Do dëshmojë Shkëlqim Cani! Rinis mbledhja tek "Sterilizimi", mungon Ndreca

TIRANË- Pas pauzës për mbledhjen e Kryesisë së Komisionit Hetimor për koncensionet e dhëna në Shëndetësisë, kanë rinisur punimet. Në mbledhje vihet re mungesa e nënkryetarit të Komisionit, Plarent Ndreca. Por ndryshe nga Ndreca, anëtarët e tjerë të Komisionit nga ana e maxhorancës janë të pranishëm në sallë. Kjo pasi ka nisur dëshmia e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani./ZËRI
"Sterilizimi"/ PS kërkon bashkëpunim nga PD: Flemë edhe këtu...vetëm të mbyllim Komisionin!

TIRANË- Vijojnë debatet në mbledhjen e Komisionit për Sterilizimin në Kuvendin e Shqipërisë. Në debat u përfshinë kryetarja e Komisionit, demokratja Albana Vokshi dhe nënkryetari socialist Plarent Ndreca. Mes debateve dhe ironisë që shkëmbyen me njëri-tjetrin, Ndreca u shpreh i gatshëm që të qëndrojnë pa limit këto dy ditë për të marrë dëshmitë e personave që janë kërkuar për t'u pyetur nga Komisioni.
DEBATI NË SALLË:
Ndreca: Po ta kisha emrin Albana, ashtu do ishte
Vokshi: Tregon injorancë të thuash ‘unë jam Albana’. Nuk është hajdute Albana, ashtu siç ju dhe të tjerët të shkoni…
Ndreca: Po ke ndonjë emër hajduti provoje. Përvoje, se jeni trima kështu pa emra.
Vokshi: Kush janë dëshmitarët….
Ndreca: A do bësh mbledhje kryesie apo jo? Çfarë qëllimi ke? S’mund të rrimë gjithë ditën të dëgjojmë ty o zonjë.
Vokshi: O Petro dëgjo dëgjo, se as ti s’i di.
Ndreca: Janë listat e tua, jo të dakordësuara. I kemi me shkrim të dokumentuara. Ne nuk funksionojmë si PD. Kryeministri i vendit s’ka lidhje me koncesionet. Kjo është arsye pse nuk kemi pranuar që të thirrjet, ndërsa arsyet tuaja janë politike. Nëse doni të bëni mbledhjen e kryesisë, hajde e bëjmë. Nëse doni ta prishni kjo është gjë tjetër. Sot hytë si njerëzit në Komision. Meqë doni takim me kryesinë, e bëjmë. Ne jemi të gatshëm të mbyllim Komisionin deri në afatin që është vendosur. Deri në afatin e fundit ne bëjmë çfarë të doni ju...
Vokshi: Të flejmë këtu ne tani?
Ndreca: Ne jemi të gatshëm që të flejmë këtu për të treguar se e duam këtë Komision.
Vokshi: Sa qesharak! Të vijë Beqaj dhe Rrapaj duhet shkresë, apo e kemi SPAK-un tek dera?/ZËRI
Arrestimi i Çyrbjas shkakton debate tek "Sterilizimi"/ Vokshi-Ndrecës: Po ti si do shkosh në SPAK?

TIRANË- Edhe pse nuk është çështje në rendin e ditës, sërish arrestimi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka ngjallur debate në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë. Debati u përshkallëzua shumë shpejt në një përplasje mes Albana Vokshit, Plarent Ndrecës dhe Petro Koçit. Teksa nënkryetari akuzoi deputeten e PD-së për pengim të punimeve të Komisionit, Vokshi i përmendi faktin se “kishte hall të madh” dhe se do shkonte në SPAK. Teksa të dy replikonin, ndërhyri Koçi, i cili e akuzoi demokraten se “ka ndarë puset e naftës me miqtë e saj”. Akuzave të Koçit, Vokshi iu përgjigj me të qeshura dhe ironi.
DEBATI I PLOTË NË KOMISION:
Ndreca: Nëse ka një palë që ka tentuar ta pengojë punën e Komisionit jeni ju. Pavarësisht tendencave për të ndikuar tek organe që janë jashtë kësaj salle, unë i kam të qarta se çfarë do bëni dhe qëllimet tuaja. Ne kemi ruajtur qetësinë edhe pse na janë shkulur mikrofonat, edhe pse jemi prekur fizikisht. Akoma nuk ke kuptuar se nuk intimidon dot njeri. Keni ardhur për mbledhje apo për të bërë akuza? Po thoja që nëse ka pengesë jeni ju, me sjelljen dhe intimidimin që tentoni të bënë. Vetëm se të kam në krahë, por nuk ma ndjen hiç për ato që thua. Jeni dy veta dhe shikoni çfarë bëni...
Vokshi: Në SPAK do shkosh me këmbët e tua apo me avokatin?
Ndreca: Kryetari yt si do të shkojë? Ne nuk e konsiderojmë SPAK, organizatë kriminale siç e quani ju. Tani keni ardhur për Komision apo...? Ja pse nuk bëhet Komisioni, ju nuk i lini njerëzit të flasin. E gjithë procedura që kemi ndjekur është ligjore. Ne nuk përshtatemi dot me politikat e opozitës.
Vokshi: Ke hall të madh, s’ta zgjidh dot ky Komision. Me kapele pa kapele me prona pa prona, nuk ta zgjidhim dot.
Ndreca: Se çfarë halli kam unë, lëre hallin tim por shiko hallin tënd, por do e shohësh se çfarë halli kam unë. Mos u shqetëso për veten, por për Partinë Demokratike.
Petro Koçi: Ti ke ndarë puset e naftës me miqtë e tu.
Vokshi: Mos u mundo, rri aty.
Petro Koçi: Nuk jam raca jote politike, ta dish ti. More vesh.
Vokshi: Ne nuk jemi me bandat. Nuk jemi me kriminelët. Shko tek ai pallati, ku ke bërë fushatën. Një pallat një votë. Imagjinoje çfarë deputeti je ti (i drejtohet Petro Koçit).
Ndreca: Zonjë, nuk intimidon njeri. Jeni të pabesueshëm. Nuk e ke kuptuar që s’e intimidon dot mazhorancën.
Vokshi: Ti ke hall të madh se do shkosh në SPAK. Hall ka ai që është në kryen tuaj. Shiko hallin e Surrelit, se aty bëhen listat!
Ndreca: Të shkuarit në SPAK për mua nuk përbën problem fare. Nuk të japim llogari ty, por më lër ta shpjegoj. Nëse ka pengesë për komisionin jeni ju, me sjelljen, intimidimin dhe presionin që bën. S’ma ndjen fare se çfarë thua ti, vetëm se të kam në krah, por nuk ma ndjen hiç se çfarë thuaj ti. Keni bërë dakordësi, me shkresë. Ju s’lini njeri me fol./ZËRI
PD kërkon zgjatje të afatit të Komisionit Hetimor për 'Sterilizimin': Të vijë Edi Rama!

TIRANË- Komisioni hetimor për Shëndetësinë, Sterilizimin dhe Check Up ka nisur sërish me debate. Në nisje të mbledhjes së sotme, kryetarja e Komisionit Parlamentar, Albana Vokshi pretendoi se mbledhjet janë të paligjshme pa prezencën e opozitës. Teksa PS ka njoftuar marrjen e dëshmive të fundit, ku pritej mbyllja e Komisionit hetimor ditën e nesërme me dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqja, Vokshi u shpreh kundër, duke kërkuar shtyrjen e afatit të vendosur në Kuvend. Sipas saj, në Komision duhet patjetër që të merret edhe dëshmia e kryeministrit Edi Rama.
"Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshmuar edhe Edi Rama,”-tha Vokshi.
FJALA E PLOTË:
Albana Vokshi: Shkeljet janë të panumërta. Ky Komision nuk po kryen më funksionin që duhet që të kryejë. Maxhoranca ka rrëmbyer komisionin, praktikisht pra është uzurpuar ky komision. Unë e kuptoj që keni marrë urdhër që ta dështoni dhe ta zhbëni këtë Komision. Ne kemi fakte mjaftueshëm, do të nxjerrim të dhëna dhe fakte për korrupsionin. Edhe mbledhja e sotme është thirrur në shkelje me rregullat e Komisionit. Jeni bërë shumë arrogantë por jam e sigurtë që është frika arsyeja pse po tentoni që të uzurponi komisionin. Në listën e dëshmitarëve janë edhe shumë persona të tjerë. Ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë. Çfarë doni të bëni? Pse kështu bëhen mbledhjet e Komisionit? Stafi i sigurisë nuk i përgjigjet opozitës, si vini kështu pa orare? Bëhemi pak seriozë nga ana formale. Ka një përgatitje, bëhen pyetje. Nuk ka ndodhur kurrë në 33 vite. E di që halli juaj është shumë i madh, por nuk e zgjidh dot Komisioni. Kush është i pari që hyn sot në sallë? Nuk kemi as anëtarët e Komisionit, e konsideroni të ligjshme ju? 78% e anëtarëve të opozitës janë përjashtuar qëllimshëm nga ky komision. Tani duhet të ishte Albana Koçiu këtu, ku është? Nuk e bëjmë dot han me 2 porta. Nuk e kuptoj dhe nuk e imagjinoj dot se kemi arritur deri këtu. E keni uzurpuar. Si do e mbyllni këtë Komision? Mendoni që do e kaloni kështu, jo mo këtu duhet të vijë Edi Rama. E kemi kërkuar Edi Ramën. Opozita ka kërkuar që të vijë Edi Rama. Nuk mbyllet pa ardhur Edi Rama në këtë Komision. Opozita ka qenë prezente në çdo mbledhje. Ky Komision nuk mbyllet dot, se kemi një listë të paezauuar. Ju bëj thirrje që të rishikojmë planin dhe listën e dëshmitarëve dhe të vijojmë ashtu siç duhet. Hajde zbatojmë rregulloren. Vetëm kushtetueshmëri po iu kërkojmë./ZËRI
Sot e nesër dëshmitë e fundit! "Sterilizimi", Manastirliu e Koçiu para deputetëve në Komision

TIRANË- Sot dhe nesër do të mbahen dy mbledhjet e fundit të Komisionit hetimor për koncensionet e dhëna në Shëndetësi, Sterilizimin dhe check-up. Në mbledhjen, e cila është parashikuar që të nisë në orën 09.00 të mëngjesit, pritet të dëshmojë ministrja Albana Koçiu dhe paraardhësja e saj Ogerta Manastirliu. Po ashtu, në listën e dëshmitarëve është edhe ish-ministri Shkëlqim Cani. Ndërsa, nesër, të martën pritet të vijë nga burgu për të dëshmuar ish-ministri i Shëndetësisë përgjegjës për këto dy koncesione, Ilir Beqaj. Edhe pse në burg, ky i fundit do të marrë leje speciale për të dëshmuar në sallë para deputetëve. Përveç ministrave, do të kërkohet dëshmia edhe e zyrtarëve të tjerë.
“Thirrja e dëshmitarëve për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, si më poshtë: Albana Koçiu, Ogerta Manastirliu, Shkëlqim Cani, Admir Daci, Arben Daci, Artan Kalleshi, Altin Fani,”- bëhet me dije në njoftim.
Mbetet për t'u parë nëse në këtë mbledhje do të marrë pjesë opozita, e cila prej kohësh kërkon bojkot. Në takimin e fundit, socialistët vazhduan pa kryetaren e Komisionit, Albana Vokshi. Ndërsa kjo e fundit kërkoi nga Kuvendi ndëshkimin e deputetëve Plarent Ndreca, Ilir Metaj dhe Erion Braçe me pretendimin se e kishin fyer gjatë punimeve të Komisionit. Deri më tani, ajo ka marrë pjesë e vetme në sallë, bashkë me Petrit Vasilin, pasi deputetët e tjerë janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit për shkak të kaosit që kanë krijuar në seancat plenare.
Komisioni Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. Aktualisht, Beqaj është në burg pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së, por po hetohet edhe për koncensionet në Shëndetësi. Megjithatë, ndërsa hetimet vazhdojnë, deri më tani për të nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare nga ana e SPAK./ZËRI