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm. Për çfarë i duhet pafajësia, kush ia kthen prapësht jetën. Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij. Prandaj në drejtësinë demokratike nuk lejohen shumë gjera nga ato që ndodhin kështu.”, tha Rama./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Rama i prerë: SPAK nuk është opozitë e qeverisë! Protestat në janar? Ironizon kryeministri: PS në qeveri, ata poshtë penxheres...

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
edi rama

TIRANË- Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama nuk mund t'i shpëtonte pyejtes për SPAK dhe rreth zhvillimeve të fundit që kanë prekur zyrtarë dhe eksponentë të lartë të politikës. Kryeministri Rama vlerësoi punën e këtij intitucioni, teksa u shpreh se SPAK nuk është opozita e qeverisë. Puna e SPAK, sipas Ramës, po përdoret nga opozita si pikë referimi për të goditur qeverinë. 

Sa i përket pyetjes për protestat e opozitës, Rama ironizoi duke thënë se i kanë ndarë punët: "PS në qeveri dhe të tjerët poshtë penxheres".

Pyetje: A është SPAK opozita juaj?

Rama: SPAK nuk është opozita e Qeverisë, është një institucion i ri i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse. Është një institucion që bën punën e vet. Nuk është opozitë e Qeverisë, por depresioni i thellë në të cilën ndodhet opozita e qeverisë, opozita politike, bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi i opozitës depresive për të goditur Qeverinë. Të tjerë janë betuar dhe stërbetuar se do ta shkrijnë, por se shkrijnë dot se votat i kemi ne. Është institucion që bën punën e vetë. Natyrisht të 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin e ziejnë dhe gatuajnë 700 gjellë të ndryshme, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut me presionin e vet dhe dezinformon publikun thellësisht. Askush nuk përpiqet të bëjë asnjë analizë, cila është e vërteta në të gjithë punën e SPAK, se e vërteta është krejt ndryshe nga këto që thuhet SPAK nuk është opozita e Qeverisë.

Përsa i përket protestave që do bëhen poshtë penxheres këtu, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh me sa kuptoj unë. Unë në zyrë dhe PS në qeveri dhe të tjerët poshtë penxheres time në rrugë.

/ZËRI

5 MUAJ ME PARE

"Rritet me 135 euro paga për mjekët", Rama paralajmëron transformim: Nga shtatori parking i posaçëm në QSUT

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
edi rama

TIRANË- Në konferecën e fundvitit, kryeministri Edi Rama deklaroi se sektori i shëndetësisë do të zërë një vend të rëndësishëm në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke nënvizuar se paga e mjekëve dhe e infermierëve do të rritet. Kreu i qeverisë deklaroi se një fond prej 16 milionë eurosh do të jetë në dispozicion për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.

Një transformim i QSUT-së parashikohet shtatorin e ardhshëm, sipas kryeministrit Rama. Ai tha se në QSUT nuk do të lejohen më parkimet, përveç atyre spitalore, dhe se për këtë do të ketë një godinë të posaçme për parkimin e automjeteve.

"Kemi vendosur një fond të posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim dhe kemi filluar punën për 2 gjëra, krijimin e institutit kombëtar të tumoreve dhe rrjetëzimin e sistemit të kimioterapisë në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin që ka spitali në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit. Ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marrë një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve duke rritur dhe shpërblimet në bazë të viteve. Në tërësi parashikohet që pagat për mjekët të rritet më 135 euro të tjera në muaj. Janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale e parkimit në QSUT që do të mbyllet në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësish QSUT duke hequr të gjitha makinat nga territori i spitalit që do të behet një park i madh dhe i bukur që do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët”, tha Rama.

/ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Sezoni i ardhshëm arsimor me risi, Rama: Nxënësit e mësuesit do transportohen në shkolla me makina ‘Made in Albania’

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama u ndal edhe në sektorin e arsimit në konferencën e fundvitit me gazetarët. Kreu i qeverisë zbuloi objektivat dhe objektivat në arsim, duke nisur nga fuqizimi i sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve deri te transporti. Rama paralajmëroi se nga shtatori 2026 do të mundësohet transporti për shkollat. Sipas projektit, transporti për nxënësit dhe mësuesit do të bëhet me mjete ‘Made in Albania’.

“Më vjen mirë që kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit në arsim. Duke nisur nga fuqizimi i sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 numri laboratorëve inteligjentë. Do punohet për të patur 1000 brenda vitit 2027. Që do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe domethënëse për të gjithë fëmijët dhe nxënësit. Ndërkohë ka vijuar ndërtimi infrastrukturës arsimore.

Ka nisur projekti i transportit, besojmë se duke nisur nga sezoni i ardhshëm arsimor do të futen në të gjithë sistemin. Është nënshkruar marrëveshja për smart city. Projekti francez në Korçë, ka avancuar pozitivisht është bërë gati struktura dhe është përfunduar edhe projekti i zbatimit të ndërtesës. Ndërkohë është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla. 839 është numri i punonjësve sociale, mekanizëm për komunikim të drejtpërdrejtë mësues nxënës.

Ka nisur rishikimi i kurikulave. Klasat I, VI dhe X nisin me kurikul të re vitin e ardhëm. Në arsimin e lartë janë bërë investime që vijojnë. Ka përfunduar faza e parë për studiot që do marrin pjesë në konkursin për universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, janë 40 kompani që kanë shprehur interes. Vijon transformimi i Bujqësorit në Tiranë, për diploma te njehsuara me Universitetin e Bokut. Janë 252 projekte, ku numrin më të madh e ka Universiteti i Tiranës”, tha Rama./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Rama në konferencën e fundvitit: Mbyllim një nga vitet më të mira në aspektin ekonomik, Shqipëria e 9-ta në Europën Lindore!

Bilanci i qeverisjes në 2025-ën! Kryeministri Rama liston arritjet dhe
RAMA NE KONFERENCE

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot konferencën e fundvitit me gazetarët, ku tha se ky vit që po mbyllet është një nga më të mirët në aspektin ekonomik. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9 në të gjithë pjesën e Europës Lindore.

“Instituti amerikan Cato, që publikon edhe atë që quhet indeksi i indekseve lidhur me lirinë njerëzore dhe ekonomike. Shqipëria ka pozicion shumë inkurajues, është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe e 9-ta në gjithë pjesën e Evropës lindore. Kështu e kanë të ndarë raportin. Ku sa i përket lirisë ekonomike renditet para vendeve si Polonia, Bullgaria, Greqia e Hungaria dhe po ashtu për lirinë njerëzore. Për lirinë ekonomike në pozicion më të mirë se dy apo tre vende përpara saj. Është një pasqyrë pozitive, por shfrytezova rastin për ta ndarë me ju si një lajm të mirë nga shumë të mira për Shqipërinë që sic e thashë nuk bëjnë lajm”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se duke nisur nga Janari, do të rriten pagat minimale dhe pensionet, ndërkohë që gjatë vitit 2025 ka pasur një ulje të borxhit. Rama nënvizoi se në tremujorin e fundit paga mesatare ka qenë 833 euro, ndërsa duke nisur nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro.

"Paga mesatare ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë  hyrjen në fuqi të ligjit për pagën 500 euro.", u shpreh Rama.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB