Zelenskyy telefonatë me Ramën: E informova për luftën, po punojmë për t’i dhënë fund
TIRANË-Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Zelenskyy ka njoftuar se e ka informuar Ramën në lidhje me situatën në frontin e luftës dhe bisedimet e fundit diplomatike.
Postimi i plotë i Zelenskyyt:
“Pata një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë @ediramaal. E informova shkurtimisht për situatën në front dhe në diplomaci. Po punojmë me të gjithë partnerët tanë për t'i dhënë fund kësaj lufte dhe për të ndaluar vrasjet sa më shpejt të jetë e mundur. Diskutuam përgatitjet për takime në vende të mëdha ndërkombëtare. Këto do të jenë formate të veçanta angazhimi me partnerët. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë. Faleminderit, Edi, faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen tuaj të palëkundur për Ukrainën”.
I had a good conversation with the Prime Minister of Albania @ediramaal. I briefly updated him on the situation at the front and in diplomacy. We are working with all our partners to end this war and stop the killings as soon as possible.
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) August 7, 2025
We discussed preparations for meetings… pic.twitter.com/5Sabb4frx0
Bisedat e presidentit ukrainas me Ramën dhe me liderët e tjerë europianë, vijnë teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të takohen “në ditët në vijim”. Putin deklaroi se nuk është kundër mbajtjes së një takimi me homologun ukrainas Vladimir Zelenskyy-n.
Takimi do të jetë i pari mes SHBA-ve dhe Rusisë që nga viti 2021, kur ish-Presidenti Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë. Ky do të jetë një moment i rëndësishëm drejt përpjekjeve të Trump për t'i dhënë fund luftës, megjithëse nuk ka garanci se do të ndalojë luftimet pasi Moska dhe Kievi mbeten shumë larg dakordësisë së kushteve të tyre për paqe./ZËRI
Takimi Trump-Putin: Çfarë duhet të presim, kush del i fituari?
SHBA- Takimi Trump-Putin duket se është "i mbyllur". Përveç nëse ndodh diçka e paparashikuar - gjë që, megjithatë, nuk është e pamundur...
Donald Trump dhe Vladimir Putin do të flasin ballë për ballë shumë shpejt . Me shumë mundësi javën tjetër, nëse do t'u besojmë deklaratave dhe rrjedhjeve të informacionit nga Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini. Edhe pse detajet, siç është vendi dhe qyteti ku do të zhvillohet, nuk janë njoftuar, ky është padyshim një zhvillim i rëndësishëm. Në fund të fundit, do të jetë takimi i parë midis presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pas atij midis Putinit dhe Joe Biden në qershor 2021 në Gjenevë - i cili u pasua nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt 2024.
Çfarë (shpreson) se do të fitojë Trump?
Presidenti amerikan ka parë rritje të presionit kohët e fundit, veçanërisht nga radhët e mbështetësve dhe votuesve të tij më "të ashpër", të cilët përbëjnë gjithashtu thelbin e lëvizjes MAGA dhe këmbëngulin në doktrinën "kjo luftë nuk është e jona". Trump kërkon, para së gjithash, të qetësojë reagimet brenda republikanëve dhe të dërgojë mesazhin se ai mbetet i përkushtuar ndaj qëllimit të përfundimit të luftës në Ukrainë. Diçka që do të nënkuptonte edhe fundin e përfshirjes amerikane. Në të njëjtën kohë, ai dëshiron të provojë se mbetet i fortë në skenën ndërkombëtare, deri në atë pikë sa të gjithë - madje edhe Putini - të mbështeten tek ai dhe ta kenë frikë. Nuk është rastësi që takimi u konfirmua disa orë para se të vihej në fuqi regjimi i ri tarifor, gjë që padyshim përbën një shfaqje force nga ana e SHBA-së, me qëllim nënshtrimin e atyre që nuk i kanë pranuar kushtet e tyre.
Së fundmi, ai konfirmon edhe një herë se e ka Evropën në xhep…
Çfarë do të fitojë (pothuajse me siguri) Putini?
Nga ana e tij, presidenti rus duket se është “përfshirë” më shumë në zhvillimin e fundit dhe se është fituesi i vërtetë prej tij. Së pari, pra, miti i "izolimit të tij ndërkombëtar" më në fund ka marrë fund. Edhe pse ai nuk po qëndronte mirë në këmbë gjithsesi dhe nuk bindi shumë - sot, për hir të së vërtetës, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe u prit në Moskë, ndërsa në fund të gushtit Putin do të vizitojë Nju Delhin.
Së dyti, Volodymyr Zelenskyy shfaqet si një faktor dytësor në ekuacionin gjeopolitik të Ukrainës, duke konfirmuar se mosmarrëveshja ishte në thelb midis Rusisë dhe SHBA-së. Kjo është arsyeja pse këshilltari i ngushtë i Putinit, Yuri Ushakov, e trajtoi informacionin përkatës me përçmim, duke thënë: Vitkov (i dërguari i Trump) ngriti idenë e një takimi trepalësh me pjesëmarrjen e Zelenskyy-t, por Moska nuk e komentoi atë."
Së fundmi, Moska mund të shpresojë edhe më shumë se nëse arrihet një armëpushim në vijat aktuale të frontit, ajo "de facto" do të sigurojë fitimet e rëndësishme territoriale që ka arritur në territorin ukrainas, i cili tani kontrollon më shumë se 20%. Dhe kjo do të përbëjë një njohje indirekte, por të qartë se është fituesja në këtë luftë, gjë që do t'i lejojë Rusisë të imponojë kushtet si: mosintegrimi i Ukrainës në NATO dhe BE.
Ajo që është e sigurt është se kjo luftë nuk do të përfundojë lehtë, shpejt ose pa raunde të reja gjakderdhjeje - edhe nëse një armëpushim ndodh së shpejti. Përveçse nëse Zelenskyy vendos të kapitullojë pa kushte dhe të sakrifikojë veten.../ZËRI
Takimi me Presidentin Trump, Putin zbulon vendin ku mund të ndodhë
MOSKË- Presidenti rus Vladimir Putin tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend i mundshëm për takimin e tij me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Putin e bëri njoftimin në Kremlin pas takimit të tij me Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Edhe një zyrtar i Kremlinit tha më parë se një takim Trump-Putin mund të zhvillohet që javën e ardhshme, megjithëse nuk është konfirmuar asnjë datë. Megjithatë, ai nuk zbuloi se kush e propozoi takimin.
“Të dyja palët shprehën interes - nuk ka rëndësi kush e tha i pari.”
Nga ana tjetër, Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se nuk është kundër mbajtjes së një takimi me homologun ukrainas Vladimir Zelenskyy-n.
"E përsërita se nuk kam asgjë kundër kësaj në përgjithësi, është e mundur.Megjithatë, do të duhet të krijohen kushte të caktuara që kjo të ndodhë. Fatkeqësisht, kemi ende shumë punë përpara për të krijuar kushte të tilla,"- shtoi ai.
Lajmin e parë për takimin Putin-Trump e dha këshilltari i Putinit për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov, por nuk dha as datë dhe as vend.
Takimi do të jetë i pari mes SHBA-ve dhe Rusisë që nga viti 2021, kur ish-Presidenti Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë. Ky do të jetë një moment i rëndësishëm drejt përpjekjeve të Trump për t'i dhënë fund luftës, megjithëse nuk ka garanci se do të ndalojë luftimet pasi Moska dhe Kievi mbeten shumë larg dakordësisë së kushteve të tyre për paqe./ZËRI
Trump dhe Putin, 'kokë më kokë'! Zelenskyy në dhomë tjetër, bisedime me europianët
RUSI-Pas një propozimi nga pala amerikane, u ra dakord që të mbahet një samit dypalësh në ditët në vijim, domethënë një takim midis Presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump. Vendi i takimit është rënë dakord gjithashtu dhe do të shpallet më vonë.
Nëse takimi zhvillohet, do të jetë samiti i parë midis udhëheqësve amerikanë dhe rusë që nga viti 2021. I dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff diskutoi me Vladimir Putinin, një ditë më parë mundësinë e një takimi trepalësh midis Putinit, Trump dhe Volodymyr Zelenskyy. Ky i fundit sipas CNN ka filluar bisedimet me partnerët europianë, por mundësia për tu përballur me Putin është e vogë.
Presidenti rus e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të jetë në të njëjtën dhomë me Volodymyr Zelenskyy-n, por është i gatshëm të zhvillojë një samit të paracaktuar me Donald Trump. Takimi do të përbënte një moment të rëndësishëm në luftë, ndonëse nuk ka asnjë garanci që një takim i tillë do të sjellë fundin e luftimeve, pasi Rusia dhe Ukraina mbeten shumë larg në kërkesat e tyre. Takimi mund të zhvillohet javën e ardhshme. Megjithatë, Ushakov vuri në dukje se është ende e vështirë të përcaktohet se sa ditë do të zgjasin përgatitjet për samitin.
Trumpi dhe Putini pritet të takohen "në ditët në vijim"
MOSKË- Kremlini ka njoftuar të enjten se është arritur pajtueshmëri për një takim mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin. Takimi mund të zhvillohet javën e ardhshme dhe palët janë pajtuar "në parim" edhe për vendtakimin, u tha gazetarëve këshilltari për çështjet e jashtme i Putinit, Yuri Ushakov.
Ushakov shtoi se organizimi i ngjarjeve të tilla kërkon kohë dhe asnjë datë nuk është konfirmuar ende.
Vendndodhja e mundshme do të bëhet e ditur "pak më vonë", sipas tij.
Ai gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të jetë pjesë e këtij takimi për të biseduar për përfundimin e luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë - një ide që Shtëpia e Bardhë tha se Trump është i gatshëm ta shqyrtojë
"Ne propozojmë, para së gjithash, të përqendrohemi në përgatitjen e një takimi dypalësh me Trumpin dhe e konsiderojmë më të rëndësishme që ky takim të jetë i suksesshëm dhe frytdhënës", tha Ushakov, duke shtuar se propozimi i të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, për një takim ku të përfshihej edhe udhëheqësi i Ukrainës “nuk është diskutuar në mënyrë specifike”.
Nuk është e qartë se si ky njoftim për takim do të ndikojë në afatin e vendosur nga Trump për të premten, që Rusia të ndalë vrasjet ose të përballet me sanksione të rënda ekonomike. Një takim mes Putinit dhe Trumpit do të ishte i pari që nga rikthimi i presidentit republikan në detyrë këtë vit. Ai do të përbënte një moment të rëndësishëm në luftë, ndonëse nuk ka asnjë garanci që një takim i tillë do të sjellë fundin e luftimeve, pasi Rusia dhe Ukraina mbeten shumë larg në kërkesat e tyre.
Strategu politik dhe publicisti Mikhail Sheitelman tha për televizionin Current Time të Radios Evropa e Lirë se Witkoff nuk ka sjellë ndonjë propozim të ri në Kremlin.
Sipas tij, ishte pala ruse ajo që doli me një ofertë të re – ndoshta për të shmangur sanksione dhe presion të mëtejmë.
“Nëse Trump do ta konsideronte ofertën ruse si të besueshme, me gjasë nuk do të kishte vendosur tarifa të reja dje dhe sot”, tha Sheitelman, duke iu referuar tarifave të reja ndaj Indisë, të shpallura pas vizitës së Witkoffit në Moskë.
“Kjo tregon se ai nuk ka dëgjuar asgjë të re”.
Zyrtarët perëndimorë e kanë akuzuar vazhdimisht Putinin për shtyrje të bisedimeve për paqe për të fituar kohë që forcat ruse të pushtojnë më shumë territore ukrainase. Putini në të kaluarën nuk ka bërë asnjë lëshim dhe do të pranojë vetëm një marrëveshje sipas kushteve të tij. Ndërkohë, një sondazh i ri nga Gallup tregoi se ukrainasit po tregohen gjithnjë e më të etur për një zgjidhje të negociuar të luftës, me vetëm një të katërtën e të anketuarve që dëshirojnë ta vazhdojnë luftën deri në fitore.
Në vitin 2022, pasi Rusia e nisi pushtimit e plotë të Ukrainës në shkurt, Gallup kishte zbuluar se rreth tre të katërtat e ukrainasve të anketuar mbanin këtë qëndrim./REL
E konfirmon Kremlini: Trump dhe Putin do të takohen në ditët në vijim
SHBA-RUSI- Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump pritet të zhvillohet në ditët në vijim, sipas një deklarate nga Kremlini.
Ndihmësi i lartë i Kremlinit, Yury Ushakov, tha të enjten se është arritur një marrëveshje që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, “në ditët në vijim”, duke shtuar se palët kanë filluar të punojnë për përgatitjet. Është “e vështirë të thuhet” se sa kohë do të zgjasin këto përgatitje, vazhdoi Ushakov, por qëllimi është që takimi të zhvillohet javën e ardhshme.
Trump zbuloi një ditë më parë se shpresonte për një takim me homologun e tij rus në një përpjekje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ky do të ishte diskutimi i tij i parë ballë për ballë me Putinin gjatë mandatit të tij të dytë.
Në javët e fundit, udhëheqësi amerikan ka përdorur një gjuhë shumë më të ashpër sesa ngrohtësia e tij historike ndaj homologut të tij rus - duke dënuar bombardimet e vazhdueshme të Rusisë ndaj civilëve ukrainas dhe duke u zotuar për shitje armësh Ukrainës nëpërmjet Evropës.
Mes këtij qëndrimi të ashpër, të mërkurën i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, pa një vizitë të përzemërt në Moskë me Putinin dhe mikun e tij të ngushtë dhe shefin e investimeve, Kirill Dmitriev./ZËRI