FOTO/ E gjitha me të zeza dhe stilin e viteve '60, Belinda Balluku surprizon me pamjen në varrimin e Fatos Nanos
TIRANE- Të gjithë e kanë parë zv.kryeministren Belinda Balluku, sot në ceremoninë e homazheve për ndarjen nga jeta të liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Balluku u shfaq në ceremoni me flokët të krehura onde klasike, të kaluara të gjitha në njërën anë dhe kombinuar me një varëse me perla të bardha, tipike për stilin e viteve '60.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë u mor zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Numri dy i qeverisë mbërriti të premten në SPAK, ku prokurori Dritan Prençi i komunikoi akuzën ‘Shkelje e Barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”./ZËRI








Rama në homazhet për Fatos Nanon: Ndamë, thyem dhe rindamë bukë, historia jonë kaloi nëpër ekstreme
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë mortore të ish-liderit socialist Fatos Nano, u ndal në marrëdhënien e ndërlikuar që kanë pasur së bashku, duke e përshkruar si një histori që ka kaluar nëpër “ekstreme”. Megjithatë, kreu i qeverisë shtoi se një pjesë e kësaj historie ka lidhje të drejtpërdrejtë me pozitën e tij aktuale shtetërore dhe partiake.
“Me Fatosin ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë, por historia e marrëdhënies tonë të zhvilluar mes ekstremesh nga birësimi im në familjen socialiste me bekimin e tij deri tek vrasja e babait për marrjen e skeptrit të tij nuk ka vend këtu në këtë eulogji.
Ose jo ka vend vetëm për një fakt, nëse jam unë sot zëdhënësi i hidhërimit të krejt familjes socialiste, kjo lidhet padyshim me intuitën dhe me guximin e kryetarit themelues për të më ftuar dhe vënë vend në Odën e shtëpisë tonë politike për të thyer një mur ndarës me shoqërinë e kohës, kur shtëpia e socialistëve nuk ishte ajrosur ende plotësisht nga era e të shkuarës”, -tha Rama.
View this post on Instagram
/ZËRI
Lamtumirë Fatos Nano! Arkmorti i ish-kryeministrit niset drejt banesës së fundit, Rama dhe Kurti krah njëri-tjetrit
TIRANË- Arkëmorti i ish-kryeministrit niset drejt banesës së fundit nën tingujt e “My Way”, të Frank Sinatrës. Të gjithë të pranishmit që ishin në ceremoninë mortore po shoqërojnë arkëmortin në këmbë, në nder të ish-liderit historik Fatos Nano, teksa kanë hedhur dhe karafila të bardhë.
Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama e ka shoqëruar bashkëshorten e ish-kryeministrit, Xhoanën përgjatë gjithë ecjes në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ndërsa kryeministri Edi Rama shihet në prani të kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurti dhe përfaqësuesve nga Maqedonia e Veriut.
View this post on Instagram
Kohëve të fundit mes dy kryeministrave ka pasur një përplasje nga larg lidhur me deklartat e Ramës për UÇK-në dhe Gjykatën Speciale në Hagë./ZËRI
Homazhet shtetërore për Fatos Nanon, Rama: Sa të paskan dashur mor burrë i dheut, plasja më vjen
TIRANË- Gjatë homazheve shtetërore për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, kryeministri Edi Rama e kujtoi atë si mik, udhëheqës dhe njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë politike të vendit, ndërkohë nuk la pa komentuar dhe kundërshtarët politikë të Nanos, që sipas tij ata që e burgosën, thurën lavdrime pas lajmit të trishtë.
“I thonë një fjale, vdis pa të dua. Sa do doja i dashur fatos të uleshim sonte në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit plot me shijeni e ajrit të pastruar mes nesh dhe ti kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve tërë ça u tha e ça shkrua për ty qysh se doli lajmoi se këtë herë ti ike përgjithmonë. Sa të paskan dashur e admiruar, edhe at që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë dhe gurë kurrë pa të hedhur, mezi paskam pritur të të tregojnë dashurinë sapo të merrnin vesh që nuk do ti hapësh më sytë. Dhe ata që të kallën në burg duke të akuzuar si vjedhës dhe erdhën të vrasin në zyrë duke të mallkuar si vrasës e që të lëshuan mbi fytyrë për vite me radhe tërë të zezat e gjuhës shqipe, veç ta shihje se si ta kanë qëndisur aq bukur fjalët e admiratës së tyre. Plasja më vjen që s’jemi dot sonte për një darkë që s’do të kishte paguar”, tha Rama.
View this post on Instagram
Lamtumirë Fatos Nano! Mban fjalën bashkëshortja, Xhoana Nano: Ishte i vërtetë, shmangte populizmin dhe banalitetin
TIRANË- Gjatë ceremonisë mortore për Fatos Nanon, Xhoana Nano mbajti një fjalim emocionues, ku përshkroi jetën dhe virtytet e bashkëshortit të saj. Xhoana e përshkroi ish-kryeministrin si një njeri të jashtëzakonshëm, të sinqertë dhe me zemër të madhe, që besonte në vlerat evropiane, shmangte populizmin dhe banalitetin, nuk bënte gjëra përgjysmë dhe i dhuronte dashuri, miqësi dhe mirëkuptim pa kufij për të gjithë.
“Të dashur miq e dashamirës, I nderuar zoti kryeministër, kjo është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës. Po ndahem me njeriun që kalova një cerek shekulli jetë dhe që më lidhën shumë ëndërra, shpresa e zhgënjime të përbasjhkëta. Është një nga ato ditë që sdo doja ta kaloja. E njëjta ditë është dhe për fëmijët tanë. Këtu e një cerek shekulli më parë, rashë në dashuri me Fatosin, isha shumë e re atëherë nuk e kuptoja pse. Kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person por dhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe, tjetër nga ajo që po kalonim.
Nuk e pata menduar me kaq qartësi atëhërë. Me kalimin e kohës, ditë pas dite, pata fatin të zbuloja te Fatosi vlera e cilësi që nuk jan. e ndjej për detyrë publike e morale që disa cilësi të tijat, me mirënjohje të thellë e them, që I njohim të gjithë, por ja vlen të përmblidhen. Sepse Fatosi ishte i vërtetë, ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin. Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai nuk bënte asgjë përgjysëm, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Ai kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja ishte një cilësi që jo vetëm nuk e kishte por as nuk donte ta njihte."- shprehet Xhoana.
View this post on Instagram
/ZËRI
Edi Rama mbërrin në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga bashkëshortja e tij
TIRANË- Edi Rama mbërrin në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.Në përfundim të ceremonisë shtetërore, kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e fundit të lamtumirës, duke nderuar pasuesin e tij në drejtimin e Partisë Socialiste.
View this post on Instagram
/ZËRI
Albin Kurti dhe Ali Ahmeti mbërrijnë në Pallatin e Kongreseve në nder të Fatos Nanos
TIRANË- Vetëm pak çaste më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, i cili është i shoqëruar nga ministra dhe deputetë të kabinetit të tij. Ndërkohë, në homazhe merr pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga Bujar Osmani, duke treguar solidaritetin dhe respektin e liderëve politikë të rajonit për kontributin e Fatos Nanos në jetën politike të Shqipërisë./ZËRI
FOTOLAJM/ Me lot në sy, Xhoana nderon Fatos Nanon
TIRANË- Xhoana Nano, bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, është fotografuar me lot në sy gjatë homazheve që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në nder të tij.
Në krah të saj qëndron djali i çiftit, ndërsa rreth saj janë familjarë të tjerë, miq dhe qytetarë që i japin lamtumirën e fundit liderit historik. Homazhet tërheqin gjithashtu figura të njohura politike, të cilët shprehin respektin dhe nderimin e tyre për kontributin e Fatos Nanos në jetën politike dhe publike të vendit./ZËRI
Braçe nderon Fatos Nanon: Një lider që transformoi Partinë Socialiste
TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe mori pjesë në homazhet publike në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke shkruar më pas edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve, për të shprehur respektin dhe vlerësimin për liderin historik të Partisë Socialiste.
Para mediave, Braçe vlerësoi kontributin e Nanos në reformimin e ish-Partisë së Punës, duke e kthyer atë në një forcë politike moderne dhe të hapur.
“Ishim në rrënojat e Partisë së Punës, dhe dolëm prej saj bashkë me të gjithë ata që iu bashkuan më pas PS-së. Fatos Nano i dha mundësinë secilit të rritej, të zhvillohej dhe të bënte karrierë. Ai kontribuoi për të bërë një parti më të mirë se ajo që trashëguam,” - tha Braçe.
View this post on Instagram
Homazhet do të vijojnë deri në orën 11:00, ndërsa më pas pritet të zhvillohet ceremonia shtetërore e nderimit, me praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit./ZËRI
Opozita i bashkohet homazheve për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, të pranishëm Gjekmarkaj, Duka dhe Mediu
TIRANË- Në Pallatin e Kongreseve vijojnë homazhet në nder të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Përveç përfaqësuesve të mazhorancës, të pranishëm në ceremoni janë edhe figura të njohura të opozitës.
Agron Gjekmarkaj, Agron Duka dhe Fatmir Mediu u përulën me respekt përpara arkëmortit të Nanos, duke shprehur nderimin e tyre për rolin dhe kontributin që ai pati në politikën shqiptare. Pas homazheve, përfaqësuesit e opozitës lanë edhe mesazhet e tyre në librin e ngushëllimeve, duke vlerësuar Fatos Nanon si një figurë me ndikim të madh në jetën politike të vendit dhe në konsolidimin e demokracisë shqiptare./ZËRI
Në nderim të Fatos Nanos, të pranishme Xhoana dhe ish-bashkëshortja Rexhina
TIRANË- Në Pallatin e Kongreseve kanë nisur që prej mëngjesit homazhet në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, një prej figurave më të spikatura të tranzicionit demokratik dhe liderit historik të Partisë Socialiste.
Në ceremoninë e nderimit janë të pranishëm familjarë të afërt, miq dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite. Pranë arkëmortit qëndron bashkëshortja e të ndjerit, Xhoana Nano, si dhe djali i tij, Sokoli dhe vajza Edlira. Mes të pranishmëve është gjithashtu edhe ish-bashkëshortja e Fatos Nanos, Rexhina, e cila qëndron përkrah familjes Nano.
View this post on Instagram
Atmosfera në hollin e Pallatit të Kongreseve është solemne dhe e mbushur me lot dhe emocione, teksa qytetarë të shumtë dhe figura të njohura politike po nderojnë kujtimin e Nanos, i cili u nda nga jeta më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare. Homazhet do të vijojnë deri në orën 11:00, ndërsa më pas pritet të zhvillohet ceremonia shtetërore e nderimit, me praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit./ZËRI
Sot homazhet për Fatos Nanon! Arkëmorti mbërrin në Pallatin e Kongreseve
TIRANË- Ka mbërritur në mëngjesin e sotëm në Pallatin e Kongreseve arkëmorti me trupin e pajetë të ish-kryeministrit Fatos Nano, aty ku po zhvillohen homazhet zyrtare të lamtumirës. Në hollin e Pallatit është vendosur salla e nderimit, ku familjarë, miq të afërt dhe figura të njohura të politikës shqiptare po i japin lamtumirën e fundit një prej personaliteteve më të rëndësishme të tranzicionit demokratik.
View this post on Instagram
Në ceremoninë mortore marrin pjesë bashkëshortja e të ndjerit, Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina. Homazhet do të vijojnë deri në orën 11:00, ndërsa më pas do të mbahet ceremonia shtetërore e nderimit me praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit dhe të trupit diplomatik.
Trupi i Fatos Nanos do të niset në orën 12:05 nga Pallati i Kongreseve për në Sharrë. Familja ka kërkuar të kryejë në shtëpi edhe shërbesën e ritualit ortodoks për Fatos Nanon, në një ceremoni private familjare./ZËRI
Ditë Zie Kombëtare! Mbahen homazhet për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, pritet të mbajnë fjalën kryeministri Rama dhe familjarët
TIRANË- Sot Shqipëria i jep lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano, një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit demokratik shqiptar. Në shenjë respekti për kontributin e tij politik dhe publik, Këshilli i Ministrave ka shpallur Ditë Zie Kombëtare.
Homazhet publike po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 08:30 deri në 11:00, ku qytetarë të shumtë, bashkëpunëtorë, miq, personalitete të larta të shtetit dhe përfaqësues të politikës po nderojnë kujtimin e Fatos Nanos.
Programi i homazheve dhe ceremonisë shtetërore
Në orën 11:15-11:45 do të mbahet ceremonia shtetërore e nderimit, ku do të jenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të shtetit, përfaqësues të opozitës dhe të trupit diplomatik.
Në orën 12:00, në mbarë vendin do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të ish-kryeministrit, ndërsa pesë minuta më pas, në orën 12:05, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës.
Flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtize në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa Radiotelevizioni Publik Shqiptar transmeton gjatë ditës muzikë funebre, në shenjë zie dhe respekti kombëtar.
Në përfundim të ceremonisë shtetërore, kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e fundit të lamtumirës, duke nderuar pasuesin e tij në drejtimin e Partisë Socialiste.
Pas tij, pritet të flasin edhe bashkëshortja e të ndjerit, Xhoana Nano, si dhe djali, Sokoli, të cilët do të përcjellin mesazhet e tyre të ndjera për figurën e Fatos Nanos, si politikan, intelektual dhe njeri i familjes.
Për organizimin e kësaj dite është ngritur Komisioni i Posaçëm Shtetëror, nën drejtimin e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet më të rëndësishme të vendit./ZËRI