Berisha reagon pas protestës: Policët u vetëplagosën nga përdorimi i gazit lotësjellës
TIRANË- Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka komentuar në një konferencë për mediat protestën e zhvilluar ditën e djeshme. Ai është shprehur se forcat e policisë janë vetëlënduar, pasi u përplasën vetë me protestuesit, duke hedhur gaz lotsjellës drejt turmës.
Berisha më tej ka përgëzuar protestuesit të cilët kanë reaguar, duke e hedhur gazin lotsjellës pas. Në fjalën e tij, ai shtoi se do të vijojë me protestat për të rritur ndërgjegjësimin kombëtar përballë qeverisë Rama.
“Nuk ka pasur asnjë të plagosur. Ne kemi marrë informacion nga qendrat spitalore dhe nuk ka asnjë efektiv të plagosur. E vërteta që policë të kalamendur pati nga gazi. Po ishte gazi i tyre, jo i protestuesve. Nuk i plagosën protestuesit, i plagosën vetë ata. Se i gjuajtën protestuesit me gaz. I përgëzoj, i përgëzoj për aktin heroik të kapjes së gazeve dhe të hedhjes drejt atyre që i hodhën drejt narko-banditëve. Jemi në kilometrin e fundit, dhe vetëm protesta do të na çojë përpara",- tha Berisha.
Rama komenton protestën: Mercenarë të paguar nga rrugaçët e lagjeve! Bardhi: Gazi i skaduar nuk të shpëton dot më! (REAGIMET)
TIRANË- Protesta e organizuar nga Partia Demokratike ka sjellë reagime të forta politike, duke thelluar përplasjen mes qeverisë dhe opozitës. Në një reagim në X, Rama i cilësoi protestuesit e dhunshëm si “mercenarë të rekrutuar me para nga rrugaçët e lagjeve”, duke i krahasuar me grupime ekstremiste dhe anarkiste që veprojnë në vende të ndryshme të Europës.
Kryeministri theksoi se dhuna, përdorimi i molotovëve dhe shkatërrimi i pronës janë pjesë e një modeli të vjetër politik, që sipas tij synon destabilizimin e vendit. Ai e quajti protestën një “degjenerim të pandalshëm” dhe shprehu solidaritet me efektivët e policisë të lënduar gjatë përplasjeve.
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e… pic.twitter.com/XT0HzmE98D
— Edi Rama (@ediramaal) January 25, 2026
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Ramës, duke e akuzuar për mbrojtje të korrupsionit dhe përdorim të dhunës shtetërore ndaj qytetarëve.
Bardhi u shpreh se “as gazi i skaduar dhe as uji me piper nuk do ta shpëtojnë më” Kryeministrin, duke shtuar se në asnjë vend europian një qeveri e përfshirë në skandale nuk mund të qëndrojë në pushtet përmes represionit. Ai akuzoi Ramën për lidhje me krimin e organizuar, paracaktim tenderash dhe sulme ndaj drejtësisë.
Përplasja mes tyre vjen në një moment tensioni të lartë politik, pas protestës së djeshme që u shoqërua me akte dhune, 18 të ndaluar dhe 11 efektivë të plagosur./ZËRI
Protesta e PD mbyllet me gaz e molotov, 18 të ndaluar, 11 efektivë në spitalin e Traumës, incident me shoqërimin e 1 të mituri
TIRANË- Protesta e organizuar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë është mbyllur me përplasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë tubimit janë hedhur lëndë piroteknike, molotovë dhe sende të forta në drejtim të policisë, duke shkaktuar plagosjen e disa efektivëve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore, ndërsa disa prej tyre kanë marrë djegie dhe dëmtime nga mjetet piroteknike.
Pas përshkallëzimit të situatës, Policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, duke përdorur gaz lotsjellës. Nga gazi, janë lënduar qytetarët e pranishëm por edhe punonjësit e medias, të cilët janë parë të raportonin me lot për shkak të efektit të lëndës së përdorur. Përshkallëzimi i situatës me molotov ndodhi në përmbyllje të fjalimeve dhe pas largimit të liderit demokrat, Sali Berisha.
Ndërkohë, janë ndaluar dhe shoqëruar 18 persona, të dyshuar për përfshirje në akte dhune dhe sulme ndaj forcave të rendit. Gjatë verifikimeve, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur, çka ka shkaktuar reagimin e deputetëve demokratë të cilët kanë hyrë dje mbrëma brenda ambienteve të komisariatit nr.1, ku kërkuan takim urgjent me shefin e komisariatit. Gazment Bardhi, Besard Xhaferllari, Saimir Korreshi, Tomor Alizoti ishin në krye të përballjes me efektivët e Policisë. Jashtë komisariatit, Luçiano Boçi e Klevis Balliu shtyn dhe ofenduan disa punonjës së Shqiponjave gjatë kohës që janë afruar për të neutralizuar turmën.
Por kush ishte i mituri? PD deklaroi se i mituri ishte Romeo Kora. Prindërit e tij thanë për Euronews se 13-vjeçari punon afër bulevardit duke mbledhur kanaçe dhe se në momentin e ndalimit nga Policia ishte duke u larë pranë Xhamisë së Namaszgjasë. Pamjet e ndalimit:
Sakaq, Policia ka sqaruar se i mituri nuk është mbajtur në ambientet e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrat e pritjes së qytetarëve deri në mbërritjen e prindërve, të cilët janë njoftuar menjëherë.
Ndërkohë që akuzat vazhdojnë./Zëri
Protesta kombëtare e opozitës, 18 të arrestuar, ndiqen penalisht disa deputetë
TIRANË- Pas protestës kombëtare të opozitës që u zhvillua dje, Policia ka arrestuar 18 persona dhe ka proceduar penalisht 17 të tjerë, përfshirë figura të njohura të opozitës si deputetët: Klevis Balliu, Luçiano Boçi, Gazmend Bardhi dhe Ervin Minarolli.
Arrestimet dhe procedurat vijnë pas përplasjeve që ndodhën gjatë protestës, ku qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues demokratë kërkuan dorëheqjen e Ramës dhe zv.kryeministres Belinda Balluku. Ndër personat e arrestuar janë edhe individë të njohur për aktivitetin e tyre politik dhe aktivistë të tjerë të opozitës.
Lista e të arrestuarve:
Ardian Lici
Anduel Lleshi
Alan Lika
Anastas Mema
Tomas Koja
Ergi Shkurta
Sali Saraci
Ervis Mirashi
Adrian Toli
Rei Hasko
Bledi Spaho
Eldison Huli
Alket Toska
Leonid Xhebexhiu
Besnik Bali
Elton Hoti
Roni Bizhoti
Hamza Cani
Përveç procedurave penale, Policia ka shpallur gjithashtu në kërkim dy individë të tjerë që janë akuzuar për pjesëmarrje në protestë dhe dhunë gjatë përplasjes me forcat e rendit. Si pasojë e tensioneve janë lënduar disa protestues dhe punonjës të uniformave blu dhe janë dërguar mbrëmjen e djeshme për të marrë ndihmë mjekësore te Trauma./ZËRI