Vjedhja e degës së PD në Cërrik, kërcënon Bylykbashi: Të kapim urat e zjarrit? Duan konflikt edhe më të madh se 2021?

TIRANË- Kandidati i Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi ka kërcënuar hapur! Në një prononcim për mediat pas ngjarjes së grabitjes së degës së Partisë Demokratike në Cërrik. Në fjalën e tij për mediat, Bylykbashi tha se socialistët po i provokojnë para zgjedhjeve, duke shtuar se janë të gatshëm që të çojnë qytetin e Elbasanit në një konflikt më të madh se ai në vitin 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
“Çfarë duan këta, që 10 ditë para zgjedhjeve, ne të marrim urat e zjarrit në dorë e t'u djegim zyrat? Sepse ne mund ta bëjmë dhe këtë, por do ta çojmë qytetin, Elbasanin, Cërrikun në një konflikt edhe më të madh se 2021. U bëjmë thirrje demokratëve që të mos tuten dhe të mos frikësohen. Sepse arma e vetme në këto zgjedhje është programi,”-tha në fjalën e tij Berisha.
Zyra elektorale e Partisë Demokratike në Cërrik ka rënë pre e grabitjes. Incidenti është regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme (1 prill). Mësohet se grabitësit kanë marrë një televizor dhe një kompjuter që ndodheshin në zyrë. Vjedhja është denoncuar nga Partia Demokratike. Por kjo ngjarje duket se ka rindezur konfliktin në zonë duke rikujtuar atë që ndodhi më 21 prill 2021.
4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri. Aktualisht, ai është dënuar me 7 vite burg dhe pritet të dalë nga qelia pas 1.5 vitesh./ZËRI
Grabiti zyrën e PD-së në Cërrik, arrestohet 36-vjeçari

CËRRIK- Vodhi sende elektronike (televizor dhe kompjuter), në subjektin politik të "Partisë Demokratike", identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori, i dënuar më parë për veprat penale "Vjedhja" dhe "Dhuna në familje". Në pranga dhe një 46-vjeçar që përvetësoi kompjuterin e vjedhur. Sekuestrohen sendet e vjedhura.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjes së ndodhur, në Cërrik, në subjektin e marrë e me qira për qëllime elektorale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të rastit shtetasin:
- A. M., 36 vjeç, banues në Cërrik.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit K. Z., 46 vjeç, për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale".
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. M., gjatë mesnatës, ka vjedhur në ambientin e marrë me qira (lokal) me qëllime elektorale, 1 kompjuter dhe 1 televizor dhe i ka shitur kompjuterin e vjedhur shtetasit K. Z..
Sekuestrohen sendet e vjedhura, dhe iu lan në ruajtje subjektit politik.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Vidhet dega e Partisë Demokratike në Cërrik

CËRRIK- Përfaqësuesit e Degës së Partisë Demokratike në Cërrik kanë denoncuar se në ambientet e tyre kanë hyrë persona të panjohur dhe kanë vjedhur një kompjuter dhe një televizor. Policia në njoftimin zyrtar ka bërë me dije se nga kqyrja paraprake nuk është vënë re ndonjë thyerje apo dëmtim të objektit. Partia Demokratike akuzon Partinë Socialiste teksa shton se kanë dashur të marrin listat e sigurta të votuesve demokratë që ndodheshin në kompjuter.
Grabitet zyra e PD-së në Cërrik, autorët marrin TV e kompjuterin! Demokratët: Akt i PS, donin emrat e votuesve

CËRRIK-Zyra elektorale e Partisë Demokratike në Cërrik ka rënë pre e grabitjes. Incidenti është regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme (1 prill). Mësohet se grabitësit kanë marrë një televizor dhe një kompjuter që ndodheshin në zyrë. Vjedhja është denoncuar nga Partia Demokratike. Nga të dhënat paraprake nuk janë konstatuar shenja thyerje.
Njoftimi i policisë;
Rreth orës 07:40 të mëngjesit të sotëm, ka kallëzuar shtetasja A. Ll., me detyrë sekretare e degës së subjektit politik “Partia Demokratike e Shqipërisë”, Cërrik, se në ambientin e marrë me qira (lokal), për qëllime elektorale, ka konstatuar se mungonin 1 kompjuter dhe 1 televizor. Nga këqyrja paraprake në vendngjarje nuk janë konstatuar thyerje apo dëmtime të objektit. Në drejtimin e Prokurorisë, grupi i posaçëm hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e rastit.
Në lidhje me ngjarjen kandidatët për deputet të Partisë Demokratike në Cërrik, Blendi Himçi dhe Ira Boja pretendojnë se zyra u bastis nga individë të lidhur me PS-në, të cilët morën kompjuterët, televizorët dhe të gjithë dokumentet e ndjeshme, duke përfshirë ato të zgjedhjeve elektorale. Sipas tyre këto materiale janë përdorur për të mbledhur emrat e votuesve të sigurt dhe për të ushtruar presion ndaj komisionerëve dhe personave të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor.
Blendi Himçi: Në orët e vona të natës është bastisur zyra e degës së PD Cërrik nga banditë të Partisë Socialiste, ku kanë marrë kompjuterin, televizorin dhe të gjitha dokumentet e një karakteri mjaft sensitiv të zgjedhjeve elektorale, për të marrë emrat e votuesve të sigurt dhe elementët e emrave të komisionerëve dhe janë marrë për të bërë presion ndaj personave që kanë emra në këto lista. Frika e Partisë Socialiste për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit ka trokitur dhe këto janë veprimet më të ulëta që PS ka përdorur me persona të cilët përdoren nga drejtuesit dhe krerët politikë, dhe që, siç e shikoni, kam konstatuar vjedhjen e materialeve me karakter sensibil, siç ju thashë. Ne i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese dhe policisë së shtetit të gjejnë urgjentisht banditët, ndryshe ata do të jenë pjesë e kësaj frike politike.
Ira Boja: Duket qartë se ky është një sulm politik. Frika ka trokitur në dyert e PS dhe ata po bëjnë krim elektoral. Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit të marrë masat e nevojshme për të zbardhur dhe shpërndarë këtë ngjarje. Kjo është një ngjarje mjaft sensitive dhe qytetarët, jo vetëm të Cërrikut, por edhe të Shqipërisë, nuk duhet të alarmohen, dhe krimi askund nuk duhet të mbizotërojë mbi të drejtat.
Edhe drejtuesi politik për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti hodhi akuza ndaj PS se qëndron pas ngjarjes së ndodhur gjatë natës, ku u vodh dega e PD në Cërrik. Alizoti e cilësoi ngjarjen një akt burracak politik, ndërsa theksoi se në kompjuterin e vjedhur kishte listat e sigurta të votuesve të PD, që sipas tij, tani janë në duart e kundërshtarit.
Tomor Alizoti: Thyerja e zyrës është akt politik dhe nuk bëhet fjalë për sendet por për cënimin e një zyre gjatë fushatës elektorale. Kompjuteri përmban listat e sigurta të votuesve të demokratëve, i cili është informacioni i PD dhe është në duart e kundërshtarit. Ta shohin të gjithë ata që besojnë te BE, ambasadorët e OSBE dhe SPAK pasaportën evropiane. Zoti kryeministër, e di që jeni një njeri banal. E di që çdo hajdut është i lidhur me ju, si në Saranda, Shkodër, Elbasan, ju jeni prijësi i hajdutëve. Keni qenë që te gjyshi e deri te ju. Ju jeni vetë banaliteti, të jeni të sigurtë se është kënaqësia jonë si PD të shtypim njerëzit banalë. Kjo që keni bërë sot duke cënuar degët elektorale është një akt i turpshëm, akt burracak politik por vetëm na vërteton se çdo hajdut dhe kriminel në Shqipëri është mik i juaj. Thirrja ime është për demokratët dhe qytetarët që të qëndrojnë dhe të kuptojnë se në BE nuk shkohet me xhepista edhe thyreje xhamash.
Autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar, ndërsa Policia po kryhen hetimet në lidhje me grabitjen në mes të fushatës./ZËRI