“Këneta solli këtu ‘gazin e botës’”, Rama ironizon Bardhin nga Fieri: Shqipëria nuk bëhet duke shkuar pas një plaku të rrjedhur

FIER- Kryeministri Edi Rama përmbylli fushatën e tij zgjedhore në Fier. Gjatë fjalës së tij, ai ironizoi edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën edhe drejtuesin demokrat të këtij qarku, Gazmet Bardhin. Rama u shpreh se Shqipëria nuk do të bëhet “gazi i botës”, duke shkuar pas një plaku të rrjedhur.
“Këneta këtu ka zgjedhur të sjellë për të përfaqësuar Fierin në parlament dikë që jo nuk e meriton besimin e këtij qytetit, jo nuk e meriton besimin e asnjë qyteti dhe fshati, asnjë demokrati të zakonshëm në Fier, por nuk meriton asnjë respekt nga ky qytet dhe qark. Dikë që është vetëm Gazi i botës. Nuk mund të jetë Fieri i demokratëve i përfaqësuar nga gazi i botës. Nuk mund të jetë i ndarë mes Shqipërisë në Be 2030 me gazin e botës. Nuk mund të bëhet Shqipëria gazi i botës duke shkuar pas një plaku të rrjedhur, pas një politikani të lashtë të pashpresë që ka marrë peng opozitën për interesin e tij”, tha Rama./ZËRI
Berisha nga Elbasani: Më 11 Maj do çlirohemi nga ky regjim ku ligjin e bëjnë bandat

ELBASAN- Kryedemokrati Sali Berisha ka përmbyllur fushatën elektorale në qytetin e Elbasanit. Gjatë takimit të tij, ai prezantoi programin e tij në Elbasan, ku u shpreh se do të çlirojë vendin nga regjimi i bandave. Berisha u shpreh se prej vitit 2013, qyteti është nën pushtetin e bandave. Më tej, ai shtoi se deri më tani janë larguar 45% e shqiptarëve janë larguar nga vendi si pasojë e keqqeverisjes
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qytetare dhe qytetarë të Elbasanit, përulem me mirënjohjen më të pakufishme para jush, qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti që ka rrezatuar dhe rrezaton dritë, mirësi dhe virtyte në Shqipëri dhe mbarë kombin shqiptar. U sjell përshëndetjet më të përzemërta nga qytetarët e Korçës, të cilët sot në sheshin e tyre furmosën fitoren historike të 11 Majit, triumfin e virtytit, moralit, guximit, besimit të qytetarëve shqiptarë mbi një të keqe të pamerituar që ata përjetuan 12 vite me radhë. Miqtë e mi, ne shqiptarët jemi të vetmit që pasi u çliruam me guximin tonë nga diktatura më e egër staliniste, 30 vite më vonë ramë në një regjim në të cilin ligjin e bëjnë bandat, e bën qeveria e lidhur me bandat.
Në të cilin qytetarët e mirë të Elbasanit, kurrë mos harroni, ai që erdhi në pushtet në vitin 2013, ai kalonte nga një ekran në tjetër me hekura në dorë, u tregonte qytetarëve hekurat duke treguar se është i biri shpirtëror i Enver Hoxhës, është pasardhës biologjik i Spiro Kolekës, njeriut që do thërriste për tanke dhe mitraloza kundër nesh në vitin 1990. Miq, 12 vite në Shqipëri u ndërtua një regjim, i cili jo me hiperkolektivizim, jo me konfiskime, por me mekanizma të tjerë i varfëroi shqiptarët në atë shkallë varfërie sa asnjë prej kombeve të tjera përreth. Në vitin 2013, ne nuk ishim të mëkëmbur, por qytetarët e Elbasanit, pensionistët e Elbasanit dhe të Shqipërisë, paguheshin më mirë se të gjithë qytetarët e rajonit.
Në vitin 2013, njerëzit lëviznin lirshëm, por përsëri shqiptarët në Shqipëri dhe Elbasan, shtoheshin çdo vit e më shumë. Në vitin 2013, ndodhi rotacioni i pushtetit, një akt madhor në demokracinë e çdo vendi. Por u zgjodh pas këtij viti që Shqipëria të mbulohej me drogë dhe krim.
Pas këtij viti pensionet dhe rrogat u ngrinë. Sofra u pakësua. Nuk ushqente më të gjithë anëtarët e familjes. Vendet e punës filluan të shkatërrohen. Fëmijët, të rinjtë u detyruan të marrin rrugët e dheut. Ligjin e morën në dorë bandat dhe banditët. Miq, ligji, i cili duhet të garantojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, pronën e tyre, u mor në dorë nga ministra, kryeministri dhe bandat e tjera dhe u përdor kundër qytetarëve.
Varfëria u rrit nga viti në vit. Çmimet kapën stratosferën. Dhe ne e gjetëm veten përsëri më të keqpaguarit njerëz të rajonit. E gjetëm veten me çmimet më të larta në rajon dhe në botë. Me mijëra biznese u mbyllën. Me mijëra ferma falimentuan.
Në 10 vite, sa asnjë komb tjetër në Europë dhe botë, 45 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Pra, ndodhi një rrokullisje që nuk e kishim njohur kurrë në histori. Por është në meritën tuaj, në guximin tuaj, në atdhedashurinë tuaj, qytetarë të Elbasanit dhe Shqipërisë, që rikthyet shpresën këtë pranverë. Që e shndërruat këtë pranverë në pranverën e shpresës, besimit dhe fitores. Ndaj dhe unë kam mirënjohje të pakufishme ndaj jush. Ndaj dhe unë jam sot para jush për t’u dhënë fjalën, për t’u zotuar në mënyrë më solemne se në 100 ditë dhe vetëm në 100 ditë do të nxjerrim jashtë çdo vatre shqiptare varfërinë e skajshme. Do përjashtojmë mjerimin nga Shqipëria.
Se në 100 ditë, çdo pensionist që sot merr një pension në 172 lekë dhe janë rreth 560 mijë, do marrë një pension 200 euro. Se çdo rrogëulët do marrë një rrogë jo më pak se 500 euro. Se çdo pensionist dhe rrogëulët do marrë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët. Se çdo qytetar shqiptar do paguajë energjinë me 7 lekë. Se çdo qytetar shqiptar do ketë një ulje të çmimit të naftës me të paktën 40 përqind. Ndaj jam sot këtu në këtë shesh për një zotim solemn se në 100 ditë, çdo biznesmen i Elbasanit do e paguajë energjinë tre herë më lirë, nga 18 në 6 lekë. Jam këtu për t’u dhënë fjalën bizneseve të vogla se kurrë bashkitë nuk do tatojnë më shumë se 1 përqind të xhiros. Se sipërfaqja publike do pjesëtohet me 5 herë tarifa e saj. Do përgjysmohet çmimi i ujit për to. Do rritet tavani në 180 mijë euro për tatim fitimin dhe TVSH-në.
TVSH-ja do ulet në 15 përqind. Çdo biznes që paguan tatim fitim, do e paguajë vetëm 10 përqind. 13 përqind më pak pra. Çdo rrogëtar që paguan tatim fitimin mbi të ardhurat 23 përqind, do paguajë 10 përqind dhe do ketë një rritje imediate të rrogës me 13 përqind”, tha Berisha./ZËRI
Socialisti Erion Braçe “kthehet” në demokrat...sa për një foto!

TIRANË- Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit është e ashpër. Të gjithë luftojnë për vota, jo vetëm që të marrin terrenin e kundërshtarit, por edhe brenda llojit. E kundërta duket se ka ndodhur me kandidatin e Partisë Socialiste në listën e hapur të Tiranës, Erion Braçe. "Veterani" socialist ka gjetur në njësinë ku ai po bën fushatë kolegen e tij, Jorida Tabaku.
Kështu nuk ka ngurruar që të pozojë krah posterit të saj bashkë me ministren për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimajn. Të dy, të buzëqeshur dhe me dy gishtat lart kanë "përshëndetur" kolegen e tyre demokrate që nuk e ka të sigurt karrigen e deputetes në legjislaturën e ardhshme, pasi është e vendosur në listën e hapur të kryeqytetit. Ndoshta "kjo reklamë" e kolegëve do ta ndihmë për të marrë edhe më shumë vota.
Tek e fundit të dy kanë marrëdhënie të ndërsjelltë respekti. Kjo pasi në çdo dalje të tyren televizive si Tabaku, edhe Braçe, nuk e kanë kursyer shprehjen e konsideratës për njëri-tjetrin. Edhe pse të dy kanë pasur jo pak herë përplasje në Komisionin e Ekonomisë./ZËRI
Më 11 maj do votojnë edhe qytetarët me dokumente të skaduara, shtyhet afati i vlefshmërisë

TIRANË-Të gjithë zgjedhësit brenda territorit shqiptar që kanë dokumente identifikimi të skaduara do mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan dy akte shumë të rëndësishme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025 – shtyhet deri në datën 31 maj 2025. Nga një analizë e të dhënave, rezulton se janë një numër i konsiderueshëm shtetasish me të drejtë vote, të cilëve u ka kaluar apo u skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportave biometrike deri në 11 Maj.
Në janar 2025, KQZ iu drejtua qeverisë nëpërmjet një kërkese lidhur me problemin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në Shkurt 2025 u miratuan Aktet Normative, që kishin të bënin me shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve për shtetasit shqiptarë në diasporë.
Ministria e Brendshme në bashkëpunim me KQZ, institucionet e varësisë, si Shërbimi i Gjendjes Civile, apo agjencitë e tjera, kanë ndërmarrë të gjitha masat në përmbushje të detyrimeve ligjore, për të siguruar që procesi zgjedhor i 11 Majit të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa për qytetarët tanë jashtë dhe brenda kufijve. Sipas ministrisë së Brendshme janë marrë ndërkohë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor nga pikëpamja e sigurisë. Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar për të përballuar me sukses procesin para, gjatë dhe pas mbylljes së votimit, duke zbatuar me korrektësi ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor./ZËRI
'Ditët po shkurtohen”, Rama thirrje emigrantëve: Mos prisni që të vijnë t’ia u marrin, çojini vetë zarfat

TIRANË-Kryeministri Edi Rama iu ka bërë sërish thirrje emigrantëve që të dorëzojnë vetë në pikat zarfet me fletët e votimit pasi ditët po shkurtohen. Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale Rama shprehu dhe shqetësim për numrin e madh të zarfeve të pa dorëzuara, veçanërisht në Greqi, ku konfuzioni i shkaktuar nga kompania shpërndarëse ka ndikuar negativisht.
Edi Rama: Jam duke u nisur ne Fushë-Krujë, por ndërkohë po shikoj të dhënat e zarfeve të dorëzuar në KQZ. Jemi në një situatë ku është vërtetë inkurajuese pjesëmarrja e lartë në krahasim më një sërë vendesh të tjera. Por si hera e parë duhet të jetë shumë më e lartë besoj unë. Dhe kështu do ju thosha shqiptarëve të Italisë që janë në krye më 74%, forca se janë edhe 21 mijë zarfa pa u dorëzuar. Do iu thoja shqiptarëve të Greqisë, që janë më mbrapa të gjithëve, jo për fajin e tyre, por nga konfuzioni që shkaktoi kompania që shpërndan zarfet. Forca, forca, forca se janë dhe 36 mijë zarfe të pa dorëzuar, por ka akoma kohë dhe mos pritni që të vijnë t’ia u marrin zarfet, por çojini në pikën përkatëse të DHL-së. Nga Gjermani 72%, por janë ende 7 mijë të pa dorëzuar. Amerika shumë mbresëlënëse, 70%, por janë ende 5500 të pa dorëzuar. Britania pak më e ulët me 59%, më 7 mijë të pa dorëzuara dhe të tjerat në total kanë një shifër 88%. Rezultojnë të jenë 15 mijë të dorëzuar nga 17 mijë të shpërndara, por janë edhe 1300 e ca që janë në duar e njerëzve ende. Ndaj ju lutem të ecim sa më shpejt, sepse është një mundësi historike dhe do të ishte vërtetë gjynah që pasi keni bërë mundimin për regjistrim, të mos bënë mundimin për dorëzimin. Deri tani jemi në 65%, fluksi vazhdon të jetë i lartë, por ditët po shkurtohen. Deri të premten gjithçka duhet të jetë përfunduar, kështu që forca, forca, forca për Shqipërinë në BE dhe pasaportën europiane të të gjithë shqiptarëve, por kryesisht për statusin e ri të shqiptarëve në botë, duke qenë status i barabartë me qytetarët europianë.
Zgjedhjet 2025/ Krimet Zgjedhore, Prokuroria e Përgjithshme: Në total janë regjistruar 44 kallëzime penale

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme njofton regjistrimin e 44 kallëzimeve penale që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore për disa vepra penale që parashikon Kodi Zgjedhor. Nga të gjitha kallëzimet, 9 pre tyre janë bërë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, 19 prej Policisë Gjyqësore dhe të tjera nga qytetarët apo të denoncuara nga partitë politike. Organi qendror i akuzës shpjegon edhe hartën e shpërndarjes së këtyre denoncimeve dhe regjistrimeve penale. Më shumë kallëzime ka në Dibër, e ndjekur nga Tirana dhe nga Fieri. Ndërsa duket se situata është e qetë në Berat, ku nuk ka asnjë kallëzim të bërë.
“5 kallëzime janë regjistruar në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 2 në Prokurorinë Durrës, 7 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 3 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan,”-shkruhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Informacion mbi numrin e kallëzimeve dhe procedimeve penale të regjistruara në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve
Në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm deri më 07.05.2025, janë regjistruar në total 44 kallëzime penale në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal. Burimet e njoftimit të veprave penale për kallëzimet e mësipërme, kanë qënë: policia gjyqësore në 19 raste; SPAK në 9 raste; subjekte politike në 6 raste; të nisura kryesisht në 8 raste dhe shtetas në 2 raste. Nga raportimet e bëra në Prokurorinë e Përgjithshme rezulton se kallëzimet e mësipërme janë regjistruar 5 në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 2 në Prokurorinë Durrës, 7 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 3 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan.
Nga kallëzimet e kryera janë regjistruar gjithësej 20 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal si më poshtë:
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier janë regjistruar gjithesej 5 procedime, 2 procedime për veprën penale të parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a të Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a, paragrafi 4 i Kodit Penal dhe 1 procedim për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër janë regjistruar 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 326/1 dhe 329/1 të Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan janë regjistruar në total 4 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a, 248, 332/a, 134/1 dhe 287/b të Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është regjistruar 1 procedim për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër është regjistruar 1 procedim për veprat penale të prashikuara nga nenet 237/5 dhe 328/a, paragrafi 4 të Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër janë regjistruar 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 328/b të Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë janë regjistruar 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 325 dhe 326/a të Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës është regjistruar 1 procedim për veprën penale të prashikuara nga neni 328/a i Kodit Penal;
- Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë është regjistruar 1 procedim për veprën penale të prashikuar nga nenet 328/a i Kodit Penal; dhe
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë është regjistruar 1 procedim për veprën penale të prashikuar nga nenet 328/a i Kodit Penal. Ndërkohë i janë dërguar për kompetencë SPAK 1 kallëzim nga Prokuroria Durrës dhe një procedim penal nga Prokuroria Fier. Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi.
Ndërkohë numërimi mbrapsht ka filluar dhe forcat politike kanë deh dy ditë kohë të kapin objektivat e tyre për 11 majin. Partia Demokratike ka njoftuar e para se do të mbyllë fushatën elektorale ditën e premte më 9 Maj në orën 19:00 në Bulevaridin e Ri. Partia Socialiste po ashtu ka njoftuar mbylljen e fushatës në Tiranë, po në orën 19:00 pranë Parkut Olimpik./ZËRI
Emigrantët e Greqisë nuk votojnë! Balla shkon në Selanik: Mbi 25,000 zarfa s'janë nisur për Shqipëri

TIRANË- Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka përcjellë një mesazh për demokratët nga Selaniku. Në një deklaratë nga një seli e DHL-së, Balla u kërkoi emigrantëve shqiptarë që të shkonin dhe të merrnin zarfin e dërguar në shtetin fqinjë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zyrat e postës.
“Ka ende prej jush që nuk e kanë tërhequr ende fletën e votimit. Janë rreth 8,000, siç njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që duhet të paraqiten menjëherë pranë zyrave të DHL këtu në Selanik, Athinë apo dhe në ishuj, te nënkontraktorët e DHL-së për ta tërhequr,”-tha ndër të tjera Balla.
Po ashtu, sipas Ballës, edhe më shqetësues është numri i shqiptarëve që e kanë marrë zarfin, por nuk e kanë nisur për në Shqipëri. Kjo shifër është shumë herë më e madhe, gati 25 mijë.
“Është një numër i madh, diku te 25,000 prej jush, që e kanë tërhequr zarfin me fletën e votimit, por nuk e kanë kthyer ende. Prandaj është shumë e rëndësishme që ta kryeni këtë veprim brenda orëve të mbetura, deri ditën e shtunë për Selanikun, Patrën, Athinën, qytetet e mëdha dhe deri të premten për qytetet më të vogla apo zonat rurale,”-u shpreh Balla.
Të gjithë zarfet në vende të tjera të botës, përveç Greqisë, që nuk janë tërhequr apo shpërndarë deri të enjten e 8 majit, do të kthehen në Shqipëri. Ata që e kanë marrë zarfin, kanë kohë deri të shtunën në darkë për të nisur zarfin në Shqipëri. Gjithsej nga 245,935 zarfa të dërguar jashtë vendit tonë, janë kthyer vetëm pak më shumë se 155 mijë./ZËRI
Ambasada e SHBA mesazh-qytetarëve: Votoni pa frikë!

TIRANË- Ambasada amerikane në Shqipëri ka përçuar një mesazh për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane i kërkon shqiptarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar pa pasur frikë. Teksa na ndajnë 4 ditë nga zgjedhjet parlamentare 2025, mesazhi i Ambasadës është për të gjithë.
“Mos lejo të tjerët të flasin për ty. Vota jote është vetëm e jotja. Voto pa frikë!,”- ky është mesazhi i Ambasadës amerikane.
Ndërkohë numërimi mbrapsht ka filluar dhe forcat politike kanë deh dy ditë kohë të kapin objektivat e tyre për 11 majin. Partia Demokratike ka njoftuar e para se do të mbyllë fushatën elektorale ditën e premte më 9 Maj në orën 19:00 në Bulevaridin e Ri. Partia Socialiste po ashtu ka njoftuar mbylljen e fushatës në Tiranë, po në orën 19:00 pranë Parkut Olimpik./ZËRI
Sa shpenzoi secili kandidat në META-TABELAT/ PD kap kreun, Jorida Tabaku ndryshon strategji, Agron Shehaj vijon ritmin

TIRANË- Java e fundit e fushatës duke se ka sjellë edhe disa ndryshime në mënyrën se si partitë politike dhe kandidatët po bëjnë fushatë në rrjetet sociale.
Skyweb.al bëri një pasqyrë të shpenzimeve javën e kaluar, ndërkohë që të dhënat ndryshojnë këtë javë, ku Partia Demokratike ka nisur të shpenzojë shuma të mëdha parash për të çuar mesazhin e saj te qytetarët përmes platformës META.
PD është duke shpenzuar mesatarisht nga 2 200 deri në 2 500 dollarë në ditë gjatë javës së fundit (28 prill – 04 maj), sipas të dhënave zyrtare të rifreskuara sëfundmi nga platforma META që ka konsultuar skyweb.al. Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj renditet i dyti gjatë kësaj jave duke shpenzuar rreth 5 900 dollarë, ndërsa është ngjitur ndjeshëm Pëllumb Seferi i Koalicionit Euroatlantik me 4 500 dollarë të shpenzuara gjatë javës së fundit.
Ndërkohë, vërehet një ndryshim në strategji për Jorida Tabakun, e cila javën e shkuar renditej në vend të dytë.
Zonja Tabaku ka hequr disi dorë nga reklama në META dhe është fokusuar në intervista të paguar në studiot më të rëndësishme në vend si edhe banera nëpër portale.
Skyweb.al ka paraqitur në grafikë shpenzimet sipas kandidatëve si edhe sa është shpenzuar vetëm gjatë një ditë sipas qarqeve të vendit, ku vërehet se ka “betejë” në Elbasan, Durrës dhe Vlorë./Skyweb
Aleat i Berishës, por kundër Belerit! Idrizi: Do turpëronte çdokënd, nëse do e kishte kandidatin e tij

TIRANË-Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi komentoi praninë e eurodeputetit Fredi Beleri, në takimet e zhvilluar nga Sali Berisha në Himarë apo dhe Greqi.
Për kreun e PDIU, Fredi Beleri do të turpëronte çdo parti politike shqiptare që ta kishte për kandidat, teksa nuk e cilësoi veten në një “çadër” me të, ndonëse është pjesë e koalicion PD dhe ASHM.
“Nuk kam ndërruar dhe nuk do të ndërroj mendim për ato që kam thënë. Fredi Beleri do të turpëronte çdo parti politike shqiptare që ta kishte për kandidat, sot e kemi eurodeputet. Nuk i kam hyrë faktit nëse ishte e drejtë apo jo për ato 7 vota. Është i dënuar për poshtërimin e republikës së Shqipërisë. Është recidivist dhe më tregon Epirin dhe Çamërinë. Ai flet me terma irredentistë. Ajo është zgjidhje e Berishës, por unë nuk jam në një çadër me Fredi Belerin. Po unë nuk mund t’i jap kënaqësinë dikujt që ta nxjerrë çështjen çame jashtë parlamentit”, tha Idrizi në 'Debat'.
Beteja për Elbasanin, "faktori çam", roli i Aqif Rakipit dhe telashi i numrit të mandateve çift

TIRANË-Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vitit 2021 në Qarkun e Elbasanit me rezultatin në mandate 8 me 6 dhe me tepricë votash për tetë mandate. Kësaj here, objektivi i tyre i deklaruar është mandati i nëntë, por për ta realizuar këtë do të nevojitet të kthejnë edhe disa mijëra votues të opozitës në anën e vet ose të shtojnë 7 mijë vota nga rezultati i vitit 2021. Kjo natyrisht që është e vështirë dhe, nëse merret parasysh fakti që rezultati i zgjedhjeve të kaluara për socialistët u ndihmua në një masë të konsiderueshme nga “faktori çam”, një strukturë politikanësh vendorë që më parë kanë qenë mbështetës të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe që tashmë prej vitesh mbështesin socialistët, mbetet e paqartë se sa do të jenë në gjendje të ndikojnë këto elementë këtë herë.
“Faktori Çam” u shfaq në qarkun Elbasan fillimisht në vitin 2013, kur Aqif Rakipi u zgjodh deputet në emër të PDIU, në aleancë me Partinë Demokratike. Në këto zgjedhje PDIU mori në Elbasan 12 mijë vota si pjesë e koalicionit të PD-së. PDIU ndryshoi krah menjëherë pas zgjedhjeve duke hyrë në aleancë me Partinë Socialiste e cila i përdori disa nga deputetët e saj si balancë ndaj presionit të LSI, duke qenë se nuk e dispononte shumicën e thjeshtë. Kur PS vendosi të garojë më vete në vitin 2017, PDIU garoi gjithashtu më vete, por struktura e saj e Elbasanit, nën drejtimin e Rakipit, punoi efektivisht për llogari të vetën dhe arriti, në një ndryshim dramatik të hartës elektorale, të fitojë 29 mijë vota në qarkun Elbasan dhe dy mandate. Mandatet e fituara mbështetën qeverisjen e Edi Ramës, ndërsa Rakipi e humbi mandatin e deputetit në vitin 2018 për mosdeklarim të një problemi me drejtësinë italiane në formularin e dekriminalizimit.
Në zgjedhjet e vitit 2021, struktura e PDIU në Elbasan u integrua tërësisht te Partia Socialiste, me të birin e Rakipit, Ornaldo, deputet me votë pëlqyese dhe me thyes të herësit në Tiranë dhe me Saimir Hasallën, një i afërm i Rakipit, deputet në Elbasan.
Në total, socialistët arritën të fitojnë në Elbasan 55% të votave në zgjedhjet e vitit 2021, me një rritje mbresëlënëse prej gati 14 mijë votash në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017. Vetë Hasalla, pavarësisht se garonte në listë të sigurt, mori 11,500 vota pëlqyese, duke demonstruar efikasitetin e makinerisë elektorale në fjalë në Elbasan.
Në përgjithësi Qarku i Elbasanit ka qenë mbështetës i së majtës. Edhe në zgjedhjet e vitit 2005, kur votuesit në Tiranë dhe Durrës dhanë fitoret kyçe në zgjedhjet maxhoritare që sollën Partinë Demokratike në pushtet, në Elbasan rezultati qe më i larmishëm, me më shumë mandate të fituara nga PS, veçanërisht në Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Cërrik e Belsh si dhe në vetë qytetin e Elbasanit.
Telashi për socialistët është që Elbasani ka numër mandatesh çift, gjë që favorizon barazimin përveçse me sforco të stërmëdha. Në zgjedhjet e vitit 2009, koalicioni i PS-së fitoi në qark 48% të votave kundrejt 45% të koalicionit të PD-së dhe megjithatë, rezultati final në mandate ishte 7 me 7. Në zgjedhjet e vitit 2013, koalicioni i majtë fitoi tetë mandate, por dy u fituan nga LSI ndërsa vetë PS ra në 6. Dhe në vitin 2017, PS fitoi 7 mandate pavarësisht se PD ra në 21% të votave ndërsa dy mandate u fituan nga LSI dhe 2 nga PDIU. Fitorja e 29 mijë votave nga PDIU, përfshiu, mes të tjerave, fitoren e pabesueshme në deri 70% në zona të caktuara si Peqini. Në zgjedhjet e vitit 2021, LSI ra në zero mandate, PD u rrit në 6 ndërsa PS u rrit në 8. LSI dhe PD bashkë morën 41% të votave kundrejt 55% të socialistëve. Edhe sikur të kishin garuar bashkë, sërish rezultati do të ishte 8 me 6 për PS.
Profili demografik e social
Qarku i Elbasanit është një nga qarqet më të varfra në vend dhe shtrihet në një zonë të gjerë në Shqipërinë qendrore, përgjithësisht përgjatë Lumit Shkumbin dhe lumit Devoll dhe disa luginave të thella të përrenjve malorë që derdhen në Shkumbin. Pjesa më e madhe e territorit është malor, me zonën e Belshit dhe Cërrikut të mbuluar nga kodra të buta dhe me luginën e Lumit Shkumbin si dhe fushat e Cërrikut buzë lumit Devoll përbëjnë burimet bujqësore të zonës.
Qyteti i Elbasanit u zhvillua në kohën e komunizmit si qendër e industrisë së rëndë metalurgjike dhe si nyje e rrjetit elektroenergjetik kombëtar ndërsa falimentimi apo tkurrja e pjesës më të madhe të kësaj industrie la pas ndotje, papunësi dhe varfëri të madhe. Qytezat e Gramshit dhe Cërrikut u zhvilluan gjithashtu si qendra të industrisë, e para, të armatimeve dhe e dyta të përpunimit të hidrokarbureve dhe të aviacionit ushtarak.
Popullsia banuese e qarkut ka rënë në mënyrë dramatike nga 363 mijë vetë në vitin 2001 në 233 mijë në vitin 2023, me shkallë rënieje 35%. Rreth 55% e popullsisë vijon të jetojë në zonat rurale. Popullsia e qytetit të Elbasanit ka rënë nga 79 mijë në vitin 2011 në 67 mijë në vitin 2023.
Industria e çelikut dhe pasurimi i kromit përbëjnë bazën industriale të qarkut ndërsa drufrutorët dhe turizmi i natyrës kanë filluar të zhvillohen gjatë viteve të fundit, veçanërisht në zonën piktoreske të Belshit, ku disa qindra liqene të vegjël zbukurojnë panoramën e përbërë nga kodra të buta, vreshta dhe ullinj.
Kandidatët
Tomorr Alizoti nga PD dhe Edmond Haxhinasto nga Partia e Lirisë, (ish-LSI), udhëheqin listën e mbyllur të Koalicionit Shqipëria Madhështore. Klodiana Çapja dhe Blendi Himçi, pedagogë në Universitetin e Elbasanit, dhe Aurel Bylykbashi, deputet, mbyllin listën e mbyllur për opozitën.
Ministrat Arbjan Mazniku dhe Bora Muzhaqi, ish-ministrja Evis Kushi, si dhe drejtorët Ermal Elezi, Adi Qose zënë listën e mbyllur të socialistëve.
Gara për pozicionet e mbetura për të dy palët është e ngjeshur. Ish-drejtori i LSI Dashamir Xhika garon për opozitën bashkë me ish-drejtorin Dritan Sejko nga PDIU.
Luan Duzha, ish-deputeti i Partisë Republikane zgjedhur në koalicionin e PD-së në vitin 2013, i cili u ble fillimisht nga Meta dhe pastaj nga Rama, garon aktualisht për socialistët pasi nuk arriti të zgjidhet në vitin 2021. Saimir Hasalla, deputeti aktual dhe i afërm i Aqif Rakipit kësaj here duhet të luftojë nga listat e hapura. Edhe disa drejtorë të tjerë të shtetit janë në garë për të kapur mandate./BIRN
PD shkresë në KQZ: Audit për votën e diasporës në Greqi, SPAK të hetojë, PS e përfshirë!

TIRANË-Partia Demokratike në një kërkesë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka kërkuar që të bëhet një audit, duke argumentuar se rrezikohet integriteti i procesit zgjedhor në diasporë, kryesisht në Greqi.
PD thotë se shkeljet më të rënda janë regjistruar në Greqi, ku jeton pjesa më e madhe e emigrantëve, por probleme serioze janë verifikuar edhe në Itali, Gjermani, SHBA, mbritani dhe vende të tjera të BE. Sipas opozitës, shkeljet e konstatuara janë dërgesa të parregullta të zarfeve, dy fletë votimi në një zarf, mungesë udhëzimi për votuesit, presion politik dhe blerje votash, vonesa ose mosdorëzimi i zarfeve, mbledhje e paligjshme e votave.


PD kërkon një audit të menjëhershëm ndërkombëtar të logjistikës së transportit dhe dorëzimit të zarfeve nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas, kërkon gjithashtu rishikim për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar me zarf të pavulosur apo të paplotë si edhe hetim penal nga SPAK për blerje votash dhe përfshirje të PS në shpërndarje votash.
Një ditë më parë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi parashtroi të gjitha problematikat e hasura deri tani me procesin e shpërndarjes së zarfeve me votat e diasporës, shqetësimet dhe hapat e ndjekura, sidomos çështja e Greqisë, që mbetet edhe problematika kryesore. Celibashi sugjeroi që zgjedhësit shqiptarë në Greqi të shkonin vetë pranë zyrave të DHL-së dhe të interesoheshin për zarfin dhe ta dërgonin atë në Tiranë./ZËRI
PD mbyll fushatën më 9 maj! Berisha: Të gjithë në Bulevardin e Ri

TIRANË-Teksa katër ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 11 Majit, Partia Demokratike ka njoftuar se do të mbyllë fushatën elektorale ditën e premte. Kreu i PD, Sali Berisha ka ftuar qytetarët t’i bashkohen në orën 19:00 më 9 maj në Bulevaridin e Ri, tek ish-Stacioni i Trenit.
Sali Berisha: Të gjithë bashkë për një “Shqipëri Madhështore”. Më 9 maj në ora 19:00 në Bulevardin e Ri, përmbyllim një rrugëtim, nisim një mision.
View this post on Instagram
Fushatë në burgun e Fushë-Krujës! I burgosuri: Drejtori presion të dënuarve për të votuar kandidatin e PS

FUSHË KRUJË-Një i burgosur nga burgu i Fushë-Krujës ka denoncuar një rast presioni ndaj të burgosurve për të votuar për kandidatin e Partisë Socialiste, Arkend Ballën, në zgjedhjet e ardhshme. Në një mesazh për JOQ, ai akuzon drejtorin e burgut, Apostol Luca, se po ushtron presione në këmbim të votës.
Sipas ti jdisa ditë para zgjedhjeve, të burgosurve do t’u jepen urdhra se cilin kandidat do të votojnë, dhe ata janë të detyruar t’i ndjekin këto urdhra ose përballen me pasoja të rënda. Në mesazhin e tij i burgosuri thekson se nuk ka pasur asnjë mbështetje nga autoritetet shtetërore, dhe pyet se si mund të ketë shtet dhe sistem drejtësie kur kjo po ndodh nën hundën e institucioneve të vendit.
“Pershendetje. Jam nji i burgosur ktu ne burgun e Fushe Krujes. Neve qe jemi te burgosur na bejn presion per te votu kandidatin e PS e kto presione vijn nga drejtori burgut Apostol Luca. Po na thone qe diten e ejte tre dite para zgjedhjeve do tju vije me urdher se cilin kandidat do te votoni dhe ju duhet te votoni ate qe do na thone ose ndrysh na marrin ne qaf. Un nuk e di a ka shtet a ka SPAK a çfarë ka ktu sikur jemi ne Kolumbi edhe privat po ta ket ky drejtori burgut nuk bahet kshu. Une jam ne dispozicion te prokurorise se kush do na beje presin per te votu jam i gatshem te bej kallzim edhe per gjithcka do tju shkruaj prap. Per Arkend Ballen i duan votat,"-denoncon i burgosuri.
Ngelet për tu parë nëse do të nisë një hetim nga institucionet e posaçme, ndërsa ky nuk është rasti i parë i fushatës elektorale në ambjentet e burgjeve. Një ditë më parë (6 maj), Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar një procedim penal për “shpërdorimi i autoritetit policor”, pas një denoncimi publik të bërë në rrjetet sociale nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Ky i fundit ka denoncuar me foto dhe emra disa prej punonjësve të policisë në burgun e Peqinit me pretendimin se po bëjnë fushatë për kandidatë të Partisë Socialiste./ZËRI