Numër i lartë i të paraburgosurve/ Rama kërkon ndërhyrje:Të frenojmë fuqinë e pakontrolluar të drejtësisë
TIRANË-Në mbledhjen e grupit paralmentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama ngriti dyshime për mënyrën si po aplikohen masat e sigurisë dhe paraburgimet në disa raste. Kreu i qeverisë theksoi se nëse një pjesë e të arrestuarve dalin të pafajshëm, atëherë dëmi për ta dhe për shtetin mbetet i pakthyeshëm. Ai tha se disa prej tyre kanë përjetuar pasoja psikologjike dhe profesionale, duke shtuar se ka punonjës që kanë braktisur administratën ose refuzojnë të firmosin dokumente nga frika e ndjekjes penale.
Rama theksoi se shumica kanë lënë punën në shtet dhe nuk firmosin asnjë copë letër, nga frika. Ai deklaroi se institucionet e drejtësisë duhet të reflektojnë mbi ndikimin e vendimeve të tyre, ndërsa pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv duhet të kontribuojnë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi pasojat që mund të sjellë përdorimi i pakontrolluar i kompetencave. Rama sqaroi se nuk kërkon që gjyqësori të mbyllë sytë para provave dhe fajit, por për të hapur sytë 4 që faji të mos jetë fati i paracaktuar nga egoja e tyre.
Edi Rama: Cilido që realizuar qëllime të fshehura, nuk është padiksutim i pandëshkueshëm. Po sikur menaxheri i KESH, prej kohësh në arrest shtëpie, por sikur të jetë i pafajshëm, kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes. Po sikur të jenë të vërtetë, për 58 njerëz që sot janë nëpër burgje dhe nuk iu është bërë gjyqi. Çfarë ndodh me ata? Po ka plot e plot të pafajshëm që kanë ngelur me trauma. E di ku janë një pjesë e madhe e tyre?! E kanë lënë punën në shtet, nuk firmosin asnjë copë letër, nga frika. Disa kurohen nga psikologët. Çfarë ka fituar këtu drejtësia, shteti?! Që për hir të së vërtetës kemi burime njerëzore të kufizuara. Këto pyetje duhet t’ua bëjnë vetes njerëzit e drejtësisë. Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv duhet t’i bëjë më te vetëdijshëm për dëmet që mund të shkaktojë, fuqia e tyre nga egoja. Janë për t’u frenuar sa më shumë. Fuqia e tyre e pakontrolluar, nga prindi, vëllai, motra, qytetari brenda tyre. Jo për të mbyllur sytë para provave dhe fajin, por për të hapur sytë 4 që faji të mos jetë fati i paracaktuar nga egoja e tyre. Kur grupi ynë i punës që po punon me ekspertë të drejtësisë së Italisë dhe të Francë, ekspertja e palës franceze tha “Nuk niseni nga liria që mundëson drejtësinë, por nga drejtësia që heq lirinë.
"Refuzova 3 herë dorëheqjen e Ballukut", Rama: Do pres relacionin e Këshillit të Mandateve për të thënë fjalën time!
TIRANË- Kryeminsitri Edi Rama foli për çështjen e Belinda Ballukut, teksa përsëriti sërish se zv.kryeministrja Belinda Balluku i ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. Kryeministri theksoi se, ka qenë ai i cili i ka refuzuar dorëheqjen Ballukut, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme kërkon heqjen e mandati dhe arrestimin e saj.
Sipas Ramës, nuk bëhet fjalë për akuza korrupsioni, por për për pabarazi në tendera. Ai shtoi se Balluku i ka dorëzuar fillimisht dorëheqjen në zyrë që kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe një herë të tretë përmes një shkrese, kur u ripezullua nga mos vendim i Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, Rama theksoi se për këtë çështje do të presë raportin e Këshillit të Mandateve.
"Nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, se do pres raportin e Këshillit të Mandative para se të them edhe unë fjalën time shteruese për temën e imunitetit. Por, dua të ndaj me ju këtu diçka që e kam thënë edhe pa praninë e publikut përmes mediave. Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, qysh në mbrëmjen e ditës që iu ngrit akuza. Jo për korrupsion, se është shumë interesante që ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara për të ndërtuar ato vepra, akuza nuk është për korrupsion. Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri dorëheqjen kur u bë pezullimi, pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç iu kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes. Kam bindjen se në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë drejtësinë.", deklaroi Rama.
/ZËRI
"Jeton me qira"! Rama për hetimet e AKSHI-t, "merr në mbrojtje" Karçanajn: Po sikur të jetë e pafajshme...ç'fiton pastaj shteti?
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së i është rikthyer sërish çështjes së AKSHI-t. Sipas Ramës, çdo zyrtar duhet të prezumohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë dhe se shteti duhet të garantojë lirinë e vendimmarrjes. Kreu i qeverisë shtoi se hetimet janë të nevojshme, por nuk duhet të krijojnë përshtypjen e ndërhyrjes apo ndëshkimit të padrejtë.
"Është masakruar me “bomba artizanale”, tenxhere...ndërkohë që jeton në shtëpi me qira", tha ndër të tjera Rama, referuar drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Larçanaj, e cila ndodhet në arrest shtëpie.
"Për AKSH-in kam folur edhe më parë, edhe për drejtoreshën e saj që ndodhet në arrest shtëpie. Nuk dua të them asnjë fjalë për përmbajtjen e çështjes, por ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenar të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhinierë dhe inxhiniere, që me në krye drejtoreshën kanë punuar pa orar për punë me një vlerë të jashtëzakonshme. Të dyja duhen bërë: edhe hetimi, edhe puna. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe të trajtohen si të pafajshëm deri kur të vërtetohet fajësia e tyre.
Po sikur Linda Karçanaj të jetë krejt e pafajshme dhe jo një kriminele? Dhe si person që është masakruar me “bomba artizanale”, tenxhere më tenxhere, duke i vënë në kurriz vila dhe makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe, siç mora vesh, nuk ka makinë? Çfarë fiton më pas shteti dhe çfarë mesazhi marrin ata që duan të kontribuojnë për këtë shtet? Si ua garanton shteti të gjithëve lirinë dhe të drejtën e marrjes së vendimeve? Cilido që me mendimet e veta realizon qëllimet e veta nuk është i pandëshkueshëm.", është shprehur Rama.
Visualizza questo post su Instagram
/ZËRI
Pezullimi i Ballukut?..."Hapu dhe, o tokë"! Rama: Gjyqësori ndërhyn te pushtetet e tjera
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një 'rreziku' sipas tij, si ajo e ndërhyrjes së legjislativit apo ekzekutivit në drejtësi. Sipas Ramës, pezullimi i një ministri nga gjykata është një ndërhyrje e hapur në pushtetin legjislativ.
Po ashtu, Rama nuk la pa përmendur edhe kërkesën e shoqatës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave duke e cilësuar atë gjithashtu ndërhyrje në kompetencat e pushtetit legjislativ.
“Çfarë është pezullimi i një ministri nga një prokuror e gjykatë, me një vendim pa gjyq të zhvilluar, i panjohur në historinë e botës? Çfarë është, përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq?
Qëkur në historinë me tre pushtete pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave të një vendi? Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në legjislativ, vendimi i Kushtetueses se si Parlamenti ka ndarë komisionet?
Hapu dhe, o tokë! Shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare. S’do të kemi dot një shtet funksional, një administratë që të japë më të mirën e vet pa pasur frikë të marrë vendime, deri në blerjen e letrës higjienike. Ky është fakt dhe është një nga mijëra faktet që mund të jepen. Është një prej fakteve të prodhuara nga frika.
As do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet. Këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara; ne nuk kemi luksin të vonojmë për t’i nxjerrë këto mësime. Janë serioze dhe jo imagjinare. Antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme se vetë korrupsioni; ka mijëra studime për këtë temë.
Qëndrojmë me shpresë dhe besim dhe ushqehemi me shpresë, shumë partizanë të zhgënjyer të drejtësisë. Gjyqtarët kanë arritur maja që habisin edhe ekspertët anglishtfolës të këtij qyteti të reformës në drejtësi, të cilët, kur dëgjojnë që një gjykatës i thotë një prokurori “rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën”, mbeten të habitur.”, është shprehur Rama.
/ZËRI
"Vetëm vetes ka ngel pa i..."/ Rama: Prokurorët e SPAK shpërndajnë fletëthirrje si 'bileta teatri' (VIDEO)
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka hapur mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, teksa nuk i ka kursyer kritikat ndaj prokurorëve. "Ka nisur një lëvizje sportive prokurorësh", është shprehur Rama, teksa kritikon prokurorët duke thënë se po i presin urdhër-arrestet si 'bileta teatri'.
“Historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm. Ka plot të tjerë njerëz të zakonshëm që kanë pasur mundësinë të bëjnë historinë dhe nuk e kanë bërë. Sot rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar e kanë sjellë që ne të jemi me historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe forcën tonë, Shqipëria në BE nuk është një etapë, por histori. Nuk është e lehtë të përqendrohesh kur përtej zhurmës së “bombave artizanale” ka nisur një lëvizje sportive prokurorësh, në garën për mandatin e ardhshëm të SPAK duke prerë fletarreste në tufa për çështje që nuk janë fare penale, apo në rastin më të keq, në botë hetohen në gjendje të lirë. Siç ishte rasti emblematik i Durrësit, ku vetëm prokurori ngeli pa i prerë vetes fletëarrest. Paraqitjet në prokurori i ngjanin biletave të teatrit”, tha Rama.
/ZËRI
"Po sprovohet aftësia jonë udhëheqëse", Rama: Shqipëria rrezikon të qëndrojë në vend numëro! (VIDEO)
TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste (PS) ka nisur mbledhjen, që po drejtohet nga kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti, Edi Rama. Kreu i socialistëve tha se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të ri sa i përket zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe çeljes së kapitujve me BE-në.
Kreu i qeverisë është shprehur se sot po sprovohet aftësia udhëheqëse e mazhorancës, si dhe pjekuria politike e shoqërore.
“Pas një fitoreje historike të zgjedhjeve, çeljes së gjithë kapitujve me Bashkimin Europian në kohë rekord, aq dhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtetbërjes demokratike për Shqipërinë 2030.
Për hir të së vërtetës, unë besoj se duhet të shohim së bashku se jemi në një udhëkryq të ri. Ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, me një rritje që për nga kohëzgjatja e saj është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme. E teksa Shqipëria vijon të shkëlqejë në çdo instancë ndërkombëtare, projektet në hartim e sipër apo në plan për t’u zhvilluar në këtë mandat, janë më të shumta dhe më domethënëse për nga impakti se kurrë më parë, udhëkryqi paraqet disa rreziqe të cilat kërkojnë një kuptim të drejtë, adresim të vendosur dhe disiplinë të fortë nga ana jonë. Çdo vendnumëro për Shqipërinë sot, është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe fuqisë ekonomike nesër!
Sot po sprovohet aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore, kur duhet të ngjitemi ende më lart dhe kur tanimë, diferencën midis pikës ku jemi dhe ku duhet të mbërrijmë, e bëjnë çdo detaj. Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet, gjë që e bëmë, por më e vështirë të ngjitesh lart sot. Çdo hap i ri vjen me një sfidë të re, më komplekse se ajo e mëparshme", theksoi Rama.
/ZËRI
PS mbledh sot grupin dhe kabinetin qeveritar, çështjet që pritet të diskutohen, edhe fati i Ballukut! (AGJENDA E PLOTË)
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste (PS) dhe kabineti qeveritar do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët këtë të enjte, në Pallatin e Brigadave. Mbledhja pritet të nisë në orën 11:00. Sipas agjendës të publikuar një ditë më parë, fjalën hapëse do ta mbajë Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Më pas, mbledhja do të vijojë me raportimet e 10 ministrave për diskasteret që ata drejtojnë, punët dhe projektet në zbatim. Në fund, fjalën e ka kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Agjenda e plotë
-Hapja e Mbledhjes (11:00)
-Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH, Edi Rama
-Raportimi i Ministrave
-Raportet e Ministrave
Diskutime deri në 2 minuta për çdo folës
-Petrit Malaj – Ministri i Financave
-Majlinda Dhuka – Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatore
-Delina Ibrahimaj – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit
-Adea Pirdeni – Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
-Albana Koçiu – Ministrja e Punëve të Brendshme
-Piro Vengu – Ministri i Mbrojtjes
-Evis Sala – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
-Mirela Kumbaro – Ministrja e Arsimit
-Ervin Demo – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor
-Besfort Lamallari – Ministri i Drejtësisë
Përmbyllja
-Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH – Taulant Balla
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë edhe qëndrimi që do të mbajë mazhoranca në seancën plenare të javës së ardhshme lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku. Qëndrimi përfundimtar i socialistëve pritet të vendoset sot, për të kaluar më pas në Kuvend, përballë qëndrimit të opozitës të cilët janë pro lejimit të arrestimit të Ballukut.
Në mbledhjen e 23 shkurtit, të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Partia Demokratike ka deklaruar votën pro dhënies së autorizimit, ndërsa përfaqësuesit socialistë janë shprehur se masa aktuale e pezullimit ndaj saj është e mjaftueshme dhe nuk pengon vijimin e hetimeve.
Në mbledhjen që zgjati rreth 5 orë, ishin të pranishëm kreu i SPAK, Klodian Braho dhe prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan që Ballukut t’i hiqet imuniteti, duke argumentuar se ka intimiduar dhe kërcënuar dëshmitarë dhe se pozita ndaj sa është rënduar duke rrezikuar deri në 35 vite burg. Por, pavarësisht këtyre fakteve të propozuara nga ana e prokurorëve, socialistët dhe demokratët dolën me dy qëndrime të ndryshme.
Ndërsa PD publikoi raportin e saj për çështjen, mazhoranca pritet të dalë sot me një qëndrim zyrtar mbi çështjen e Ballukut.
Të dyja raportet do i kalojnë Kuvendit dhe votimi pritet të bëhet në seancën e 5 marsit. Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI