"Ka shpëtuar çdo gjë"/ Banorët e Krujës rikthehen në shtëpitë e tyre pas zjarrit, Aulon Kalaja publikon pamjet
KRUJË- Ish-kandidati për deputet në qarkun e Durrësit nga opozita, Aulon Kalaja, ka ndarë momente kur disa banorë kthehen në shtëpitë e tyre pas qetësimit të situatës nga zjarri që përfshiu mbrëmë Krujën.
Teksa ora shënonte 05:40 të mëngjesit, disa banorë të lagjes Varosh në Krujë janë kthyer për të parë shtëpitë e tyre, të cilat fatmirësisht kanë shpëtuar nga flakët e mëdha. Në videon e publikuar në rrjetet sociale nga Kalaja, banorët shihen teksa kontrollojnë banesat e tyre, ndërsa dëgjohen të thonë: “Ka shpëtuar çdo gjë”.
“Moment historik tani! Banorët kthehen në shtëpitë e tyre, kanë qëndruar gjithë natën duke luftuar. Tani do shohim shtëpitë, si është situata. Shtëpia është si kokrra e mollës. Kjo ishte shtëpia për të cilën u luftua, këtu kanë hyrë zjarrfikëset. Siç e shikoni, dera është hapur aty ku kanë hyrë zjarrfikëset për të shuar flakët dhe kanë shpëtuar shtëpinë. Shikojmë tani pjesën tjetër të malit, ka pak flakë më sipër, por nuk dallohet, ka tym. Është ora 05:40 e mëngjesit. Uroj që edhe pyjet që janë djegur të zëvendësohen dhe të nisim një iniciativë për zëvendësimin e pyjeve të Krujës, i cili është qyteti më i bukur në botë”, shprehet Aulon Kalaja në video.
View this post on Instagram
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se zjarri në Krujë është vënë plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm. Ministria e Mbrojtjes thekson se një pjesë e mbetur e malit të Krujës vijon të jetë në flakë, por po menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore. Po ashtu, dëmi i shkaktuar nga zjarri është vetëm një magazinë biznesi e shkrumbuar dhe, fatmirësisht, asnjë banesë nuk është djegur./ZËRI
“Mos u trembni”, momente paniku gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në Krujë
KRUJË- Këto janë pamjet nga operacioni i forcave zjarrfikëse dhe policisë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave në Krujë. Siç shihet edhe në video, zjarri kishte përmasa të mëdha, ndërsa forcat operacionale luftonin me flakët në terren, duke bërë thirrje të vazhdueshme që banorët të mos përfshiheshin nga paniku.
“Na duhet ujë! Mos u trembni, mos u trembni!”, dëgjohet në video, ndërsa forcat operacionale i japin kurajë njëri-tjetrit dhe banorëve, teksa vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të mbrojtur banesat.
Ndërsa sot situata sot paraqitet e qetë, pasi katastrofa e mundshme nga ky zjarr u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivëve të Forcave të Armatosura./ZËRI
Kruja e Skënderbeut nën flakë! Pamje me dron nga zjarri masiv
KRUJË- Pamje të filmuara me dron tregojnë përmasat e mëdha të zjarrit që përfshiu mbrëmjen e djeshme Krujën historike të Skënderbeut. Flakët përshkuan sipërfaqe të mëdha, duke djegur qindra hektarë dhe duke rrezikuar banesa e zona të banuara.
Pas një mbrëmjeje të vështirë, situata me zjarret në Krujë është vendosur nën kontroll. Operacioni ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës. Në terren u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura./ZËRI
Zjarri masiv në Krujë vihet nën kontroll, Ministria e Mbrojtjes: U parandalua një katastrofë, vetëm një godinë e djegur
KRUJË- Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se zjarri në Krujë është vënë plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm. Ministria e Mbrojtjes thekson se një pjesë e mbetur e malit të Krujës vijon të jetë në flakë, por po menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
View this post on Instagram
Situata sot paraqitet e qetë, pasi katastrofa e mundshme nga ky zjarr u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivëve të Forcave të Armatosura. Po ashtu, ministria konfirmon se dëmi i shkaktuar nga zjarri është vetëm një magazinë biznesi e shkrumbuar dhe, fatmirësisht, asnjë banesë nuk është djegur.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Zjarri në Krujë u dominua plotësisht! Që prej orës 06:00 të mëngjesit, është vendosur plotësisht nën kontroll, falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave operacionale. Një pjesë e mbetur në majë të malit po menaxhohet nga ajri, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
Situata është krejtësisht e qetë dhe, fatmirësisht, një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.
Pjesa më e madhe e këtyre forcave tashmë janë rishpërndarë. Vetëm një godinë rezulton e shkrumbuar nga zjarri, konkretisht një magazinë e një biznesi. Fatmirësisht, nuk ka asnjë jetë të cenuar dhe asnjë banesë të djegur.
Falënderim dhe mirënjohje pa kufij për përkushtimin dhe sakrificën e veçantë të secilit prej efektivëve të forcave operacionale, që luftuan në mënyrë të paepur për shuarjen e zjarrit masiv në malin e Krujës!/ZËRI
Zjarri masiv në Krujë, Rama: U shmang një bilanc tragjik, vetëm një magazinë e shkrumbuar
KRUJË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar për situatën e vështirë të krijuar nga zjarri në Krujë. Në reagimin e tij në platformën X, Rama tha se beteja e forcave operacionale me flakët ka përfunduar pa të lënduar dhe me vetëm një magazinë të shkrumbuar.
Ai vlerësoi ndërhyrjen e zjarrfikësve, ushtrisë dhe policisë, të cilët, sipas tij, në kushtet e erës së fortë dhe pamundësisë për të ndërhyrë nga ajri gjatë natës, shmangën një bilanc që mund të kishte qenë tragjik. Rama ndau gjithashtu një mesazh të një banori të Krujës, i cili i shkruante kryeministrit se forcat operacionale po punonin si heronj.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik, siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese.
Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetëm në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës:
‘Zoti Kryeministër! Ju lutem, zjarri po merr përmasa të mëdha në Krujë! Po punojnë si heronj, Zoti ua shpërbleftë... Por era po e përhap me më shumë shpejtësi. Nëse është e mundur për përforcime të tjera... Shteti është në këmbë i tëri’”, shkruan Rama.
Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u… pic.twitter.com/XxuEsI1mFV
— Edi Rama (@ediramaal) August 9, 2026
Pas një mbrëmjeje të vështirë, situata me zjarret në Krujë është vendosur nën kontroll. Operacioni ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës. Në terren u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura./ZËRI
Paniku në Krujë nga zjarri/ Banorët refuzojnë evakuimin, ministrat thirrje publike: Largohuni, jeta është prioritet!
KRUJË- Evakuimi i banorëve pranë zonave që u përfshinë nga zjarri masiv në Krujë ka qenë fokusi i autoriteteve në vend. Shumë qytetarë kanë refuzuar të evakuohen nga banesat, por autoritetet janë detyruar t’i nxjerrin me forcë.
Për shkak të kësaj situate, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kanë bërë thirrje publike që të gjithë banorët të evakuohen dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për të shmangur rrezikun.
“Ju lutem, kemi bërë thirrje vazhdimisht për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit për t’u evakuuar nga shtëpitë të cilat janë pranë vatrave të zjarrit këtu në Malin e Krujës. E kuptojmë që pasuria dhe prona bëhen me shumë mund dhe me kursimet tuaja gjatë gjithë jetës, janë të shenjta, por nuk ka gjë më të shtrenjtë se jeta. Ju lutem, bashkëpunoni me forcat e Policisë, evakuoni menjëherë nga banesat tuaja. Kjo është për jetën tuaj, për jetën e familjarëve tuaj dhe për jetën e oficerëve të Policisë, të cilët duan më të mirën për ju dhe familjarët tuaj”, tha Lamallari.
Të njëjtën thirrje e bëri dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi: “Thirrja jonë është vetëm për ju. Ju lutem, bashkëpunoni me forcat e Policisë, me Forcat e Armatosura, për evakuimin nga banesat. Ndërkohë, siç e shikoni, ne kemi këtu dhe kemi marrë çdo masë në mënyrë që të parandalojmë sa më shumë përhapjen e flakëve të zjarrit, por jeta juaj është prioritet. Jeta e çdo qytetari është prioritet”.
Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në terren dhe nga ajri u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, droni Bayraktar TB2, 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca. /ZËRI
Natë paniku në Krujë/ Flakët rrethojnë banesat dhe i afrohen spitalit, evakuohen banorët dhe pacientët
KRUJË-Gjatë mbrëmjes së djeshme, situata me zjarret në Krujë është përkeqësuar ndjeshëm. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë rrezikuar disa banesa, duke detyruar disa qytetarë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Situata më e rënduar është paraqitur në zonat e Barabit dhe Llubanit të Krujës. Nën kërcënimin e flakëve është vënë edhe Spitali i Krujës, pasi zjarri është afruar deri në rreth 50 metra nga godina. Pacientët që po merrnin shërbim në këtë spital janë evakuuar drejt Tiranës.
Gjatë këtyre orëve, pesë lagje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa raportohet se dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive. Autoritetet bëjnë me dije se helikopterët kanë nisur operacionin nga ajri për të ndihmuar në vënien nën kontroll të plotë të flakëve.
Për zjarrin është arrestuar Qemal Berhami, i cili, sipas policisë, kishte ndezur disa barishte pranë shtëpisë së tij. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke vënë në rrezik disa zona të Krujës.
Një banor i Krujës ka treguar për mediat momentet e frikshme, duke thënë se flakët e kanë rrethuar zonën brenda pak minutash. Sipas tij, banorët janë përpjekur ta mbanin zjarrin nën kontroll me autobotë uji, ndërsa kanë nxjerrë me shpejtësi fëmijët nga banesat.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Ne e kemi mbajtur situatën vetë nën kontroll me dy autobotë uji. Zjarrfikësit kanë ardhur sa për të shuar vatrat e vogla. Mami thoshte: ‘Nuk dal nga shtëpia, të digjem brenda’. Dolëm, nxorëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz që e kemi mbajtur zjarrin. Zjarrfikësit e mbajtën nën kontroll deri nga ora 10. Më pas iu afrua shtëpisë, zjarri doli përpara. Morën magazinat e ujësjellësit. Ka qenë një kaos i paparë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë. E gjithë lagjja po evakuohej, u bllokua rruga e zjarrfikësve. E gjithë lagjja u tmerrua. Kishim frikë mos shpërthente një fasoneri”, tha banori.
View this post on Instagram
Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në terren dhe nga ajri u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, droni Bayraktar TB2, 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca.
Njoftimi i plotë nga Ministria e Mbrojtjes:
Operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës kanë vijuar me intensitet, me angazhim të pandërprerë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura gjatë gjithë natës.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndoqi nga afër situatën në terren dhe operacionin, si dhe koordinoi angazhimin e strukturave të Forcave të Armatosura, Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe strukturave të tjera të emergjencave civile.
Në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Në terren dhe nga ajri janë angazhuar:
21 mjete zjarrfikëse;
3 helikopterë;
droni Bayraktar TB2;
2 dronë me kamera termike të AKMC-së;
autoambulanca
Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e dislokuar në zonë për koordinimin dhe monitorimin e operacionit.
Të gjitha strukturat vijojnë operacionin me angazhim maksimal dhe koordinim të plotë, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga toka dhe nga ajri.
Prioriteti i operacionit mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe vënia nën kontroll e plotë e zjarrit në zonën e Krujës. /ZËRI