Sulmet ndaj gjyqtarëve, Rama: Çfarë të bëj unë, të pres ILD-në që amniston Gjelin e Thethit?
TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga sulmet e tij ndaj sistemit të drejtësisë, që sipas tij kanë marrë vendime më kurriz të interesit publik. Rama tha se qeveria nuk mund të presë ILD që të shprehet dhe të amnistojë gjyqtarët që kanë dhënë vendime kundër interesit publik, siç ishte rasti i gjyqtares së Shkodrës që kishte dhënë leje për ndërtimin e bujtinave në Theth.
“Të pres ILD, që aminston në tavolinë Gjelin e Thethit dhe gjënë më flagrante që shpall mosfillimin e çështjes pa i hyrë fare fakteve”, u shpreh Rama mes të tjerave.
Edi Rama: Jam marrë dhe do të merrem prap me ta për çështje të interesit publik, jo me çështje të një individi. Është edhe çështje personale, sepse ata të Unionit janë ata që kërkojnë rritje pagash në mënyrë të vazhdueshme në mos gabohem, prapë kanë kërkuar në Kushtetuese rritje pagash, u tejkalua skema natyrale e çdo shteti që ti jepnim mundësinë të ndiheshin të mirëpaguar, janë më të mirëpaguar në rajon, Por kjo s’do të thotë që duhet të jenë mbi Presidentin dhe nuk do të thotë se nëse rriten pagat e infermierëve e mësuesve të rriten pagat e tyre se duan të kenë paga më të larta.
U shqetësuan ata? Por unë si tia bëj?! Kur qytetarët denoncojnë ‘na kanë zënë rrugën”. Çfarë të bëj unë të rri mos të flas fare, qytetarët që e dhanë mandatin të rrinë me zaptuesin që kap një gjyqtar.
A do të ndërhyjë qeveria për çmimet e pronave? Rama: Do të krijojmë një agjensi kombëtare…
TIRANË- Kryeministri Edi Rama u pyet sot nga gazetarët, nëse qeveria ka mekanizma për të ndërhyrë në çmimet e pronave në vend, që për shumicën e qytetarëve janë të papërballueshme. Rama tha se qeveria do të krijojë një agjensi kombëtare për planifikimin urban dhe strehimin, ku do të shihen dhe mekanizma lehtësuese, që një sërë kategorish të mund të blejnë prona.
“Ne jemi duke përgatitur krijimin e një agjensie të re, që do të jetë agjensia kombëtare e planifikimit urban dhe e strehimit, dhe do i qasemi me një mënyrë të re qoftë strehimit social, qoftë për të krijuar mundësi për një sërë kategorish që t’iu qasen pronave”, u shpreh Rama.
Rama u pyet dhe nga gazetarët në lidhje me oraret në kantieret e ndërtimit në Tiranë, për të cilat tha se nuk janë kompetencë e qeverisë, por e bashkisë.
“Tani oraret e kantierëve nuk janë çështje ligjesh e kodeve, janë rregulla që vendosen nga autoritetet vendore. Janë provuar edhe natën edhe ditën, ditën jo se na bllokohen rrugët, natën jo se duam të flemë. Hapësirë që nuk është as ditë as natë nuk ka. Nuk është çështje e qeverisë kjo!”, u shpreh Rama.
“Burg kush zapton tokat pa leje”, Rama zbulon ndryshimet në Kodin e ri Penal: Dënime edhe për parkingjet
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zbuluar ndryshimet në Kodin Penal, ku kanë paralajmëruar se do shkojnë në burg ata që zaptojnë tokën publike apo private për parkingje. Në konferencën për mediat, Rama se ky draft i Kodit të ri Penal dhe masa ndëshkuese është hedhur për konsultim publik. Kryeministri theksoi se masa e dënimit për shkelësit e ligjit do të rritet, por ndëshkimet më të ashpra do të jenë edhe për punonjësit e shtetit që heshtin ose bashkëpunojnë me këto shkelje.
"Hyjnë për konsultim ndryshmet në Kodin Penal, ku fillon nga zënia e tokës, çfarëdo zënie toke, publike apo private pa pasur një leje për çfarëdo leje, do dënohet me burg. Edhe për parkimet, ku e zë tokën, parkim i paligjshëm, do shkosh në burg. Kur këto sulme bëhen në zonët e mbrojtura, parqe natyrore, cenojnë objekte të trashëgimisë kulturore, objekte kulte, monumente të kulture apo infrastrukturën kritike atëherë burgimi është goxha më i gjatë. Kur një vepër e kësaj natyre kryhet nga persona që paguhen nga shteti në çfarëdo pozicioni qofshin, dhe sidomos kur konstatohet symbyllja dhe bashkëpunim nga ata që duhet t’i ruajnë këto territore, dënimi është më i gjatë dhe ka një sërë nenesh, që lidhen me peronat që punojnë për shtetin”, tha Rama.
"Punonjës shteti në ndërtim pa leje, sport i vjetër"/ Rama paralajmëron: 7 vite pezullim
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar masat e reja që lidhen me lejet e ndërtimit, të cilat hyjnë në fuqi që prej ditës së sotme. Në konferencën për mediat, Rama ka paralajmëruar edhe punonjësit shtetëror që shkelin ligjin dhe bëjnë korrupsion, por edhe drejtuesit e bashkive të vendit. Rama u shpreh se do të ketë masa të rrepta për çdo punonjës shteti, që ndërton pa leje. Çdo punonjës shteti që konstatohet se ndërton pa leje, nuk do të punojë më në shtet për së paku 7 vite.
“Populli pyet se çfarë bëhet me ata që duhet të bëjnë kontrollet. Sporti i ndërtimit pa leje është zhvilluar si sport kombëtar, ne e kemi ulur kurbën. Ky sporti kombëtar është nxitur nga lart, dikush para meje e quante Bathoren si mrekulli të tetë të botës, sepse ishte një vend, ndërtuar pa leje i gjithi. Edhe punonjës të shtetit janë marrë me ndërtime pa leje. Nëse konstatohet se punonjësi i shtetit ka kryer punime pa leje, do ndalohet të punojë në shtet për shtatë vite. Kjo do ndodhë nga momenti që do të konstatohet. Mund të ketë edhe pasoja të natyrës penale, se po konsultohen ndryshimet e reja penale”, deklaroi Rama.
Ndërtimet pa leje/ Rama: Po kaluan mbi 10% do të konfiskohet e gjithë prona
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një sërë ndryshimesh ligjore, që synojnë goditjen e ndërtimeve pa leje në vendin tonë. Kreu i qeverisë tha se çdo ndërtim që do shkelë lejen në masën mbi 2 përqind, do konfiskohet për interes publik apo strehim social.
“Deri në masën 10 përqind, konfiskohet vetëm ajo shtesë dhe përdoret ajo sipërfaqe, qoftë për zyra për shtetin apo për t’ua dhënë të pastrehëve”, u shpreh Rama.
Më tej Rama paralajmëroi se do ketë edhe konfiskime totale, kur ka shkelje të rëndë të lejes së ndërtimit. “Mbi masën 10 përqind, konfiskohet totalisht ndërtimi.”
Ai përmendi edhe rëndësinë e strehimit social. “Do kemi rregulla të qarta për strehim social”.
Më herët kryeministri tha se çdo ndërtues që shkel lejen, përveç gjobës, do të përjashtohet me të paktën 5 vite nga pajisja me një leje tjetër, duke u futur në një listë të zezë.
Kryeministri foli dhe për bizneset që shkaktojë shqetësim në katet e para të pallateve, duke theksuar se çdo biznes duhet të operojë me leje të posaçme dhe pa cënuar jetesën e komunitetit përreth. Që do të thotë se biznese që shkaktojnë zhurma dhe shqetësojnë banorët, nuk do vendosen në pallatet me apartamente banimi.
“Nga ana tjetër, kemi marrë një tjetër masë, dhe këto janë të gjitha masa në fuqi, që është ndalimi i ndryshimit të një aktiviteti të një objekti, pa marrë lejen përkatëse. Janë të panumërta shembujt e familjeve që kanë një furrë buke dhe dhoma e gjumit u bie mbi furrë në katin poshtë, ose kanë një zdrukthëtari që sharron me sharrë, por nuk është fare i presupozuar ta zhvillojë aktivitetin aty ku ka një komunitet familjesh dhe apartamentesh. Është e mundur të ketë aktivitete të caktuara, por e para, duhen me leje dhe, e dyta, të jenë pjesë e një kategorie të caktuar që nuk trondit dhe shqetëson gjithë të tjerët”, tha Rama./ZËRI
“Kamera në çdo kantier ndërtimi”, Rama: Kush ndërton më shumë, do të mbjellë më shumë pemë
TIRANË- Në një konferencë ku po njofton reformën e re për sektorin e ndërtimit, kryeministri Edi Rama njoftoi njësërë risish që do të pësojë ligji. Rama tha se në çdo kantier ndërtimi do të vendosen kamera dhe procesi do të ndiqet në kohë reale, me qëllim dhënien fund të shkeljeve të lejeve.
“Sot që flasim, nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit kërkohet vendosja e kamerave në të gjithë kantieret e ndërtimit dhe ndiqet procesi në kohë reale”, u shpreh Rama.
Po ashtu kryeministri tha se ndërtuesit do të jenë të detyruar me ligj që të mbjellin pemë, në varësi të sipërfaqes së zhvillimit të pronës.
“Një tjetër masë është krijimi i fondit të gjelbër, i cili përcakton që subjektet ndërtuese duhet të mbjellin një sasi të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen e ndërtimit, me vendim të Këshillit të Ministrave. Nëse një subjekt, për shembull, do të ndërtojë një sipërfaqe me 5 mijë metra katrorë, me këtë ligj lind detyrimi për një numër të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen që do të ndërtojë.
Është në raport me një plan që kemi përpunuar. Do të krijojmë fidanishtet publike në pjesë të ndryshme të territorit dhe në ato pjesë të ndryshme të territorit do të sjellin pemët. Nuk ka më histori që ‘po, unë do sjell pemët dhe hajde shihemi’. Do të ketë një katalog të caktuar dhe subjektet do të dorëzojnë pemët. Kush ndërton më shumë, do të mbjellë më shumë pemë”, tha Rama.
Rama: Çdo ndërtues që shkel lejen e ndërtimit do të futet në listën e zezë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot një sërë ndryshimesh që do të bëhen në ligjin për ndërtimet, që sipas tij do t’i japin fund paligjshmërive dhe zaptimit të territorit. Rama tha se çdo subjekt që shkel lejen e ndërtimit, do të futet në një listë të zezë, dhe do ti ndalohet dhënia e lejeve për projekte të tjera. Sipas kryeministrit, kjo listë nuk do të përfshijë vetëm kompanitë, por edhe individët, administratoret, ortakët dhe pronarët përfitues që kanë shkelur ligjin.
“Do të krijojmë listën e zezë dhe ndalimin për të pajisur me leje ndërtimi shkelësit e lejeve të ndërtimit, jo vetëm kompanitë, por të gjithë personat që përfshihen në proces — zhvilluesit, shoqëritë, individët, administratorët, ortakët dhe pronarët përfitues, të cilët do të përjashtohen nga çdo mundësi për të marrë leje ndërtimi për një periudhë 5-vjeçare,” deklaroi Kryeministri.
Rama shtoi se kjo listë do të mbahet dhe përditësohet nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe do të jetë një regjistër publik online, i aksesueshëm për të gjithë.
Rama bëri të ditur se çdo subjekt që kryen punime në kundërshtim me lejet e ndërtimit, si dhe ndryshime pa leje — përfshirë edhe ndryshimet në fasadë — do të ndëshkohet me gjoba dhe masa të tjera administrative. Këta subjekte do të përfshihen menjëherë në listën e zezë.
Ai theksoi gjithashtu se ky proces do të prekë jo vetëm subjektet, por edhe profesionistët e përfshirë në këto shkelje, përfshirë arkitektët, të cilëve do t’u hiqet licenca për 5 vjet, duke i ndaluar ushtrimin e profesionit gjatë kësaj periudhe./ZËRI
Rama njofton ‘reformën’ mbi ndërtimet: Asnjë qytetar nuk do të hyjë në banesë pa marrë më parë hipotekën
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zbuluar ndryshimet që do të pësojë ligji për ndërtimet në vend, me qëllim forcimin e kontrollit mbi territorin. Në një konferencë për mediat, së bashku me ministrin e drejtësisë Besfort Lamallari, dhe ministren e brendshme Albana Koçiu, Rama tha se asnjë qytetar nuk do të lejohet të hyjë në banesë, pa u pajisur me parë me certifikatën e pronësisë. Po ashtu një tjetër ndryshim në ligj është rritja e garancisë së projekteve të ndërtimit, ku arkitektët do të ngarkohen me përgjegjësi ligjore për çdo devijim apo ndryshim në fazën e implementimit të projektit.
“Kjo është një qasje 360 gradë që shtrihet në të gjitha drejtimet e konstatuara si problematike, do të na japë rezultate të konsiderueshme, pasi krijon kushtet për një disiplinim të të gjithë procesit të ndërtimit. Jo vetëm për ndërtimet pa leje, por edhe ato me leje, për njerëzit që paguajnë për të blerë një shtëpi, dhe më pas hasen me pamundësinë për të hyrë në shtëpi, apo për ta regjistruar në emrin e tyre. Po i marr me radhë se janë masa që i drejtohen edhe aktorëve të ndryshëm në këtë proces.
Rritja e garancisë të zbatimit të projekteve artikturore, arkitekti ngarkohet me përgjegjësinë e ndjekes së projektit, ngarkohet me përgjegjësinë për çdo devijim nga projekti, pasi në rast se arkitekti i ikën përgjegjësisë, është ai që paguan pasojat”, u shpreh Rama mes të tjerave.
"Nuk do të lejohet më që godinat, pallatet pa certifikatë përdorimi të firmosin kontrata për energji elektrike dhe furnizim me ujë. Nuk do të lejohen të futen në apartamente pa përfunduar siç duhet objekti dhe pa u pajisur njerëzit me Hipotekën.
E kanë paguar me gjithë kursimet e tyre, por nuk janë pronarë me letra. Një gjë e papranueshme dhe e patolerueshme më tutje. E gjithë kjo pjesë lidhet me procesin kur janë të përfshirë aktorët institucionalë, që nga arkitekti deri te Agjencia e Zhvillimit të Territorit apo bashkitë, si edhe vetë agjencitë që garantojnë furnizimin me energji dhe ujë", vijoi fjalën e tij kryeministri.
Ndryshimet në ligj, detyrojnë bashkitë që të kryejnë 6 kontrolle të detyrueshme në fazën e ndërtimit të projekteve, të cilat duhet të mbyllen brenda afateve të parashikuara në dokumentacion. Po ashtu, Rama tha se të gjithë ndërtuesit që do të kapen në shkelje të projekteve, do të futen në listën e zezë dhe nuk do të pajisen më me leje, përveç gjobës që do të marrin për shkelje. /ZËRI