Vrasja e dyfishtë për një kafe! Gjendet makina e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, në mjet, gjurmë plumbi
DURRËS- Në Manëz është gjetur automjeti i 21 vjeçarit, Daniel Pepa të shpallur në kërkim pas ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë dy djem të rinj, Flori Paluçi dhe Aranit Kurti. Klan raporton se automjeti u gjet i fshehur pranë banesës së tij, ndërsa brenda tij u konstatua një gjurmë plumbi.
Daniel Pepa vrau Flori Paluçin, pasi ky i fundit qëlloi për vdekje me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Në lidhje me ngjarjen janë ndaluar katër persona.
Çfarë ndodhi në lokal
Aranit Kurti 23 vjeç dhe Daniel Pepa, 21 vjeç u ulën në tavolinë dhe i kërkuan kafe kamerierit. Kamerieri Alteo Pepa ishte ulur me Flori Paluçin, 33 vjeç, dhe i thotë dy të rinjve se nuk mund tu shërbente kafe, pasi ekspresi ishte i fikur. Përgjigjia e tij 'ndezi' sherrin mes të rinjëve, ku fillimisht filloi me ofendime dhe sharje. Në debat ndërhyri dhe Flori Paluçi, i cili i doli në mbrojtje kamarierit, duke thënë se nuk mund ta fyenin pasi kamerieri ishte ulur në tavolinë me të. Debati ka agravuar në përdorimin e armës, ku i pari që ka qëlluar ishte Flori Paluçi i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin./ZËRI
U vra pas sherrit për një kafe në lokal, del FOTOJA e Aranit Kurtit
DURRËS- Personi që shihni në foto është 23-vjeçari Aranit Kurti, i cili mbeti i vrarë në konfliktin për një kafe në një lokal në Manëz të Durrësit. Sipas të dhënave nga hetimet e para dhe dëshmia e kamarierit të lokalit ku ndodhi ngjarja, 23-vjeçari ka qenë i ulur me 21-vjeçarin Daniel Pepa. Ky i fundit i ka kërkuar kafe kamerierit, por ai nuk ia ka bërë për shkak se ekspresi ka qenë i fikur.
Të dy ata kanë insistuar për ndezjen e ekspresit, teksa kanë fyer kamarierin. Pas kësaj, personi që ishte ulur me kamerierin, 33-vjeçari Flori Paluçi, ndërhyri në debat dhe mori armën, duke qëlluar ndaj Aranit Kurtit dhe duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, Daniel Pepa, shoku i Kurtit ka reaguar duke vrarë me armë zjarri 33-vjeçarin Paluçi.
“I thashë s’ka kafe në këtë orë”/ Dëshmia e kamarierit: Flori ndërhyri për të më dalë në krah...Ja kush qëlloi i pari
DURRËS- Janë zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Manëz të Durrësit, ku dy të rinj humbën jetën. Dëshmia e kamarierit të lokalit ku ndodhi ngjarja, ka hedhur dritë mbi zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Sipas dëshmisë së kamarierit, 21-vjeçari Daniel Pepa që është shpallur në kërkim, së bashku me 23-vjeçarin Arianit Kurti, kanë hyrë në lokal rreth orës 01:45 të mëngjesit. Pepa i ka kërkuar kamarierit që t'i sillte një kafe, por ky i fundit i është përgjigjur se ekspresi ishte i fikur dhe nuk mund të përgatiste kafe në atë moment. Pepa ka këmbëngulur që kamarireri ta ndizte ekspresin, duke përdorur gjuhë fyese ndaj tij. Në këtë moment, në atë çast ka ndërhyrë 33-vjeçari Flori Paluçi, i cili i ka thënë Danielit: “Nuk mund ta fyesh kamerierin, pasi ai është ulur në tavolinë me mua.”
Kamarieri ka rrëfyer para hetuesve se situata u tensionua më shumë pas ndërhyrjes së Paluçit, ku në moment që kanë dalë të dera e lokalit, ky i fundit ka qëlluar mbi Aranitin. Në këtë moment, Danieli ka marrë armën dhe e ka qëlluar Florin, duke e lënë të vdekur në vend.
"Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë. Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”- tregon kamerieri.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:45: të mëgjesit të së mërkurës, në ambientet e një lokali pranë një karburanti në Manëz të Durrësit. Të vrarë mbetën Aranit Kurti 23-vjeç dhe Flori Paluçi 33-vjeç. Në kërkim është shpallur 21-vjeçari Daniel Pepa, ndërsa 7 persona janë shoqëruar pas vrasjes./ZËRI
Vrau 23-vjeçarin, por mbeti edhe vetë viktimë, zbulohet e shkuara e Flori Paluçit
DURRËS- Personi në foto është Flori Paluçi, një prej autorëve të vrasjes në Durrës, njëkohësisht edhe njëri prej viktimave e vrasjes së dyfishtë në Durrës. Mësohet se Paluci ishte i skeduar në Itali. Burime bëjnë me dije se 33-vjeçari ishte pjesë e një grupi grabitësish. Paluci ka qenë me probleme jashtë vendit për krime.
Sa i përket dinamikës së ngjarjes, 33-vjeçari Flori Paluçi mbeti viktimë nga konflikti me armë zjarri në një lokal në Durrës, ndërsa fillimisht ai qëlloi për vdekje një tjetër, 23-vjeçarin Aranit Kurti. Ndërkohë, Daniel Pepa 21-vjeç ka qëlluar ndaj Paluçit, duke e lënë të vdekur në vend. Pepa, i cili është shpallur në kërkim nga policia, njihet si i ri problematik në zonë.
Ende nuk dihet lidhja tyre, nëse njiheshin apo ndodheshin rastësisht në vendngjare. Ndërkohë që shkak dyshohet se ka qenë konflikti për një kafe. Njëri prej tyre kërkoi kafe, ekspresi ishte fikur dhe ai u irritua me kamerierin, ku ndërhyri pala tjetër dhe nisi konflikti.
“Na bëj një kafe o kamarier"/ Si nisi sherri ku mbetën dy të vrarë në Durrës, zbardhet dinamika
DURRËS- Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i dyfishtë në Durrës, nga ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy person, Aranit Kurti 23-vjeç, dhe Flori Paluçi 33-vjeç. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se konflikti me dy të vdekur mbrëmë në Durrës, ishte banal. Shkak dyshohet se ka qenë konflikti për një kafe.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Manëz rreth orës 01:45, ku Daniel Pepa, i shoqëruar nga Aranit Kurti, i ka kërkuar kamarierit që t'i bëjë një kafe, por ky i fundit u ka thënë se ekspresi është i fikur. Këtu ka nisur një debat me kamarierin dhe Florian Paluçi ka ndërhyrë në mbrojtje të kamarierit. Këtu ka nisur konflikti mes palëve. Burime bëjnë me dije fillimisht ka nisur një sherr verbal dhe më pas me grushte. Më pas, situata ka agravuar ku Paluçi ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar ndaj 23-vjeçarit Kurti që ndërhyri, ndërsa më pas Pepa ka shkuar dhe ka marrë armën në makinë dhe ka qëlluar ndaj 33-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend.
Sipas hetimeve të para të kryera nga grupi i posaçëm, dyshohet se Aranit Kurti dyshohet se është vrarë nga Flori Paluçi. Ndërsa viktima tjetër Flori Paluçi është vrarë nga Daniel Pepa, i cili është në kërkim./ZËRI
Tronditet Durrësi/ Dy persona vriten me armë zjarri pranë një karburanti, shpallet në kërkim një 21 vjeçar (EMRAT)
DURRËS- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Manzë të Durrës në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ku dy persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobëta. Dy viktimat janë Aranit Kurti 23-vjeç dhe Flori Paluçi 33-vjeç. Dyshohet se ky i fundit ka qëlluar ndak 23-vjeçarit, dhe më pas ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar 21-vjeçari Daniel Pepa, duke e lënë të vdekur në vend. 21-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërsa shërbimet e policisë po vijojnë kontrolle intensive për kapjen e tij,.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.