Rama mesazh demokratëve: Nëse nuk votoni dot 5-ën, mos dilni fare më 11 maj!

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në qytetin e Pogradecit për takimin përmbyllës elektoral në këtë zonë për zgjedhjet e 11 majit. Nga Pogradeci, Rama i dërgoi një mesazh edhe demokratëve. Sipas numrit një të qeverisë, të gjithë ata që nuk votojnë Partinë Socialiste, Rama i ftoi të mos dalin fare për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas tij, të gjithë demokratët, duhet që t'i nënshtrohen vullnetit të shumicës.
Rama: Ju them demokratëve që duhet të bëjnë të njëjtën gjë që bënë socialistët apo gjithë jo demokratikasit në mars të ’92, duhet të shkojnë në kutitë e votimit dhe në rast se janë prindër dhe kanë fëmijët e tyre që nuk kanë të drejtë vote, duhet të votojnë për fëmijët e tyre, që tu japin fëmijëve të tyre pasaportë europiane. Kur fëmijët ta kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë tu thonë për këtë pasaportë baba dhe nëna jote bën një sakrificë shumë të madhe, votuan për një maskara si Edi Rama por ama pasaportën ta dhamë, po them për demokratët. Tani doni që t’iu them atyre që të thonë “Edi Rama ishte burrë i mirë”. Nuk e thonë ata. Po le të thonë çfarë të duan për mua por puna është të votojnë për 5-n dhe të marrin pasaportën. Nëse nuk e kapërcejnë dot këtë fare, duhet të bëjnë atë që bëra unë në mars të ’92, nuk vajta fare të votoja se unë nuk votoja dot për bufin të them të drejtën se ia kisha ndjerë erën që kur e kam parë në minutën e parë atje te Qyteti Studenti, por nuk vajta të votoj për askënd tjetër sepse kush nuk shkon të votojë i hap rrugën opsionit të shumicës. Kështu është rregulli dhe patjetër që unë u bashkova me ata që i hapën rrugën Shqipërisë që dilte nga gjithë errësira e gjatë e komunizmit dhe hynte në një rrugë të re drejt Europës. Le ta bëjnë kështu, të mos votojnë fare. Po të çohet burri botës që në mëngjes, të vishet si për dasmë, të shkojë të mbajë radhët dhe të hidhet në kënetë, nuk e di sesi mund të bëhet kjo. Ka dhe një gjë tjetër dhe këtë shumë seriozisht, këta duhet të bëjnë dhe një sevap, demokratët e zakonshëm flas, jo ata çyrykët që e marrin bufin me tendë, e keni parë, se nuk e mban dot as diellin, e marrin me tënde e lëvizin nëpër Shqipëri. Ai futet tek tenda lart, këta rrinë të gjithë si ato speciet e tjera të kënetës poshtë se bufi kështu rri, rri lartë mbi kënetë, ata rrinë poshtë të gjithë. Ata nuk kanë asnjë mëshirë për një person që është i lashtë, i dëshpëruar, i pashpresë dhe që ka rrëshqitur, nuk është më në metro./ZËRI
'U bë me 3 shtëpi'/ Akuzat e Kryemadhit, Tedi Blushi: Provokime në kulmin e fushatës

TIRANË- Kandidati për deputet i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i ka kthyer përgjigje akuzave të Monika Kryemadhit. Ish-bashkëshortja e presidentit të PL-së, Ilir Meta, në një studio tjetër televizive u shpreh se Blushi ishte pasuruar brenda shumë pak kohësh.
“Tedi Blushi është njeriu më i lumtur në botë sot. Deputet është, gruan e ka drejtoreshë te Ulsi Manja, vjehrrin e ka nëndrejtor te spitali i burgut, me tri shtëpi është sot, kur ka qenë pa shtëpi. Nuk ia ka bërë pushteti këto shtëpi, por shkatërrimi i partisë. Tedi Blushi e shkatërroi partinë,”- tha Kryemadhi.
Sa i përket deklaratave të fundit të Monika Kryemadhit kundra tij, Blushi zgjodhi që të mos i jepte zë kritikave të deputetes së Partisë së Lirisë ndaj tij. Por shtoi se ende vazhdon që të bëjë një jetë modeste.
“Nuk dua të komentoj asnjë lloj provokimi, sidomos në ditët e fundit të fushatës. Kush jam unë, e dinë të gjithë, dhe jetesa ime është modeste. Fushata jonë do të kurorëzohet me një fitore madhështore,”- tha ai. Megjithatë shtoi se pavarësisht sulmeve, qëllimi ishte i njëjtë: Jemi në një front të përbashkët!
Duke e lënë me kaq përplasjen "virtuale" me Kryemadhin./ZËRI
VIDEO-LAJM/ Fushata e Vullnet Sinajt për pak kthehet në tragjedi

HIMARË- Dy ditë më parë, deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj organizoi një miting me qytetarët e Himarës, të cilëve u kërkoi votën për një mandat tjetër në Kuvendin e Shqipërisë. Por prezantimi i tij nuk shkoi mirë! Sinaj kishte menduar të përgatiste edhe një shfaqje me parashutë, ku një djalë i ri do të fluturonte mbi turmën e njerëzve në momentin e fjalimit të deputetit. Personi është Xhonatan Ismali, një nga parashutistët më të njohur në vendin tonë, por edhe pse me eksperiencë, diçka shkoi keq. Rrëzimi i tij shkaktoi një moment tensioni, por ndihma e shpejtë e ekipit të emergjencës bëri që Xhonatani të shpëtonte pa dëmtime serioze. Këtë e ka konfirmuar vetë e dashura e tij, moderatorja Roza Lati.
“Është çdo gjë ok. Shëndoshë e mirë. Pa panik. Nuk vritet shqiponja kollaj. Shqiponja është mbreti i qiellit. S’ka më të fortë.”

Kështu, përpjekja e Vullnet Sinajt për të tërhequr vëmendjen e të pranishmëve me balonën që mbante të shkruar emrin e tij, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, pasi parashutisti humbi kontrollin dhe u përplas në tokë.
PAMJE NGA INCIDENTI:
Në rrjet, janë shpërndarë pamjet nga përplasja me tokën në zonën e Potamit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur ‘Potam’, Himarë, është dëmtuar aksidentalisht gjatë hedhjes me parashutë shtetasi Xh. I., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën,”- thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia ka reaguar ndaj ngjarjes, duke proceduar penalisht parashutistin për uljen e rrezikshme dhe të papërgjegjshme në një zonë publike./ZËRI
PS denoncon: PD tentoi të marrë peng babanë e Klotilda Ndrecës

LEZHË- Fushata në Lezhë është tensionuar! Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ermal Paci ka depozituar një kallëzim në Policinë e Lezhës, pasi pretendon se njerëz të Partisë Demokratike kanë kërcënuar me armë babain e kandidates së Partisë Socialiste, Klotilda Ndreca.
Sipas Pacit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjë në fshatin Dajç, ku personat në fjalë e kanë kërcënuar edhe me pengmarrje të atin e Ndrecës. Megjithatë, Paci nuk përmendi emra. Nga ana tjetër, Gjin Gjoni, Ndërkohë, kandidati i Partisë Demokratike në Lezhë ka publikuar një video ku shihen disa makina duke qarkulluar natën në fshatrat e Lezhës. Nga përshkrimi që vetë Gjoni ka bërë krah videos, nuk kuptohet nëse është Gjoni ai që po ndjek dikë apo nëse po prezanton ‘ekipin’ e tij që është në gatishmëri për të ndjekur të tjerë.
Berisha takim me minatorët: Do miratojmë statusin tuaj brenda 100 ditëve, rroga minimale do jetë 1 mijë euro

BULQIZË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me minatorët në qytetin të Bulqizës, deklaroi se qeveria që ai do të drejtojë pas 11 majit do të miratojë statusin e minatorit brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Në fjalën e mbajtur përpara minatorëve dhe qytetarëve, Berisha u shpreh se shteti shqiptar ka qenë i padrejtë për dekada ndaj minatorëve, duke mos i shpërblyer asnjëherë për sakrificat e mëdha që kanë bërë në shërbim të ekonomisë kombëtare. Kryedemokrati theksoi se statusi i minatorit do të shoqërohet me një rrogë minimale prej 1 mijë eurosh dhe me pensione më të larta se çdo kategori tjetër në vend.
Sali Berisha: Unë kam biseduar në mënyrë të përsëritur me përfaqësuesit tuaj, me kryetarin e sindikatave, Përparimin, Shaqirin, dhe vij para jush me një koncept të ri. Dhe ky koncept është ky: Shoqëria ka borxh të madh ndaj minatorëve. Siç ka borxh ndaj pronarëve, ndaj të përndjekurve politikë. Tre janë kategoritë ndaj të cilave shoqëria shqiptare ka detyrime. Dhe u garantoj se vij i vendosur në mënyrë përfundimtare që ndaj këtyre tre kategorive, borxhi të shlyhet. Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit. Kjo do të thotë se do parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Minimalja! Kjo do të thotë se pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri. Në krye! Kjo do të thotë, natyrisht bëj një sqarim këtu, sipërmarrësit ne i përgjigjemi që do detyrohet të lëvizë rrogën nga 800 në 1 mijë e më tutje, ne do i përgjigjemi atij. Ne do e lehtësojmë atë në taksa. Ne do ia ulim taksat atij. Ne do ia shesim energjinë atij nga 18 lekë në 6 lekë. Dhe do bëjmë një gjë shumë të madhe për sipërmarrësin eksportues.
Fushata në Facebook: Faqe anonime, bot-e nga Vietnami dhe Inteligjencë Artificiale

TIRANË- Më 19 mars, një faqe me emrin “Team Edi Rama” u shfaq në Facebook, Instagram dhe TikTok. Faqja, e cila e përshkruan veten si “një komunitet i dedikuar për mbështetësit dhe simpatizantët e Kryeministrit Edi Rama”, publikon rregullisht përmbajtje propagandistike në mbështetje të Partisë Socialiste dhe shpesh denigruese ndaj opozitës së drejtuar nga Sali Berisha. Edhe pse ka rreth 4 mijë ndjekës, videot e “Team Edi Rama” shpesh marrin mijëra ndërveprime – përfshirë pëlqime, shpërndarje dhe komente, dhe qindra mijëra shikime në Facebook.
Popullariteti i saj është i lidhur me dy faktorë: sponsorizimet nëpërmjet reklamave në Facebook dhe Instagram – një pjesë e tyre nga kompania “Acromax” me qendër në Gjermani, dhe pëlqimet e marra nga profile me origjinë nga Vietnani – shumë prej të cilave duken anonime ose të automatizuara. Të dhënat e ndërveprimeve të faqes të mbledhura dhe të analizuara nga BIRN, tregojnë se brenda vetëm një muaji, videot e publikuara nga “Team Edi Rama” janë parë mbi 1.6 milionë herë. Kjo faqe nuk është një rast i izoluar. Dhjetëra faqe të ngjashme në Facebook dhe Instagram janë angazhuar gjatë javëve të fundit në atë që ekspertët e komunikimit e përshkruajnë si fushatë elektorale nga “palë të treta” – profile sociale që formalisht nuk lidhen me partitë politike, por që qartazi përhapin mesazhe elektorale gjatë fushatës, të cilat në shumë raste godasin rivalët politikë me përmbajtje denigruese.
Disa prej këtyre faqeve shpërndajnë përmbajtje të krijuar me Inteligjencë Artificiale për të amplifikuar mesazhet e tyre – një taktikë që tashmë po adoptohet jo vetëm nga aktorë anonimë, por edhe nga kandidatë për deputetë.
“Kjo nuk është një dukuri e re,” tha Elvin Luku, Profesor i Asociuar në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.
“E kemi parë edhe në zgjedhjet e kaluara – faqe që krijohen pak para zgjedhjeve dhe nisin fushata me postime të sponsorizuara ose përmbajtje denigruese.”
I pyetur nga BIRN, drejtuesi i Acromax, Aldor Nini tha se faqja ‘Team Edi Rama’ ishte krijuar nga Partia Socialiste dhe ai nuk ishte përgjegjës për përmbajtjen e saj.
“Unë jam kontraktuar si kompani menaxhimi për fushatat e reklamave në mediat sociale,”- tha Nini, ndërsa shtoi se kishte kontrata marketingu me PS dhe PD.
Nini deklaroi se nuk kishte informacione për ndërveprimet nga Vietnami në faqe, ndërsa shtoi se ishte kundër përdorimit të metodave të tilla, të cilat cilësohen nga Meta si sjellje joautentike e koordinuar. Partia Socialiste dhe KQZ nuk iu përgjigjën pyetjeve për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Mungesë transparence për ‘reklamat politike’
Më 11 Maj, shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme. Për herë të parë, qytetarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë me postë. Por ndërsa vendi i afrohet ditës së zgjedhjeve, aktiviteti i aktorëve digjitalë anonimë dhe përmbajtja e krijuar me Inteligjencë Artificiale është në rritje – duke ngritur shqetësime mbi transparencën, ndershmërinë dhe integritetin e procesit elektoral në Shqipëri. Profesor Elvin Luku paralajmëron se këto praktika sjellin disa shqetësime.
“Së pari, ka një mungesë transparence financiare,” tha ai.
“Në thelb kemi të bëjmë me fushata elektorale online të padeklaruara, që financohen me para të pakontrolluara.”
“Së dyti, përdorimi i dezinformimit dhe fushatave denigruese online kërkon rregullim më të fortë, idealisht në Kodin Zgjedhor dhe me mbështetjen e marrëveshjeve me platforma si Facebook, Instagram dhe TikTok,” shtoi ai. “Dhe së treti, ekziston rreziku që sjellje të koordinuara online, si raportimet masive nga profile false, të censurojnë përmbajtje të ligjshme dhe të shtrembërojnë debatin publik.”
Gjatë dy javëve të para të fushatës për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, komunikimi politik u dominua në masë të madhe nga platformat Facebook dhe Instagram, ku liderët dhe kandidatët u mbështetën gjerësisht në imazhe, video dhe reklama politike të sponsorizuara. Gjatë kësaj periudhe, kandidatët për deputetë dhe partitë politike shpenzuan në total 26,938 dollarë për reklama politike në platformat Facebook, Instagram, Audience Network dhe Messenger. Një shumë shtesë prej 904 dollarësh u shpenzua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për fushata informuese mbi procesin e votimit.
Kandidatët për deputetë publikuan gjithsej 1,473 reklama politike, ndërsa partitë politike sponsorizuan drejtpërdrejt 89 reklama. Rreth 28% e të gjitha reklamave u publikuan nga koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, “Aleanca për një Shqipëri Madhështore”, i ndjekur nga Partia Socialiste në pushtet me 17% dhe Partia Koalicioni Euro-Atlantik me 15%. Kandidati për deputet me shpenzimin më të lartë të regjistruar për reklama në media sociale ishte Agron Shehaj, kreu i partisë “Mundësia”, i cili shpenzoi rreth 3,199 dollarë gjatë dy javëve të para të fushatës. Pas tij renditet biznesmeni Vullnet Sinaj, kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, i cili shpenzoi 2,195 dollarë për reklama politike.
Edhe pse nuk bënë reklama, dy liderët kryesore politikë në zgjedhje, Edi Rama dhe Sali Berisha, regjistruan angazhimin më të lartë me ndjekësit në “Facebook” gjatë gjysmës së parë të fushatës. Në Facebook, kryeministri Edi Rama, i cili po garon për një mandat të katërt, arriti nivele më të larta angazhimi të ndjekësve dhe shikime të videove krahasuar me Berishën, megjithëse rivali i tij postoi pak më shpesh. Të dy të marrë së bashku regjistruan më shumë se 21 milionë shikime vetëm në Facebook, sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN nëpërmjet aplikacionit ‘Post Scraper’, duke vazhduar të jenë kandidatët me ndjekjen më të madhe në rrjetet sociale edhe gjatë këtyre zgjedhjeve. Përtej kandidatëve, BIRN arriti të identifikonte 34 faqe që bënë fushatë si ‘palë të treta’ vetëm gjatë dy javëve të para të fushatës, dhe qindra reklama pa shënim shpjegues për financuesin, (disclaimer) të sponsorizuara nga profilet e kandidatëve për deputetë në platformat ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’. Edhe faqet si ‘Team Edi Rama’ bënë fushata reklamash pa shënim shpjegues.
Aldor Nini i ‘Acromax’ i tha BIRN se reklamat ‘pa shënim shpjegues’ në faqen ‘Team Edi Rama’ ishin bërë nga administratorët e saj dhe jo nga kompania, ndërsa nënvizoi se “shpenzimet e partive ishin shifra të vogla, në krahasim me fushatat e marketingut që bëjnë kompanitë e mëdha.”
John Fluharty, ish-përfaqësues i Institutit Ndërkombëtar Republikan në Tiranë, thotë se megjithë kakofoninë e postimeve elektorale në rrjetet sociale, mediat dhe shoqëria civile duhet të jenë vigjilente për të kundërshtuar narrativat që minojnë besimin te procesi zgjedhor.
“Pasi aktorët keqdashës shpërndajnë narrativa të pasakta, është e vështirë ta korrigjosh të vërtetën duke rendur pas tyre,”-tha ai, ndërsa theksoi se media dhe shoqëria civile duhet të jenë të përgatitura t’i përgjigjen këtyre narrativave me shpejtësi dhe fakte.
“Çdo orë që kalon pa një reagim nga pala e mirë është një orë shtesë në të cilën narrativat e rreme fitojnë terren,” shtoi ai.
Përdorim joetik i inteligjencës artificiale
Edhe pse fushata në rrjetet sociale nuk rregullohet nga Kodi Zgjedhor, përpara fillimit të garës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, partitë kryesore politike në vend nënshkruan një kod vetërregullues për fushatën digjitale. Partitë u angazhuan për përdorim etik dhe transparent të teknologjisë në fushatë, duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale, si dhe të mos shpërndajnë përmbajtje keqinformuese. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se jo të gjithë kandidatët, nga të dyja palët e spektrit politik – përfshirë kryeministrin Edi Rama, nuk iu përmbajtën këtij zotimi, duke shpërndarë rregullisht përmbajtje të prodhuar me Inteligjencë Artificiale, shpesh keqinformuese dhe çoroditëse në rrjetet sociale gjatë dy javëve të para të fushatës.
Ekspertët janë të ndarë për mënyrën se si duhet të reagojnë institucionet. Sipas Fluharty-t, KQZ-ja ka bërë mirë që u ka përcjellë qytetarëve mesazhin se kur vjen puna te sjellja e aktorëve politikë në fushatë, ligjet dhe rregulloret kanë limitet e tyre.
“Në fund të fundit, janë vetë aktorët politikë që duhet të ndjehen të detyruar nga komuniteti për të vepruar drejt,”- tha ai, ndërsa shtoi se debati duhet të fokusohet te hapat konkretë që platformat e rrjeteve sociale duhet të ndërmarrin për të frenuar sjelljet e dëmshme. Ndryshe, Elvin Luku është i mendimit se ndërhyrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të jetë e motivuar dhe domosdoshme kur Inteligjenca Artificiale keqpërdoret.
“Unë nuk mendoj se AI duhet penguar për t’u aplikuar në fushata elektorale në rastet kur paraqiten ide dhe elementë kreativë,”- tha Luku.
“Por në rastet kur ka denigrim të figurës, gjuhë fyese, gjuhë urrejtjeje, qoftë kjo e shprehur edhe me imazhe të prodhuara nga Inteligjenca Artificiale, sigurisht që këtu KQZ duhet të ndërhyjë dhe ndalojë spote apo materiale të prodhuara edhe me ndihmën e AI,” përfundoi Luku./BIRN
'Do iu ndjekim këmba-këmbës'/ Gjin Gjoni nxjerr PAMJET, ndjek socialistët me makinë: SPAK t'i hetojë, duhen shmangur tensionet!

LEZHË- Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në listën e hapur të qarkut Lezhë, Gjin Gjoni ka publikuar pamje nga terreni. Dje, në orët e vona të mbrëmjes, kandidati për deputet i ka dërguar një mesazh kundërshtarëve politikë të Partisë Socialiste. Në dy postime të njëpasnjëshme në rrjetet e tij sociale, Gjin Gjoni paralajmëron se "grupet për mbrojtjen e votës" kanë dalë sërish në terren. Madje i paralajmëron se do t'i ndjekin socialistët këmba-këmbës.
"Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje te njërëzve qe dalin natën për qellime te mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do tju ndjekim kemba këmbës.#GG#,"-shkruan Gjoni në postim, duke e shoqëruar me pamje nga "aksioni".
Ndërkohë që në një postim tjetër i bën kërkesë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të nisë hetimet për disa persona, duke i listuar edhe me emra dhe postet që mbajnë në administratën e Lezhës. Sipas ish-gjyqtarit Gjoni, SPAK duket të veprojë kundër tyre për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin gjatë rrugës.
EMRAT E PËRMENDUR NGA GJIN GJONI:
• Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh • Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen • Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre • Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë • Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati • Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen • Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç.
"Denoncim publik: Kriminelët elektoral janë aktivizuar – Drejtësia të veprojë me urgjence! Me afrimin e datës së zgjedhjeve, po shfaqen gjithnjë e më hapur elementë që po përpiqen të deformojnë vullnetin e qytetarëve përmes blerjes së votës. I bëj thirrje publike SPAK dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë ndaj këtyre personave, për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin. Ne nuk do të lejojmë që demokracia të nëpërkëmbet – kushdo që do tentojë të prekë votën e lirë do të na ketë përballë! Njerez nga vetë Partia Socialiste me informojnë se këta janë disa prej emrave që janë pjesë e përpjekjeve për blerje votash dhe intimidim të qytetareve: • Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh • Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen • Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre • Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë • Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati • Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen • Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç. Këta individë dhe të tjerë që do ti denoncojmë me zë dhe figure më ditet në vijim duhet të hetohen pa vonesë dhe të vihen para drejtësisë, pasi ne jemi të vendosur që vullneti i qytetareve të mos tjetersohet siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara.#GG#,"-shton Gjoni.
Sot, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës ka denoncuar publikisht edhe kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni. Sipas Ermal Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
"Sapo dolëm nga Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë, kemi depozituar një kallëzim penal për Gjin Gjonin, i cili prej javësh në rrjetet e tij sociale ka akuzuar drejtuesit e shtabeve të PS si kriminelë elektorale, si njerëz që duhet të jenë në burg, apo si njerëz që duhet të përndiqen nga Policia e Shtetit. Do i drejtohemi edhe zyrës së vëzhguesëve të OSBE-së. Fakti që ata duan një alibi për humbjen, nuk e justifikon faktin që një qytetar të këtij vendi ta quajë kriminel një njeri që punon për Partinë Socialiste,"-shtoi Pacaj.
Për socialistin, përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, kandidati i PD (në listën e hapur) po përpiqet të intimidojë qytetarët dhe të përhapë një frymë tensioni në komunitetin e Lezhës. Për të gjitha këto ngjarje, Pacaj deklaroi se PS do t’i drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së por edhe Drejtorisë së Policisë së Lezhës./ZËRI
Berisha takim "ndryshe" në Bulqizë, premton 'statusin e minatorëve'
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është sot në Bulqizë, ku po zhvillon një takim me minatorët atje. Gjatë takimit me ta, Berisha vendosi në kokë edhe kokoren mbrojtëse të minatorit. Por me një ndryshim!
FOTOT E BERISHËS:
Ndryshe nga e të tjerëve, kryedemokrati edhe kokoren kishte zgjedhur që ta mbante me ngjyrë blu, njëjtë si ajo e Partisë Demokratike./ZËRI
"Unë jam Sali Berisha"/ Kryedemokrati "mesazh": Edi Rama...e di vetë ti! Nuk të ndahem

BURREL- Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale për ''PD-ASHM'' në Burrel, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha 'shigjetoi' edhe njëherë rivalin e tij në këto zgjedhje, kryeministrin Edi Rama. Në fjalën e tij, Berisha ka përsëritur edhe njëherë akuzat ndaj Ramës, duke i lëshuar këtij të fundit edhe një mesazh personal. Berisha "premton" se kreut të qeverisë nuk do t'i ndahet deri në fund të jetës së tij, deri në momentin që ta largojë nga politika.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Zgjohuni shqiptarë! Çfarë e do Edi Rama mandatin? Edi Rama mandatin e do për të shpëtuar nga krimet e tij monstruoze që ka kryer ndaj shqiptarëve. Po unë jam këtu, unë jam Sali Berisha. Dhe unë u jap fjalën ju, u jap fjalën matjanëve dhe shqiptarëve se ai kurrë nuk do shpëtojë. Ai do përgjigjet një më një për atë që u ka bërë Matit dhe Shqipërisë. Ai e bëri provën, tani është radha ime. Tani do e shohë ai! Vij këtu tek ju pasi është futur në rreth të kuq. Jo për hakmarrje personale ndaj meje. Kurrë, kurrë se në politikë ajo nuk të ndihmon kurrë, por për atë që u ka bërë ju. Jam i kënaqur, nuk e mohoj, pasi ai është futur në rrethin e kuq. Ky njeri që me mafien ndërkombëtare, me Xhorxh Sorosin dhe të tjerë, për këtë njeri 6 muajt e fundit janë katër rezoluta botërore, të cilat e damkosin fjalë për fjalë me ato që i kemi thënë ne. Dhe u garantoj se ata kurrë nuk do votonin fjalët tona po të mos ishin 100 përqind të vërteta. Edi Rama, këtu nga Mati i burrave, e di vetë ti! Të garantoj se shpallja jote në Valencia nga 82 parti politike më të fuqishmet e Europës, nga udhëheqja politike kryesore e Europës, partia e kancelarit Merz, e presidentes Von der Leyen, e 14 kryeministrave, shpallja jote si armik i votës së lirë të shqiptarëve, shpallja jote si njeri që kërkon të shtypësh pluralizmin dhe opozitën, shpallja jote si pushtetar që qeveris me krimin, nuk do të ndahen kurrë në jetën tënde. Ky është rrethi i kuq, ndaj dhe je i pashpresë. Ke futur si veten Agron Malajn, Belinda Ballukun, ke prurë kryebixhozxhiun e vendit, Blendi Klosin... Udhëheqësi i tij në Dibër, njeriu që loz bixhoz me apartamente. Raca juaj do ketë vendin atje ku e meriton. Të dashur miq, Edi Rama gënjeu shqiptarët për 12 vite. Ai premtoi shëndetësinë falas, premtoi 300 mijë vende pune, premtoi 24 orë ujë të pijshëm, premtoi rritje rrogash dhe pensionesh. Por e vërteta është se në 12 vite varfëroi shqiptarët si në asnjë vend tjetër, rriti çmimet si në asnjë tjetër, largoi shqiptarët nga Shqipëria. Ndaj dhe unë jam këtu sot të kërkoj nga ju matjane dhe matjanë të çdo force politike qofshi, vetëm 100 ditë provë. Nuk kërkoj për pushtetin tim, se nuk kam ambicie për pushtet, nuk kam ambicie për para, se po të kisha ambicie për para, do isha një nga mjekët më të pasur./ZËRI
Tensione me fushatën në Lezhë, kandidati i PS bën kallëzim në Polici: Njerëz të PD na kërcënojmë me armë!

LEZHË- Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për zgjedhjet parlamentare pretendon se ai dhe kandidatë të tjerë janë kërcënuar me armë zjarri nga mbështetës të PD-së. Në një prononcim të shkurtër për mediat fill pasi ka dalë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Lezhës, Pacaj pretendon se persona të armatosur kanë kërcënuar atë dhe babanë e kandidates për deputete Klotilda Ndreca. Sipas tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmjë në fshatin Dajç, ku të armatosurit i kanë kërcënuar edhe me pengmarrje. Megjithatë, edhe pse i denoncoi, nuk i përmendi me emra personat që sipas tij kanë kryer aktin e rëndë.
"Mbrëmë në fshatin Dajç, në orët e vona, në pronën e babait të kandidates tonë për deputet, njerëz të armatosur janë paraqitur duke i kërcënuar se do i merrnin peng kryetarin e PS dhe babain e kandidates për deputete. Kjo është e papranueshme, ne i jemi drejtuar instancave të shtetit. Kjo është ndasia që ne kemi. Çdo natë, militantë të PD-së qarkullojnë orëve të vona me arsye, pa arsye për të gjurmuar dhe për të krijuar alibinë e humbjes. Mbrëmë është bërë kallëzimi. Drejtoria e Policisë vazhdon hetimet. Do interesohemi dhe presim përgjigje dhe veprim nga Policia,"-tha në fjalën e tij Pacaj.
Për denoncimin ende nuk ka një njoftim zyrtar, por burime nga Policia e Lezhës konfirmojnë se dy persona janë shpallur në kërkim.
Po ashtu, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës ka denoncuar publikisht edhe kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni. Sipas Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
"Sapo dolëm nga Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë, kemi depozituar një kallëzim penal për Gjin Gjonin, i cili prej javësh në rrjetet e tij sociale ka akuzuar drejtuesit e shtabeve të PS si kriminelë elektorale, si njerëz që duhet të jenë në burg, apo si njerëz që duhet të përndiqen nga Policia e Shtetit. Do i drejtohemi edhe zyrës së vëzhguesëve të OSBE-së. Fakti që ata duan një alibi për humbjen, nuk e justifikon faktin që një qytetar të këtij vendi ta quajë kriminel një njeri që punon për Partinë Socialiste,"-shtoi Pacaj.
Për socialistin, përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, kandidati i PD (në listën e hapur) po përpiqet të intimidojë qytetarët dhe të përhapë një frymë tensioni në komunitetin e Lezhës. Për të gjitha këto ngjarje, Pacaj deklaroi se PS do t’i drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së, për të informuar mbi situatën dhe për të kërkuar vëzhgim më të rreptë të fushatës./ZËRI
Sherri me shoferin e kamionit/ Rama-Nallbatit: Kokëbosh e trangull, si mund ta votojnë atë rrugaç

KORÇË-Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët në Devoll, ku gjatë fjalës së tij është ndalur te kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Bledion Nallbati. Rama e quajti kandidatin demokrat “rrugaç”, pasi ky i fundit u përfshi në një sherr fizik me një shofer kamioni në Bilisht. Kreu i qeverisë në fjalën e tij kujtoi Dritëro Agollin, duke thënë se ishte deputet i devollit në Kuvend asokohe, por sot PD ka sjellë në parlament një rrugaç.
Edi Rama: Devolli kishte Dritëro Agollin. Para pak ditësh ishit dëshmitarë të një skenë që tregon se ku ka rënë pazaret e opozitës në Shqipëri. Agolli ishte deputet i opozitës dhe fliste për të gjithë popullin. Ndërkohë që opozita ka sjellë një rrugaç. Nuk e di se në cilin rresht të Agollit do gjente vend, mbase te fjala kokëbosh dhe trangull. Si mund të votojnë demokratët e Devollit për një rrugaç? Është një grup rrugaçësh. Ju e dini mirë rrugaçin kryesor. Si mund të bjerë pazari deri në pikën kur t’i çojnë parlamentit të Shqipërisë këtë rrugaç? Si mund të shkosh nga Dritëri Agolli te një turp vendor këtu? Si mund të bëhet kjo punë.
Deputeti demokart Bledion Nallbati dhe vëllai i tij u përfshinë në një konflikt fizim me një shofer kamioni në Bilisht. Vetë Nallbati ka pranuar se është përfshirë në sherr dhe deklaron se ka tentuar disa herë që të shmangë përplasjen, por emocionet dhe sjellja e drejtuesit të kamionit bënë të vetën. Sipas tij pamjet e publikuara nuk janë të plota dhe mjeti me të cilin udhëtonin mund të ishte përplasur me kamionin, pasi shoferi i mjetit të tonazhit të rëndë ishte me shpejtësi. Në lidhje me konfliktin e ndodhur është arrestuar Alti Nallbati, vëllai i kandidatit të Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, Bledjon Nallbati. Sipas policisë, ndaj 42-vjeçarit, Alti Nallbati rëndojnë veprat penale "Dëmtime të tjera me dashje", "Prishja e qetësisë publike", dhe " Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit"./ZËRI
Zarfet me vota në rrugët e Greqisë/ PD-KQZ-së: Manipulim i PS! Rama: Nuk i ha njeri këto, i keni nxjerrë vetë

TIRANË-Procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit tek zgjedhësit që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë nuk po kalon pa probleme. Problematikat me shpërndarjen e zarfeve nga kompania postare 'DHL' kryesisht në Greqi, kanë sjellë një përplasje mes dy partive politike asaj demokrate me atë socialiste.
Ishte kryetari i Partisë Demokratike në Athinë, Alfred Fizi, i cili denoncoi procesin e votimit të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, konkretisht në Athinë. Me anë të një imazhi, ku shihen zarfet me fletët e votimit të hedhura në trotuar, Fizi pretendon se nuk dihet kush i merr e kush i dorëzon ato.
Në lidhje me problematikën Partia Demokratike ka paraqitur një ankesë në KQZ. PD, në ankesën e saj, thotë se ndonëse autoritetet garantuan publikisht se zarfet zgjedhore do t’u dorëzoheshin zgjedhësve në adresën e tyre, me njoftimin e bërë nga KQZ pak ditë më parë që të paraqiten vetë në pikat e kompanisë postare DHL, është krijuar konfuzion, si dhe janë ngritur shqetësime serioze për transparencën, standartin dhe ligjshmërinë e procesit. PD akuzon për ndërhyrje edhe Partinë Socialiste, duke u shprehur se zarfet jo vetëm që nuk u dorëzohen në dorë qytetarëve, por shpeshherë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare (qoftë zyrtare, qoftë nënpagesë si zyra bastesh, apo hyrje pallatesh).

Pas pretendimeve të opozitës, një reagim erdhi nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një mesazhi drejtuar emigrantëve në Athinë, u shpreh se vetë opozita i ka nxjerrë në rrugë zarfet, duke pretenduar se këto i bëri regjimi.
"Klithmat e bufit të kënetës u shtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe. Një nga ato salamandrat blu kishte nxjerrë ca zarfa në rrugë dhe pretendonte se ishin të kapur nuk e di kush dhe sesi. Drejtuesi ynë politik ka bërë të qartë, se zarfa mund të mbledhësh edhe nga shpia jote. Kur je skllav i bufit edhe shtëpinë tendë e kthen në llogore kënetë. Mund ti fotografosh në rrugë dhe të thuash këto i bëri regjimi, por këto nuk i ha njeri,"-u shpreh Rama.
Rama iu bën thirrje emigrantëve në Greqi që të marrin zarfet zgjedhore dhe të shfrytëzojnë momentin historik për të votuar më 11 Maj. Kreu i qeverisë u kërkoi votën për të përshpejtuar integrimin dhe tharë kënetën. Rama thotë se ky votim është historik edhe për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pensioneve për emigrantët në Greqi, pasi me hyrjen në BE, do t’u njihen automatikisht.
Edi Rama: Desha të përcjell një thirrje, lutje, mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi, që të marrin zarfat dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike, për një takim me historinë. Mundësi historike për të qenë votues për herë të parë nga jashtë, por edhe një takim me historinë për të kyçur Shqipërinë në BE. Ka pasur një problematikë për fat të keq në ditët e para me shpërndarjen, por tanimë kompania ka vënë gjerat në vijë. Zarfat janë shpërndarë dhe keni të gjitha informacionet për të kuptuar se cfarë duhet të bëni dhe për të mos përtuar që ti tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes. Në rast se i keni marrë zarfat të veproni duke i kthyer ato drejt Shqipërisë, me numrin 5. Ky votim ka një rëndësi të veçantë për Shqiptarët në Greqi që ende nuk kanë pasaportën dhe janë futur në ankthin e padrejtë të njohjes së pensionit. Njohja e pensionit bëhet me marrëveshje, negociatat me qeverinë greke kanë nisur, por nuk dimë sa kohë do të marrë. Vullneti ynë është i plotë. Vullneti i qeverisë greke është pozitiv, por duke u nisur nga eksperienca me Italinë që u deshën vite të tëra dhe më pas e solli fati që të më dilte mua një motër në Romë ku u përshpejtuan gjerat, ama që nga dakordësia me motrën deri tek firma e fundit kanë kaluar 1.5 vite. Mund të merret edhe me mend sa mund të zgjasë me Greqinë. Klithmat e bufit të kënetës u shtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe. Një nga ato salamandrat blu kishte nxjerrë ca zarfa në rrugë dhe pretendonte se ishin të kapur nuk e di kush dhe sesi. Drejtuesi ynë politik ka bërë të qartë, se zarfa mund të mbledhësh edhe nga shpia jote. Kur je skllav i bufit edhe shtëpinë tendë e kthen në llogore kënetë. Mund ti fotografosh në rrugë dhe të thuash këto i bëri regjimi, por këto nuk i ha njeri. Ka mundësi të fokusohemi që dhe për këtë arsye një rrugë e dy punë të shtyjmë Shqipërinë përpara dhe të përshpejtojmë tharjen e asaj kënetë që është një fatkeqësi kombëtare dhe një plagë antievropiane.
Ky nuk është rasti i parë i denoncuar në lidhje me procesin e shpërndarjes, ku më herët edhe vetë votuesit kanë njoftuar problematikat me të cilat po përballen. Kostoja e paguar nga buxheti i shtetit për shërbimin e postës është 9.2 milion eurpo, pra gati 10 mln euro. Të gjitha këto para janë marrë nga kompania "DHL" për të kryer shërbimin e nevojshëm për të gjithë qytetarët që këto zgjedhjet për herë të parë votojnë./ZËRI
6 ditë nga zgjedhjet! PD kërkesë në KQZ e Ministrisë: Të votohet me mjete ID të skaduara

TIRANË-Partia Demokratike i ka bërë kërkesë KQZ e Ministrisë së Brendshme që të qytetarët të votojnë edhe me mjete ID të skaduara.
Të nderuar,
- Komisinerit Shtetëror të Zgjedhjeve, z.Ilirjan CELIBASHI Adresa: Rruga "Ibrahim Rugova", Nr. 4, 1001, Tiranë.
- Ministrit të Brendshëm, Z. Ervin HOXHA
Adresa: Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Nd. 1, 1001, Tiranë.
- Këshillit të Ministrave, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Engell Agaçi
Adresa: Bulevardi "Dëshmorëte Kombit", Nr. 1, 1001, Tiranë.
MBI MARRJEN E MASAVE PËR ZGJATJEN ME VKM TË VLEFSHMËRISË SË DOKUMENTAVE TË IDENTIFIKIMIT ID DHE PASAPORTAVE TË SKADUARA TË SHTETASVE SHQIPTARË, PËR EFEKT TË VOTIMIT NË ZGJEDHJET PËR KUVEND TË 11 MAJIT 2025.
Z. Franci NURI, përfaqësuesi ligjor i Koalicionit PD-ASHM në KQZ.
Në referim të të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si dhe në përputhje me shqetësimet e ngritura nga qytetarë dhe aktorë të ndryshëm, ju drejtohemi me këtë kërkesë për të ndërmarrë masat përkatëse formalo-proceduriale me qëllim garantimin e ushtrimit të të drejtës kushtetuese për të votuar të shtetasve shqiptarë të cilëve dokumentat ID apo Pasaporta mund t'u ketë skaduar.
Një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë me të drejtë vote rrezikojnë të mbeten të përjashtuar nga procesi i votimit për shkak të pavlefshmërisë ose mosrinovimit në kohë të kartës së identitetit apo pasaportës biometrike. Për të shmangur përsëritjen e rasteve të papranueshme, si ai i konstatuar në zonën e Himarës gjatë vitit 2024, ku me mijëra qytetarë me të drejtë vote nuk patën mundësi të marrin pjesë në zgjedhje për arsye të kësaj natyre, kërkojmë ndërhyrjen tuaj urgjente. Sipas informacioneve tona, përllogariten rreth 600.000 shtetas shqiptarë në mbi 3.7 milion zgjedhës prezentë në listat e votimit, të cilët i kanë të pa-rinovuara dokumentat ID ose Pasaportat.
Konkretisht, nisur nga kjo situatë, propozojmë që të shqyrtohet mundësia ligjore për shtyrjen e përkohshme të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit (ID kartë dhe pasaportë) për të gjithë shtetasit shqiptarë me banim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në përfundim të procesit të votimit më datë 11 maj 2025. Kjo praktikë është ndjekur nga ana juaj edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, hera e fundit ishte në Maj të 2023.
Ky akt do të shërbente si garanci për respektimin e së drejtës për të votuar, e cila nuk duhet të cenohet nga vështirësi administrative apo pengesa burokratike të natyrës dokumentare.
Në pritje të reagimit dhe veprimeve tuaja, për angazhimin në funksion të integritetit dhe gjithëpërfshirjes së procesit zgjedhor.
Berisha publikon vendimin: Irena Gjoka e dënuar me burg, SHBA e fshehu! Avokatja: E siguroi Beleri

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje, në orën 8.30, për dosjen “Partizani”. Pasi doli nga SPAK, Berisha zbuloi mesazhin e lënë në SPAK, ku ngre akuza ndaj prokurorit Altin Dumani. Berisha e cilëson amnistinë elektorale si një veprim antikushtetues dhe të motivuar politikisht.
Sali Berisha: Para se të paraqes para shqiptarëve një provë tronditëse që zbulon fytyrën e shëmtuar kriminale të eksponentëve të kësaj drejtësie të Edi Ramës, unë dua të informoj se lashë këtë shënim në zyrat e Skapit të partisë. Amnisti elektorale është krim i shëmtuar antikushtetues i Altin Dumanit, shërbëtorit të Edi Ramës, i cili në fakt ndaj dhe kërkon që të shndërrojë kushtetutën në DumanKushtetutë. Kurrë.
Berisha ka publikuar sot dokumentet që sipas tij vërtetojnë dënimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykata e Janinës dhe rrjedhimisht bëjnë vendimet e saj ndaj ish-kryeministrit të pavlefshme. Gjoka është shpallur fajtore sepse në datën 24 dhjetor 2002 është kapur në pikën e kufirit Kakavijë gjatë kontrollit të pasaportës me dokumente udhëtimi të falsifikuara. Sipas këtij vendimi rezulton se Gjoka është shpallur fajtore për dokumente të falsifikuara dhe është dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro.
Sali Berisha: Ju do të mësoni se, njeriu që kryesonte Gjykatën Speciale të shqiptarëve, ishte një delikuente e paftyrë, e pa moral, e pa karakter, e dënuar me burg në vendet fqinj, dhe përdorej si skllave nga Edi Rama dhe regjimi aktual. Irena me 5 mbiemra, e përfolur për ryshfete gjysëm milionëshe, jo në një por në disa raste, rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga kolegji penal i Janinës, me burg dhe gjobë. Kjo monstër, në vend që të vuajë dënimet, është lartësuar në kryetaren e Gjykatës Speciale, nga Edi Rama, Taulant Balla dhe është keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Altin Dumani. Nga viti 2005, vit i dënimit të saj, të cilin e ka fshehur në kolektiv, bën të pavlefshme absolutisht çdo vendim të saj, në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Dokument zyrtar dhe me vulë dhe me firmë nga Gjykata e Janinës së Greqisë, që tregon se; Për këto arsye e dënon të pandehurën të shpallur fajtore me burgim 3 muaj dhe gjobë 1500 euro si dhe shpenzimet gjyqësore prej 73 eurosh. Falsifikim pasaporte a vize, por është dënuar për falsifikim dhe është dënuar nga Kolegj Penal dhe jo administrativ. Dua të falënderoj autoritetet greke të cilat e bënë publik këtë dokument. Por dua të dënoj ndërhyrjen e bërë nga këto autoritete, nga administrata nga Departamenti i Shtetit të administratës Biden që ky dokument të mos shihte dritën se ja merr fytyrën reformës në drejtësi. Ata kishin hallin e Sali Berishës dhe jo të reformës në drejtësi. Turp e mafie. Ju garantoj se fatin e kësaj do të ketë pas zgjedhjeve, secili prej tyre që ka kryer dhe ka fshehur krime. Secilin prej tyre, reforma do ti nxjerrë të gjithë ata që fshehin krime ne sistemin e drejtësisë.
Pas seancës avokatja e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Klodiana Gjyzari, ka deklaruar se dokumenti që vërteton dënimin e gjyqtares Irena Gjoka është siguruar nga ish-kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri. Sipas saj, Beleri ka ndjekur një procedurë administrative dhe ka marrë vendimin e gjykatës për gjyqtaren, duke theksuar se kërkesa për këtë informacion është tërësisht ligjore.
Avokatja e kreut të PD Sali Berisha, Klodiana Gjyzari: Gjyqtarja e GJKKO është e dënuar, dokumenti është siguruar nga Fredi Beleri, pas një leximi të një artikulli në gazetë. Beleri ka ndjekur një procedurë administrative dhe ka marrë vendimin e gjykatës për Irena Gjokën. Kërkesa është tërësisht ligjore, sepse zonja është gjyqtare dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit, duhet ta kishte deklaruar. Nuk është pra informacion privat për gjyqtaren.