Përshkallëzohen incidentet në protestë, dy të lënduar përfundojnë te Trauma
TIRANË- Dy protestues të lënduar janë transportuar me autoambulancë drejt Spitalit të Traumës, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre dyshohet se është goditur me plumb gome, nga ato të përdorura nga Policia gjatë përplasjeve me protestuesit.
Ndërkohë, edhe protestuesi i dytë ka mbërritur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por deri më tani nuk janë bërë të ditura rrethanat dhe shkaqet e lëndimit të tij./ZËRI
Nga auditorët në rrugë, 'Washington Post' shkruan për revoltën studentore në Shqipëri
TIRANË- Protestat kundër qeverisë shqiptare kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Gazeta amerikane The Washington Post i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në Tiranë ku për të tetën ditë radhazi qytetarët kanë dalë në rrugë duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Sipas medias amerikane protestat janë nxitur nga pakënaqësitë për korrupsionin, rritjen e kostos së jetesës dhe problemet në arsim. Studentët e shkollave të mesme dhe universiteteve kërkojnë uljen e tarifave të shkollimit dhe rritjen e investimeve publike në arsim ndërsa lëvizja është zgjeruar në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë.
Artikulli ndalet edhe te përplasjet mes protestuesve dhe Policisë, ku janë përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe shkopinj gome. Nga ana tjetër, protestuesit kanë hedhur gurë, fishekzjarrë dhe bomba zjarri në drejtim të efektivëve.
The Washington Post pasqyron gjithashtu qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka akuzuar grupe të caktuara se po shfrytëzojnë pakënaqësitë reale të qytetarëve për të nxitur dhunë dhe për të rrëzuar qeverinë. Rama i ka cilësuar zhvillimet si pjesë të një “lufte hibride”, ndërsa ka pranuar se shqetësimet për çmimet, strehimin dhe të ardhmen ekonomike janë reale.
Në një këndvështrim më të gjerë, media amerikane i lidh protestat në Shqipëri me pakënaqësitë sociale që po shfaqen edhe në vende të tjera evropiane, ku qytetarët kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës, përkeqësimin e shërbimeve publike dhe vështirësitë për të përballuar strehimin.
ARTIKULLI I PLOTË:
Policia shqiptare përleshet me protestuesit antiqeveritarë për të tetën ditë me radhë
Policia qëlloi gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit të martën në ditën e tetë radhazi të demonstratave të dhunshme antiqeveritare në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Studentët e shkollave të mesme dhe të universiteteve që kërkojnë tarifa më të ulëta shkollimi, investime më të mëdha shtetërore në arsim dhe që protestojnë kundër korrupsionit në sistemin arsimor i janë bashkuar një lëvizjeje më të gjerë antiqeveritare që bën thirrje për dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama.
Për ditë të tëra, protestuesit kanë hedhur gurë, fishekzjarrë, bomba zjarri dhe fishekzjarre ndaj policisë, e cila ka përdorur shkopinj gome, topa uji dhe gaz lotsjellës në përleshjet në qendër të qytetit. Shqipëria është një nga një numër vendesh evropiane që po përjeton protesta për rritjen e çmimeve të karburantit, pakënaqësinë me gjendjen e shkollave, shërbimet publike në rënie dhe një krizë strehimi, duke përfshirë Francën dhe Italinë.
Në Spanjë dhe Portugali, janë ngritur kampe me tenda për të protestuar kundër strehimit të papërballueshëm, ndërsa një tubim dhe një protestë ishin planifikuar gjithashtu në Greqi të martën në mbrëmje dhe të mërkurën. Në Shqipëri, protestat e fundit vijnë pas muajsh tubimesh të organizuara nga e ashtuquajtura lëvizja Flamingo, e nisur në kundërshtim me një zhvillim të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë të lidhur me një firmë investimi të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
“Një valë gurësh, një përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndryshuar ata që janë në pushtet përmes imponimit të dhunës diçka që nuk do të lejohet kurrë të ndodhë, në asnjë formë apo për asnjë arsye”, tha Rama pas një takimi të martën me mësues dhe përfaqësues të shkollave të Tiranës.
Ai argumentoi se shqetësimet legjitime po shfrytëzoheshin nga njerëz që shkaktonin qëllimisht dhunë gjatë protestave.
“Kjo është një luftë hibride që funksionon natyrshëm në masën që funksionon, sepse bazohet në shqetësime reale, jo në fantazi. Shqetësimet për koston e jetesës janë sigurisht reale. Shqetësimet për një të ardhme të sigurt, strehimin dhe mundësitë më të mëdha për të ecur përpara janë gjithashtu reale”, tha Rama.
Kryeministri akuzoi protestuesit se po e mbajnë qytetin nën një klimë terrori dhe tha se studentët e përfshirë në protesta “i përkasin rrymave në zhvillim të ekstremizmit politik./ZËRI
'Jepini ujë!' Dy protestuese lëndohen nga gazi lotsjellës në bulevard, qytetarët u vijnë në ndihmë
TIRANË- Dy protestuese janë lënduar nga gazi lotsjellës i hedhur nga Policia në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', gjatë protestës në Tiranë.
Disa qytetarë grumbullohen pranë dy vajzave për t’u ardhur në ndihmë, duke u dhënë ujë fiziologjik për të lehtësuar efektet e gazit.
'Jepini pak ujë!', dëgjohet të thotë një prej personave që ndodhen pranë tyre, ndërsa njëra prej vajzave shprehet 'Jam mirë!'
Ndërkohë, sasi e madhe gazi lotsjellës është hedhur edhe në afërsi të Ministrisë së Brendshme, duke rënduar situatën në zonën ku po zhvillohet protesta./ZËRI
Përplasje para Kryeministrisë, policia përdor spraj me piper dhe gaz lotsjellës
TIRANË- Situata është tensionuar para Kryeministrisë, ku protestuesit janë përplasur me efektivët e policisë, të cilët po tentojnë t’i largojnë nga zona pranë godinës.
Gjatë përplasjeve, policia ka përdorur spraj me piper dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën. Ndërkohë, kanë nisur edhe shoqërimet e protestuesve./ZËRI
Protestuesit ndahen në grupe: Disa rikthehen në bulevard, të tjerë 'pushtojnë' rrugët e kryeqytetit
TIRANË- Protestuesit vijojnë marshimin, të ndarë në disa grupe, pasi u shpërndanë nga policia fillimisht nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas nga sheshi “Skënderbej”.
Një pjesë e tyre janë zhvendosur drejt bulevardit “Zogu i Parë”, duke vijuar më tej drejt Unazës së Madhe të Tiranës, nga zona e ish-Stacionit të Trenit në drejtim të Zogut të Zi.
Gjatë marshimit, protestuesit u kanë vënë flakën disa koshave të mbeturinave dhe i kanë zhvendosur ata në rrugë. Ndërkohë, policia vijon t’i ndjekë nga pas.
Nga ana tjetër, një grup protestuesish është rikthyer sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku përballë tyre ndodhen forcat e policisë në gatishmëri. Megjithatë, aktualisht situata paraqitet e qetë./ZËRI
Shoqata e Gjyqtarëve ngre alarmin pas sulmeve ndaj gjykatave: Siguria është detyrim shtetëror
TIRANË- Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dënon sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit gjatë protestave në kryeqytet duke kërkuar masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së institucioneve të drejtësisë.
Në reagimin e saj Shoqata shpreh shqetësim për masat mbrojtëse të Policisë së Shtetit, ndërsa kritikon edhe gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar masat e sigurisë për protestuesit.
Sipas Shoqatës sulmet personale dhe presioni publik rrezikojnë pavarësinë e drejtësisë. Ajo u bën thirrje institucioneve të tregojnë përgjegjshmëri dhe të marrin masa për mbrojtjen e gjykatave dhe gjyqtarëve.
Deklaratë e plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave të fundit, të cilat kanë cenuar sigurinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë. Sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë zjarrvënien në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore, përbëjnë akte të papranueshme në një shoqëri demokratike. Këto veprime nuk rrezikojnë vetëm jetën dhe sigurinë e gjyqtarëve, nëpunësve gjyqësorë dhe personelit administrativ, por cenojnë drejtpërdrejt funksionimin normal të drejtësisë. Çdo pengesë në veprimtarinë e gjykatave përkthehet në pasoja konkrete për qytetarët, të cilëve u vonohet ose u vështirësohet marrja e drejtësisë. Liria kushtetuese e shprehjes dhe e tubimit është një vlerë themelore e demokracisë, por ushtrimi i saj nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën ndaj institucioneve dhe cenimin e sigurisë së njerëzve që ushtrojnë detyrën në to. Cenimi i gjykatave dobëson mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese.
Po aq alarmues është shqetësimi për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë përgjegjësinë ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Mbrojtja e institucioneve gjyqësore nuk mund të trajtohet si një detyrë dytësore, aq më pak të mbetet në varësi të zhvillimeve të paparashikuara gjatë tubimeve publike. Siguria e gjykatave dhe e personave që ushtrojnë funksione në to kërkon vëmendje të posaçme, planifikim dhe reagim efektiv nga autoritetet përgjegjëse. Drejtësia është qëllim i Shtetit, po aq sa i individit. Veçanërisht shqetësues është ekspozimi ndaj akteve të dhunës i institucioneve që japin shërbimin e drejtësisë, ndërkohë që mbrojtja e tyre është kusht i domosdoshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës. Garantimi i sigurisë së këtyre institucioneve nuk është çështje privilegjesh institucionale, por detyrim shtetëror ndaj qytetarëve dhe interesit publik.
Në këtë klimë të tensionuar, Shoqata vlerëson po aq problematike gjuhën e papërshtatshme të përdorur publikisht nga Kryeministri ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurimit ndaj protestuesve. Kritika ndaj vendimmarrjes gjyqësore është e ligjshme, por ajo nuk mund të shndërrohet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo trysni publike mbi ushtrimin e funksionit të tyre. Deklarime të tilla, veçanërisht kur vijnë nga drejtuesi i pushtetit ekzekutiv, rrezikojnë të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në vendimmarrjen e pavarur gjyqësore. Ato ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj vendimeve gjyqësore. Përgjegjësia e kreut të ekzekutivit është të garantojë respektimin e lirive kushtetuese dhe sigurinë publike, jo të paragjykojë vendimet e gjykatave apo të përcaktojë publikisht se cilat masa sigurimi duhet të caktohen. Ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtyre masave vlerësohen vetëm nga gjykatat, mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të çdo çështjeje.
Shoqata u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe faktorëve me përgjegjësi politike e publike të tregojnë vetëpërmbajtje, përgjegjshmëri dhe respekt për pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Situatat e tensionuara në sferën publike kërkojnë qëndrime konstruktive dhe veprime institucionale me vizion dhe shtetari që forcojnë sigurinë, ligjshmërinë dhe besimin e qytetarëve, jo retorikë që përçajnë apo përplasin fiktivisht dhe pa dobi pushtetet. Shoqata kërkon marrjen e menjëhershme të masave efektive për sigurinë e gjykatave dhe të personelit të tyre, si dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, mbi të gjitha si detyrim në shërbim të qytetarëve. Njëkohësisht, ajo shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët që përmbushin funksionin e tyre me pavarësi, paanësi dhe integritet. Pa gjykata të sigurta dhe të pavarura, nuk mund të ketë drejtësi të prekshme për qytetarët dhe as shtet të së drejtës./ZËRI
Aurela Gaçe në krah të studentëve, këngëtarja shfaqet në protestë bashkë me Blendi Salajn (VIDEO)
TIRANË- Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe dhe moderatori Blendi Salaj i janë bashkuar qytetarëve dhe studentëve që po protestojnë në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' në Tiranë. Dy figurat publike janë filmuar mes turmës së protestuesve, përgjatë një prej akseve kryesore të kryeqytetit. Prania e tyre vjen në kuadër të tubimeve të ditëve të fundit ku studentë janë mbledhur për të shprehur qëndrimet e tyre.
View this post on Instagram
Ndërsa protesta vijon, pjesëmarrja e emrave të njohur të artit dhe medias i shtohet reagimit qytetar në bulevard, ku është raportuar edhe prani e shtuar e forcave të policisë./ZËRI
Korça i bashkohet protestave, qytetarët dalin në mbështetje të studentëve
KORÇË- Një grup qytetarësh janë mbledhur këtë pasdite në qendër të Korçës në shenjë mbështetjeje për studentët dhe protestat e zhvilluara ditët e fundit në vend.
Tubimi është zhvilluar pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur ku qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta ka zgjatur rreth një orë, ndërsa pjesëmarrësit kanë përcjellë mesazhet e tyre në kuadër të reagimeve në mbështetje të lëvizjes studentore./ZËRI
Protestuesit zhvendosen te 'Skënderbej', policia u vihet pas dhe vendos kordon pranë Kuvendit
TIRANË- Pas ndërhyrjes së policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, një grup protestuesish janë zhvendosur drejt sheshit 'Skënderbej', ndërsa efektivët kanë vijuar lëvizjet në ndjekje të tyre. Në afërsi të Kuvendit është vendosur gjithashtu një kordon policie, në kuadër të masave për menaxhimin e situatës.
View this post on Instagram
Gjatë lëvizjeve në shesh një protestuese është përfshirë në një përplasje verbale me efektivët, ndërsa nga ana e tubuesve janë hedhur edhe kapsoll./ZËRI
Ç'po ndodh në Tiranë? Policia ndjek me makina në rrugë protestuesit, kaos në trafik
TIRANË- Tensionet janë rikthyer mbrëmjen e sotme në protestën e tetë radhazi. Pas disa minutash qetësie para Kryeministrisë, nisën përplasjet, duke sjellë përshkallëzimin e situatës.
Protestuesit po vijojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke u shpërndarë në drejtime të ndryshme. Pas tyre lëvizin edhe furgonët e policisë, të cilët i ndjekin gjatë marshimit bashkë me autobotin e ujit.
Si pasojë e lëvizjeve të protestuesve dhe pranisë së forcave të policisë, qarkullimi i automjeteve në Tiranë është në kaos në disa akse të kryeqytetit./ZËRI
Përshkallëzohet protesta te Kryeministria, molotovë e gurë drejt policisë, efektivët përgjigjen me gaz lotsjellës
TIRANË- Përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë rikthyer në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' ku pak para orës 18:00 janë hedhur molotovë në drejtim të Kryeministrisë dhe gurë ndaj efektivëve të policisë. Pas një periudhe qetësie gjatë tubimit situata është tensionuar sërish, ndërsa forcat e rendit kanë reaguar me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.
View this post on Instagram
Ndërhyrja e policisë ka bërë që protestuesit të nisin shpërndarjen nga zona, ndërsa përplasjet kanë shënuar një tjetër moment tensioni në protestën e zhvilluar në kryeqytet./ZËRI
Me këngë e valle, protestuesit zhvendosen para Kryeministrisë (VIDEO)
TIRANË- Pas tensioneve te Ministria e Arsimit, protestuesit janë zhvendosur përpara Kryeministrisë. Gjatë marshimit drejt qendrës, protestuesit u larguan me valle, teksa ndiqeshin nga autobotet e ujit, me qëllim shpërndarjen e tyre.
View this post on Instagram
Ndërkohë, sapo mbërritën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", protestuesit shkatërruan një stacion urbani, të cilin e kanë tërhequr zvarrë në mes të rrugës. Më pas, nisën të mblidhnin gurë, të cilët i përdorin për të goditur efektivët ose institucionet në shenjë revolte.
View this post on Instagram
Aktuakisht, situata paraqitet më e qetë. Protestuesit vijojnë të qëndrojnë në bulevard, teksa disa prej tyre shtrihen edhe në tokë./ZËRI
"Çdo përdorim i paligjshëm i forcës të hetohet"/ ODIHR për protestat në Shqipëri: Shqetësim për dhunën, ruani paqen
TIRANË- Përshakllëzimi i protestave në Shqipëri ka tërhequr vëmendje e ndërkombëtarëve dhe ka nxitur reagimin e organizatave ndërkombëtare. Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka shprehur shqetësimin për raportimin mbi dhunën gjatë protestave.
Përmes një deklarate zyrtare, OSBE-ODIHR u bën thirrje të gjitha palëve që të ruajnë paqen. Gjithashtu, zyra e OSBE-së thekson se forcat e rendit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ndaj protestuesve dhe se çdo rast i tillë, duhet të hetohet pa vonesë dhe në mënyrë të pavarur.
“Të shqetësuar nga raportimet për dhunë gjatë protestave në Shqipëri, ODIHR u bën thirrje të gjitha palëve të ruajnë paqen. Forcat e rendit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve dhe çdo rast i përdorimit të paligjshëm të forcës duhet të hetohet pa vonesë dhe në mënyrë të pavarur”, thuhet në deklaratë.
Ky reagim vjen në ditën e 8-të të protestave në Shqipëri, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe incidente dhune. Gjatë përplasjeve të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë, janë regjistruar incidente të ndryshme, duek shtuar shqetësimin për mbarëvajtjen e tubimit./ZËRI
Studentët zhvendosen te Ministria e Arsimit dhe nisin 'aksionin' me pllaka e gurë, dritaret e godinës të 'blinduara'
TIRANË- Protestës së studentëve u janë bashkuar edhe pedagogët, të cilët prej paradites së sotme protestuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pas disa orësh qëndrimi para Kryeministrisë, protestuesit kanë marshuar nëpër kryeqytet dhe janë zhvendosur para Ministrisë së Arsimit, ku situata është tensionuar sërish.
Disa të rinj kanë nisur të shkulin pllakat e trotuarit dhe t’i hedhin në drejtim të godinës së institucionit. Ndërkohë, në katin e parë të ministrisë janë vendosur mbrojtëse hekuri. Në përgjigje të situatës, policia ka aktivizuar autobotin e ujit për të shpërndarë turmën.
View this post on Instagram
Më herët, studentët kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Edi Rama. Pavarësisht thirrjes së përsëritur të kryeministrit, protestuesit kanë këmbëngulur se dorëheqja e tij është kusht i panegociueshëm./ZËRI
Avokati i Popullit publikon gjetjet pas protestës: Pretendime për dhunë, kontrolle telefonash pa vendim gjykate e mbingarkesë te 'Blloku i Sigurisë'
TIRANË-Avokati i Popullit ka publikuar gjetjet paraprake nga monitorimi i protestës së 19 tetorit në Tiranë, duke evidentuar pretendime për dhunë policore, shkelje të procedurave për të miturit, kontrolle të telefonave celularë dhe mbingarkesë në ambientet e shoqërimit. Në një konferencë për shtyp, komisioneri Ahmet Prençi deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit janë administruar 11 ankesa për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut, ndërsa janë konstatuar problematika që lidhen me trajtimin e të miturve, përdorimin e forcës, kushtet në Bllokun e Sigurisë dhe procedurat e ndjekura nga policia.
Sipas ankesave të administruara nga institucioni, shqetësime janë ngritur edhe për kontrollet e telefonave celularë dhe kërkesat për zhbllokimin e tyre pa vendim gjykatë. Sa i përket kushteve në Bllokun e Sigurisë, është konstatuar mbingarkesë e ambienteve lidhur me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor. Një tjetër ankesë është edhe ajo lidhur me arrestimin e disa personave pa patur një shkak të ligjshëm pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.
Në përfundim, kërkohet numër identifikimi për çdo punonjës policie, ndërhyrje urgjente te Blloku i Sigurisë, sigurimi i kamerave në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi në çdo zyrë, të sigurohet ne cdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit di dhe të sigurohet mjek i disponueshëm ne çdo kohë në ambientet e shoqërimit.
Gjetjet e Avokatit të Popullit pas monitorimit të protestës gjatë 24 orëve të fundit:
Sot, 20 tetor, si komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, ju informoj mbi gjetjet nga monitorimi i 24 oreve te fundit në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar. Këto janë gjetje paraprake. Hetimi i thelluar vazhdon, dhe do t'ju njoftojmë brenda afateve ligjore.
Gjatë ditës së 19 tetorit deri ne mbremje vone, ekipe të Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatet e Policisë nr. 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 në Tiranë, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Në komisariatet nr. 5 dhe 6 nuk u raportuan persona të shoqëruar, dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e këtij raportimi.
Ditën e djeshme, policia ka shoqëruar 50 persona: 32 të rritur dhe 18 të mitur.
• Komisariati nr. 1: 21 persona, ndër ta 8 të mitur.
• Komisariati nr. 2: 19 persona, ndër ta 7 të mitur, 2 gra.
• Komisariati nr. 4: 10 persona, ndër ta 3 të mitur.
• Blloku i Sigurisë: ndodheshin 109 persona të arrestuar, 1 I mitur, 4 gra.
• Spitali i Traumës: 34 persona kanë marrë trajtim mjekësor nga keta 21 punonjes policie,7 protestues dhe 5 kalimtare.
Gjatë ditës së djeshme kemi marrë kontakt me 193 persona të ndaluar, të arrestuar dhe ne spital, prej të cilëve 6 gra, 19 të mitur. Gjithsej kemi administruar 11 ankesa, nga të cilat 10 në Bllokun e Sigurisë, njëra për një të mitur ne Kom.Nr.1.
Kemi marrë gjithashtu telefonata në numrin zyrtar dhe disa raste na janë referuar përmes rrjeteve sociale. Nga administrimi i këtyre materialeve, kemi nisur hetimin administrativ për keto raste ku dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut.
Në komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e ndaluar pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga punonjësit e policisë së shtetit. Ne dy prej tyre u konstatuam shenja te dëmtimit fizik. Në Bllokun e Sigurisë kemi marrë një ankesë për dhunë ndaj një të mituri.
Standardi: Neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues, pa asnjë përjashtim. Konventa për të Drejtat e Fëmijës (KDF), neni 37, kërkon trajtim humanitar dhe respektim të nevojave të personave nën moshën 18 vjeç.
Kjo ka rëndësi se dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast.
Garancitë procedurale për të miturit
Në komisariatin nr. 1, të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave. Pas ndërhyrjes sonë, u dha formulari për të rriturit, por edhe ai ishte i papërditësuar. Gjashtë të mitur u regjistruan në regjistrin e të rriturve. Në komisariatin nr. 4, regjistri i të miturve ishte plotësuar pjesërisht.
Standardi: Neni 5 i KEDNJ kërkon që çdo person i privuar nga liria të informohet menjëherë për arsyet dhe të drejtat e veta. KDF, neni 37, kërkon që të miturit të ndahen nga të rriturit dhe të kenë akses të shpejtë te ndihma juridike. Kodi i Procedurës Penale dhe ligji për drejtësinë penale për të miturit përcaktojnë format e informimit dhe të njoftimit të prindit ose kujdestarit.
Kjo ka rëndësi se: Pa formular të saktë dhe regjistër të veçantë, shkelja e këtyre të drejtave nuk mund të provohet, dhe i mituri mbetet pa mbrojtjen që i ka garantuar ligji.
Dhuna ndaj të rriturve
Të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit duke përfshirë përdorimin e sprait me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e policisë së shtetit. Një ankues pretendoi se u godit në një zyrë të komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie.
Standardi: Neni 3 i KEDNJ dhe neni 2 për mbrojtjen e jetës. Parimet Bazë të OKB-së për përdorimin e forcës (1990) kërkojnë që forca të jetë e domosdoshme dhe proporcionale. Neni 11 i KEDNJ mbron të drejtën e tubimit paqësor, dhe çdo kufizim duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional.
Kontrolli i telefonave
Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria.
Standardi: Neni 8 i KEDNJ mbron jetën private dhe korrespondencën. Çdo ndërhyrje duhet të ketë bazë ligjore dhe të jetë e domosdoshme. Kodi i Procedurës Penale parashikon që kontrolli dhe marrja e të dhënave elektronike të bëhen me urdhër të prokurorit dhe me autorizimin e gjykatës
Kjo ka rëndësi se: Kontrolli pa bazë ligjore është ndërhyrje në jetën private dhe cenim i të drejtave themelore të njeriut
Shoqërimet pa shkak individual
Disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa patur një shkak të ligjshëm pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.
Standardi: Neni 5 i KEDNJ lejon privimin nga liria vetëm për shkaqe të ligjshme dhe të përcaktuara, si dyshimi i arsyeshëm për një vepër penale.
Identifikimi i punonjësve të policisë
Në komisariatet nr. 2 dhe 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të dhënash në regjistrat e shoqërimit.
Standardi: Kodi Evropian i Etikës së Policisë (Këshilli i Evropës, 2001) dhe standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) kërkojnë që policët të jenë të identifikueshëm. Ligji nr. 108/2014 "Për Policinë e Shtetit" parashikon detyrimet e policisë në përmbushjen e detyrës
Kjo ka rëndësi se: Pa identifikim, bëhet e vështirë përgjegjësia personale për rastet e akuzave për dhunë, por dëmton edhe besimin tek policia e shtetit duke mos arritur të ndaj ata që shkelin ligjin nga punonjësit e policisë që veprojnë në respektim të tij.
Kushtet dhe kapaciteti
Në Bllokun e Sigurisë ndodhen rreth 109 persona të arrestuar. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor.
Standardi: Neni 3 i KEDNJ dhe Gjykata e Strasburgut, në jurisprudencën e saj ka përcaktuar hapësirën minimale prej 3 m² për të burgosur në qeli me shumë persona. Standardet e CPT-së për paraburgimin policor kërkojnë shtrat, ushqim, ujë, higjienë dhe kujdes mjekësor.
Kjo ka rëndësi se: Mbingarkesa është shkak i drejtpërdrejtë i shkeljeve të tjera, sepse i bën të pamundur mbrojtjen e të drejtave themelore.
Ne përfundim:
Theksojmë se e drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta, dhe protestuesit duhet ta ushtrojnë atë paqësisht. Ne dënojmë çdo akt dhune, nga kushdo që vjen.
Policia e shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë publike, por forca duhet të përdoret vetëm kur është e domosdoshme dhe në masë proporcionale.
Gjithashtu çdo punonjës i policisë duhet të jetë i identifikueshëm dhe të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet që kryen.
Të miturit kanë garanci të veçanta, që nuk mund të anashkalohen në asnjë rrethanë.
Nisur nga ato që kemi konstatuar deri në këtë fazë kërkojmë:
1. Policia e Shtetit: identifikim I tyre eshte i detyrueshëm per çdo punonjës në detyrë, me numër identifikues të dukshëm, dhe identifikim i automjeteve në çdo operacion.
2. Ministria e Brendshme: Te ndërhyj urgjente për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, me zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin në ambiente të tjera brenda kapacitetit ligjor.
3. Policia e Shtetit: Te siguroj kamera në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi ne çdo zyrë, me ruajtje të pamjeve, dhe ruajtja e menjëhershme e pamjeve të datës 19 tetor.
4. Policia e Shtetit: Nuk lejohet asnjë kontroll i telefonave pa urdhër gjyqësor, dhe asnjë kërkesë për fjalëkalime pa bazë ligjore.
5. Policia e Shtetit: Te sigurohet ne cdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit dhe e psikologut për çdo intervistë me të mitur; formular i të drejtave në versionin për fëmijë, para çdo pyetjeje; regjistër i veçantë për të miturit.
6. Policia e Shtetit: Te realizohet trajnim I vazhdueshem mbi përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës
7. Policia e Shtetit: te plotësoj regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara.
8. Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit: te siguroje mjek te disponueshëm ne çdo kohë në ambientet e shoqërimit, dhe dokumentim mjekësor i çdo dëmtimi sipas Protokollit të Stambollit.
Avokati i Popullit do të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave. dhe çdo rast i abuzimit po hetohet kryesisht me nismën e Avokatit të Popullit. Ftojmë çdo qytetar që, nëse i janë shkelur të drejtat nga policia e shtetit, të na drejtohet me ankesa individuale: përmes numrave tanë të telefonit, faqes zyrtare apo rrjeteve sociale. Konfidencialiteti garantohet.
"Jam në emër të Ramës, dyert janë hapur", Drejtoresha e MIA-s përballet me pedagogët: Dorëheqje, s'ka dialog

TIRANË-Drejtoresha për Mediat dhe Informim, Manjola Hasa doli sot para kryeministrisë, teksa po zhvillohet protesta e studentëve dhe pedagogëve. Hasa u përball me protestuesit dhe pedagogët, duke u bërë thirrje për dialog. Drejtoresha e MIA i pyeti nëse dëshirojnë të bëhet një dialog, duke theksuar se ndodhet aty në emër të kryeministrit Edi Rama. Por njoftimi i saj nuk është pranuar nga protestuesit, të cilët të vendosur rreth e rrotull saj kanë deklaruar se nuk ka dialog dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.
View this post on Instagram
"Unë jam këtu nisur nga ftesa e hapur për dialog, për këdo që është i interesuar të dialogojë me kryeministrin. Ka studentë, të rinj, qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë. Unë jam këtu. Unë nuk jam këtu të flas në cilësinë e vendimmarrëses. Jam në emër të qeverisë. Qytetarët që duan të bëjnë këtë dialog me kryeministrin janë të mirëpritur, i kanë dyert e hapura", tha Manjola Hasa.
Pas peticionit, pedagogët protestojnë në mbështetje të studentëve
TIRANË-Një grup pedagogësh i janë bashkuar protestës në Tiranë, në mbështetje të studentëve. Organizimi i tyre ka nisur para Universitetit Politeknik të Tiranës.
“Bashkohu! Mos qëndro indiferent!”, është thirrja e pedagogëve në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre.
Nga ana e pedagogëve është bërë edhe një peticion, ku bëhet thirrje që të dëgjohen kërkesat e studentëve. Rreth 1 mijë pedagogë raportohet se kanë nënshkruar peticionin, përmes të cilit kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama nga detyra dhe krijimi i një qeverie kujdestare.
Sipas pedagogëve, një qeveri e tillë duhet të garantojë stabilitetin institucional, qetësimin e tensioneve dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Nënshkruesit u kërkuan gjithashtu punonjësve të policisë të ndërpresin dhunën ndaj studentëve dhe të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm, duke paralajmëruar se përgjegjësia për veprime të tilla është individuale.
Deklarata e plotë
Të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve tanë dhe shkelja e dëshmuar e të drejtave të njeriut gjatë protestës, ne një grup pedagogësh:
1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
2. I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhëra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.
3. I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.
4. I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.
5. I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.
Rama nxjerr karriget e kuqe para Kryeministrisë: DIALOG! Studentët e refuzojnë
TIRANË-Në ditën e tetë të protestës kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish protestuesve thirrje për dialog. Para godinës së qeverisë janë vendosur në rrugë karriget e Kryeministrisë me pankartat “dialog”. Rama pasi vendosi pankartat, bëri të qartë se nga kjo ftesë përjashtohen personat që ushtrojnë dhunë dhe ata që nuk distancohen prej saj.
View this post on Instagram
“Kush do dialog, pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë. Unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë. Të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe ata që nuk distancohen nga dhuna”, thekson Rama.
View this post on Instagram
Por studentët e kanë refuzuar ftesën për dialog. Në një letër të vendosur mbi njërën prej karrigeve, ata kanë shkruar mesazhin “Jep dorëheqjen”, duke i kërkuar largimin nga detyra kreut të qeverisë.