VENDIMET e qeverisë: Rregulla të reja për menaxhimin e fondeve të lojërave të fatit... zgjatet afati i qëndrimit të ukrainasve
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një sërë vendimesh, mes të cilave rregulla të reja për mënyrën si do të financohen projektet nga fondet e lojërave të fatit. Do të krijohet një Këshill i posaçëm që vendos cilat projekte përfitojnë para, bazuar në aplikime dhe konkurrim të hapur.
Projektet duhet të aplikojnë brenda një afati minimal 30 ditë dhe do të përzgjidhen sipas ndikimit, transparencës dhe kapaciteteve për zbatim. Financimi do të jepet me këste: një pjesë në fillim, pjesa më e madhe gjatë zbatimit dhe pjesa e fundit në fund të projektit.
Po ashtu Qeveria ka marrë një vendim të ri për shtetasit ukrainas në Shqipëri, duke u zgjatur afatin e qëndrimit pa leje deri në mars 2027. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, qytetarët ukrainas do të mund të hyjnë pa vizë në Shqipëri dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30 mars 2027.
Këshilli i Ministrave vendosi të tjera:
-Miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private për krijimin e një shoqërie të përbashkët për prodhimin, montimin, riparimin dhe tregtimin e mjeteve fluturuese pa pilot.
-Shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e Ekonomisë Malore në bashkitë: Këlcyrë, Poliçan, Cërrik, Lushnje.
-Përcaktimin e afatit të hyrjes e të qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë. Sipas këtij vendimi shtetasit e Ukrainës lejohen të hyjnë pa vizë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027. Shtetasit e Ukrainës, të cilët gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, lejohen të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027.
-Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.145, datë 20.2.2013, të Këshillit të ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me përfaqësues në Shtabin “EUFOR”, në kuadër të operacionit ushtarak “Althea”, të Bashkimit Evropian, në Bosnjë-Hercegovinë”.
-Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.61/2012, “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
"Porta e Alpeve", Karakaçi: Për herë të parë, një korridor që lidh Aplet me bregdetin e Adriatikut
TIRANË- Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, njoftoi miratimin e projektit “Porta e Alpeve”. Në konferencën për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, ministri tha se ky projekt, i rëndësishëm infrastrukturor për qarkun e Shkodrës, do krijojë për herë të parë një korridor që lidh Alpet me bregdetin e Adriatikut.
Karakaçi tha se projekti quhet “Porta e Alpeve” dhe është i financuar në vlerën 50 milionë euro me Bankën Evropiane të Investimeve dhe 50 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Porta e Alpeve nënkupton një marrëveshje financimi me Bankën Europiane në 50 mln euro dhe 50 mln euro të alokuara nga buxheti i qeverisë shqiptare. 100 milionë euro në total për projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta. Programi dhe marrëveshja ka disa komponentë për rehabilitimin e shesheve urbane e rikonstruksionin e bulevardeve. Investime infrastrukturore në akset që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe Alpet. Investime në rrjet kanalizime-ujësjellës, transportin urban dhe elementët turistikë për menaxhimin e ndotjes urbane. Krijojmë për herë të parë një korridor të integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik për të pasur sezon turistik nga dimri në verë dhe ndihmuar zhvillimin ekonomik”, u shpreh ministri.
Baza e Kuçovës për SHBA? Ministri Nufi: Për herë parë do ndërtojmë vetë mjete lundruese!
TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se për herë të parë do të krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese në Shqipëri. Pas mbledhjes së kabinetit, ministri bëri të ditur vendimet duke i cilësuar 'domethënëse', teksa shtoi se lidhen me autorizimin e shoqërisë “KAYO” për të negociuar dhe lidhur marrëveshje me dy kompani.
Ministri thekson se kjo është hera e parë që në Shqipëri pas kaq kohësh po krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese.
“Janë dy VKM që janë miratuar për autorizimin e shoqërisë “Kayo” për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani për krijimin e mjeteve lundruese në Shqipëri dhe mjeteve fluturuese pa pilot, pra dronët luftarakë. Këto dy vendimet të Këshillit të Ministrave janë domethënëse. Është hera e parë që në Shqipëri pas kaq kohësh po krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruse. Kjo na bën krenarë. Po ashtu sot miratuam katër akte që lidhen me ministrinë e Mbrojtjes, dy prej tyre lidhen specifikisht me forcat e armatosura dhe pjesëmarrjen e tyre në misione ushtarake ndërkombëtare. Pjesëmarrja e forcave tona në këto misione tregon jo vetëm përgatitjen që kanë efektivët tanë si nga ana ushtarake edhe nga ana civile, por gjithashtu tregon edhe faktin që ne jemi aktorë aktivë në të gjithë ndërmarrjet e përbashkëta në misionet e huaja dhe tregon që kjo pjesëmarrje kthehet në Republikë duke sjellë njohuritë e përfituara nga kryerja e operacioneve komplekse dhe në shkallë botërore”, tha ai.
Më tej, i pyetur nëse Shqipëria do të ishte e gatshme të lejonte përdorimin e bazës së Kuçovë nga SHBA në luftën ndaj Iranit, ministri i Mbrojtjes u shpreh se një vendim i tillë mbetet për t’u vlerësuar në varësi të zhvillimeve.
“Mbetet për tu vlerësuar nëse një kërkesë e tillë do të vijë. Shqipëria ka një marrëdhënie strategjike me SHBA-në. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të vijë zyrtarisht nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe e gjithë vendimarrja që lidhet me këtë pyetje lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”, tha ai.
"Efekt ortek" në bashki, ministri Demo: Zgjerohet 'Paketa e Maleve', ditët e ardhshme miratohen aplikimet e para
TIRANË- Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi se sot kanë kaluar edhe 4 bashki të tjera si zona prioritare, sa i takon 'Pakestës së Maleve". Në komunikimin për gazetarët, Demo theksoi se në ditët në vijim përfundon dhe afati për bashkitë, ndërsa shtoi se priten edhe aplikime të reja.
"Kanë kaluar edhe katër bashki të tjera sa i takon zonave prioritare. Ju do të shikoni që bashki të ndryshme do miratojnë aplikimet e para...Do ketë efekt ortek sepse bashkitë do të ndjekin njëra-tjetrën”, deklaroi ministri Demo.
Demo bëri të ditur se një grant prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara është finalizuar, me qëllim parandalimin e efekteve të ndryshimeve klimatike.
“Granti prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara tanimë është formësuar. Për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike por edhe në të njëjtën kohë për të përmirësuar infrastrukturën rurale.”, tha Demo./ZËRI
Programe pas mësimit, Kumbaro "surprizon" mësuesit: Dyfishojmë pagën e orëve shtesë
TIRANË- Ministrja Arsimit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar një fond prej 500 milionë lekësh për mësuesit që japin lëndë përtej orarit të mësimit. Në fjalën e saj pas mbledhjes së qeverisë, ministrja deklaroi se Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për të financuar më shumë programet pas mësimit.
Po ashtu, Kumbaro tha se janë të ftuar që të marrin pjesë në programe jashtë shkollës edhe artistë në qytete apo artizanë, që t’ju mësojnë më shumë fëmijëve, përtej orëve të zakonshme.
"Kemi miratuar sot një vendim, që koha që fëmijët kalojnë në shkolllë të jetë më e madhe. Fëmijët do të qëndrojnë dhe pas orarit të mësimit dhe do të kenë aktivitete të tjera. Kemi dyfishuar shpërblimin për after school, por hapim listën dhe për mësues që janë në pension, për specialistë të ndryshëm, për artizanë, që të bëhen pjesë e programeve jashtë shkollës. Do dyfishojmë pagën e orëve shtesë për mësuesit. Në shkollat e Shqipërisë zhvillohen olimpiada, konkurse e aktivitete të shumta. Janë 500 milionë lekë për mësuesit që do të marrin për mësimet, jashtë shkolle.", tha ministrja. /ZËRI
"Po i monitorojmë çdo ditë", Ibrahimaj: Janë rritur vetëm çmimet e perimeve, do subvencionojmë shtresat në nevojë
TIRANË- Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar pas mbledhjes së qeverisë se çmimet në treg po monitorohen në mënyrë të përditshme. Sipas ministres, nga monitorimet e fundit është vënë re një rritje çmimesh kryesisht te frutat dhe perimet.
Ibrahimaj theksoi se autoritetet po ndjekin situatën në vijimësi dhe se monitorimi i çmimeve të 80 produkteve bazë bëhet çdo ditë, me qëllim shmangien e abuzimeve në treg. Minsitrja shtoi se në rast nevoje, do të ndërhyhet me subvencione për personat në nevojë, veçanërisht për të lehtësuar ndikimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
“Sigurisht, në bazë ditore ne monitorojmë çmimet me qëllim që të garantojmë që çmimet në tabelë të karburanteve. Ditët e fundit, që nga mesi i muajit mars, kemi parë rritje të çmimeve të fruta dhe perimeve. Inflacioni në muajin mars ishte 2.6 përqind, një rritje e lehtë. Që nga fillimi i krizës, kemi monitoruar me bazë ditore, të gjitha produktet e shportës. Janë 80 produkte të shportës që monitorohen me bazë ditore. Rritja ka ndodhur te kategoritë e perimeve. Ne kemi filluar monitorimin, duke qenë se nga eksperienca e luftës në Ukrainë, në të gjithë botën pati rritje të inflacionit. Ky është shqetësim që monitorohet dhe diskutohet në çdo mbledhje të Këshillit të Ministrave. Do subvencionojmë personat në nevojë”, theksoi Ibrahimaj. /ZËRI