LIVE UPDATES

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor! Rama prezent, opozita në bojkot

♦Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur këtë të enjte në seancën e radhës plenare, e cila është shoqëruar me tensione të forta, duke e ndërprerë seancën të paktën 5 herë. ♦Deputetët u mblodhën në seancën sërish pasdite pas ndërprejes për 4 orë, ku u votua me 84 vota pro amnistia penale. ♦Në momentin e votimit, opozita nuk ishte e pranishme në Kuvend. ♦Ndërkohë, deputeti Agron Shehaj u përjashtua pasi po pengonte procesin e votimit, me thirrjet Rama jep dorëheqjen. ♦Deputetët e Kuvendit miratuan gjithashtu ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të propozuara nga deputetët socialistë Ulsi Manja dhe Erion Braçe. ♦Sipas ndryshimeve të miratura, një nga masat më të ashpra që parashikohet është heqja përfundimisht e patentës.

10 artikuj për këtë temë.
1 ORE ME PARE

Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Rrugor: Nga gjobat deri te heqja përfundimisht e patentës (VOTIMI)

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!
kuvendi

TIRANË- Kuvendi ka miratuar këtë të enjte me 84 vota pro paketën e ndryshimeve në Kodin Rrugor, të propozuara nga shumica socialiste, pa vota kundër dhe pa abstenim.

Amendamentet e miratuara sjellin ashpërsim të masave për shkeljet e përsëritura të rregullave të qarkullimit rrugor, duke synuar rritjen e sigurisë në rrugë.

Ndryshimet janë propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Një fokus i veçantë i paketës është vendosur te drejtuesit e rinj dhe ata që ngasin automjetin nën ndikimin e alkoolit. Sipas rregullave të reja, shoferëve që rezultojnë përsëritës duke drejtuar mjetin me mbi 0.5 g/l alkool në gjak, mund t’u hiqet leja e drejtimit në mënyrë të përhershme./ZËRI

1 ORE ME PARE

Rama në Kuvend, Shehaj ngre tonet ndaj tij dhe pengon votimin, Peleshi e përjashton nga seanca

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!
agron shehaj

TIRANË- Pas një ndërprerjeje prej rreth katër orësh, Kuvendi ka rifilluar punimet pasditen e kësaj të enjteje, ku në sallë është parë edhe kryeministri Edi Rama.

Seanca është shoqëruar me tensione, pasi deputeti Agron Shehaj ka ngritur tonet ndaj kryeministrit, i cili ishte rikthyer në Kuvend pas pjesëmarrjes në një forum në Romë. Shehaj i ka kërkuar dorëheqjen, ndërsa Rama është përgjigjur shkurt: “Shihemi në 2029”.

Situata është përshkallëzuar më tej, ndërsa kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka tërhequr disa herë vëmendjen për vijimin normal të seancës. Pas vijimit të debateve, Shehaj është përjashtuar nga seanca plenare.

Pjesë nga debati: 

Shehaj: Jep dorëheqjen

Rama: Shihemi në 2029

Peleshi: Mos pengoni votimin

Peleshi: Zoti Shehaj, neni 65, përjashtoheni nga senaca. Vazhdoni me TikTok-un në oborr tani./ZËRI

1 ORE ME PARE

Opozita bojkton seancën, Kuvendi miraton amnistinë penale me 84 vota pro, i pranishëm edhe Rama

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

TIRANË- Seanca plenare në Kuvend është rikthyer në punime pas një ndërprerjeje disaorëshe gjatë ditës, ku në vijim është diskutuar dhe votuar projektligji për amnistinë penale.

Kuvendi ka miratuar nismën me 84 vota pro, duke hapur rrugën për lirimin e menjëhershëm të 466 personave, mes tyre 11 gra dhe 1 i mitur. Gjithashtu, parashikohet ulja e dënimit për 869 të dënuar, përfshirë 8 gra dhe 8 të mitur.

Në sallë ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili është bashkuar gjatë votimit në seancë. Ndërkohë që në seancë kanë munguar deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa të pranishëm kanë qenë vetëm përfaqësues të Lëvizjes Bashkë dhe Partisë Mundësia.

5 ORE ME PARE

Rinis me tensione seanca plenare, opzita bëhet 'gardh' dhe s’lëshon foltoren, ndërpritet sërish seanca (VIDEO)

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

TIRANË- Seanca plenare është përfshirë në tensione të forta, duke u kthyer në kaos parlamentar, edhe pas një ndërprerjeje prej rreth një ore. Menjëherë pas rifillimit të punimeve, deputetët e opozitës kanë bllokuar sërish foltoren, duke mos lejuar vijimin normal të rendit të ditës.

Në këto kushte, nuk është lejuar që të mbajë fjalën ministri Ferit Hoxha, ndërsa kryeparlamentari Niko Peleshi ka kërkuar sërish 15 minuta pushim dhe mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare.

Seanca e kësaj të enjteje është shoqëruar me përplasje dhe debate të vazhdueshme mes palëve, ndërsa Peleshi ka ndërprerë disa herë punimet në përpjekje për të normalizuar situatën dhe vijimin e rendit të ditës./ZËRI

7 ORE ME PARE

Kuvendi nuk "gjen paqe": Seanca rinis me tensione, Peleshi e ndërpret për herë të tretë: Pushim 1 orë

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

TIRANË- Pas një ndërprjeje prej disa minutash, seanca e Kuvendit rinisi sërish me tensione dhe përplasje të forta.

Debatet u ndezën menjëherë pasi kryeparlamentari Niko Pelshi i dha fjalën Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, ndërsa deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke kërkuar të merrnin fjalën. 

Opozita këmbënguli se po u mohohej e drejta për diskutim, ndërsa nga ana tjetër Peleshi u bëri thirrje deputetëve të ulen dhe të lejojnë vijimin normal të seancës.

Pjesë nga debatet:

Niko Peleshi: Ju lutem, mos e prishni seancën. Dëgjoni fjalën e ministrit dhe merrni fjalën për procedurë. Keni skenar që të prishni seancën.

Deputetët e opozitës: Zbato rregulloren. Nuk i hiqet fjala opozitës.

Tensionet vijuan për disa minuta, çka detyroi kryetarin e Kuvendit të ndërpresë sërish seancën dhe të shpallë një orë pushim. Kjo ishte ndërprerja e tretë e seancës, pas dy ndërprerjeve të mëparshme, fillimisht për 5 minuta dhe më pas për 15 minuta, për shkak të tensioneve dhe përplasjeve mes palëve./ZËRI

8 ORE ME PARE

Kaos në Kuvend! 'Gishtin mos ma drejto mua', PD bllokon foltoren, ndërpritet seanca

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!
PAMJE NGA TENSIONET

TIRANË-Pas pushimit 5-minutësh për shkak të tensioneve, në Parlament ka patur sërish përplasje. Deputetët e PD kanë bllokuar foltoren, ndërsa në kushtet e gjendura kryetari Niko Peleshi dha 15 minuta pushim.

Sapo kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi vijimin me rendin e ditës në pikën e informimit për Konferencën Ndërqeveritare, deputetët e PD u ngritën për të kundërshtuar. Demokratët nuk lejuan që Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha të marrë fjalën.

“Mos e prishni seancën, të vijojmë procedurën. Nuk e shpërndani ju fjalën. Në zbatim të rregullores së pari duhet të uleni dhe foltorja nuk bllokohet. Nuk merret fjala me dhunë. Ju dhashë 5 minuta pushim për qetësim, për meditim. Mos më tregua mua me gisht”, u shpreh Peleshi.

9 ORE ME PARE

'Shpifje ordinere'/ Gjiknuri debat me Berishën, kreu i PD: Dil këtu dhe bëj be që s’ke qenë në Aruba

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!
Sali Berisha dhe Damian Gjiknuri

TIRANË-Kuvendi ka vijuar me debate e përplasje, ku kryedemokarti Sali Berisha ka akuzuar kryetarin e komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri se ky i fundit ka qenë pjesë e takimit në Aruba, një nga episodet më të përfolura të hetimit ndërkombëtar për trafik droge dhe pastrim parash që po zhvillohet nga SPAK.

Në dokumentet hetimore të SPAK, pjesë e takimit kanë qenë disa nga personat nën hetim, mes tyre Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti dhe Bashkim Osmani. Berisha pretendon se në takimet, të cilat shërbenin për koordinimin e veprimtarisë së trafikut të narkotikëve, si dhe për diskutimin e qarkullimit të parave në Shqipëri ka qenë edhe Damian Gjiknuri. Deputeti socialist ka mohuar të ketë qenë pjesë e takimit dhe e ka cilësuar një shpifje ordinere. 

Pjesë nga diskutimi:

Sali Berisha: Tani ky Duman, që mund t’i vesh njëqind epitete, po unë nuk e prish gojën, fsheh emrin e Damian Gjiknurit, të cilët ishin dërgata e tij… Damian, tani, edhe po nuk ke qenë, të gjithë për ty thonë. Bëj be sa të duash, nuk ta besojnë. Nuk ta besojnë tani, nuk e kam unë fajin.

Damian Gjiknuri: Meqenëse politikani i mëparshëm, që unë e quaj babeli psikologjik, sepse gjithmonë aty ku do t’i mëshojë asaj që ka rëndësi, e bën relevante, ka një parim ai që e di shumë mirë, se njihemi prej kohësh: “S’ka rëndësi gënjeshtra, rëndësi ka kush e thotë i pari”. Sa për emrin që më përmendi, ai e di shumë mirë që unë s’kam asnjë lidhje me ata, as nuk i njoh, por disa nga emrat që përmenden aty, familjarët e tij janë në foto. Nuk po them kanë apo nuk kanë lidhje, atë ta sqarojë i zoti i punës, por është një shpifje ordinere. Sa për protestën, i pari që e tha antitrampizëm, e tha ai, pastaj e ktheu pllakën. Kur të dalë e vërteta e Arubës, edhe unë do të them çfarë marrëveshjesh ka bërë ai për të lënë hapësirë që të udhëtojë sërish në Amerikë, këtë duhet t’ua shpjegojë ai deputetëve të tij.

Sali Berisha: Me asnjë shpifje nuk e lan dot veten tënde, Damian, dil e bëj be këtu që s’ke qenë, dil betohu që s’ke qenë në Aruba. Sa i përket asaj, të garantoj që gjithçka është trillim dhe vetëm trillim, dosjen e ka në dorë një armik i imi dhe mezi do të priste të shihte, kurse ty të fsheh ai. Nëse ti thua nuk kam qenë, dil bëj be këtu në Bibël dhe lahu para shqiptarëve, po nuk bën dot be. Dil provoje.

9 ORE ME PARE

'Të shkarkojmë të gjithë Ramën'! Balla-Berishës: Shko po ta mbajti në tubim

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!
pamje nga Kuvendi

TIRANË-Kuvendi ka nisur me tensione,  ku shkak është bërë, mosdhënia e fjalës për procedurë për kreun e Partisë Demokratike Sali Berishën. Në këtë moment, Berisha ka refuzuar që të lirojë foltoren, ndërkohë që aty janë mbledhur dhe deputetët e PD-së. Pasi Niko Peleshi i dha edhe 3 minuta kohë, situata u qetësua.

Sali Berisha: Nuk mund të shtypni ata që kanë marrë mbështetje ndërkombëtare. Kërkesat e qytetarëve janë për largimin e menjëhershëm të Ramës, për anulimin e të gjitha ligjeve të amenduara nga Rama për mbrojtjen e mjedisit, me të cilat ju ndërtuat aeroportin e Vlorës dhe për këtë arsye flamingot i dënuat me vdekje. Në të cilin ju ndërtuat pikën e vogël në Parkun e Butrintit, me të cilën shkatërruat trashëgiminë kulturore dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve, duke harruar që janë edhe pasuri evropiane. Unë mendoj se vazhdimi me çështje të tjera në këtë Parlament, pa ardhur Rama këtu, për mocion me debat, është një akt sa tradhtie aq edhe cinizmi ndaj qytetarëve shqiptarë. Nuk keni të drejtë të injoroni qindra mijëra qytetarë që kanë 18 ditë me flamurin e ligjit në dorë, duke sakrifikuar orë të tëra. Se kush tregohet fashist tani, ju apo ata, këtë e diktojnë dhe e lë të gjykohet nga qytetarët. Ju keni vendosur t’i zgjidhni me kërcënime, duke marrë bandat. Paralajmëroj urgjent hetim parlamentar. Larg duart nga protesta, zëri i qytetarëve nuk mposhtet kurrë. Pastaj do ikni si minjtë. Por më mirë tani burrërisht, të hedhim mosbesim ndaj Edi Ramës dhe t’i japim zgjidhje krizës që do të jetë shumë herë më e fortë në ditët dhe javët që vijnë.

Kryeparlamentari i dha fjalën kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për replikë, i cili e sfidoi Berishën të shkonte në protestë për të parë nëse do të pranohej ose jo nga qytetarët.

Taulant Balla: Së pari, kërkesa është formuluar gabim dhe nuk mund të merret në konsideratë. Nga deputeti që mori fjalën në emër të kërkuesve, nuk dëgjuam asnjë argument që ka të bëjë me kërkesën. Kërkesa nga grupi ynë do të rrëzohet. Kemi pasur një diskutim në Konferencën e Kryetarëve, ku vetë deputetët kanë kërkuar që këto iniciativa të shqyrtohen. Nuk dëgjuam asnjë argument. I fundit që mund të flasë për protestuesit është ky pelikani këtu. Nëse do të zbatosh atë që unë të ftoj, Sali Berisha, sot pasdite shko në protestë. Shkon dot në protestë? Provoje po ta mbajti. Unë kam bërë një kallëzim për ty. Kam kontribuar. I ftoj protestuesit ta marrin në shqyrtim. Kush ju ka mandatuar ju ndonjëherë? I fundit je ti që mund të na bësh ne ndërmjetësin me protestuesit. 

10 ORE ME PARE

'Rama në burg, Belinda në burg'-Pankarta kundër qeverisë ngjitetet në derën e Kuvendit

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

TIRANË-Deputetët e Partisë Demokratike ka mbërritur në Kuvend për seancën e radhës plenare me pankarta në duar, si ato në protestat e zhvilluara në Tiranë, kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë njëra nga pankartat me shkrimin 'Rama në burg, Belinda në burg' është ngjitur në derën kryesore të godinës së Parlamentit.

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!

12 ORE ME PARE

Mblidhet Kuvendi/ Amnistia penale dhe 3 interpelaca, çfarë pritet të diskutohet

Kuvendi miraton me 84 vota amnistinë dhe ndryshimet në Kodin Rrugor!
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare. Në nisje të seancës deputetët do të informohen mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim.

Në rend dite janë parashikuar tre interpelanca me anëtarë të qeverisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, do të jetë në një interpelancë urgjente të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Deputeti Erion Braçe ka kërkuar interpelancë me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ndërsa deputetja Ina Zhupa do të kërkojë sqarime nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Kuvendi pritet të kalojë në shqyrtimin e një pakete projektligjesh. Mes tyre është projektligji “Për dhënie amnistie”, si dhe disa ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të cilat pritet të sjellin debat mes palëve politike.

Në rend dite janë gjithashtu projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, ligji për informacionin elektronik të transportit të mallrave dhe ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore. Dy projektligje të tjera, të propozuara nga opozita, fokusohen te automjetet dhe motomjetet elektrike, si dhe monopatinat, duke rregulluar regjistrimin, qarkullimin dhe përdorimin e tyre nga të miturit./ZËRI

Poll

MOS HUMB