"Durana", fantazmë?! Ministrja Ibrahimaj: Model hibrid, faza e parë është virtuale! 52 subjekte janë me kapital të huaj
TIRANË-Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në interpelancën e thirrur nga deputetët, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, u përgjigj për projektin “Durana Tech Park”. Minstrja ka sqaruar se pse “Durana" po operon vetëm virtualisht dhe ende nuk ka asnjë godinë fizike të kompanisë. Ibrahimaj sqaroi se modeli i parkut është hibrid pasi kombinon operimin fizik dhe virtual. Faza e parë është ajo online dhe më pas kompanitë mund të operojnë fizikisht.
Më tej Ibrahimaj iu përgjigj akuzave të Shehajt lidhur me bizneset e regjistruara. Shehaj pretendon se Durana Park është krijuar për të favorizuar biznesmenë e kompani me probleme ligjore ose në pronësi të personave të shpallur në kërkim. Lidhur me këtë Ibrahimaj dha një pasqyrë me 80 rezidentë ku 57 janë rezidentë, të tjerë në proces të avancuar. 52 prej tyre kanë kapital të huaj dhe 48 kapital shqiptar.
Ministrja Delina Ibrahimaj: VKM-ja e miratuar dhe kontrata që ministria e inovacionit dhe kulturës lidhi me agjencinë kishte disa faza. Faza e parë është faza virtuale. Vkm-ja parashikon një periudhë 36-mujore ku Durana funksionon si park virtual. Ajo parashikon këtë fazë të parë gjatë 2025, fazën e operimit me strukturë fizike dhe modelin miks të operimit për këdo që zgjedh ta bëjë dhe zbatojë këtë model. Modeli miks do të thotë që përdoruesit mund të operojnë fizikisht brenda dhe virtualisht jashtë parkut, një park hibrid. Janë 80 rezidentë sot, ku 57 prej tyre kanë kontrata të finalizuara dhe janë rezidentë dhe pjesa tjetër është në proces të avancuar. Pra i është miratuar rezidenca, me qëllim të fillojnë të operojnë në Durana. Ndërkohë nga këto 52 subjekte janë me kapital të huaj dhe 48 me kapital shqiptar. Kjo është një përbërje domethënëse, sepse tregon njëkohësisht interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e ndërmarrjes vendase.
Durana ka nisur aktivitetin financiar/ Ibrahimaj mohon akuzat për parajsë fiskale: Vetëm 5 kompani nuk paguajnë taksa!

TIRANË-Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në interpelancën e kërkuar nga Agron Shehaj dhe Erald Kapri për ‘Durana Tech Park’, ka sqaruar projektin. Në fjalën e tij, Shehaj i drejtoi ministres disa pyetje konkrete, duke kërkuar informacion për numrin e kompanive të regjistruara në “Durana Park”, sa prej tyre janë të lidhura me persona të shpallur në kërkim apo të akuzuar për vepra penale, si dhe sa kanë përfituar këto kompani nga lehtësitë fiskale, përfshirë përjashtimin nga tatimfitimi dhe tatimi mbi pagat.
Edhe ZËRI raportoi për skemën e dyshimtë që është ndjekur në krijimin e 'Durana Tech Park', e cila ka si pronare Korporatën e Investimeve Shqiptare, që drejtohet nga Elira Kokona. Deri tani janë regjistruar më shumë se 52 kompani të lidhura me AKSHI-n, të cilat nga 1 Janari nuk do të paguanin taksa dhe detyrimet në shtet, pasi supozohej të sillnin risi në fushën e teknologjisë.
Lidhur me këtë lehtësirë fiskale, Ibrahimaj mohoi që ‘Durana’ të përbëjë një parajsë fiskale. Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja sqaroi se numri real i kompanive që kanë përfituar nga lehtësirat fiskale janë vetëm 5.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj:Parajsa fiskale ka disa komponentë, janë katër. Parajsë fiskale konsiderohet një hapësirë gjeografike, shtete apo qytete, të cilat kanë taksa të ulëta apo zero, kanë një mungesë transparence mbi bizneset që regjistrohen por mbi të gjitha me pronarët që regjistrohen, ka mungesë kontrollesh tatimore dhe legjislacion fleksibël për parandalimin e pastrimit të parave. Tani më thoni ju, ku hyn Durana këtu? Durana ka një procedurë standarde dhe shumë të dokumentuar për regjistrimin e përdoruesve. Të gjitha subjektet e regjistruara në Durana, janë të gjitha në QKB dhe deklarojnë pronarin përfitues dhe kanë detyrim për këtë. Janë subjekte që nuk anashkalojnë në asnjë moment monitorimin fiskal, aq më shumë se çdo përdorues duhet të njoftojë organin tatimor që është përdorues. Ata që marrin statusin e përdoruesit për të përfituar nga lehtësimin. Janë aty sepse lehtësimet fiskale përdoren gjerësisht nga qeveritë dhe inovacioni është prioritet për qeveritë shqiptare. Nëse bëjnë shkelje e humbin këtë status. Në 52 kompani, 27 nuk e kanë nisur ende faturimin, sepse koha ka qenë e shkurtër nga regjistrimi deri tani, nuk është biznes që shet mall, do krijojë do bëjë shkencë dhe ka kohën e vetë. Numri real i kompanive që kanë përfituar nga lehtësirat fiskale janë vetëm 5. Këto kompani nuk paguajnë tatim fitim, por jo vetëm për Duranën.
Ndërkohë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur tashmë një hetim për projektin “Durana Tech Park” të Korporatës Shqiptare të Investimeve, në vijim të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t. SPAK po verifikon nëse projekti DURANA është përdorur për favorizim dhe shmangie taksash në funksion të të njëjtëve aktorë të përfshirë në dosjen AKSHI.
Vëllai i Elda Hotit u arrestua për 50 kg kokainë, Balla-opozitës: Narkosin e paskeni brenda shtëpisë tuaj...
TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, teksa replikonte me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhin, përmendi në Kuvend rastin e vëllait të deputetes Elda Hoti, i cili u arrestuar një ditë më parë në Romë i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.
Balla tha se nëse do të kishte qenë familjar i një prej socialistëve, opozita do të kishte shpërthyer në akuza. Mes të tjerash ai tha se opozita ‘narkosin e paska në shtëpinë e vetë’.
Taulant Balla: Imagjinoni sikur ngjarja e ndodhur ndaj familjarëve të një deputeteje të PD t’i kishte ndodhur njërit prej PS. Ju do të kishit ardhur këtu, do të kishit bllokuar foltoren, do të bërtisnit 'në burg, arrestojeni'! Është grup i strukturuar kriminal se vëllai dhe motra. Ç’punë ka motra me çfarë bën vëllai, në kuptimin e ligjit? Nuk keni për të dëgjuar asnjë deklaratë nga ne kështu. Se na doli narkosi, vëllai i Elda Hotit. Nuk do të bëjmë ne asnjë deklaratë, as për rastin në fjalë, meqë narkosin paskeni brenda shtëpisë tuaj.
Markelian Hoti, vëllai i deputetes Elda Hoti, u arrestua një ditë më parë (18 shkurt) nga autoritetet italiane në Romë, ku ishte fshehur në një hotel bashkë me të dashurën, në zonën Ponte di Nona. Arrestimi u bë pas një hetimi të koordinuar nga Interpol dhe policia antidrogë. 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas një urdhër-arresti europian për trafik droge nga Amerika e Jugut drejt Europës. Ai dyshohet se kishte rol kyç në një rrjet kriminal që sillte kokainë në portin e Antwerp, për ta shpërndarë më pas në vende të tjera./ZËRI
“Nxënësit janë me 2 turne”, Braçe paralajmëron padi penale ndaj Tatimeve
TIRANË- Deputeti i PS, Erion Braçe, kërkoi para Kuvendit llogari për arsyen që nuk është bërë seanca pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Sipas tij, javës që vjen është “javë e gjelbër” dhe kanë kaluar më shumë se katër javë nga paraqitja e kërkesës, ndërkohë që Rregullorja e Kuvendit parashikon një afat maksimal prej tre javësh.
Braçe nënvizoi se mos hapja e shkollës “Edith Durham”, rindërtimi i së cilës ka përfunduar në tetor, ka bërë që 850 nxënës të frekuentojnë turnin e dytë dhe 1700 prindër e gjyshër janë në kaos. Deputeti foli edhe për disa kërkesa informacioni kundrejt Drejtorisë së Tatimeve, AKU, ISUV etj, për të cilat afatet janë tejkaluar. Ai tha se në këto kushte do të kalojë në kallëzim penal.
Erion Braçe: Më 2 shkurt kam depozituar kërkesë për seancë pyetje përgjigje me ministren e Arsimit. Javës tjetër është javë e gjelbër, bëhen më shumë se 4 javë nga kërkesa. Shoh që ministrja është këtu dhe kuptoj që është problem i Parlamentit. Shkolla “Edit Durham” edhe pse është mbaruar, nuk është në funksion. Shpërdorohet koha për çështje jashtë rendit të ditës, dhe për çështje të rëndësishme koha është me racion. Afati maksimal që ma jep Rregullorja është 3 javë, jo 4. 1700 nxënës shkojnë automatikisht në turnin e dytë. Kontrolli parlamentar nuk përdoret dot me racion. Kam një seri kërkesash për marrje informacioni. Është ezauruar çdo afat me Tatimet dhe AKU, do shkojmë drejt një kallëzimi penal për të marrë informacion.
Kuvendi/ Bardhi-Peleshit: Hiqni imunitetin e Ballukut! Balla: GJKKO ndërhyri në kompetencat e Kryeministrit
TIRANË-Seanca e radhës në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me debate, ku shkak është bërë çështja e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku. Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi i cili ka kërkuar të futet në rend të ditës heqja e imunitetit të Ballukut, duke akuzuar mazhorancën se është kthyer në mburojë të saj dhe se kanë penguar SPAK.
Në sqarimin e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i quajti patetike fjalimet e Gazment Bardhit. Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i është përgjigjur Bardhit, duke i rikujtuar se Këshilli i Mandateve do të mblidhet në datë 23 shkurt. Balla theksoi se GJKKO ndërhyri në kompetencat e Kryeministrit.
DEBATI:
Gazmend Bardhi: Duhet të jetë vetëm 1 pikë që ju keni 2 muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar. Futja me urgjencë në rend dite e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e justifikuat shtyrjen me kohën që kërkoi avokati mbrojtës. Na thatë, pasi skadoi 3 javët e kërkuara, që do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zv.kryeministre nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetes. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se pezullimi nga detyra nuk hyn në çështjen e imunitetit. Pas Gjykatës Kushtetuese nxorët një tjetër justifikim: do të presim të zbardhet vendimi. Jeni bërë pengesë për hetimin. Nuk duhet të bëhemi hipokritë kur ky Kuvend ka dështuar të përmbushë funksionin kushtetues në interes të qytetarëve. Deri në atë moment, ky Kuvend nuk mund të funksionojë normalisht, as sikur kjo çështje nuk është këtu. Jemi i vetmi vend në botë që miratoni ligj për të mbrojtur veten. Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE e quajti test kritik për luftën kundër korrupsionit. Ose do ta luftojmë korrupsionin, ose do ta ktheni në bunker për të mbrojtur korrupsionin. Lejoni që ky Kuvend të përmbushë në kohë misionin kushtetues.
Niko Peleshi: Lexoni Rregulloren para se të bëni fjalime patetike. Asnjëherë nuk e ke kontestuar interpretimin që kreu i Kuvendit i bën Rregullores, nuk do zgjuarsi. Nuk është shkelur asnjë nen i Rregullores jemi brenda të gjitha afateve. Të hënën do mblidhet Këshilli i Mandateve pasi është respektuar e drejta e të gjitha palëve. Nuk jemi organ vendimmarrës, por këshillimor. Nëse doni ta çoni në jo normalitet Kuvendin…Puna ime është ta mbaj në normalitet.
Taulant Balla: Në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka kërkesë për heqje imuniteti, se as deputetët dhe as ministrat nuk kanë imunitet. Ka kërkesë për dhënie autorizimi për masë sigurie. Sa i përket kërkesës për dhënie autorizmi, si anëtar i atij këshilli, jeni njoftuar në datën 23 ora 10:00 për të vijuar me mbledhjen. Të gënjesh është edhe profesion dhe ju e ushtroni në mënyrë shembullore. Thatë që ka vendim të Kushtetueses 8 me 0, se unë di dhe publiku di, ja ku i kemi dhe gazetarët aty lart që nuk ka një vendim. Sa i përket 8 me 0, po ka një vendim në leximin pa jurisprudencë vendim 8 me 0, ka 4 anëtarë që thonë që GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, parlamentit dhe presidentit, por nuk kanë rënë dakord për mënyrën se si zgjidhet. 4 thonë të zgjidhë Kuvendi, 4 thonë ta zgjidhë Gjykata.
Mblidhet sot Kuvendi! Zgjidhen 5 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH, diskutime për nenin 242
TIRANË-Sot Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00. Në fokus do të jetë zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Procesi vjen në një kohë kur gjashtë anëtarëve u ka përfunduar mandati, duke bllokuar funksionimin e Këshillit, i cili aktualisht nuk mund të marrë vendime pa plotësimin e bordit.
Konkretisht tre kandidatë janë përzgjedhje e Partisë Socialiste: ish-deputeti demokrat Selami Xhepa, ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj dhe Matilda Shehu.
Dy kandidatët e tjerë janë propozuar nga kryeministri Edi Rama, përmes aplikimeve të paraqitura në qeveri: ish-ministri Ervin Mete dhe Jonida Prifti.
Ndërkohë në rend dite pritet një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri, lidhur me projektin e Parkut Virtual Teknologjik “Durana”. Në rend dite janë përfshirë gjithashtu gjashtë projektligje të propozuara nga opozita, si dhe ndryshime në ligjin për qeverisjen elektronike dhe ligje të tjera sektoriale. Në fund të seancës pritet të miratohet edhe ligji i ndryshuar për funksionimin e AKSHI-t, për të cilin u hap rruga në Komisionin e Ligjeve.
Debate pritet të ketë edhe për ndryshimet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Grupi Parlamentar i PS prezantoi më 16 shkurt, nismën ligjore për ndryshimin e nenit 242, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku. Sipas propozimit të PS-së, në nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut do të shtohen edhe 7 subjekte të reja ndaj të cilave nuk mund të shtrihet masa e sigurisë e pezullimit të detyrës. Bëhet fjalë për Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit./ZËRI