LIVE UPDATES

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra familjarë të përmbytur në Durrës, rrëshqitje dherash në Vlorë e Pogradec

➤Reshjet e dendura të shiut shkaktuan një situatë të rënduar në vend, duke paralizuar rrugë, lagje, autostrada, banesa e biznese nën ujë. ➤Situata më problematike u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Gjirokastër, ku si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, lagjja e poshtme e qytetit ‘18 shtatori’ u përmbyt duke shkaktuar dëme në biznese dhe banesa të cilat u ‘pushtuan’ nga uji. ➤Ujërat u tërhoqën gjatë mesnatës. ➤Aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhocës. ➤Në Kurbin janë evakuar rreth 8 familje, ndërsa sipërfaqja e përmbytur në të gjithë qarkun është rreth 2600 hektarë, ndërsa 150 banesa janë të rrethuara nga uji. ➤Problematikat vijojnë ende në zonat periferike të Durrësit, ku rreth 800 banesa dhe dhjetëra biznese janë përmbytur. ➤Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Ura e Mifolit, si pasojë e prurjeve të larta të ujit.

17 artikuj për këtë temë.
5 MUAJ ME PARE

Përmbytjet "mbërrijnë" në Tiranë, "Lana" bëhet gati të dalë nga shtrati (VIDEO)

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
lana

TIRANË- Reshjet intensive të shiut kanë mbërthyer vendin, duke shkaktuar përmbytje katastrofike pothujase në të gjithë vendin. Ndërkohë, në Tiranë gjatë orëve të fundit reshjet janë intensifikuar dhe si rezultat prurjet e lumit “Lana” janë rritur shumë. Situata më problematike paraqitet pranë pallatit me shigjeta, ku siç duket edhe në pamje “Lana” rrezikon të dalë nga shtrati. Në këtë zonë, lumi Lana ka dalë disa herë nga shtrati, kur moti ka qenë me shi të dendur.

Megjithatë, kryeqyteti paraqitet me situatën më pak problematike sa i përket përmbytjeve. Aktualisht nuk janë regjistruar problematika, dëme apo trafik të dendur automjetesh./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Përmbytet fshati Gjorm, banorët çohen në protestë: Situatë e përsëritur sa herë ka reshje shiu

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
protesta e banoreve

KURBIN- Banorët e fshatit Gjorm, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Bashkinë Kurbin, kanë dalë në protestë mesditën e sotme pasi gjenden në një situatë kaotike për shkak të përmbytjeve. Reshjet e shiut, vërshimi i ujit dhe dëmtimi i rrugëve, është kjo gjendja me të cilën po përballen banorët e kësaj zone prej disa orësh, ndërsa pushteti vendor dhe qendror nuk po vepron për të marrë masat.

Përballë kësaj situate, në shenjë indinjate, banorët janë çuar në protestë dhe kanë bllokuar rrugën nacionale Laç–Mamurras. Ata kanë bllokuar rrugën për disa minuta, ku nuk kanë munguar as përplasjet, teksa kërkojnë të merren masat pasi theksojnë se kjo situatë është e përsëritur sa herë ka reshje. Sipas tyre, kjo vjen si pasojë e mungesës së ndërhyrjeve në pastrimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese.

Ndërkohë, banorët theksojnë se bëhet fjalë për një situatë që po përsëritet brenda një harku kohor prej rreth 6 javësh. Si pasojë, përmbytje kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe vështirësi serioze për jetën e përditshme të banorëve./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Rrëshqitje dherash në Pogradec, dëmtohen varrezat në Dardhas

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
PAMJE NGA NGJARJA

POGRADEC-Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha të rrugës në aksin që lidh qendrën e Njësisë Dardhas me aksin nacional duke bllokuar kështu disa fshatra. Emergjencat Civile dhe forcat e bashkisë janë në terren për monitorimin e situatës. Sakaq, kësaj situate problematike të vështirë si kanë shpëtuar as disa varre, të cilët janë shkatërruar nga rrëshqitja e dherave.

5 MUAJ ME PARE

Përmbytjet në vend, Berisha thirrje qeverisë: Të shpallet urgjent gjendja e fatkeqësisë natyrore

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
sali berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka kërkuar që qeveria të shpallë me urgjencë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë mijëra familjeve që po përjetojnë pasojat e motit të keq. Berisha tha se vetëm në Durrës llogariten që të jenë prekur nga përmbytjet 4 mijë banesa e objekte, ndërkohë që akuzoi kryeministrin Edi Rama, se po tallet me këtë gjendje, duke qëndruar indiferent.

“Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet. Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë pra mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme. Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë.

Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore.

Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete. Në 4 muaj, do deklaronte sot një qytetar i Durrësit, jam përmbytur katër herë. Kësaj katastrofe natyrore, me përmasa të papara ndonjëherë, Edi Rama ndaj saj reagon me një cinizëm ekstrem, me një paturpësi, me një tallje ndaj qytetarëve të përmbytur.

Ai në postimin e tij fajëson opozitën e cila nuk po e akuzon atë për shirat e rrëmbyera që kanë rënë. Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë. Por Ramaduro është në panik dhe tmerr të madh dhe nuk di se ç’flet”, u shpreh Berisha, teksa denoncoi më tej dhe gjendjen në akset rrugore.

“Natyrisht kur përdor tenderat për të vjedhur 90 deri në 98 përqind të investimit, siç ndodh me Lubi Ballukun dhe Edi Ramën në tenderat e infrastrukturës, kur ndërton rrugë të florinjta që shemben tre muaj pas inaugurimit nga 73 milionë euro në 360 milionë, si rruga Qukës-Qafë Plloçë e cila edhe sot është shembur, dhe do shembet vazhdimisht sepse skarpatet janë lënë natyrore, pa asnjë lloj përforcimi.

Unë duhet t’u them qytetarëve se përforcimi i skarpatës është kushti i të gjitha kushteve në ndërtimin e rrugëve. Skarpata më e rrezikshme në Shqipëri është skarpata Kardhiq-Tepelenë, por kompania që e ka ndërtuar dhe supervizori kanë punuar ndoshta edhe dy vite vetëm me skarpatën, e cila është gjeologjikisht më e dëmtueshmja.

Por nuk ka lëvizur një gurë sepse skarpatat janë pjesë kryesore e rrugës.

Kurse këta kanë shtruar asfaltin dhe i kanë lënë siç i kanë hapur dhe tani derdhen mbi rrugë.

Pra, gjendja është jashtëzakonisht e rëndë.

Java përsëri nuk premton qetësim të motit.

Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha rrethet e përmbytura, nga Shkodra gjer në Gjirokastër, është domosdoshmëri.

Natyrisht nuk e bën këtë se ai buxhetin e konsideron si pronë të tij dhe familjes së tij”, vijoi denoncimin e tij Berisha. Prej ditës së djeshme mijëra qytetarë janë prekur si pasojë e përmbytjeve në mbarë vendit, ndërkohë që moti i keq pritet që të vijojë edhe në fundjavë, ku temperaturat do të ulen ndjeshëm. /ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Përmbytjet! Banori në Durrës: Për shtetin jemi ufo! Biznesmeni në Gjirokastër: 300 mijë euro dëm. Qytetari nga Vlora: Ra shtëpia

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
pamje nga banesat në Durrës

DURRËS- Qindra familje janë përmbytur dhe banesat e tyre janë momentalisht të pabanueshme pas reshjeve intensive të shiut. Ish-Këneta në Durrës vijon të mbetet nën pushtetin e ujit. Banorët e alarmuar nga dëmet e pallogaritshme, shprehen se kjo është një problematikë e vazhdueshme që po ndodh për të 3-tën herë brenda viti.

"Ka rënë shi i madh, këtë duhet ta pranoj, por jo tre herë përmbytje. Jemi përmbytur në shtator, nëntor dhe tani. Unë s’dua lekë, dua një investim që të rri rehat në shtëpinë time. Kemi fjetur gjumë në katin e dytë, nëna fle akoma në ballkon. Gjatë kësaj kohe, të na rrojë kati i dytë, se do kishim dalë me çadra. Të gjendet një zgjidhje. Problemi është se bashkia s’ka asnjë investim këtu. Ne jemi nga një planet tjetër, jemi UFO. Në kohën e xhaxhit ishte krejt kanalizime, s’të prekte këmba në ujë. Jo me u bë nami tre herë. Tre herë për këtë vit, shtator, nëntor edhe tani,"-shprehet një nga banorët.

“Po mundohemi të heqim ujin. Pajisjet kanë dalë jashtë përdorimi. Jemi të torturuar, është e 3 herë brenda vitit. Ata të komunës nuk vijnë për të parë situatën në vend. Ja po vuajmë kësaj radhe, problemi është për të mos u përsëritur”, tha një banor tjetër.

Ndërkohë bizneset dhe banesat në Gjirokastër ndodhen të mbuluara nga balta, inertet dhe gurët. Përmbytjet kan shkaktuar dëm etë mëdha në banesa e biznese. 

"Është shkatëruar çdo gjë, dëm i pallogaritshëm, rreth 300 mijë euro dëm, sepse produktet që kemi këtu kanë vlerë, nuk di çfarë të them. Përmbytje që nuk e kishim rastisur ndonjëherë më parë,"-shprehet pronari i një dyqani me veshje në Gjirokastër.

Ndërkohë në Vlorë, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dheu në fshatin Vajzë, duke dëmtuar rrugën e fshatit dhe dy banesa. Fillimisht është dëmtuar rruga që lidh fshatin, ndërsa më pas masa e dheut e shkëputur nga kodra është spostuar drejt zonës së banuar, duke shkaktuar dëmtime në dy banesa.

“Në orën 2 ra shtëpia mua mu duk gjëmim. Kjo ka filluar nga ora 3 që është bërë shkallë e gjitha. Dolëm kështu, shpëtuam edhe lopën. Ne s’kemi marrë asnjë palë rroba për të ndërruar. Vendi që kam unë është i dëmtuar, nuk ka ngelur asnjë centimetër pa luajtur”, tha banori.

5 MUAJ ME PARE

Sytë drejt Vlorës, Vjosa del nga shtrati pranë Urës së Mifolit, në pikën kritike edhe Shushica. Nisin evakuuimet e para

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
kanan shakaj

VLORË- Pas situatave kritike me përmbytjet në Durrës, Gjirokastër dhe Lezhë, tashmë rreziku i radhës po i kanoset Vlorës, me lumin Vjosa që ka dalë nga shtrati pranë Urës së Mifolit.

Kryetari i Njësisë Administrative Novoselë, Kanan Shakaj, ka folur për situatën e krijuar nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati, duke konfirmuar dëme të konsiderueshme në zonë.

Sipas tij, si masë paraprake për garantimin e sigurisë së banorëve, janë evakuuar 13 banesa që janë përfshirë nga uji. Po ashtu, nga përmbytjet janë prekur rreth 40 hektarë tokë bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha për fermerët e zones.

Shakaj theksoi se strukturat vendore janë në terren dhe po ndjekin situatën nga afër, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ndërsa u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve deri në normalizimin e situate

Ndërkohë që dhe në lumin Shushicë prurjet kanë arritur në pikën kritike. Si pasojë e këtyre prurjeve, Shushica po merr para hektarë të tërë tokash bujqësore, pemë frutore, dhera, por edhe gurë.

Lumi Shushicë aktualisht mund të cilësohet kryesisht brenda shtratit të tij, por ka edhe shumë zona ku ka dalë jashtë shtratit, duke përmbytur toka bujqësore dhe kullota. Prurjet janë në rritje e sipër, çka rrezikon që, nëse vijojnë me të njëjtin intensitet, të ketë dalje të Shushicës nga shtrati.

Ndërkohë, vlen të theksohet se prurjet në nivele të larta në Shushicë ndikojnë edhe në lumin Vjosë, pasi Shushica derdhet në Vjosë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e sasisë së ujërave që përfundojnë në këtë lumë.

Në vijimësi, për shkak të prurjeve, rrezikohen edhe hektarë të tjerë tokash bujqësore. Rreziku për banesat mbetet ende i largët, por nuk përjashtohet mundësia e përmbytjes së tyre nëse prurjet shtohen me intensitet.

Të rrezikuara janë gjithashtu edhe disa stalla apo ambiente për bagëti, të cilat ndodhen pranë shtratit të lumit./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Gjithçka në tokë e mbuluar nga balta e gurët, dëmet që la pas përmbytja në Gjirokastër

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
pamje nga ngjarja

GJIROKASTËR-Pas natës kaotike mes ujit të rrëmbyeshëm, Gjirokastra është zgjuar sot e mbuluar nga inertet. Biznese të shkatëruara, mall i mbuluar nga balta e gurët, kjo është pamja e qytetit ditën e sotme pas përmbytjes së frikshme. Biznesmenët shprehen se dëmi i shkaktuar arrin në mijëra euro, ndërsa kanë nisur pastrimin e ambjenteve.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

5 MUAJ ME PARE

Moti i keq prek edhe energjinë, qindra qytetarë mbeten pa drita në Elbasan

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
elbasani pa energji elektrike

ELBASAN- Mbizotërimi i motit të keq në Qarkun Elbasan ka sjellë probleme të përkohshme në furnizimin me energji elektrike në disa zona, si pasojë e dëmtimeve në rrjetin shpërndarës.

Sipas të dhënave zyrtare nga Rajoni Elbasan, Fidri 2 i Nënstacionit “Përparim” është pjesërisht jashtë funksionit, duke lënë pa energji elektrike 164 abonentë në zonat Garunje dhe Cacabeze. Ndërkohë, Fidri 2 i Nënstacionit Përrenjas ka pësuar dëmtime në shtyllat e tensionit të mesëm, si pasojë e përplasjes së një automjeti, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë për 390 abonentë në zonën e Radokalit.

Në total, 514 abonentë në Qarkun Elbasan rezultojnë aktualisht pa energji elektrike. Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e dëmtimeve, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se rikthimi i furnizimit me energji elektrike nuk do të vonojë.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse, në koordinim me shtabin e emergjencave, për të garantuar normalizimin sa më të shpejtë të shërbimit dhe sigurinë e qytetarëve.

5 MUAJ ME PARE

Masivi i dherave në aksin Qukës-Qafë Plloçë zë poshtë një makinë, shpëton shoferi

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
PAMJE NGA VENDNGJARJA

KORÇË-Vendi ynë është përfshirë nga moti i keq me reshje të denduar shiu duke shkaktuar problematika nga jugu në veri. Në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë ka pasur rrëshqitje të dherave, ku inertet kanë zënë poshtë një makinë. Në momentin e rrëshqitjes automjetI që ka qenë në lëvizje, por fatmirësisht, shoferi ka shpëtuar dhe mjetit i janë shkaktuar vetëm dëme materiale në pjesën e përparme.

5 MUAJ ME PARE

Burgu i Durrësit nën ujë, lëvizet vetëm me gomone

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
burgu i durresit

DURRËS- Kati i parë në burgun e Durrësit vijon të jetë nën pushtetin e ujit, që prej ditës së djeshme, ndërsa një pjesë e të dënuarve janë zhvendosur në qelitë e kateve të mësipërme. Si pasojë e rritjes së ndjeshme të nivelit të ujit, në hyrje të burgut sot ka dhe një gomone, që po përdoret nga punonjësit, për të hyrë në ambientet e brendshme. Gjatës ditës së djeshme, në ambientet e burgut u krye një inspektim dhe nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose.

Qyteti i Durrësit, dhe veçanërisht zona e ish-Kënetës, janë prekur rëndë si pasojë e përmbytjeve, që nisën që prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm.

Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave paraprake nga shtabi i emergjencave në prefekturë, rreth 800 banesa janë përmbytur, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji.

Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë. Deri mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve mund të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve.  Ndërkohë, uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës-Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon prania e ujit dhe nevoja për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar që nuk ia dalin dot pa ndihmë.

Banesa, biznese, studio artistësh, sipërfaqe të tëra tokash u përmbytën; dhjetra automjete u dëmtuan nga uji si rezultat i situatës së krijuar nga  reshjet e dendura të shiut dhe mosfuksionimit normal të rrjetit të kanalizimeve./ZËRI 

5 MUAJ ME PARE

Situatë problematike në Pogradec dhe Korçë/ Lumi në fshatin Rrëmenj del nga shtrati, përmbyt banesat

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
PAMJE NGA NGJARJA

POGRADEC-Rreshjet intensive të shiut kanë shkaktuar problematika edhe në juglindje të vendit. Lumi i fshatit Rremënj ka dalë nga shtrati, teksa uji gjithashtu ka hyrë edhe në disa banesa të cilat ndodhen pranë bregut.

Ndërkohë niveli i ujit të lumenjve Starovë e Vërdovë po rritet duke rrezikuar të dalin jashtë shtratit. Banorët e zonave, sidomos ata që ndodhen pranë lumenjve, duhet të tregojnë kujdes të shtuar.

5 MUAJ ME PARE

Nga shiu në breshër/ Taksa e BE-së mbi karbonin bllokon shitjen e energjisë nga KESH, frikë nga përmbytje masive

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
hecet

TIRANË- Dy ditë më parë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tentoi të shiste një sasi të madhe energjie për t'i paraprirë prurjeve të furishme nga reshjet dhe për të shmangur shkarkimet e ujit. Por tentativa dështoi, pasi asnjë kompani nuk pranoi të blinte energji.

Pas dështimit të parë KESH ja u ofroi energjinë kompanive me çmimin thuajse falas prej 15 euro për megavat orë. Por sërish askush nuk pranoi të blinte asnjë kilovat energji. Arsyeja? Një taksë e re e vendosur nga bashkimi europian mbi karbonin dhe neglizhenca e qeverisë shqiptare për të marrë koefiçentët e karbonit nga BE, e kanë shndërruar energjinë e prodhuar nga KESH nga një bekim në një mallkim, i cili tashmë do bjerë mbi financat e kompanisë, por edhe në kurrizin e qytetarëve të Shkodrës.

Nga dita e parë e këtij viti çdo produkt i importuar në Bashkimin Europian, i cili prodhohet duke emetuar karbon duhet të paguaje një taksë si masë kompesimi për ndotjen. Në grupin e mallrave përfshihet dhe energjia elektrike. Taksa, që është pjesë e të ashtuquajturit "Mekanizmi i Rregullimit Kufitar të Karbonit" ka si nivel bazë rreth 90 euro për megavat energjie që importohet në kufijtë e BE-së, pra më e lartë edhe se sa çmimi.

Taksa e karbonit

Por mekanizmi parashikon se vendet eksportuese mund ta zbusin ndejshëm taksën ndaj produkteve të tyre nëse blejnë certifikatat jeshile për të mbuluar karbonin ose nëse dëshmojnë se produktet e prodhuara vijnë nga burime të gjelbra. Në rastin e Shqipërisë, e cila thuajse të gjithë energjinë e saj e prodhon nga uji dhe dielli, taksa do të duhet të ishte e papërfillshme, afër zeros.

Por qeveria shqiptare, ashtu si çdo qeveri e vendeve të rajonit nuk presuan mjaftueshëm mbi Bashkimin Europian, që ky i fundit të përcaktonte koefiçentët përkatës për secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këta rast, Shqipëria është humbësja më e madhe, pasi energjia shqiptare do të duhet të kishte avantazh ndaj të gjitha vendeve të tjera. Por ky që mund të ishte bekim është kthyer në mallkim nga neglizhenca qeveritare.

Tashmë KESH e ka praktikisht të pamundur të shesë energji në eksport. Kjo pasi, nëse një kompani do të blinte energji nga KESH në momenti që do ta shiste në një vend të BE-së do t'i duhej të paguante 90 euro për megavat taksë. Më shumë se sa vlen çmimi i energjisë. Paralelisht kjo energji nuk mund të shitet as në vendet e rajonit, të cilat ashtu si Shqipëria po përballen me tepricë energjie që nuk kanë ku ta shesin.

Pamundësia për të shitur energjinë, përveç dëmtimit të rëndë të financave të KESH, tashmë ka filluar të dëmtojë rëndë edhe familjet e ultësirës veripendimore të vendit. Në pamundësi për të shitur energji, qeveria njoftoi një ditë më parë hapjen e portave për shkarkimin e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.

Ndonëse Fierza vazhdon të qëndrojë e mbyllur për shkak se ka ende hapësirë ujëmbledhëse, niveli i furishëm i prurjeve dhe pritmshëritë që të qëndrojë i tillë mund të ezaurojnë shpejt edhe hapësirën e Fierzit duke imponuar shkarkime ujrash dhe nga baseni më i madh i vendit. Një skenar që do të përsëriste fenomenin "Prifti" në vitin 2010, ku shkarkimet arritën nivele ekstreme duke përmbytur plotësisht zonën e Nënshkodrës.

Tre javë më parë, Bashkimi Europian kritikoi Shqipërinë për mospërmbushjen e reformave energjetike përmes sekretariat të Energjisë, duke e skualifikuar nga ministeriali. Këshilli Ministerial deklaroi se Shqipëria ka dështuar të harmonizojë në kohë legjislacionin e saj me rregullat europiane të tregut të energjisë elektrike. Më konkretisht, bëhej fjalë për:

-përditësimin e ligjit për tregun e energjisë elektrike;

-hapjen graduale të tregut sipas rregullave të BE-së;

-vendosjen e rregullave të qarta për prodhuesit, furnizuesit dhe operatorët e rrjetit;

-garantimin e konkurrencës dhe transparencës në treg;

-miratimin e akteve nënligjore që e bëjnë ligjin të zbatueshëm në praktikë. /Kapitali

5 MUAJ ME PARE

Vendi i gjunjëzuar nga përmbytjet, Rama: Nuk e kuptoj pse nuk më fajësojnë mua dhe në vendet e rajonit, çudi e madhe

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
edi rama

TIRANË- Teksa vendi prej pothuajse 48 orësh është nën pushtetin e përmbytjeve, ku mijëra familje janë nën ujë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të bëjë ironi në rrjetet sociale.

"Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf", shkruan Rama në një postim në X. 

Prej ditës së martë, i gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq, që ka shkaktuar përmbytje, bllokim dhe prishje rrugësh dhe probleme të tjera për jetën e qytetarëve.

Megjithatë për kreun e qeverisë, përgjegjësia nuk është e institucioneve, që nuk kanë marrë masat e duhura në pastrimin e kanaleve kulluese, por e sasisë së madhe të reshjeve, që e kanë bërë situatën të pamenaxhueshme.

Vetë Rama prej ditës së djeshme ndodhet në Paris, ku pati një takim dhe me presidentin francez Emmanuele Macron. /ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Vendi nën pushtetin e reshjeve, ARRSH: Këto janë akset më problematike, drejtuesit e mjeteve të kufizojnë shpejtësisë

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
bllokimi i rrugeve

TIRANË- Ndërsa vendi është nën pushtetin e reshjeve të shiut, një sërë aksesh rrugore kanë shfaqur problematika në qarkullimin e mjeteve, ndërsa ARRSH ka bërë një bilanc të segmenteve më problematike.

SITUATA NË AKSET RRUGORE

Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut në të gjithë territorin e vendit.

Është rritur intensiteti i reshjeve të shiut në juglindje të vendit, ndërsa në orët e para të mëngjesit ka pushuar në veri. Reshje dëbore ka pasur në Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fierzë.

Akset që kanë pasur probleme me rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës:

Në Rajonin Verior

Bajram Curri-Valbonë

Dushaj-Lekbibaj

Sopot-Kam

Qafe Mali-Fierze

Ura e Fanit

Rëshen-Shpal

Shpal-Fushë Arrëz

Hani i Hotit-Dogana Vermosh

Sevaster-Kalivaç

Kukes-Shishtavec.

Shpal-K/Hadroj.

Kukes-Krume

Skuraj-Burrel

Peshkopi-Vasije

Në Rajonin Jugor

Lazart

Kardhiq-Delvinë

Lekël-Këlcyrë

Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore.

Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.

5 MUAJ ME PARE

VD-Momentet e frikshme nga Gjirokastra! Uji i rrëmbyer nuk kursen asgjë, merr para makinat, përmbyten 56 biznese

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
PAMJE NGA NGJARJA

GJIROKASTËR-Gjirokastra u përfshi nga reshje intensive shiu gjatë orëve të mbrëmjes së kaluar (6 janar) duke sjellë probleme të shumta, pasi shumë përrenj dolën nga shtrati e po ashtu liqeni i Viroit. Lagjja “18 Shtatori” është më e prekura, ku uji depërtoi në shtëpi dhe në rreth 56 biznese, ndërsa disa rrugë u bllokuan për shkak të pemëve të rrëzuara. 

Situata ishte kaotike, ku në pamjet e publikuara rrugët u kthyen në lumenj, uji i rrëmbyer mori para makina, karrige e tavolina, ndërsa produketet e bizneseve notonin në ujë. 

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Ndërkohë sot situata është më e qetë, për shkak edhe të qetësimit të reshjeve të shiut. Bashkia pritet të nisë bilancin e dëmeve pas përmbytjeve të shkaktuara pas reshjeve intensive./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Gjirokastra e mbuluar nga inertet, mbyllen shkollat, bllokohet rruga drejt Kakavijës

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
forcat në terren

GJIROKASTËR-Një ditë pas përmbytjeve kaotike në Gjirokastër, situata vijon të jetë problematike. Pjesa më e madhe e qytetit ka prezencë të lartë të inerteve, pasi uji i përroit të Ficos, vërshoi brenda biznese dhe banesave. Aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhocës. Ndërkohë si pasojë e situatës mësimi në shkolla është pezulluar.

5 MUAJ ME PARE

Përmbytjet në vend/ Ministri Vengu: 100 efektivë dhe pompa janë angazhuar në Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër

MOTI paralizon vendin! Baltë e gurë në Gjirokastër! Qindra
PAMJE NGA VENDNGJARJA

TIRANË-Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin tonë që prej ditës së djeshme kanë shkaktuar një situatë mjaft problematike. Situata më e rënduar u regjistrua në Gjirokastër, ku uji vërshoi në gjithë qytetin duke përmbytur lagje, banesa, biznese, teksa banorët mbetën të bllokuar. 

Rreshjet e shiut shkaktuan përmbytje edhe në Lezhë e Durrës. Në lidhje me situatën ku ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka njoftuar se mbi 100 efektivë janë angazhuar në Lezhë, Durrës e Gjirokastër, pas përfshirjes nga mot i keq. Vengu shprehet se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, forcat e Repartit të Gërhotit kanë luftuar me prurjet e vrullshme të reshjeve në Gjirokastër.

“Mirëmëngjes dhe mirënjohje për djemtë e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë luftuar me prurjet e vrullshme të reshjeve në Gjirokastër. Mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në Lezhë, Durrës, Gjirokastër dhe kudo ku ka qenë e nevojshme, ndërsa përgatitemi për një tjetër ditë në vijë të parë, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe përballimin e çdo situate.”, shkruan Vengu në Facebook.

Autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të paralajmërimeve të Institutit të Gjeoshkencave për vijimin e reshjeve edhe në orët dhe ditët në vijim.

Poll

MOS HUMB