Incidenti në lokalin e babait të kandidates së PS në Dajç, Manja: Gjin Gjoni të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore

TIRANË- Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ulsi Manja përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar pas incidentit në lokalin e babait të kandidates së PS në Dajç. Manja shprehet se u kërcënuan me armë zjarri babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates për deputete, Klotilda Ndreca në Dajç. Manja e denoncoi këtë akt duke u shprehur se është i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik.
Ai i bëri thirrje kandidatit për deputet të Partisë Demokratike Gjin Gjoni të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për këtë incident. Më tej, ai bëri thirrje instuticioneve ligjore të hetojnë çdo shkelje të ligjit zgjedhor, pa asnjë përjashtim.
"Reagim për ngjarjen e rëndë në Dajç të Lezhës
Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u kërcënuan me armë babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates sonë për deputete, znj. Klotilda Ndreca, është një akt i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik.
Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë “shokun e trimit”, duke manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit, por t’i dalë për zot trimnisë së tij e jo të fshihet pas gishtit !
Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi . Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi.
Reformën në drejtësi dhe SPAK-un i ngritëm pikërisht për raste si ky – që askush të mos fshihet më pas pushtetit apo lidhjeve politike, por të jetë i barabartë përpara ligjit. Ky rast është tashmë në duart e drejtësisë së re dhe nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për ta zvarritur apo deformuar.
Gjin Gjoni dhe kushdo tjetër që mendon si ai do të mbajnë përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin e klimës së tensionuar dhe për prishjen e atmosferës politike në qarkun e Lezhës.
Sot kam informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe, si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë që përfaqësoj për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të qetë.
Për ne socialistët, kjo që po ndodh këto ditë të fundit me PD-në lokale dhe atë në qendër, është një film i vjetër që e kemi parë në 10 fushata me radhë. Fundin e dimë – jo vetëm ne, por çdo shqiptar. Dhe kështu do ndodhë edhe më 11 maj, mbajeni mend:
• Në takimet përmbyllëse do të shpallin fitoren dhe do të këndojnë himnin,
• Në mëngjes do fillojnë të varin veshët,
• Në drekë do zvarritin numërimin me justifikime banale,
• Në darkë do thonë: “Na i vodhën prapë!”
Me të njëjtin regjisor nuk mund të ketë një film ndryshe! Më 11 maj, ne do t’i mundim për herë të dhjetë PD+ASHM & Co!
Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve dhe tensioneve të qëllimshme. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime.
Ne distancohemi qartësisht nga çdo akt dhune apo veprim antiligjor që cënon zgjedhjet e lira dhe kërkojmë nga institucionet kompetente të hetojnë çdo shkelje të ligjit zgjedhor, pa asnjë përjashtim!", tha Manja.
Familjarët e Kandidates së PS në Dajç, Klotilda Ndreca u kërcënuan me armë zjarri nga Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç. Të dy akuzohen për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Për ngjarjen janë publikuar edhe pamjet, ku duken disa makina që parkohen para lokalit të kandidates socialiste. Sapo shohin makinat që parkohen, disa persona vrapojnë drejt tyre, por më pas videoja ndërpritet. Kallëzimi fillimisht u bë nga kandidati socialist Ermal Paci, i cili u shpreh se njerëz të Partisë Demokratike po kërcënojnë me armë dhe pengmarrje familjen Ndreca./ZËRI
'PS në panik, po tenton të blejë qytetarët në Lezhë'/ Gjin Gjoni: Nuk kishte armë zjarri, ne thjesht po mbrojmë votën

LEZHË- Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni zbuloi se opozita, edhe në këto zgjedhje, ka ngritur ekipe vullnetare për të mbrojtur votën. Në një prononcim para mediave, Gjin Gjoni tha se dje kishin marrë informacione se po zhvilloheshin takime, ndaj edhe kishin shkuar në terren, duke theksuar se nuk ka pasur në asnjë moment armë zjarri. Po ashtu, pretendon se së fundmi qytetarët po dërgojnë pranë tij informacione lidhur me krimet zgjedhore që sipas tij kanë gjetur terren në Lezhë. Një thirrje e kishte edhe për kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani që të hetojë atë që po ndodh në Lezhë, por edhe njëherë thekson se nuk ka pasur asnjë armë zjarri.
"Deklarata e Pacajt është emocionale. Ai dridhej për atë që kallëzonte. I bëj thirrje zotit Pacajt, dhe të gjithë atyre që fshihen pas tij, që të ruaj qetësinë. Të mos dalin natën në orën 1.30 të natës nëpër banesa. Fakti që nuk kanë qenë në shtab është një gënjeshtër e pastër. Nuk ka intimidim të kandidatit, por janë familjarë që përdoren. Na marrin qytetarët! Njerëzit në terren kanë krijuar besim. Ne nuk do t'i lejojnë që të blejnë votat. Ata kanë kërcënuar njerëzit tanë. Nuk kanë pasur armë dhe asgjë të kësaj natyre. Faturistë të OSHEE, kryepleqtë dhe faturistë, administratorë janë truri dhe lokomotiva që në Manati shkuan atje. I nxjerrin njerëzit me biçikleta dhe qese mbeturinash, atje kanë lista. Ky është një denoncim publik, tani po mbledhim të gjitha provat dhe dokumentacionet. Edhe njëherë asnjë nga personat e përfshirë nuk kanë shkuar brenda në lokal. Kanë qenë jashtë. I bëj thirrje zotit Dumani që të përqëndrohet tek krimi zgjedhor. Unë jam i gatshëm t'ua vë edhe me emra ata që blejnë votat,"-tha ndër të tjera Gjin Gjoni.
PJESË NGA FJALA E GJIN GJONIT:
Gjoni: Tensioni vjen nga frika dhe nga momenti deçiziv në zgjedhjet e 2025. Partia Demokratike është parti fituese, padyshim që do jetë fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht kushteve që kryetari i Partisë Socialiste u ka vënë drejtuesve të qarkut Lezhë për të ndryshuar këtë rezultat dhe si duket ata janë në panik dhe padyshim që kërkojnë të zbatojnë me korrektësi porositë dhe urdhrat e padronit dhe deklaratat e dhëna sot, janë deklarata të pabaza, unë padyshim që kam përmend emra konkret dhe jam konkret në ato që kam përmend. Informacioni i ardhur është informacion që vjen çdo ditë nga qytetarë të ndryshëm, na japin informacion për njerëz të caktuar, për emra të caktuar. Njerëz të cilët janë të lidhur me pushtetin qendror dhe me pushtetin lokal, padyshim që tani janë njerëz që punojnë në institucione të Bashkisë së Lezhës dhe në institucione qendrore që i përkasin qarkut të Lezhës, dhe nga krahu tjetër këto informacione vijnë edhe nga zyrat e tyre elektorale për shkak të konfliktit që ka shpërthyer midis kandidatëve të ndryshëm brenda listës së hapur të Partisë Socialiste, sepse secili prej tyre kërkon të ketë njëlloj superioriteti ndaj një kandidati tjetër. Ne kemi shumë informacione dhe për takime që janë bërë se cilin prej kandidatëve do mbështesin edhe cilin jo të strukturave të PS dhe për të pasur një avantazh janë turrur si hijena në lidhje me blerjen e qytetarëve të Lezhës, pa dyshim për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Ta harrojnë! Ta harrojnë! Ne i kemi në vëzhgim total secilin prej tyre, ne kemi ngritur ekipet vullnetare për mbrojtjen e votës. Këto ekipe vullnetare janë ekipe të strukturave dhe të forumit rinor të PD dhe kërkojnë që të mbrojnë vlerat e demokracisë. Ta harrojnë që Lezha do ngelet një dele e zezë në hartën e zgjedhjeve në Shqipëri, si në zgjedhjet e përgjithshme, ashtu edhe lokale. Ne duhet t'i japim një fytyrë dhe trajtë tjetër qytetit të Lezhës.
Deklarata e Pacajt është emocionale. Ai dridhej për atë që kallëzonte. I bëj thirrje zotit Pacajt, dhe të gjithë atyre që fshihen pas tij, që të ruaj qetësinë. Të mos dalin natën në orën 1.30 të natës nëpër banesa. Fakti që nuk kanë qenë në shtab është një gënjeshtër e pastër. Nuk ka intimidim të kandidatit, por janë familjarë që përdoren. Na marrin qytetarët! Njerëzit në terren kanë krijuar besim. Ne nuk do t'i lejojnë që të blejnë votat. Ata kanë kërcënuar njerëzit tanë. Nuk kanë pasur armë dhe asgjë të kësaj natyre. Faturistë të OSHEE, kryepleqtë dhe faturistë, administratorë janë truri dhe lokomotiva që në Manati shkuan atje. I nxjerrin njerëzit me biçikleta dhe qese mbeturinash, atje kanë lista. Ky është një denoncim publik, tani po mbledhim të gjitha provat dhe dokumentacionet. Edhe njëherë asnjë nga personat e përfshirë nuk kanë shkuar brenda në lokal. Kanë qenë jashtë. I bëj thirrje zotit Dumani që të përqëndrohet tek krimi zgjedhor. Unë jam i gatshëm t'ua vë edhe me emra ata që blejnë votat. Ne do jemi në komunikim të vazhdueshëm. Policia të kontrollojë çdo makinë që më shoqëron mua dhe i bëj thirrje zotit Pacaj që të heqë dorë nga pistoletat imagjinare që ai i ka në trurin e tij dhe të dalë të bëjë fushatë i qetë, por mos të vjedhë vota. Kam pasur kontakte edhe me drejtuesin e Policisë së Lezhës dhe i kam kërkuar që të zbatojë ligjin. Por nuk do i lëmë qytetarët në baltë, e do jemi sa herë të duan që të jemi pranë tyre.
Reagimi i Gjonit erdhi pasi kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ermal Pacaj ka depozituar një kallëzim në Policinë e Lezhës, pasi pretendon se njerëz të Partisë Demokratike kanë kërcënuar me armë babain e kandidates së Partisë Socialiste, Klotilda Ndreca. Për ngjarjen, Policia ka shpallur në kërkim Xhejson Seferajn, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjokën, 40 vjeç./ZËRI
PS denoncon: PD tentoi të marrë peng babanë e Klotilda Ndrecës

LEZHË- Fushata në Lezhë është tensionuar! Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ermal Paci ka depozituar një kallëzim në Policinë e Lezhës, pasi pretendon se njerëz të Partisë Demokratike kanë kërcënuar me armë babain e kandidates së Partisë Socialiste, Klotilda Ndreca.
Sipas Pacit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjë në fshatin Dajç, ku personat në fjalë e kanë kërcënuar edhe me pengmarrje të atin e Ndrecës. Megjithatë, Paci nuk përmendi emra. Nga ana tjetër, Gjin Gjoni, Ndërkohë, kandidati i Partisë Demokratike në Lezhë ka publikuar një video ku shihen disa makina duke qarkulluar natën në fshatrat e Lezhës. Nga përshkrimi që vetë Gjoni ka bërë krah videos, nuk kuptohet nëse është Gjoni ai që po ndjek dikë apo nëse po prezanton ‘ekipin’ e tij që është në gatishmëri për të ndjekur të tjerë.
“Do iu marrim peng”/ Dalin PAMJET nga incidenti në lokalin e babait të kandidates së PS në Dajç

LEZHË- Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për qarkun e Lezhës bëri një denoncim të fortë në prag të zgjedhjeve. Jashtë Drejtorisë Vendore të Lezhës, Pacaj pretendon persona të armatosur janë futur në ambientet e lokalit të babait të kandidates së PS, Klotilda Ndreca, dhe kanë kërcënuar familjarët se do të merren peng.
Për ngjarjen janë publikuar edhe pamjet, ku duken disa makina që parkohen para lokalit të kandidates socialiste. Sapo shohin makinat që parkohen disa persona vrapojnë drejt tyre, por më pas videoja ndërpritet.
Këto pamje janë shpëputur në ambientet e jashtme të biznesit të babait të Ndrecës. Për ngjarjen, Policia ka shpallur në kërkim Xhejson Seferajn, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjokën, 40 vjeç./ZËRI
'Do iu ndjekim këmba-këmbës'/ Gjin Gjoni nxjerr PAMJET, ndjek socialistët me makinë: SPAK t'i hetojë, duhen shmangur tensionet!

LEZHË- Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në listën e hapur të qarkut Lezhë, Gjin Gjoni ka publikuar pamje nga terreni. Dje, në orët e vona të mbrëmjes, kandidati për deputet i ka dërguar një mesazh kundërshtarëve politikë të Partisë Socialiste. Në dy postime të njëpasnjëshme në rrjetet e tij sociale, Gjin Gjoni paralajmëron se "grupet për mbrojtjen e votës" kanë dalë sërish në terren. Madje i paralajmëron se do t'i ndjekin socialistët këmba-këmbës.
"Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje te njërëzve qe dalin natën për qellime te mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do tju ndjekim kemba këmbës.#GG#,"-shkruan Gjoni në postim, duke e shoqëruar me pamje nga "aksioni".
Ndërkohë që në një postim tjetër i bën kërkesë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të nisë hetimet për disa persona, duke i listuar edhe me emra dhe postet që mbajnë në administratën e Lezhës. Sipas ish-gjyqtarit Gjoni, SPAK duket të veprojë kundër tyre për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin gjatë rrugës.
EMRAT E PËRMENDUR NGA GJIN GJONI:
• Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh • Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen • Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre • Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë • Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati • Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen • Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç.
"Denoncim publik: Kriminelët elektoral janë aktivizuar – Drejtësia të veprojë me urgjence! Me afrimin e datës së zgjedhjeve, po shfaqen gjithnjë e më hapur elementë që po përpiqen të deformojnë vullnetin e qytetarëve përmes blerjes së votës. I bëj thirrje publike SPAK dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë ndaj këtyre personave, për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin. Ne nuk do të lejojmë që demokracia të nëpërkëmbet – kushdo që do tentojë të prekë votën e lirë do të na ketë përballë! Njerez nga vetë Partia Socialiste me informojnë se këta janë disa prej emrave që janë pjesë e përpjekjeve për blerje votash dhe intimidim të qytetareve: • Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh • Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen • Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre • Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë • Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati • Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen • Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç. Këta individë dhe të tjerë që do ti denoncojmë me zë dhe figure më ditet në vijim duhet të hetohen pa vonesë dhe të vihen para drejtësisë, pasi ne jemi të vendosur që vullneti i qytetareve të mos tjetersohet siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara.#GG#,"-shton Gjoni.
Sot, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës ka denoncuar publikisht edhe kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni. Sipas Ermal Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
"Sapo dolëm nga Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë, kemi depozituar një kallëzim penal për Gjin Gjonin, i cili prej javësh në rrjetet e tij sociale ka akuzuar drejtuesit e shtabeve të PS si kriminelë elektorale, si njerëz që duhet të jenë në burg, apo si njerëz që duhet të përndiqen nga Policia e Shtetit. Do i drejtohemi edhe zyrës së vëzhguesëve të OSBE-së. Fakti që ata duan një alibi për humbjen, nuk e justifikon faktin që një qytetar të këtij vendi ta quajë kriminel një njeri që punon për Partinë Socialiste,"-shtoi Pacaj.
Për socialistin, përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, kandidati i PD (në listën e hapur) po përpiqet të intimidojë qytetarët dhe të përhapë një frymë tensioni në komunitetin e Lezhës. Për të gjitha këto ngjarje, Pacaj deklaroi se PS do t’i drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së por edhe Drejtorisë së Policisë së Lezhës./ZËRI
Kanosja me armë e familjarëve të kandidates së PS në Dajç, Policia shpall në kërkim dy persona

LEZHË- Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim dy persona, të cilët akuzohen se kanë kërcënuar me armë familjarët e kandidates së Partisë Socialiste në Dajç, Klotilda Ndreca. Në kërkim janë shpallur Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç. Të dy akuzohen për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” . Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases Klotilda Ndreca.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti./ZËRI
Tensione me fushatën në Lezhë, kandidati i PS bën kallëzim në Polici: Njerëz të PD na kërcënojmë me armë!

LEZHË- Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për zgjedhjet parlamentare pretendon se ai dhe kandidatë të tjerë janë kërcënuar me armë zjarri nga mbështetës të PD-së. Në një prononcim të shkurtër për mediat fill pasi ka dalë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Lezhës, Pacaj pretendon se persona të armatosur kanë kërcënuar atë dhe babanë e kandidates për deputete Klotilda Ndreca. Sipas tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmjë në fshatin Dajç, ku të armatosurit i kanë kërcënuar edhe me pengmarrje. Megjithatë, edhe pse i denoncoi, nuk i përmendi me emra personat që sipas tij kanë kryer aktin e rëndë.
"Mbrëmë në fshatin Dajç, në orët e vona, në pronën e babait të kandidates tonë për deputet, njerëz të armatosur janë paraqitur duke i kërcënuar se do i merrnin peng kryetarin e PS dhe babain e kandidates për deputete. Kjo është e papranueshme, ne i jemi drejtuar instancave të shtetit. Kjo është ndasia që ne kemi. Çdo natë, militantë të PD-së qarkullojnë orëve të vona me arsye, pa arsye për të gjurmuar dhe për të krijuar alibinë e humbjes. Mbrëmë është bërë kallëzimi. Drejtoria e Policisë vazhdon hetimet. Do interesohemi dhe presim përgjigje dhe veprim nga Policia,"-tha në fjalën e tij Pacaj.
Për denoncimin ende nuk ka një njoftim zyrtar, por burime nga Policia e Lezhës konfirmojnë se dy persona janë shpallur në kërkim.
Po ashtu, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës ka denoncuar publikisht edhe kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni. Sipas Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
"Sapo dolëm nga Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë, kemi depozituar një kallëzim penal për Gjin Gjonin, i cili prej javësh në rrjetet e tij sociale ka akuzuar drejtuesit e shtabeve të PS si kriminelë elektorale, si njerëz që duhet të jenë në burg, apo si njerëz që duhet të përndiqen nga Policia e Shtetit. Do i drejtohemi edhe zyrës së vëzhguesëve të OSBE-së. Fakti që ata duan një alibi për humbjen, nuk e justifikon faktin që një qytetar të këtij vendi ta quajë kriminel një njeri që punon për Partinë Socialiste,"-shtoi Pacaj.
Për socialistin, përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, kandidati i PD (në listën e hapur) po përpiqet të intimidojë qytetarët dhe të përhapë një frymë tensioni në komunitetin e Lezhës. Për të gjitha këto ngjarje, Pacaj deklaroi se PS do t’i drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së, për të informuar mbi situatën dhe për të kërkuar vëzhgim më të rreptë të fushatës./ZËRI