LIVE UPDATES

KUVENDI në debat për rregulloren e re! PD kërkon interpelancë me Ramën (ZHVILLIMET)

➤Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ku në rend dite është miratimi i procesverbalit të seancës së datës 24 shtator 2025. ➤Konkretisht në seancën e kaluar u miratua përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare që më pas do t’i hapë rrugë nisjes nga puna të komisioneve parlamentare. ➤Opozita ka kërkuar që të ripërsëritet seanca e shkurtër e 24 shtatorit, gjatë së cilës u votua qeveria e re dhe programi qeverisës për katër vitet e ardhshme. ➤Ndërkohë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, për të dhënë llogari lidhur me një takim të fshehtë të zhvilluar në Aruba në janar të vitit 2019.

4 artikuj për këtë temë.
8 MUAJ ME PARE

Miratohet kalendari 3-javor/ Rregullorja e re përplas opozitën dhe mazhorancën: Kuvendi t'i kthehet normalitetit...po shkilet Kushtetuta!

KUVENDI në debat për rregulloren e re! PD kërkon
kuvendi

TIRANË- Mes debateve dhe tensioneve ka përfunduar seanca e sotme plenare, e cila nisi në orën 13:00 dhe zgjati rreth dy orë. 

Mazhoranca kaloi e vetme me shumicë votash kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit për muajin e ardhshëm, kjo pasi opozita bojkoti votimin. Opozita u largua nga salla në momentin që kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla po mbante fjalën e tij. Ndërkohë, ky votim, i hap rrugë punës së komisioneve parlamentare.

Gjatë kësaj seancë u miratua edhe procesverbali i seancës plenare të datës 24 shtator, ku u miratua përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare.

Seanca plenare nisi menjëherë me debate në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit, e miratuar që në seancat e para të kaluara. Opozita ka akizuar kryesinë e Kuvendit se nuk kanë shpërndarë rregulloren e miratuar në seancën e kaluar dhe kërkoi kthimin e punimeve parlamentare në normalitet. Ndërkohë, kryeparlamentari Niko Peleshi u kundërpërgjigj duke thënë se rregullorja e re u është shpërndarë deputetëve si dhe gjendet në faqen online të Parlamentit.

Në seancën e sotme në rend dite është miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar, ku u votua përbërja e 11 Komisioneve Parlamentare, që më pas do t’i hapë rrugë nisjes nga puna të komisioneve. Tonet janë ngritur nga deputetë të opozitës, të cilët secili në fjalën e tij, kritikojnë ashpër mënyrën se si po zhvillohet puna në Parlament.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i ka tërhequr vëmendjen deputetëve të opozitës që të respektojnë rregulloren e kuvendit. Balla theksoi se fjala u jepet de[utetëve vetëm pas miratimit të procesverbalit dhe pas miratimit. 

“Në seancë kam marrë fjalën dhe, bazuar në procesverbal, kujtoj që kam kërkuar respektimin e nenit 44, pika 2, të Rregullores. Citoj se seanca fillon me miratimin e procesverbalit dhe pas miratimit, fjala u jepet vetëm deputetëve që kërkojnë të propozojnë korrigjim ose të saktësojnë mendimin e tyre. Kemi mbi 20 minuta që dëgjojmë diskutantë që s’kanë dhënë asnjë informacion për fjalimin e tyre ‘historik’ të para disa ditëve. Për herë të parë po ndodh një precedent që s’ka ndodhur asnjëherë më parë. Nuk ka pasur diskutime të kësaj natyre në rendin e ditës – diskutime të tilla bëhen pas miratimit të rendit të ditës. Kemi pasur një diskutim të mirë në Konferencën e Kryetarëve, por deputetja nuk priti, por mori fjalën për procesverbalin. Pak durim, do të shkojmë te ajo pikë. Z. Kryetar, duhet t’i japim fund këtij procesi, s’mbahet mend të nisë Kuvendi me procesverbalin!”, tha Balla.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin dhe akuzon mazhorancën se po shkel rregulloren e Kuvendit. Sipas saj, komisioni parlamentar për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura, është antikushtetues dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit.

“Çështja e parë lidhet me raportimin e institucioneve të pavarura. Nuk kemi pasur mundësinë ta trajtojmë këtë çështje gjatë sesionit të vjeshtës. Për dy muaj nuk e di se çfarë do t’u vendosim në dispozicion këtyre institucioneve.
Është e papranueshme që të jemi në shkelje të Kushtetutës për këtë pikë. Çdo institucion ka një përgjegjës, i cili reflektohet në kalendarin dhe programin e projekteve. Ajo që po bëni me komisionin e ri që keni krijuar është thjesht një mënyrë për t’i dhënë punë atij zotërisë, por kjo është kundër rregullores.”, tha Tabaku.

Deputetja e PS, Zegjine Çaushi, ka mbajtur për herë të par fjalën e saj në Kuvend, ku u është drejtuar kolegëve të saj të opozitës, duke u thënë që të rikthehen në normalitet dhe të vijohet seanca sipas rendit. Ajo bëri thirrje për uljen e toneve, ndërkohë që nuk ka “harruar” të vijojë me ironitë ndaj Gazment Bardhit, siç ka bërë edhe gjatë fushatës zgjedhore.

“Është e papranueshme që në këtë seancë, si çdo herë tjetër, të dëgjojmë të njëjtin fjalor. Jo, nuk (vend) ka për falje, por këtu ne jemi pasqyra e atyre qytetarëve, e mijëra që na ndjekin nga pas, dhe kjo sjellje të vazhdojë kështu në çdo seancë nuk mund të pranohet. Besoj se në grupin tuaj parlamentar keni mjaftueshëm juristë, por edhe një jo-jurist mund ta kuptojë rregulloren. Kini kaq shumë seanca që e kërkoni fjalën për procedurë, edhe për ato që niset seanca për të rregulluar procesverbalin, por askush nga ju nuk është ngritur të thotë që kjo fjalë e shkruar në procesverbal nuk është shkruar drejt. Por jeni marrë vetëm me ofendime, për programin, për Diellën, e çdo gjë tjetër, që ju vetë e keni pasur mundësinë ta dëgjonit atë program…Gazi nuk është se atë sjelle ka Gazi, dhe ju të tjetër si Gazi do përfundoni”, tha me ironi deputetja e PS.

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar programin e qeverisë gjatë fjalës së tij në seancën plenare. Korreshi i ka kërkuar mazhorancës që të anulohet seanca e 18 shtatorit, ku u miratua me votat e PS programi qeverisës pasi opozita u largua. Më tej demokrati tha se opozita është e gatshme për rikthimin në normalitet të seancave plenare.

"Ne pikërisht jemi këtu  për këtë programin e bukur atë që keni bërë me buzëkuq ju. E di si është ky program juaj me buzëkuq por me çizme me gisht përpara, me thonj pa prerë. O Kryetar ke një muaj që as na jep të drejtë fjale dhe në hallexhinjtë vjedhim ndonjë dy minutësh për procedurë. Por kjo është se e bën ti këtë pjesë, siç prishe rregulloren atje, siç vunë përralla me mbrete me Diell e ku di unë.Nëse do ti rikthehesh normalitetit hajde sot rikthe atë seancë që të flasim që sot për programin qeverisë.", tha Korreshi.

Deputeti demokrat Flamur Noka foli sot nga foltorja e Parlamentit duke iu kthyer dy çështjeve të politikës së ditës, teksa vëmendjen më të madhe e fokusoi të çështja "Aruba".Sipas Nokës, shumica e deputetëve të mazhorancës janë përfaqësues të grupeve kriminale, duke pretenduar lidhje të tyre me disa prej tyre me individë të njohur për aktivitete kriminale. Ai ka theksuar gjithashtu se takimi në Aruba është një dëshmi e lidhjeve të thella të qeverisë me kriminelët.

"Takimi i Arubës është tronditës. Shumica e deputetëve në parlament janë përfaqësues të krimit. Njërin nga ju e ka sjellë Ben Qimja, një tjetër e kanë sjellë Xhabaftët, tjetrin e ka sjellë një klan tjetër kriminal. Edhe takimi në Aruba është tronditës, atje përfaqësues të qeverisë janë takuar me kriminelët, mazhoranca është e lidhur me Troplinët, me Xhabaftët dhe me Suel Çelën. Raporti i DASH thotë se biznesi është deformuar nga kartelet e drogës. Narkosi ka shkatërruar gjithçka në biznes, sepse ka pastrim parash dhe konkurrenca është e padrejtë. Shqipëria cilësohet si vend që është e vështirë të bësh biznes. Ikin shqiptarët, për shkak se ke Narcos-in këtu.", tha Noka. 

Ironitë dhe debatet nuk munguan as zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe deputetit të PD, Klevis Balliu. 

Klevis Balliu: Zonja Balluku e para faleminderit për fjalën bukurosh. Unë bukurosh kam lindur, kurse ty bukurosh të bënë paratë e shqiptarëve. Ti do bëje mirë këtu që të na flisje për tigrin1 dhe tigrin3, do të bëje mirë që të na flisje që në vendin më të varfër të Europës, ke sjellë kilometrin më të shtrenjtë të botës, 25 milionë euro. E ke bërë vetëm ti. Vjen në vendin më të varfër të Europës me 40 mijë lekë ndihmën ekonomike dhe me 25 milion euro kilometrin dhe rrugët të shkatërrohen më një shi. Duhet të flasësh për këto, për bukuroshët gjej kohëve tënde, jo këtu në Parlament.

Belinda Balluku: Problemi është që ky filloi të besojë që është bukurosh, kjo është me keqja. Dhe pa qenë pa qenë bukurosh e çfarë nuk thoshte kurse me këtë epitetin do të çmendet fare. Unë çuditesha se përse ti mërziteshe kur të përmendej emri i babait, por mund të pyesësh edhe Fariun edhe Jetën, kurse ne andej nga fisi jemi të bukur përgjithësisht dhe nuk na është dashur asnjë lekë.

Ndërkohë, teksa kreu iGrupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, po mbante fjalën në Kuvend, deputetët e opozitës kanë braktisur seancën plenare. Megjithatë, Balla vazhdoi fjalën e tij teksa iu përgjigj akuzave lidhur me takimin e pretenduar në Aruba. Ai iu drejtua atyre, ndonëse mungonin në sallë, se nëse kanë prova duhet të drejtohen me kallëzim në institucionin e akuzës.

“Dhe në këto ditë është zgjedhur kryetari, qeveria, programi, rregullorja, tani e arritët qëllimin, e bëtë rrëmujën, pa ditur asnjë prej jush se për çfarë folën. Madje udhëheqësi poliedrik Flamur Noka foli këtu për programin. Fiksime e ka pasur të shkojë njëherë në Aruba, pa thënë asnjë emër, asnjë fjalë, se më e pakta do marrësh letrën dhe do bësh një kallëzim. Ata ikën por do i thosha një këshill, se mirë është që kur mbarojnë Konferencën e Kryetarëve, të paktën kryetari i tyre që nuk ishte sot këtu, është marrë vendimi që do ikni”, u shpreh ai.

Pas 120 minutash seancë, maxhoranca votoi e vetme. Ndërsa për kërkesën e PD për shkarkimin e Niko Peleshit, Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet brenda javës./ZËRI

8 MUAJ ME PARE

Mbidhet Kuvendi! PD kërkon interpelancë me Ramën: Të japë llogari për takimin në Aruba

KUVENDI në debat për rregulloren e re! PD kërkon
PAMJE NGA KUVENDI

TIRANË-Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, për të dhënë llogari lidhur me një takim të fshehtë të zhvilluar në Aruba në janar të vitit 2019. Opozita pretendon se në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe krimit të organizuar. Kërkesa është depozituar nga 7 deputetë të Grupit Parlamentar të PD: Sali Berisha, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Luciano Boci, Ina Zhupa dhe Flamur Noka.

GRUPI PARLAMENTAR I PD KËRKESË PËR INTERPELANCË URGJENTE ME KRYEMINISTRIN EDI RAMA LIDHUR ME TAKIMIN ME MAFIAN NË ARUBA DHE NDIKIMIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR NË EKONOMI

Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin mbi Shqipërinë për vitin 2025 lidhur me Klimën e Investimeve, ndër të tjera thekson se ekonomia shqiptare mbetet e ndjeshme ndaj krimit të organizuar, si dhe thekson se komuniteti i biznesit raporton praninë e madhe të të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës që shtrembëron konkurencën në treg. Është e qartë se një konstatim i tillë nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk është as sajesë dhe as një deklarim rastësor.

Në datën 23 shtator 2025, gazetari italian Nello Trocchia, i njohur për investigimet lidhur me mafian, citon prokurorin e Antimafias Italiane, Nicola Gratteri, i cili shprehet se: “Nuk është ekzagjerim ta quash Shqipërinë një narkoshtet, përkundrazi. Shqipëria është shndërruar në një lloj Eldorado të rrjedhjes së parave cash, dhe mafia shqiptare një fuqi ekonomike dhe financiare.”.

Më tej, gazetari investigativ italian përshkruan rrugëtimin e grupeve kriminale shqiptare nga vitet 90’ deri më sot. “Një pakt me klanet italiane shënoi fillimin e karrierave kriminale të shqiptarëve: së pari, si kontrabandistë dhe trafikantë, pastaj si banditë dhe vrasës të paguar nga krimi i organizuar dhe së fundmi si trafikantë droge, që, sot, janë jashtëzakonisht të fuqishëm dhe kontrollojnë qendrat e shpërndarjes dhe portet në të gjithë botën. Ata ishin gjithashtu trafikantë njerëzish, duke transportuar emigrantë në Itali edhe pse qeveria italiane shpenzonte miliona për t’i mbajtur ata në qendrat që kishte ndërtuar në Shqipëri. Pas “Casamonica”, Nello Trocchia rikthehet me një investigim të madh për të treguar intrigat dhe trajektoren e një mafie që, nga Roma, u bë një fuqi ekonomike dhe financiare ndërkombëtare, duke ndjekur protagonistët e saj më të egër në një rritje që duket e pandalshme.”.

Veçanërisht me rëndësi është investigimi mbi një takim të fshtehtë të zhvilluar në periudhën 24–31 Janar 2019, në ishullin Aruba, në Karaibe, zyrtarisht territor i Mbretërisë së Hollandës. Sipas dokumenteve të siguruara nga Antimafia Italiane, në këtë takim kanë marrë pjesë biznesmenë, eksponentë të krimit të organizuar dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare në detyrë, të afërt me kryeministrin Edi Rama. Sipas hetuesve, gjatë këtij takimi është diskutuar për ndërtimin e një kulle në Tiranë, në një truall që rezulton në pronësi të dy grupeve kriminale. Për realizimin e këtij investimi ishte e nevojshme mbështetja dhe miratimi nga nivelet e larta të qeverisë shqiptare, të cilat sipas përgjimeve ishin të pranishëm në Aruba dhe diskutonin për ndarjen e përfitimeve. Këto fakte janë konfirmuar jo vetëm nga përgjimet telefonike, por edhe nga burimet e Policisë gjermane.

Në qendër të këtij rrjeti që lidh krimin e organizuar me politikën qëndron shtetasi Artur Shehu, një personazh i njohur në qarqet kriminale dhe sipërmarrëse, me bazë në Miami, SHBA dhe Vlorë, Shqipëri. Ai përshkruhet nga hetuesit si kreu i një organizate të fuqishme kriminale shqiptare që ka ndërtuar një perandori ekonomike përmes trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave. Pikërisht, Artur Shehu, së bashku me një tjetër personazh të quajtur Genci Hamzai, dhe përfaqësues të qeverisë Rama, kanë marrë pjesë në takimin në Aruba, Antillet Hollandeze, ku u përcaktuan hapa konkretë për investimet e ardhshme. Hetuesit theksojnë gjithashtu se falë mungesës së hetimeve financiare në Shqipëri, Artur Shehu ka arritur të ndërtojë një perandori ndërtimi dhe investimesh në Vlorë, Shqipëri dhe Toskana, Itali, duke përdorur kredi që i shërbejnë për pastrimin e parave. Në këtë shkrim përmendet edhe Fabrizio Lisi, ish-gjenerali i Guardia di Finanza, i cili në vitin 2015, do të përfitonte tridhjetë mijë metra tokë në Vlorë pikërisht nga Artur Shehu.

Sjellim në vëmendje se në Prill 2024, emisioni “Report”, në Rai 3, publikoi një cikël emisionesh lidhur me lidhjet e politikës shqiptare me mafian. Në këto emisione përmendej shprehimisht edhe Artur Shehu, i cili i kishte dhuruar kreut të Interpolit Italian në Shqipëri në periudhën 2014 – 2015, Fabrizio Lisi, një pronë 30 mijë metra katrorë në Vlorë. Dhurimi ishte kryer për një fondacion, i cili në periudhën 2012-2013, kishte pasur si kurator të atëhershëm Ëngjëll Agaçin. Ky i fundit kishte qenë pikërisht personi që bëri prezantimin dhe ndërmjetësimin e gjeneralit Fabrizio Lisi me Artur Shehun.

Ëngjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nga Shtatori 2013 e në vijim, përpara se të merrte këtë detyrë, kishte qenë gjithashtu avokat i grupeve kriminale të narkotrafikut në Itali, përfshirë edhe grupin kriminal të Artur Shehut. Sipas investigimeve të kryera nga media shqiptare, Artur Shehu rezulton si një nga përfituesit më të mëdhenj të sipërfaqeve të konsiderueshme të tokave në Zvërnec, Ujin e Ftohtë, Karaburun dhe Palasë nëpërmjet procedurave të dyshimta, për të cilat ka pasur kallëzime penale nga banorët dhe personat e dëmtuar, por akoma pa ndonjë rezultat konkret.

Për t’u rikthyer sërish te gazetari italian Nello Trocchia, në një intervistë të dhënë për median shqiptare tregon se: “Unë zbuloj për herë të parë që Drejtoria Hetimore Antimafia e shkruan e zeza mbi të bardhë, ashtu si edhe policitë e tjera ndërkombëtare, se në vitin 2019, u zhvillua një takim në Aruba të Antileve Hollandeze. Kjo shkruan Drejtoria Hetimore Antimafia, në praninë e njerëzve që DIA i identifikon si të lidhur me një grup kriminal, në praninë e Artur Shehu që tashmë është bërë bosi i bosëve të biznesit, dhe në praninë edhe, sipas policisë gjermane, të Genci Hamzai, që është i njohur si trafikant droge. Në praninë edhe të përfaqësueve të qeverisë aktuale shqiptare, asaj të Ramës, sepse në 2019 ishte qeveria Rama. Unë i shkruajta Edi Ramës, si përmes Ëhatsapp, ashtu edhe përmes sms, emailit zyrtar të zëdhënësit të tij për të kërkuar diçka të thjeshtë: A e keni takuar ndonjëherë Artur Shehun? A keni qenë ndonjëherë në Aruba? A ka të regjistruar udhëtime të ministrave të tij në 2019? A ekzistojnë takime me Artur Shehun, udhëtime në Aruba?”.

Më tej gazetari Trocchia shprehet se në dokumentet e analizuara përmenden: “…drejtuesit e lartë. Pra, ose ministrat ose zëvëndësministrat. Është e qartë që ata përmendin këtë lloj reference. Ka edhe biseda të përgjuara, ku flitet për njerëz të lartë të qeverisë së Edi Ramës, duke përmendur Edi Ramën si kreu i qeverisë. Kush ishte aty duhet të sqarohet; për këto pyetje Edi Rama nuk ka pranuar të përgjigjet.”.

Sjellim në vëmendje se gjithashtu emri i Edi Ramës dhe Erion Veliaj përmendej edhe në vitin 2021, në përgjimet e publikuara asokohe nga Antimafia Italiane e Katanzaros, në të cilat rezultonin shtetas shqiptarë, së bashku me eksponentë të organizatës mafioze të Ndragheta, që diskutonin për pastrimin e parave në kullat që ndërtohen në Tiranë, duke paguar një përqindje e caktuar te kryeministri dhe kryetari i Bashkisë.

Në këto kushte, pasur parasysh se: i) trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga grupet kriminale shqiptare përbën një shqetësim në rritje dhe të vazhdueshëm për partnerët tanë, që së fundmi konfirmohet edhe nga Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit; ii) grupet kriminale përdorin ekonominë shqiptare dhe veçanërisht sektorin e ndërtimit për pastrimin e parave; iii) eksponentët e krimit të organizuar përfitojnë leje ndërtimi, licenca dhe tendera nga qeveria shqiptare; dhe iv) ekzistojnë fakte, të dhëna, prova dhe indicie të shumta për lidhjet e krimit të organizuar me nivelet më të larta të qeverisë shqiptare; lindin disa pyetje që kërkojnë shpjegime nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, që është njëherazi edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit, si më poshtë:

–  A ka dijeni Kryeministri Edi Rama për takimin e dokumentuar nga Antimafia Italiane të zhvilluar në periudhën 24–31 Janar 2019, në ishullin Aruba, në Karaibe, zyrtarisht territor i Mbretërisë së Hollandës?

–  Kush janë eksponentët e lartë të Qeverisë shqiptare, që kanë marrë pjesë në atë takim dhe a është informuar Kryeministri Edi Rama prej tyre apo shërbimeve të sigurisë kombëtare mbi përmbajtjen e takimit?

–  A ka përfituar shtetasi Artur Shehu, apo persona të lidhur me të, leje ndërtimi; licenca; punë publike; marrëveshje koncesioni apo partneriteti publik-privat; prokurime publike apo fonde publike, nga Qeveria Shqiptare apo institucionet nën varësinë e ekzekutivit?

– A është takuar ndonjeherë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me shtetasin Artur Shtetit, apo ka zhvilluar ndonjëherë takime qeveritare apo elektorale në pronat e paluajtshme në pronësi të këtij shtetasi, që rezulton të jetë një person i skeduar nga disa agjenci ligjzbatuese si drejtues i një organizate ndërkombëtare kriminale të trafikut të drogës?

– Cfarë masash ka marrë Kryeministri, si drejtues i Këshillit të Ministrave, për të parandaluar që krimi i organizuar të ketë ndikim të ndjeshëm në ekonominë shqiptare, apo të mos dëmtojë konkurencën e lirë në treg, sic citon edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit?

Me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me sa më lart, në cilësinë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1, të Kushtetutës dhe nenit 97, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë:

–  Zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me cështjet e sipërcituara dhe me fokus ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe fuqizimin e tij përmes lejeve, licencave apo fondeve publike, që shërbejnë si mekanizëm për pastrimin e parave të pista.

Për sa më lart, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që kërkesën për interpelancë urgjente t’ia njoftojë Kryeministrit Edi Rama dhe ta përfshijë atë si pikë të parë të Rendit të Ditës në seancën më të parë plenare të javës në vijim.

8 MUAJ ME PARE

Debate PS-PD në Konferencën e Kryetarëve

KUVENDI në debat për rregulloren e re! PD kërkon
mbledhja

TIRANË-Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është zhvilluar mes debateve dhe akuzave mes dy palëve. Opozita kërkoi përsëritjen e seancës së 12 shtatorit ku si asnjëherë më parë, plani i qeverisë u miratua në 25 minuta seancë pas u zhvilluar debat.

Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili me deklaratën e tij 'ndezi' diskutimet, ku kërkoi thirrjen urgjente të Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Po ashtu Bardhi ka kundërshtuar ndryshimet e bëra nga mazhoranca në rregulloren e Kuvendit lidhur me raportimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka kundërshtuar sistemin e ri të komisioneve parlamentare, të cilat sipas saj janë hartuar në komisione parësore dhe në dytësore.

Gazment BardhiJu sjell në vëmendje se keni detyrim të thërrisni Këshillin e Legjislacionit për kërkesën e PD-së për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit. Thirrja e Këshillit është detyrim që ju duhet ta respektoni. Kemi sjellë edhe një kërkesë për ripërsëritjen e seancës së 12 shtatorit. Kalimi pa debat, kemi arsyetuar se është në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores. Ju duhet ta përfshini atë kërkesë. Çështja e 3-të. Ne kemi dorëzuar një kërkesë për Mocion me Debat mbi programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Në bazë të Rregullores do duhej që ky mocion me debat të ishte përfshirë në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve. Sot skadon dita e 3-të e afatit siç e parashikon Rregullorja dhe deri tani ne nuk kemi njoftim për mbledhje tjetër. E gjej pa vend dhe në shkelje të Rregullores parashikimin që çështje të ndryshme apo raporte të institucioneve Kushtetuese të kalojnë në dy komisione. Kjo është e pa vend, pasi nuk mund të raportohet në dy komisione. Nuk ka kuptim fjala vjen që Prokurori i Përgjithshëm të raportojë në dy komisione e pastaj edhe në Kuvend. I bie të ketë duble raport për një çështje apo për një institucion. Ju keni bërë ndryshime në disa nene të Rregullores, por keni harruar nenin që e rregullon këtë çështje.

Jorida TabakuRaporti i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk dihet, të kalojë tek Komisioni i Ligjeve. Komision përgjegjës për këto çështje është komsioni i ri, ai i për të Drejtat e Njeriut. Nuk mund të ketë komsione kryesore dhe komisione të dorës së dytë. Po shkelni bazën e Rregullores që vetë e keni ndryshuar dhe vetë e keni miratuar.

Agron Gjekmarkaj: Pavarësisht se vini nga zgjedhjet farse, Kuvendi e ka zgjedhur një kryetar dhe nuk është e nevojshme të zgjedhim një kryetar tjetër për të kontrolluar kryetarin. Nuk doja te flisja, por Balla si letrat ka krijuar një të vërtetë të tij, duke folur për arritje. Në fakt  dje doli një raport i DASH-it. Kuvendi duhet të krijojë hapësirë të flitet për ato çështje themelore që janë ngritur në atë raport. Krim, korrupsion, një realitet i nxirë. Por ju po i ikni të vërtetës duke krijuar realitet fals. I ikët edhe përgjegjësisë për të folur për qeverinë tuaj pasi ju i trembeni transparencës.

Ndërkohë për seancën që kërkon opozita përsëritje, Peleshi tha se pritet të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

Niko Peleshi: Mos përdorni më fjalën tallje apo ndonjë fjalë që nuk i shkon këtij formati. Ke dëgjuar që tallemi? Mbase kemi fjalore të ndryshme. S'çohet njeri këtu për të ardhur dhe për tu tallur me të tjerët. Z. Bardhi, ju dëgjova deri në fund. Së pari të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Do kemi shumë projektligje. Duhet të jemi të vetëdijshëm që puna do jetë e madhe. Me kërkesën tonë janë sjellë projekligje të reja apo të mbartura që ne i kishim rikthyer aty. Duhet të ribëhen nga deputetët në fillim të legjislaturës. Përmendët rregulloren por mendoj se e citoni gabim. Z. Bardhi, unë prap nuk po them që ju po talleni edhe pse ju po qeshni.

Gazment Bardhi: Më fal.

Niko Peleshi: Nuk jemi duke konsumuar shkelje të rregullores. Sa i përket mocionit për kryetarin e kuvendit, brenda javës mblidhet këshilli i legjislscionit. Për seancën qe doni përsëritje, ja kam kaluar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

8 MUAJ ME PARE

Axhendë e ngjeshur e Kuvendit! Mblidhet konferenca e kryetarëve, në mesditë seanca

KUVENDI në debat për rregulloren e re! PD kërkon
seance ne kuvend

TIRANË- Pas ngritjes së komisioneve parlamentare në seancën e javës së kaluar, Kuvendi pritet të ketë një axhendë të ngjeshur edhe këtë javë që sapo ka nisur. Fillimisht në Kryesinë e Kuvendit do të mblidhet konferenca e kryetarëve, ku do të diskutohet mbi axhendën e Kuvendit dhe më pas në orën 13:00 deputetët do të mblidhen në seancë plenare.

Axhenda e konferencës së kryetarëve

 1. Shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 29 shtator – 7 nëntor 2025. 

2. Shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 29 shtator – 17 tetor 2025.  

Urdhëri për seancën plenare

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 29.9.2025, ora 13:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 24.9.2025.

2. Njoftime.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Në sallë pritet të jenë edhe Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka, të cilët u përjashtuan për 10 ditë nga seancat për shkak të kaosit të krijuar më 18 shtator.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB