LIVE UPDATES

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD: Është në përputhje me ligjin! Rama me pyetje: Ku i gjetën 6 mln $?

➤ Kontrata e lobingut më e madhe në historinë e Shqipërisë, e lidhur mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Continental”, tashmë është nën lupën e SPAK. Kontrata do të kushtojë 6 milionë dollarë për vetëm dy vite, e tashmë do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. ➤ Pas lajmit se SPAK ka nisur hetimet, ka pasur një sqarim edhe nga Partia Demokratike. ➤ Sipas selisë blu, kontrata është transparente dhe e nënshkruar në përputhje me ligjet e dy vendeve, Shqipërisë dhe SHBA-ve. ➤ Një koment ka ardhur edhe nga kryesocialisti Edi Rama. ➤ Pas publikimit të kontratës, Rama ka një pyetje: ku janë gjetur paratë? ➤ Në ditët në vijim pritet që të zbulohet se cilat do jenë hapat konkretë të SPAK për këtë dosje.

5 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Berisha për kontratën e lobimit 6 mln dollarë: Rama është tmerruar se morëm avokatin e Trump

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar, tërthorazi, kontratën e lobingut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqjen e "non gratës". Në një takim elektoral në Kuçovë, Berisha foli shkurt duke përmendur edhe kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, kontrata e ka frikësuar të parin e qeverisë, duke e akuzuar edhe njëherë si të lidhur me bandat.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Sot jam këtu për të prezantuar programin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore programin më të mirë që i është ofruar ndonjëherë qytetarëve shqiptarë. Fushatën e nisëm sot në mëngjes në Selanik, ku mijëra vëllezër dhe motra nga diaspora erdhën për të dëgjuar programin tonë. Ata janë më të vendosur se kurrë për të votuar më 11 maj për shpëtimin e Shqipërisë, për ndryshimin e madh, për t’u ndarë nga një e keqe që po shkreton çdo javë, çdo muaj më shumë Kuçovën, Beratin dhe mbarë vendin.

Jam sot këtu dhe i drejtohem Ledianit, bashkëmoshatarëve të tij dhe gjithë të rinjve që ndodhen në këtë shesh apo kudo tjetër: 11 maji shënon një fillim të ri për çdo të ri, për çdo vajzë e djalë që dëshiron të ndërtojë ëndrrën e tij në Shqipëri, të ardhmen e tij në këtë vend. Ne garantojmë se shkollimi i fëmijëve tanë do të zhvillohet në kushte moderne, në shkolla të pajisura me teknologji të reja dhe me cilësi të lartë. Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe do të heqim mesataren si një pengesë absurde që i ndalon të rinjtë të hyjnë në universitete. Përkundrazi, dyert e universiteteve do të jenë të hapura për të gjithë, dhe pas diplomimit, çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do të mbështetet nga qeveria me një vit sigurime shoqërore të paguara për çdo të ri të punësuar. Qeveria do të ofrojë grante për çdo biznes dhe startup të të rinjve tanë. Do të vendosim grante për çdo kredi për banesë, në mënyrë që çdo çift i ri të ketë mundësi të ndërtojë jetën në vendin e tij. Do të mbulojmë deri në 30 mijë euro interesat e kredive, dhe për familjet që sjellin në jetë fëmijën e tretë, shteti do të marrë përsipër shlyerjen e plotë të kredisë.

Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Si garant i pagesës së kësaj shume ka dalë shqiptaro-amerikani Nuredin Seci. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Rama flet për herë të parë për kontratën e lobimit të Berishës në SHBA

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:
Edi Rama

TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama ka komentuar nga Vlora kontratën e lobimit të Partisë Demokratike, për heqjen e "non grata-s" të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Rama, në një takim me gratë dhe vajzat e qarkut të Vlorës, tha se 6 mln dollarë për të hequr damkën e një personi non grata janë vërtetë shumë. Duke ngritur edhe pikëpyetje për burimin e këtyre parave. Sipas numrit një të qeverisë, edhe nëse sanksioni i vendosur do t'i hiqet Sali Berishës, kjo nuk ndryshon asgjë, duke premtuar fitoren e socialistëve. 

"Unë besoj që të gjitha ju që jeni këtu sot ashtu si të gjithë të tjerët që e ndjekin këtë ballafaqim jeni sot të habitura nga fakti që janë paguar 6 milionë euro, thuhet nga patriot, ju kujtohet se edhe herën e kaluar Luli për 500 mijë u bë leckë edhe ai tha u mblodhën disa patriot. 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi ‘non grata’ janë shumë për të mos bërë pyetjen se ku i gjetën gjithë ato para dhe si mundet që thjeshtë dhe vetëm për hallin e një njeriu të paguhen më shumë para se sa shteti i jep për të gjitha partitë politike të marra së bashku, është edhe pak e çuditshme se ne na thanë se sa të vinte Trump do të ikte non grata tani na u dashkan edhe 6 milionë euro me shprese se do të hiqet non grata dhe sikur të rri dhe sikur të iki kjo nuk është çështja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që janë sot në një moment historik,"-tha në fjalën e tij Rama.

REAGIMI I RAMËS:

PJESË NGA FJALA E RAMËS:

Unë besoj që të gjitha ju që jeni këtu sot, ashtu si të gjithë të tjerët që e ndjekin në të përditshmen e vet këtë përballje, këtë ballafaqim, jeni sot të habitura nga fakti që janë paguar 6 milionë euro. Është bërë një kontratë 6 milionë euro, thuhet nga patriotë, iu kujtohet që edhe herën e kaluar, Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë, edhe ai kështu tha: U mblodhën ca patriotë. Po 6 milion euro për të hequr damkën e një personi non grata janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen; Ku u gjetën gjithë ato para? Dhe si mundet që thjeshtë dhe vetëm per hallin e një njeriu të paguhen më shumë para sesa çfarë shteti shqiptar jep për të gjitha partitë politike të marra së bashku. Pastaj është dhe pak e çuditshme kur mendon që ne na u tha se sa të vinte Trump do ikte non grata, tani u dashkan edhe 6 milionë euro, me shpresën që do iki non grata.

Por edhe sikur të rrijë dhe sikur të iki, kjo nuk është çështja më e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shqiptareve që janë sot në një moment historik dhe që duhet të marrin një vendim historik.

Sepse në 11 maj, nuk është një zgjedhje mes dy kampeve politike, absolutisht jo! Është një zgjedhje mes Shqipërisë me BE-në në Europë dhe të interesit kombëtar të një populli të tërë dhe hallit privat të një 80 e kusur vjeçari që vazhdon të provojë të bëjë çorap Shqipërinë. Është një zgjedhje midis të mirës së përbashkët të të gjithëve, pa dallim, pa dallim bindjesh politikë e pa dallim përkatësisht partiake, sepse bëhet fjalë për mundësinë e madhe që na është dhënë ne. Ne fati na e ka sjellë që me një votë të bëjmë, jo vetëm një zgjedhje, por dhe një investim historik dhe interesit të një të një grushti shumë të vogël njerëzish, të vogël sa një familje e vetme, një familje që nuk mban dot lidhur një 80 e kusur vjeçar, që vjen vërdallë dhe flet përçart dhe kërkon të marri zvarrë Shqipërinë. Në fund fare, kjo është një zgjedhje shumë e qartë mes të qenit tifoz me një palë, apo tifoz me një palë tjetër, apo të qenit një qytetar apo qytetare e një vendi që sot ka mundësinë të të japë ty personalisht statusin e qytetarit apo qytetares europian, edhe është vërtetë kështu.

Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Si garant i pagesës së kësaj shume ka dalë shqiptaro-amerikani Nuredin Seci. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

PRAPASKENAT e një kontrate/ Berisha kërkon heqjen e "non gratës" në SHBA, në krah ka njerëzit më të afër të Trump (DETAJET)

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:
Sali Berisha

TIRANË- Pasditja e 19 majit, 2021, "lëkundi" si kurrë më parë politikën shqiptare! Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpall "non grata" nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Një "cicërimë" e asokohe sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken shkundi mirë politikën në vendin tonë, duke sanksionuar një nga politikanët më të pushtetëshëm në vendin tonë. Dhe me akuza të rënda!

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri,”-shkruhej në njoftimin e dhënë nga Blinken.

Përtej përplasjeve brenda Partisë Demokratike dhe përçarjes historike që të gjithë e dëshmuam, qëndrimi i Sali Berishës ishte një: lufta! Fill të nesërmen, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dorëzoi në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë për shpifje ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Por deri më sot, shumë pak dihet se çfarë ka ndodhur, përveç faktit që çështja është e regjistruar për t’u shqyrtuar nga Gjykata. Tashmë, kur po i afrohemi vitit të katërt që Berisha është i sanksionuar, duket se Partia Demokratike ka vendosur që të shkojë në burim! Të lobojë direkt me Departamentin e Shtetit. Një gjë e tillë u hamendësua me zgjedhjen e Chris LaCitiva si kryestrategun e fushatës. Kur “I besuari” i presidentit amerikan Donald Trump u shfaq krah Berishës në fushatë, aludimi i parë ishte që amerikani do të ndikonte tek lideri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të hequr sanksionimin. Vetë LaCivita sqaroi se nuk ishte ky roli i tij, por udhëzimi dhe drejtimi i fushatës së Partisë Demokratike dhe aleatëve në Shqipëri. Por nuk tha kurrë se nuk do ta udhëzonte Berishën sesi të arrinte atë që ka 4 vjet që e kërkon!

Kështu, dje të gjithë u njohëm me një kontratë lobimi, me një vlerë të kripur, e cila ka një qëllim: Sali Berisha mos të jetë më i sanksionuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Kompania “Continental Strategy-Lobbying and Counsulting Firm” është paguar 6 milionë euro për të lobuar pranë qeverisë amerikane për një periudhë 2-vjeçare. Kontrata mban numrin “7545” dhe është nënshkruar nga Carlos Trujillo dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Carlos Trujillo është një lobist amerikan dhe profesionist i çështjeve qeveritare, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Shteteve Amerikane. Ai është po ashtu anëtar i Partisë Republikane (Partia e Trump), dhe ka shërbyer 4 mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Floridës nga viti 2010 deri në emërimin e tij si ambasador.

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:

Në mars 2020, Presidenti Donald Trump njoftoi synimin e tij për të emëruar Trujillon si Ndihmës Sekretarin e ardhshëm të Shtetit për Çështjet e Hemisferës Perëndimore dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Fondacionit Ndër-Amerikan. Pjesë e grupit të kompanisë është edhe Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump në 2024, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita.

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:

Aktualisht Wiles është shefja e kabinetit të Trump dhe konsiderohet si një nga personat më të besuar të presidentit amerikan.

Por sa ndikim ka Wiles tek Trump?

Me një fjalë: shumë!

Pas fitores së Presidencës, lajmi se Trump kishte zgjedhur Wiles si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë, duke e bërë gruan e parë që mbante atë pozicion, pushtoi mediat amerikane. Duke e quajtur atë "të ashpër, të zgjuar, novatore, të admirueshme dhe të respektueshme, Trump (marrë parasysh natyrën e tij) nuk ngrroi që të falenderonte për ndihmën që i tha në fitore. Wiles konsiderohet si një person që preferon të punojë në prapaskenë. Madje edhe kur Trump shpalli fitoren dhe e ftoi atë të thoshte një fjalë, ajo me mirësjellje refuzoi. 

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:

Por ka edhe një pikë që e lidh me TRUJILLON.

"Ata që kanë punuar për Wiles janë të gatshëm që të marrin edhe plumba për të,"- thoshte Carlos Trujillo, i cili gjithashtu shërbeu si këshilltar i fushatës.

Pra, praktikisht, kjo firmë me ndikim të qartë republikan është e vetmja që mund të sigurojë fijet e duhura që Trump të shqyrtojë dosjen e Berishës. Kjo më e pakta pasi mund të ketë edhe një heqje të sanksionit, siç ndodhi në rastin e zyrtarit hungarez.

Kush përmendet në kontratë dhe çfarë kërkohet konkretisht?

Përmes kësaj kontrate, Partia Demokratike me sa duket kërkon më shumë akses në majën e Shtëpisë së Bardhë.

Firma pranon të ofrojë shërbime të marrëdhënieve me qeverinë për klientin në lidhje me qëllimin e mëposhtëm të shërbimet: vendosjen e marrëdhënieve me aktorët kryesorë në degën ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar politikat mbi zhvillimin; të ofrojë mbështetje për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri; përdorimin e përvojës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, avokimin e politikave, shërbimet ligjore dhe palët e interesuara në linjë me Partinë Demokratike dhe koalicionin e saj, Aleancën për Shqipërinë e Madhe.

Kështu, shërbimi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me Dan Holler! Më datë 17 prill, Holler i është dërguar një mesazh dhe më pas është telefonuar.

Qëllimi?

Kompania i ka dërguar artikuj (nuk ka link që të tregohet se për çfarë bëhet fjalë) zëvendës Shefit të Shtabit për Politika, Dan Holler për ta informuar atë në lidhje me klientin, Partinë Demokratike të Shqipërisë. Po ashtu, përfaqësues nga kompania kanë folur në telefon me Zëvendës Shefin e Shtabit për Politika Dan Holler për ta informuar në lidhje me Partinë Demokratike të Shqipërisë. Lobimi vazhdon dhe më 24 prill, “futet në fushë” edhe Alberto Martinez.

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:

Alberto E. Martinez shërben si Partner në “Continental Strategy”, duke këshilluar klientët mbi marrëdhëniet me qeverinë, politikat publike dhe komunikimet strategjike. Në “CV” e tij, shënohet se ai ka punuar për më shumë se një dekadë si këshilltar i besuar i senatorit të Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio. Si shefi i Stafit të Senatit të Rubios, Martinez drejtoi të gjitha aspektet e agjendës legjislative të senatorit, nismat e politikave publike dhe strategjinë e komunikimit dhe ishte përgjegjës për formimin e strategjive të politikave për çështjet kritike kombëtare dhe Florida. Pra, Martinez është një nga njerëzit më të afërt të Sekretarit të Shtetit.

Por gjithë ky shërbim nuk vjen falas!

Klienti (përmes Garantuesit/ëve të tij) do t'i paguajë firmës një pagesë mujore prej 250,000 dollarësh për një paketë gjithëpërfshirëse mbështetjeje të lobimit, avokimit për një periudhë 2-vjeçare. Por jo vetëm kaq! Përveç kostos që shkon në gati 6 mln dollarë, firma do t'i faturojë klientit çdo muaj kosto të arsyeshme të lidhura me shpenzimet e udhëtimeve, siç janë hoteli, biletat e avionit, shërbimet e makinës dhe ushqimet, duke përjashtuar kostot që zakonisht lidhen me funksionimin e një zyre, siç janë shpenzimet e përgjithshme, stafi dhe pajisjet.

“Ne duam t'ju sigurojmë se do të përpiqemi t'ju shërbejmë në mënyrë efektive dhe të përparojmë interesat tuaja me forcë dhe efikasitet. Për të çuar përpara këto qëllime, ju pranoni të zbuloni plotësisht dhe me saktësi të gjitha faktet përkatëse dhe të na mbani të informuar për të gjitha zhvillimet në këtë çështje. Ju gjithashtu duhet të bashkëpunoni plotësisht me ne dhe të jeni të disponueshëm për të marrë pjesë në telefonata dhe takime sipas rastit. Gjatë këtij angazhimi, ne mund të shprehim mendime në lidhje me çështjet për të cilat jemi të angazhuar ose rrjedha të ndryshme veprimi dhe rezultatet që mund të priten. Nuk mund të ketë asnjë garanci se përpjekjet tona në emrin tuaj do të jenë të suksesshme. Ju lutemi shqyrtojeni me kujdes këtë marrëveshje dhe, nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me kushtet dhe afatet e mësipërme, mos hezitoni të më kontaktoni. Nëse kjo marrëveshje është e pranueshme për ju, ju lutemi konfirmoni se e keni shqyrtuar, e kuptoni dhe dëshironi të na mbani në bazë të kushteve të kësaj letre dhe të bashkëngjitur duke nënshkruar dhe duke na dorëzuar kopjen e bashkëngjitur. Ne ju rekomandojmë që të mbani një kopje të kësaj letre,”-shkruan ndër të tjera në kontratë Trujillo.

Kontata i ka shkuar garantorit Nuredin Seci, i cili e ka firmosur më 4 prill dhe 12 ditë më pas e ka firmosur edhe Trujillo.

Kush është Nuredin Seci?

Garantori i kontratës së majme është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, që jeton në Neë York. Ai është anëtar i kryesisë së degës “Vatra Mëmëdheu” në Nju Xhersi të SHBA-ve. Nuredin Seci lindi më 15 Shkurt 1953 në Tropojë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Shkodër, në Shkollën e Mesme Profesionale Dega Elektrike. Për 30 vite ka qenë sportist dhe trajner i ekipit të Alpinizmit Valbona. Madje, 3 vite më parë Nuredin Seci u nderua me titullin nderi i Bashkisë Tropojë për kontributin si sportist e trajner në zhvillimin e alpinizmit.

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:

Titulli ju dha nga kryebashkiaku socialist Rexhë Byberi.

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:


Por sigurisht, aludimet për rolin e tij nuk kanë munguar. Ka dyshime se ai mund të përdoret nga të tjerë për të paguar shumën e majme. Ndaj Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet lidhur me kontratën. Megjithatë, nuk është aq e thjeshtë sa duket! Mbetet për t’u parë nëse SPAK ka juridiksion që të thërrasë një shtetas të huaj, aq më tepër amerikan, që të japë llogari për një aktivitet lobues që ai po zhvillon në përputhje me ligjet e një vendi tjetër. Për më tepër që kjo kontratë nuk është aspak e fshetë, por është e afishuar në DASH, si shumë e shumë të tjera. Në këtë rast, SPAK mund të kërkojë informacione nga Flamur Noka ose nga ish-kryeministri Sali Berisha, por sesa mund të arrijnë tek Seci, kjo mbetet për t’u parë./ZËRI

DOKUMENTI I PLOTË I KONTRATËS ⇓

1 MUAJ ME PARE

6 mln $ kontratë/ Hetime e SPAK për lobimet në SHBA, PD: Jemi transparentë dhe në përputhje të plotë me ligjin!


Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:
Foto ilustruese

TIRANË- Partia Demokratike ka dalë me një reagim zyrtar pasi Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për kontratën e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në reagimin zyrtar sqaron se kontrata është transparente dhe e nënshkruar në përputhje me ligjet e dy vendeve, Shqipërisë dhe SHBA-ve. Por jo vetëm kaq! Edhe njëherë, PD shton se maxhoranca po përdor SPAK për të sulmuar opozitën, duke sjellë si shembull edhe rastin "McGonigal".

"Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA! Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli!,"-shkruhet ndër të tjera në sqarimin e PD-së. 

NJOFTIM PËR SHTYP:

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184! Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston. Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!

Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës! Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër dhe i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve brenda dhe jashtë Shqipërisë të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të kësaj fushate për të realizuar qëllimin tonë final që është Shqipëria Madhështore! 

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Kontrata është nënshkruar mes Fondacionit Shqiptaro Amerikan i cili përfaqësohet nga Nuredin Seci dhe kompanisë Continental Strategy që do të lobojë për PD-në në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PD synon heqjen e non-gratas të vendosur nga Antony Blinken ndaj kryedemokratit Sali Berisha. Lëvizja e parë është bërë pasi është realizuar një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non-grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish-sekretari Antony Blinken. Paralelisht kontrata është firmosur edhe nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në cilësinë e përfituesit, një detyrim ky i kërkuar nga ligji amerikan./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

6 milionë dollarë kontratë lobimi, SPAK nis hetimet pas kontratës së PD-së me kompaninë amerikane

Kontrata e lobingut për "non grata-n"/ SPAK nis hetimet, PD:
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet pas publikimit të kontratës së Partisë Demokratike me kompaninë amerikane "Continental Strategy”. Reagimi i SPAK, vjen një ditë pas lajmit se Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë lobimi 6 milionë dollarëshe me kompaninë që përfaqësohet nga avokati i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Carlos Trujillo

“Ju informojmë si vijon: Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”, thuhet në njoftim.

Partia Demokratike pas publikimit të kontratës së lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerë 6 milionë dollar, falenderoi patriotët shqiptarë, për të cilët thotë se janë ata personat që do të paguajnë çdo detyrim kundrejt kompanisë së lobingut “Continental”. Selia blu, sipas deklaratës zyrtare nuk do të paguajë asnjë detyrim, pasi komuniteti shqiptaro-amerikan përmes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA.

Kontrata është nënshkruar mes Fondacionit Shqiptaro Amerikan i cili përfaqësohet nga Nuredin Seci dhe kompanisë Continental Strategy që do të lobojë për PD-në në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PD synon heqjen e non-gratas të vendosur nga Antony Blinken ndaj kryedemokratit Sali Berisha. Lëvizja e parë është bërë pasi është realizuar një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non-grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish-sekretari Antony Blinken. Paralelisht kontrata është firmosur edhe nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në cilësinë e përfituesit, një detyrim ky i kërkuar nga ligji amerikan./ZËRI

Poll

MOS HUMB