Daily Mail: Mojtaba Khamenei në gjendje të rëndë, transferohet në Moskë për operacion
TEHERAN- Sipas mediave kuvajtiane të cituara nga gazeta britanike Daily Mail në botimin e saj online, Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i plagosur, është dërguar me urgjencë në Moskë për një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë. Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, pasoi të atin, Ajatollah Ali Khamenei, pas vrasjes së tij më 28 shkurt.
Siç raportohet nga Daily Mail, Khamenei thuhet se ishte në koma në Spitalin Universitar Sina të Teheranit pas sulmit ajror amerikan dhe izraelit që shënjestroi udhëheqjen e Iranit.
Lëndimet e tij bënë të nevojshme transferimin e tij në Rusi për një ndërhyrje kirurgjikale "të ofruar personalisht nga Putini", sipas agjencisë së lajmeve Al-Jarida. Daily Mail gjithashtu vëren se misioni për të shpëtuar Ajatollah-un e ri nga vendi ishte menduar të mbetej sekret dhe përfshinte transferimin e tij në një avion ushtarak rus. Më pas ai u drejtua për në një nga pallatet presidenciale të Putinit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale “të suksesshme”.
Lajmi mbetet i pakonfirmuar, por Al-Jarida pretendon se e ka marrë informacionin nga një “burim i lartë pranë udhëheqësit të ri suprem të Iranit”. Një burim tjetër anonim, i tha gazetës The Sun nëpërmjet mesazheve sekrete të dërguara një disidenti në mërgim që jetonte në Londër se Mojtaba Khamenei ishte plagosur rëndë në sulm dhe i ishin prerë të dyja këmbët.
Siç dihet, të premten, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha gjatë një informimi në Pentagon se "Mojtaba Khamenei është i plagosur, ndoshta është i shpërfytyruar".
"Ne e dimë që udhëheqësi i ri, i ashtuquajtur, jo aq suprem, është i plagosur dhe ndoshta është i shpërfytyruar", tha Hegseth në mënyrë karakteristike. Ai tha se udhëheqësit e Iranit "po fshihen si minj".
"Nuk kishte zë dhe nuk kishte video. Ishte një deklaratë e shkruar", tha ai. "Irani ka shumë kamera dhe shumë regjistrues zëri. Pse një deklaratë e shkruar? Mendoj se e dini pse", vuri në dukje ai, duke komentuar fjalimin e parë të bërë nga Mojtaba Khamenei përmes një teksti të shkruar të lexuar nga televizioni shtetëror iranian./ZËRI
Trump kërcënon me sulme në Harg, Irani godet infrastrukturën energjetike të vendeve të Gjirit
WASHINGTON- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se, edhe pse një pjesë e madhe e ishullit strategjik iranian Harg u shkatërrua nga bombardimet amerikane, ai mund të urdhërojë sulme të tjera ndaj tij. Ndërkohë, shtetet arabe, aleate të SHBA-së në rajon, raportuan për ndërprerje në industrinë e tyre të naftës për shkak të sulmeve hakmarrëse iraniane.
Trump i tha NBC News-it më 14 mars se sulmet amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” pjesën më të madhe të ishullit Harg - i cili ndodhet rreth disa dhjetëra kilometra larg territorit tokësor të Iranit - por shtoi se “mund ta godasim edhe disa herë të tjera thjesht për qejf”.
Menjëherë pas sulmit, Trump tha se forcat amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” objektivat ushtarake iraniane në ishull, por nuk e kishin prekur infrastrukturën e naftës.
Pse ishulli Harg është kyç për eksportet e naftës së Iranit?
Megjithatë, ai kërcënoi se do t’i godasë edhe ato objekte nëse Irani ndërpret trafikun në Ngushticën e Hormuzit.
Zyrtarët iranianë pretenduan se eksportet e naftës bruto vazhdojnë pa ndërprerje nga terminali i Ishullit Harg, pas asaj që Trump e përshkroi si “një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme”.
Sulmi ndaj Ishullit Harg shënoi një zhvillim të madh në konfliktin që filloi më 28 shkurt pas sulmeve në shkallë të gjerë të SHBA-së dhe Izraelit kundër objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane.
Ishulli Harg është pika kryesore e eksportit të naftës së Iranit dhe shërben si terminal për rreth 90 për qind të eksporteve të tij të naftës.
Ai ndodhet rreth 24 kilometra larg bregdetit iranian dhe rreth 480 kilometra në veri të Ngushticës së Hormuzit.
Trump “i habitur”, por jo i gatshëm për marrëveshje
Trump i tha NBC-së se është “i habitur” që Teherani vendosi t’i sulmojë vende e tjera të Lindjes së Mesme si hakmarrje për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit.
Ai gjithashtu pretendoi se Teherani po kërkon të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, por kushtet që ofron Irani nuk përputhen me kërkesat e tij.
“Irani dëshiron të bëjë marrëveshje por unë nuk dua ta bëj, sepse kushtet nuk janë ende mjaftueshëm të mira”, tha ai.
Ai nuk tregoi se cilat kushte kërkon, por shtoi se ato duhet të jenë “shumë të forta” dhe duhet të përfshijnë një zotim që Teherani të heqë dorë nga çdo ambicie bërthamore.
Frika për rritjen e çmimeve
Trump minimizoi shqetësimet e konsumatorëve për koston e energjisë.
“Mendoj se çmimet do të bien edhe më shumë se më parë, dhe unë i parashikova në nivele rekord të ulëta”, tha Trump për çmimet e karburanteve, duke shtuar se ato do të bien shpejt pasi të përfundojë lufta në Iran.
Irani është zotuar ta mbajë të mbyllur ngushticën dhe ka thënë se çmimet e naftës mund të arrijnë në 200 dollarë për fuçi, rreth dyfishin e çmimeve të tanishme, që tashmë janë shumë të larta.
Pasi kishte thënë një ditë më parë se marina amerikane së shpejti do të fillonte të shoqëronte anijet nëpër ngushticë, Trump u duk se u tërhoq nga ajo deklaratë.
“Nuk dua t’ju them asgjë për këtë”, tha ai në intervistë, por shtoi se “është e mundur”.
Në një postim më herët në rrjetet sociale, Trump tha: “Vendet e botës që marrin naftë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për atë ngushticë dhe ne do t’iu ndihmojmë shumë!”
“Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të koordinohen me ato vende që gjithçka të shkojë mirë, shpejt dhe pa probleme”, shtoi ai.
Goditen edhe aleatët rajonalë të SHBA-së
Aleatët rajonalë të Shteteve të Bashkuara raportuan gjithashtu sulme ndaj objekteve të industrisë së naftës, duke rritur edhe më shumë frikën për ndërprerje të mëdha në furnizimin botëror me energji.
Autoritetet në rajonin gjysmautonom të Kurdistanit në Irak thanë se operacionet në rafinerinë Lanaz në qytetin Irbil mbetën të pezulluara në orët e para të 15 marsit, megjithëse zjarri që shpërtheu pas një sulmi me dron u vu nën kontroll.
Irani do të shënjestrojë objektet e kompanive amerikane në rajon nëse objektet e tij energjetike sulmohen, citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, nga televizioni shtetëror, pas sulmeve amerikane në ishullin Harg.
Irani duket se e zbrazi zemërimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke pretenduar se sulmi ndaj ishullit Harg nga forcat amerikane kishte origjinën nga Emiratet.
Një zëdhënës ushtarak iranian paralajmëroi njerëzit në Emiratet e Bashkuara Arabe që të largohen nga portet, doket dhe “strehimoret amerikane”.
Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe mohuan se ushtria amerikane e kishte nisur sulmin nga bazat në vend, por thanë se gëzojnë të drejtën për të ndërmarrë veprime mbrojtëse./REL
Sulm me bomba në Tel Aviv, disa të lënduar në Izrael
TEL AVIV- Disa persona janë plagosur në disa zona në Tel Aviv, pas një serie sulmesh në Izraelin qendror, sipas shërbimeve vendase të emergjencës. Sipas autoriteteve izraelite, tre persona pësuan lëndime të lehta pasi një bombë thërrmuese shpërtheu pranë tyre gjatë një breshërie sulmesh. Bombat thërrmuese janë municione që shpërndajnë një numër të madh bombash të vogla nga një raketë ose predhë artilerie, të cilat hapen në ajër dhe përhapen mbi një zonë të gjerë.
Shërbimi izraelit i emergjencës raportoi gjithashtu për katër persona të plagosur nga sulmet ajrore në disa zona të Izraelit qendror.
Një burrë rreth 60 vjeç ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, pasi u plagos nga copat e xhamit në kokë në zonën e Bnei Brak. Një burrë në të 70-at ka pësuar lëndime të lehta nga shpërthimi në Ramat Gan. Ndërsa dy gra, të moshës 46 dhe 18 vjeç, janë plagosur lehtë pas një shpërthimi në zonën e Petah Tikva./ZËRI
Irani kërcënon Netanyahun: Do ta gjejmë dhe do ta vrasim! (VIDEO)
IRAN- Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme e shkaktuar nga sulmet ajrore izraelite dhe amerikane ndaj Iranit hyn në ditën e saj të 16-të, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit ka deklaruar publikisht qëllimin e saj për të vrarë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit njoftoi nëpërmjet faqes së internetit të medias së lidhur me të, 'Sepha News', se “Nëse ky kriminel që vret fëmijë është ende gjallë, ne do të vazhdojmë ta ndjekim dhe ta vrasim me gjithë fuqinë tonë”.
Teoria e vdekjes së Netanyahut filloi të përhapet pas një video-fjalimi të kryeministrit Netanyahu, i publikuar më 13 mars. Sipas mediave, dyshohet se ishte një video e manipuluar e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, me pretendime se dora e tij e djathtë dukej se kishte gjashtë gishta. Pretendimi është se qeveria izraelite po mbulon mungesën e Netanyahut - i cili supozohet të jetë i vdekur nga sulmi i Iranit - duke përdorur një video të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Visualizza questo post su Instagram
Megjithatë, ekspertët e kanë minimizuar besueshmërinë e teorisë së vdekjes, duke deklaruar se forma e gishtit mund të jetë shtrembëruar përkohësisht për shkak të këndeve të xhirimeve ose ndriçimit./ZËRI
Irani: Mojtaba Khamenei, në gjendje të mirë shëndetësore!
IRAN- Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po mbikëqyr situatën në Republikën Islamike, tha Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Kjo deklaratë vjen si një përpjekje për të shuar zërat mbi gjendjen e tij.
"Udhëheqësi i revolucionit është në shëndet të mirë dhe e kontrollon plotësisht situatën", tha diplomati i lartë iranian në një intervistë me Al Araby Al Jadeed. "Situata në Iran është e qëndrueshme, pa përçarje në institucionet shtetërore apo në ushtri", theksoi ai.
Sipas raportimeve, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur publikisht që nga emërimi i tij më 8 mars. Fjalimi i tij i parë publik u transmetua nga media shtetërore më 12 mars, por u lexua nga një prezantues./ZËRI
"Shkëmbim" sulmesh me Iranin, Izraeli lëshon urdhër të ri evakuimi nga lagjet e Bejrutit
IZRAEL- Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë lëshuar një paralajmërim të ri, duke thënë se kanë zbuluar raketa që po lëshohen nga Irani. Është vala e pestë në harkun kohor prej nëntë orëve. IDF po i inkurajon njerëzit në zonat e prekura të strehohen, raporton BBC.
Izraeli ka paralajmëruar disa lagje në periferitë jugore të kryeqytetit libanez, Bejrutit, që të evakuohen “menjëherë” përpara veprimeve ushtarake izraelite.
Zëdhënësi i IDF Avichay Adraee thotë se paralajmërimi vlen veçanërisht për banorët e Haret Hreik, Ghobeiry, Lilaki, Hadath, Burj al-Barajneh, Tahwitat al-Ghadir dhe Chiyah.
Ai thotë se IDF nuk do të hezitojë të shënjestrojë "këdo që gjendet në afërsi të operativëve të Hezbollahut".
"Po e vini veten dhe jetën tuaj në rrezik... evakuoni menjëherë zonën", shkruan ai në X.
"Mund ta godasim vetëm për qef"! Trump: SHBA nuk është gati për marrëveshje me Iranin
SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump paralajmëroi se nuk është gati të kërkojë një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës me Iranin, ndërsa aleati i SHBA-së, Izraeli, nisi një valë të re sulmesh të dielën dhe Garda Revolucionare e Teheranit kërcënoi të ndjekë dhe vrasë udhëheqësin izraelit.
Në një intervistë telefonike me rrjetin amerikan NBC News të shtunën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Irani dëshironte të arrinte një marrëveshje, por ai nuk ishte i gatshëm ta bënte këtë tani “sepse kushtet nuk janë ende mjaftueshëm të mira”.
Ai konfirmoi gjithashtu se forcat amerikane kanë goditur ishullin Kharg, ku ndodhet një terminal i rëndësishëm i naftës iraniane. Sipas tij, infrastruktura energjetike nuk u shkatërrua plotësisht për të shmangur dëme që do të kërkonin vite për t’u riparuar. “Mund ta godasim edhe disa herë, vetëm për qejf”, u shpreh ai.
Më shumë se dy javë pas fillimit të luftës SHBA-Izrael kundër Republikës Islamike, asnjëra palë nuk po e moderon retorikën e saj pavarësisht numrit në rritje të të vdekurve dhe dëmeve ekonomike nga çmimet në rritje të naftës të shkaktuara nga mbyllja efektive e korridorit detar të Ngushticës së Hormuzit.
“Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje, dhe unë nuk dua ta bëj sepse kushtet nuk janë ende mjaftueshëm të mira”, tha Trump për NBC News, duke paralajmëruar se forcat amerikane do të shtojnë sulmet në bregdetin iranian në veri të ngushticës për të hapur rrugën për rifillimin e dërgesave të naftës.
Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, është zotuar në një deklaratë me shkrim, ta mbajë të mbyllur Hormuzin. Por Trump e hodhi poshtë këtë dhe sugjeroi që armiku i tij mund të mos e ketë fare kontrollin, duke thënë: "Nuk e di nëse është gjallë. Deri më tani, askush nuk ka qenë në gjendje ta tregojë."/ZËRI
ANALIZA/ Nga ndërmjetësuese në spektatore: Roli i Evropës në Iran
Debati në Parlamentin Evropian këtë javë e bëri të qartë një gjë: Evropa nuk arrin dot ta përkthejë në influencë shqetësimin e saj në lidhje me Iranin. Anëtarët e Parlamentit Evropian debatuan rreth mënyrës se si BE duhet t'i përgjigjet sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke zbuluar edhe përçarjet e thella brenda bllokut dhe institucioneve të tij për këtë çështje. Debati i Strasburgut nxori në pah një Evropë të prekur thellësisht nga kriza, por mezi në gjendje të ndikojë tek ajo siç do të donte.
"BE-ja thjesht nuk luan absolutisht asnjë rol të rëndësishëm për momentin", thotë Julien Barnes-Dacey, drejtor i programit MENA në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR). "Evropianët janë të parëndësishëm."
Më parë ndërmjetësuese
BE-ja më parë e konsideronte veten një lojtar kyçe në Iran. Që nga viti 2006, Përfaqësuesi/ja i/e Lartë i/e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë koordinoi bisedimet midis Uashingtonit dhe Teheranit. Ky proces çoi në nënshkrimin në vitin 2015 të Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPOA), Marrëveshjes së Vjenës mbi programin bërthamor iranian, e cila përcaktonte një kufizim të programit bërthamor iranian në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, BE-ja mbeti koordinatore dhe avokatja e saj më e rëndësishme.
Tani spektatore
Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Nën presidencën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, duke i dhënë një goditje të rëndë kuadrit diplomatik që BE-ja kishte punuar kaq shumë për ta krijuar. Megjithatë, humbja e ndikimit të BE-së nuk mund t'i atribuohet vetëm Trumpit, argumenton Barnes-Dacey.
BE-ja e ka lënë pas dore Lindjen e Mesme për vite me radhë, argumenton eksperti. Në të njëjtën kohë, evropianët janë bërë gjithnjë e më pak të rëndësishëm si lojtarë kyç për Uashingtonin dhe Teheranin.
"As SHBA-të dhe as iranianët nuk e shohin Evropën si një ndërmjetës diplomatik serioz dhe të besueshëm", thotë ai për DW.
Maneli Mirkhan, një analiste e lindur në Teheran që jeton në Paris, gjithashtu shprehet, se Evropa e ka humbur influencën e saj. Evropa ka qenë shumë naive për një kohë shumë të gjatë, thotë ajo për DW. BE e përqendruar në diplomaci dhe sanksione nuk ka arritur ta parandalojë Iranin nga zhvillimi i aftësive të tij ushtarake, bërthamore dhe teknologjike.
Problemi i njohur: Europa e ndarë
Mirkhan dhe Barnes-Dacey bien dakord në një pikë: Ndarjet e brendshme të Evropës, problemi ky i hershëm, vetëm sa po i përkeqëson situatën. Një politikë e jashtme e përbashkët ende varet shumë nga arritja e një konsensusi nga shtetet anëtare; por kjo është e vështirë të arrihet në një krizë sigurie që po zhvillohet me shpejtësi.
Spanja ka mbajtur një qëndrim veçanërisht të ashpër, duke i denoncuar sulmet ajrore si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz fillimisht dukej se mbështeste objektivin e SHBA dhe Izraelit për ndryshimin e regjimit, por më pas duket se u tërhoq. Gjermania dhe Franca, si dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila nuk ka qenë anëtare e BE-së që nga viti 2020, tani po bëjnë thirrje për kujdes, dhe i lidhin thirrjet e tyre për përmbajtje me kritikat ndaj Iranit.
Mesazhet nga Brukseli janë gjithashtu të përziera. Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e BE-së, po përpiqet për uljen e shkallëzimit, ndërsa Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen foli për një "tranzicion të besueshëm" dhe "shpresë të re" për popullin iranian.
Shqetësim për marrëdhënien transatlantike
Efektet e kësaj përçarjeje përkeqësohen më tej nga dobësia strategjike e Unionit, sipas Barnes-Dacey. Ai thotë se Evropa e ka përqendruar energjinë e saj gjeopolitike në Ukrainë. BE e shqetësuar për rrezikimin e marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit midis SHBA-së dhe BE-së në dritën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ngurron të kundërshtojë hapur Trumpin për çështjen e Iranit. "Strategjikisht, evropianët vazhdojnë të përqendrohen kryesisht në mbrojtjen e marrëdhënieve transatlantike sepse duan të sigurohen që amerikanët të mbeten në anën e tyre", përfundon Barnes-Dacey.
Një kompromis paradoksal. Lidhur me Ukrainën, BE-ja mbetet një lojtare e domosdoshme, duke koordinuar sanksionet, ndihmën dhe mbështetjen ushtarake. Në lidhje me Iranin, BE-ja është lojtare dytësore. Barnes-Dacey ia atribuon këtë realiteteve dhe prioriteteve gjeografike: ndërsa Ukraina përfaqëson një problem ekzistencial sigurie në fqinjësinë e menjëhershme të Evropës, Lindja e Mesme, pavarësisht rrezikut të dukshëm të përshkallëzimit të konfliktit, ka rënë poshtë në listën e prioriteteve. Kjo zbulon gjithashtu një të vërtetë të pakëndshme: Evropa ende përpiqet të shfrytëzojë peshën e saj ekonomike në mënyrë strategjike.
E margjinalizuar
Fakti që BE-ja e gjen veten në rolin e spektatores nuk do të thotë se mbetet e paprekur nga konflikti. Evropa mund të paguajë një çmim të lartë nëse Irani dobësohet por politikisht mbetet i paprekur, paralajmëron Mirkhan. Një konflikt i zgjatur mund të rrisë më tej çmimet e energjisë, të destabilizojë rajonin dhe të rrisë presionin e migracionit mbi Evropën. "Nëse nuk arrijmë të krijojmë kushte për një tranzicion relativisht të qëndrueshëm, rreziqet për evropianët janë shumë, shumë të larta", thekson Mirkhan.
Roli i ardhshëm
Tek kjo pikë dy ekspertët, Mirkhan dhe Barnes-Dacey kanë qëndrime të ndryshme: Barnes-Dacey ka dyshime serioze se Evropa mund të rifitojë ndonjë ndikim të konsiderueshëm pa ndryshim themelor në vullnetin politik. Mirkhan është më optimiste. Ndërsa Evropa nuk ka më ndonjë ndikim të vërtetë në fazën ushtarake të krizës, ajo mund të luajë ende një rol të rëndësishëm nëse regjimi islamik bie: duke mbështetur grupet e opozitës, duke ndërmjetësuar dialogun midis tyre dhe duke formësuar kornizën demokratike për një tranzicion të mundshëm. Evropa, sipas Mirkhan, duhet të kalojë "nga veprimet deklarative dhe simbolike" në shndërrimin në një "forcë lëvizëse"./DW