Prokurorët e posaçëm vetëm 1 mandat, PS propozon ndryshime: Ta heqim kufizimin! PD kundërshton
TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka mbështetur kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për ndryshimin e kuadrit ligjor që rregullon mandatet e prokurorëve të posaçëm.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e SPAK, Manja u shpreh se mazhoranca është e gatshme të iniciojë edhe ndryshime kushtetuese për të hequr kufizimin që nuk lejon rikandidimin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Sipas tij, përvoja e fituar nga prokurorët gjatë nëntë viteve nuk duhet të humbasë vetëm për shkak të ndalimit të një mandati të dytë.
“SPAK është organ kushtetues dhe ka jetëgjatësi si institucion. Nuk është normale që, pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, t’u thuhet të largohen pa pasur mundësi të rikandidojnë. Kush dëshiron të kandidojë për një mandat të dytë, duhet t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit, si çdo prokuror tjetër. Përkohshmëria e prokurorëve cenon cilësinë e hetimeve. Bashkojmë votat, ndryshojmë Kushtetutën dhe heqim kufizimin për mandatin”, u shpreh Manja.
Megjithatë, propozimi i Manjës u kundërshtua nga deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, të cilët argumentuan se dispozitat aktuale janë miratuar me konsensus dhe nuk ka arsye për t'i ndryshuar./ZËRI
Prokurorët e SPAK s'kanë të drejtë rikandidimi, Braho: Të zgjidhet çështja, ndikon në vijimësinë e punës
TIRANË- Kreu i SPAK, Klodjan Braho në raportiimn e veprimtarisë vjetore të SPAK në Komisionin e Ligjeve është ndalur edhe te mandati i kufizuar i prokurorëve të posaçëm.
Sipas Brahos, kjo është një problematikë e përsëritur pasi mbaron mandati 9-vjeçari i prokurorit. Braho thekson se kjo problematikë ndikon drejtpërdrejt në vazhdimësinë e punës.
"Kjo është një problematikë e përsëritur, dhe që kërkon vëmendje. Kjo nuk lidhet vetëm me karrierën tonë, por edhe me vazhdimësinë e institucionit. Ne kemi mandat 9 vjeçar, dhe secili prokuror duhet te ushtrojë detyrën e vet, dhe ne nuk kemi strategji tjetër, do te vazhdojmë punën. Nëse nuk kemi të drejtë për të riaplikuar ose vazhdimësi, kjo është problematikë e strukturës dhe vijimësisë së punës!", tha Braho.
BKH në terren, arrestime pa policinë/ Braho: Të kemi pavarësinë tonë në operacione specifike
TIRANË- Kreu i SPAK, Klodian Braho, u pyet gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve edhe për marrëdhënien mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, si dhe për operacionet e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në terren.
Gjatë diskutimeve, deputetët ngritën edhe çështjen e ndërhyrjeve të BKH-së për arrestimin e personave në kërkim pa asistencën e Policisë së Shtetit, duke iu referuar rastit të Adi Çobës në Durrës.
Në përgjigjen e tij, Braho theksoi se Policia e Shtetit mbetet partneri kryesor i SPAK-ut, por nënvizoi se institucioni duhet të ketë pavarësi procedurale dhe operacionale për të garantuar efektivitetin e hetimeve.
“Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi patur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin me të madh për Policinë e shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne. Policia e Shtetit është partneri jonë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi jonë është i lidhur me Policinë. Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë, veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera më të cilat bashkëpunojmë”, tha Braho.
"S' na vjen asnjë dosje e gatshme", Braho: Ka pasur dekonspirime të operacioneve, janë bërë edhe procedime
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor për vitin 2025, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit.
Përveç raportimit, Braho është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve, ku është ndalur te bashkëpunimi me autoritetet e huaja dhe procesi i hetimeve ndërkombëtare.
Në përgjigje të deputetit të PD-së, Gent Strazimiri, ai foli edhe për rastet e dekonspirimit të hetimeve, duke pranuar se në disa situata të tilla janë ndërmarrë procedime konkrete dhe masa ligjore ndaj personave të përfshirë.
“Ne nuk na vjen asnjë dosje e gatshme. Patjetër që kemi bashkëpunim ndërkombëtar dhe na vijnë informacione nga jashtë, por hetimet dhe analizat i bëjnë hetuesit tanë. Nuk mund t’ia heqim këtë meritë.
Mund të them se po, ka pasur procedime konkrete që lidhen me dekonspirim të hetimeve. Madje, në disa raste, bashkë me ndjekjet penale që prokurorët kanë bërë, janë ngritur akuza dhe janë marrë masa ligjore ndaj punonjësve në institucione”, u shpreh Braho./ZËRI
Braho: Për mua deputeti s'duhet të ketë imunitet, mungesa e masës dëmton hetimin
TIRANË- Kreu i SPAK, Klodian Braho, është pyetur gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve dhe ndikimin e tij në hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Demokrati Oerd Bylykbashi ka pyetur kreun e SPAK, Klodian Braho, lidhur me ekzistencën e një strategjie nga ana e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e imunitetit të deputetëve, në rastet kur ky status pengon vendosjen e masave të sigurisë.
Braho shprehu mendimin e tij personal duke thënë se asnjë deputet nuk duhet të kishte imunitet fare përballë ligjit. Sipas Brahos, ndalimi i vendosjes së masës së sigurisë për shkak të imunitetit, vështirëson punën e hetuesve si dhe e dëmton atë.
Bylykbashi: Çështja Balluku riktheu një mekanizëm. A keni një strategji për këtë rikthim të imunitetit, pasi jemi kthyer në një situatë që atë që e bëmë në 2012 u zhbë në 2026.
Braho: Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatë kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare.
Bylykbashi e pyeti kreun e SPAK nëse do të ketë kërkesë të dytë në Kuvend për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Braho u përgjigj duke theksuar se çështja është nën hetim, duke thënë se vendimmarrja e radhës do të lidhet edhe me arsyet se përse kuvendi e rrëzoi kërkesën
Oerd Bylykbashi: Tani kemi akuzë për korrupsion dhe pastrim të produkteve. Do ketë sërish kërkesë për heqje imuniteti mbi bazën e provave dhe akuzave të reja?
Klodian Braho: Ju prapë e lidhni pyetjen me çështje konkrete. Nuk do kishte çështje nëse nuk do kishte shkelje të ligjeve. Ju e keni të qartë qëndrimin e Prokurorisë, por edhe se si ka vazhduar Prokuroria pas mospranimit të kërkesës. Unë sot nuk mund të para shpall një vendimmarrje, çështja është nën hetim. Nuk mund të them nëse do ketë apo jo, por do jetë një vendimmarrje e bazuar në ligj, duke marrë parasysh edhe arsyet pse Kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës./ZËRI
Kreu i SPAK prezanton raportin 2025 te "Ligjet": Bashkëpunimi ndërkombëtar, kyç në luftën kundër korrupsionit

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka raportuar sërish sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku po prezanton raportin vjetor të institucionit për vitin 2025.
Gjatë raportimit, Braho theksoi se lufta kundër krimit të organizuar po zhvendoset gjithnjë e më shumë në një terren të ri, atë të krimit kibernetik, gjurmimit të kriptovalutave dhe analizës së provave digjitale.
Sipas Brahos, ky riorganizim është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku korrupsioni, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave kanë kaluar prej kohësh kufijtë shtetërorë.
Ai u ndal gjithashtu te bashkëpunimi ndërkombëtar, të cilin e cilësoi si një prioritet të vazhdueshëm të SPAK-ut, në përballjen me krimin e organizuar me dimension ndërkufitar.
Klodian Braho: “Inteligjencës kriminale, veprimtarisë operative taktike, gjurmimit të kriptovalutave dhe hetimit të krimit kibernetik. Ky riorganizim është i nevojshëm për t'iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku provat digjitale, analiza financiare dhe inteligjenca kriminale janë po aq të rëndësishme sa dhe veprimet procedurale.
Së nënti, në zbatim të rekomandimit numër 10 për bashkëpunimin ndërkombëtar, kjo ka qenë një prioritet i vazhdueshëm i SPAK-ut. Krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe korrupsioni me dimension ndërkufitar, kriptovalutat dhe provat elektronike kërkojnë bashkëpunim të shpejtë, të besueshëm dhe të strukturuar.
Gjatë vitit 2025, ky bashkëpunim është konkretizuar me 95 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike të ardhura nga 7 shtete, si dhe 156 kërkesa për ndihmë juridike nga SPAK drejt 31 shteteve”./ZËRI