LIVE UPDATES

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj thirrje SPAK: Hetoni Strukturën e PD për mbrojtjen e votës

➤ Pas më shumë se 10 orësh diskutimesh dhe debatesh, është mbyllur seanca e kësaj të enjteje në Kuvend. Në fund, me 92 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët kanë ratifikuar marrëveshjen me Italinë për pensionet. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë në shtetin italian. Ndërkohë, me debate të forta është miratuar projekligji për privatizmin e pronave shtetërore. 68 deputetë të mazhorancës votuan në favor të projektligjit, i cili ishte propozim i kolegut të tyre Eduart Shalsi. Ndërsa 21 deputetë të opozitës, prezentë në sallë votuan kundër. ➤ Diskutimet për ratifikimin e marrëveshjes me Italinë për pensionet, kaluan në problemet e brendshme që ka kjo skemë. Problemin me skemën e pensioneve e pranoi dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Sipas tij, kjo vjen për shkak të mosdeklarimit të vërtetë të pagave. ➤ Më të ashpra ishin tonet për lajmin e arrestimit të Azgan Mërnicës, vrasësit të efektivit të Shqiponjave Novruz Cenalia në Fier. Ermonela Felaj kërkoi nga SPAK që të hetohej Struktura Armatosur për Mbrojtjen e Votës (SMV), një shpikje e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Kjo pasi pjesë e SMV-së ishte edhe Mërnica. ➤ Felaj përmendi edhe vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan duke pretenduar se opozita kishte rekurtuar kriminelë për qëllime të tyre. Edhe pse Jorida Tabaku tentoi të replikonte, Felaj nuk i la radhë.

9 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Mbyllet Kuvendi/ PS i jep 'OK' e vetme pr.ligjit për pronat shtetërore! Ratifikohet marrëveshja me Italinë për pensionet

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Kuvendi i Shqipërisë në moment votimi

TIRANË- Pas më shumë se 10 orësh diskutimesh dhe debatesh, është mbyllur seanca e kësaj të enjteje në Kuvend. Në fund, me 92 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët kanë ratifikuar marrëveshjen me Italinë për pensionet. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë në shtetin italian.

Ndërkohë, me debate të forta është miratuar projekligji për privatizmin e pronave shtetërore. 68 deputetë të mazhorancës votuan në favor të prjektligjit, i cili ishte propozim i kolegut të tyre Eduart Shalsi. Ndërsa 21 deputetë të opozitës, prezentë në sallë votuan kundër.

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Votimi

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi u kërkoi deputetëve të Partisë Socialiste të tërhiqen nga votimi pasi projekligji sipas saj, është antikushtetues. Sipas Çupit, pronat shtetërore do ti jepen privatit për të ndërtuar kulla.

“Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr.ligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe  ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do i jepen privatit për kulla. Vetëm kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do i jepet privatit”, tha deputetja demokrate Dhurata Çupi.

Si replikë, nga ana e socialistëve reagoi kreu i Komisionit të Ekonomisë, deputeti Eduart Shalsi. Sipas Shalsit, ky projektligj sanksionon një të drejtë që është në Kodin Civil.

“Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin.  Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak”, u shpreh Shalsi./ZËRI

1 VITE ME PARE

VD- Andja Ulliri gjen 'zërin' pas 3 viteve në Kuvend, revolta e pashpjeguar e demokrates

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Andja Ulliri

TIRANË- Andja Ulliri, një nga deputetet më të heshtura që ka njohur Kuvendi i Shqipërisë, sot ka gjetur "zërin" e saj. Në një fjalë që pretendoi se kishte që në mëngjes që e kërkonte, mbajti një fjalim në Foltoren e Kuvendit. Fillimisht foli për rastin e 6 familjeve që kërcënuan dje me vetëflijim për të mbyllur fjalën e saj me qëndrimin kundër për projektligjin për pronat shtetërore, të cilin mesa duket nuk do ta votojë. 

"6 familje dje në Thumanë kërcënuan me vetëflijim. Teksa po përpiqesha të flisja për këto pamje, këto janë pamjet e politikave tuaja. Ndoshta dikush duhet që t'i sjellë në vëmendje. Ndjehem e ofenduar. Po i hiqni zërin edhe parlamentarëve tuaj. Disa nga ne kanë ardhur me kokën lart, dua të di kush të ma hiqni fjalën. Problemi i qytetarëve me pronat ishin ajo pamje që patë dje. Ku ishit ju dje? Ende sot nuk ka një përgjigje për këtë hall të qytetarëve. Për ju prona është një pikë në hartë. Këtu ndahemi ne, ku flasim për pronat e qytetarëve dhe pronave shtetërore. Ne diskutojmë për interesat e qytetarëve dhe ju mbroni disa persona. Mendoni se jeni të paprekshëm,"-tha ajo duke shtjelluar edhe më tej çështjen.

Përgjigje nuk mori nga askush pasi pas saj zv.kryeministrja Belinda Balluku foli për diskutimin e bërë në Kuvend për takimin me diasporën, duke u tërhequr vëmendjen kolegëve për gjuhën e përdorur. Por në asnjë moment nuk i ktheu përgjigje deputetës së opozitës.

"Është për të ardhur keq tek dëgjojmë edhe kolege, zonja deputete, të cilat përdorin shprehje të rënda, të pajustifikuara. Kuptojmë nganjëherë në gjaknxhehtësi e sipër që i drejtohemi njëri-tjetrit me shprehje të rënda. Për të bësh një fjalim dhe fjalimi të përfshijë brenda, fjalë palaçollëqe, hajdutllëqe është pak e çuditrshme se është si ato vrasjet me paramendim kur uleni në darkë në komjuter dhe i shkruani këto fjalë. Nuk e di çfarë i transmetojmë fëmijëve, se shumica prej këtu janë dhe nëna."

 Megjithatë edhe pse nuk e përmendi, Andja më në fund gjeti zërin e saj, duke u ngjitur deri në zonën ku qëndrojnë ministrat për të vazhduar një debat që as nuk u dëgjua edhe njëherë që deputetja foli. Më pas, e nervozuar doli fare nga salla...me çantën e saj në krah./ZËRI

1 VITE ME PARE

VD- Pr.ligji për pronat shtetërore bën BASHKË Çupin dhe Braçen

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Erion Braçe dhe Dhurata Çupi

TIRANË- Debati në Kuvend për projektin për privatizimin e pronave shtetërore kanë bërë bashkë, si rrallë herë, Erion Braçen dhe Dhurata Çupin. Pas debatit që kjo e fundit pati me socialistin Eduart Shalsi, Braçe ka shkuar dhe është ulur pranë saj, duke kaluar në ulëset e Partisë Demokratike. Nuk dihet se çfarë kanë diskutuar me njëri-tjetrin, por dihet se shqetësuan edhe kolegët e tjerë. Kjo pasi Bujar Leskaj i tërhoqi vëmendjen se po i ndërpriste mendimin.

Ndoshta janë të dy kundër projektligjit, kjo pasi kur kjo procedurë u prezantua në Komisionin e Ligjeve u kontestua edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe.

Në fjalën e tij në Komision, Braçe tha se propozimet duhet që të vinin nga qeveria dhe jo nga deputetët.

“Ministritë janë aty për të ndërmarrë politika, pse duhet të marrin deputetët inciativa kaq të rëndësishme për ndryshim politikash. Po pjesëmarrja e shtetit përmes pronës në një investim, përtej shitjes e shkëmbimit, pse nuk përfshihet?,”-tha Braçe.

Çfarë parashikon ky projektligj që po diskutohet? 

Debati po bëhet për një akt me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…,” synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë. Por akti kishte disa propozime të tjera. Gjatë diskutimit në komision, deputetët e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, që prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Por edhe që objektet shtetërore të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi. Edhe në Komision, opozita e lidhi projektligjin me interesa të ngushta korruptive në dëm të interesin publik. Deputeti Dashamir Shehi akuzoi se pas propozimeve fshiheshin interesa konkrete të ‘oligarkëve” që lidhen me privatizimin e porteve apo pronave të ushtrisë që po kërkohen për investime turistike, por edhe deputeti socialist, Erion Braçe ishte kundër. Ky i fundit tha se ndryshimet duhet të propozoheshin nga qeveria dhe jo nga kolegët e tij. Pavarësisht kundërshtimeve, ky ligj po diskutohet sot në Kuvend dhe pritet që të votohet./ZËRI

1 VITE ME PARE

Nëndeklarimi i pagave/ Gonxhja e pranon: Problem serioz, rrezikohet skema e pensioneve

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Blendi Gonxhja

TIRANË- Nëndeklarimi i pagave, i cili rrezikon dhe pensionet për vitet e ardhshme, mori këtë të enjte vëmendjen e diskutiumeve në Kuvend dhe pse në rendin e ditës ishte marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e pensioneve. Problemin që qëndron sa i përket mosdeklarimit korrekt të pagave, e pranoi dhe vetë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Sipas tij, ky problem rrezikon të ardhmen e ekonomisë së vendit dhe po sjell një situatë dramatike në skemën e pensioneve.

Blendi Gonxhja: Skema e pensioneve është kontributive, dhe bazohet mbi deklarimet e pagave. Pavarësisht se duam, të kemi rritje të pensioneve, duhet edhe ndërgjegjësim nga të gjithë që të deklarojmë pagat reale. Kemi shumë probleme me deklarimin e vërtetë të pagave që lidhet direkt edhe me pensionet, ne duhet te deklarojmë pagat nëse duan që të përfitojnë një pension të denjë në të ardhmen. Kjo lidhet edhe me masat që do të marrë shteti, por është edhe me ndërgjegjësimin e të gjithëve.

Deputeti i opozitës Dashamir Shehi propozoi që të rritet borxhi publik, në mënyrë që të bëhet e mundur rritja e pensioneve. Sipas tij, situata e keqe me pensionet sot, nuk mund të zgjidhet me indeksime.

Dashamir Shehi: Të rritet borxhi për të pasur një fond për rritjen e pensioneve, vetëm kështu mund të rriten pensionet. Situata e keqe me pensionet nuk mund të zgjidhet me indeksime qesharake./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vrasësi i policit pjesë e 'Strukturës për mbrojtjen e votës' të PD/ Felaj: SPAK të hetojë. Janë kriminelë

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Ermonela Felaj

TIRANË- Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj i ka bërë thirrje këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të hetojë grupin e ashtëquajtur nga PD “struktura e mbrojtjes së votës”, pasi sipas saj, PD ka rekrutuar si pjesë të tij kontigjentë kriminal. Për ketë iu referua ngjarjes së rëndë të ndodhur më 21 Prill, të vitit 2021, ku Arbër Papleka, vrau Pjerin Xhuvanin në Elbasan.

Sipas Felajt, deputetët e opozitës duhet të kishin reaguar ndryshe sa i përket vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier, ku autori, Azgan Mernica, ishte fotografuar krah deputetit Luan Baçi dhe ishte pjesë e “Strukturës së mbrojtjes së votës”. Felaj tha se ata që bëjnë pjesë në grupin e krijuar nga PD për mbrojtjen e votës, janë kontigjentë kriminal. Ky reagim erdhi pas një debati që Felaj pati me deputeten demokrate Jorida Tabaku. 

Ermonela Felaj: Mua më kanë zhgënjyer kolegë deputetë të opozitës të reagimet e tyre për rastin e ngjarjes së rëndë në Fier. Ka të dhëna nga media, që janë konfirmuar edhe përmes qëndrimeve që kanë mbajtur kolegë deputetë që këta njerëz janë përdorur nga politike në zgjedhjet e 2021. U krijuan të ashtuquajtura struktura të votës për të cilat disa kolegë të opozitës thanë se kemi marrë njerëz profesionistë për të mbrojtur votën. Ngjarja në Elbasan, ngjarja në Fier… Është dhe dikush tjetër që është duke vuajtur dënimin me burg për mbrojtjen e votës në qarkun e Fierit. Kjo tregon se në zgjedhjet e 2021 janë mobilizuar e rekrutuar elementë kontigjentë kriminal. Kjo çështje ka ngelur pa u hetuar sepse me të është marrë prokuroria jo kompetente. Ftoj policinë kriminale, thirrja ime është publike, s’ka nevojë të bëj kallëzim, që t’i rikthehen historisë së krijimit të këtyre strukturave, t’u rikthehen atyre deputetëve që kanë preferuar që të kenë pas vetes kontigjentë kriminalë për të mbledhur votën, sepse janë grupe kriminale dhe këtu do doja të kishte vëmendje dhe SPAK, sepse kjo nuk është lëndë për prokurorinë e Elbasanit, por për BKH dhe SPAK, dhe policinë kriminale. Ti rikthehen analizimit të profileve në rrjete sociale të këtyre personave sepse janë grupe mirëfilli kriminale, struktura kriminale. Falenderoj median dhe e nxis të gërmojë më shumë të dhëna.

E ashtëquajtura “Struktura e mbrotjes së votës”, u lançua nga Partia Demoktratike, para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2021. Kjo strukturë, sipas PD do të mbronte votën e qytetarëve dhe të demokratëve, kundër vjedhjes që po i bëhej nga mazhoranca në pushtet. Fati i kësaj strukture ishte fatal dhe i përgjakshëm, pasi katër ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, pas një përplasjeje mes dy grupeve në Elbasan, Arbër Papleka vrau me armë zjarri Pjerin Xhuvanin. Sipas Paplekës, Xhuvani së bashku me disa të tjerë po blinin vota për Partinë Socialiste. Arbër Papleka është ende në betejë gjyqësore me drejtësinë, me pretendimin se ka qëlluar për vetëmbrojtje.

Ndërkohë rasti i fundit në Fier, ku Azgan Mernica, vrau efektivin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, nxorri në pah dhe njëherë, strukturën e krijuar nga PD, pasi siç doli dhe në fotot e publikuara në media, Mernica ishte pjesë e “Strukturës për mbrojtjen e votës” në Fier dhe ishte fotografuar krah deputetit Luan Baçi. Kyu i fundit nuk e mohoi angazhimin e Mernicës në zgjedhjet e vitit 2021, por u justifikua duke thënë se atëherë nuk ishte kriminel./ZËRI

1 VITE ME PARE

Shembja së pronave publike për interesa private/ Shalsi: Kemi pasur kërkesa. Çupi: SPAK, hetoje!

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Dhurata Çupi dhe Eduard Shalsi

TIRANË- Projektligji, me të cilin socialistët i hapin rrugë shembjes së pronave publike për interesa private ka ngjallur debate në seancën e sotme plenare. I pari që mori fjalën ishte kreu i Komisionit të Ligjeve, Eduard Shalsi, i cili sqaroi se kishte marrë shumë ankesa nga koelgët e tij për ndërtesa publike të amortizuara që pengojnë investimet. Por edhe pse Jorida Tabaku i kërkoi disa raste, Shalsi dha vetëm një, në zonën e 3 urave në Divjakë, ku mund të ndërtohej një tharëse gruri. Tha se kishte edhe të tjera, por nuk shtoi asnjë tjetër. Ndërsa në fjalën e saj, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi theksoi në fjalën e saj se ky ligj ka interesa për të ashtuquajturit "oligarkë" duke kërkuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të nisë hetimet për të zbuluar se kush ka lobuar për të kaluar këtë ligj në Kuvendin e Shqipërisë. 

DEBATI I PLOTË NË SALLË:

Shalsi: Një pronë ia vlen ta mbash me qera, apo ia vlen që t'i akomodojmë duke blerë. Efekti i shpronësimit nuk mund të akomodohet në raste të tilla. Peshën e argumentave është e vështirë që ta mbash. Mendoj që kishte ardhur koha për një ndryshim të tillë. Nga ky moment, ne këto kohë kemi folur për një proces shumë të veçantë, monitorimin e ligjeve pasi miratohen, hajde ta bëjmë pjesë këtë ndryshim që ta monitorojmë edhe më vonë. Mund të provojmë dhe këtu është çështje vullneti. Le ta fillojmë menjëherë që njëherë në dy muaj ta ndjekim çfarë po ndodh me këtë akt. Me ju ose pa ju ne e kemi marrë vendimin që këtë ndryshim ligjor ta bëjmë. E kemi për detyrë! E kuptova që iu ka shqetësuar prishja e objekteve. Në momentin që një pronë është procesin e privatizimit ka disa objekte të amotizuara. Deri tani janë prishur si janë prishur. Po synojmë që kur jepet leje zhvillimore, mbi një territor që ka objekte, po kërkojmë që këto objekte të rivlerësohen, të prishen nga zhvilluesi i projektit dhe të kompensohen me vlerë financiare. Çfarë nuk kemi vënë ne? Po ta shpjegoj me shumë durim. Një pronë shtetërore që e ka humbur dobinë e saj, është marrë vendimi për t'u privatizuar, pasi është lidhur kontrata dhe investitori do bëjë investimi, duhen prishur objektet. Por në bazën e një akti. Kështu kompletojmë procesin dhe i japim zgjidhje një problemi që kurrë nuk ka marrë përgjigje.

Dhurata Çupi: Po i detyroni deputetët që të votojnë një ligj korruptiv. Insistoj që ta tërhiqni këtë projektligj. Ky ligj nuk bëhet siç e propozoni sot. Ju po i bëni rrush e kumbulla pronat shtetorë. Cilat janë rastet që iu kanë kërkuar që të ndryshohet akti? E keni shembullin e Teatrit Kombëtar. Ç'punë ka akti normativ për të dhënë leje për shembjen e pasurisë? Jepet leje nga urbanistika e Bashkisë, ky është një skandal i jashtëzakonshëm. Kjo është objekt për të hetuar SPAK. Hajde legjitimojmë shembjen e pronave shtetërore. Pse nuk ia jepni ish-pronarëve? Pse ia jepni klientëve tuaja? Nuk ka lidhje me privatizimin, po fare. E para është skandal kjo që ju propozoni për të ndryshuar ministrinë e linjës, ky është korrupsion i hapur. Është një nga ligjet më korruptive, shfytëzoj rastin që t'i bëjë thirrje SPAK që të hetojnë lobimin që është bërë për të hetuar këtë ligj. I kërkoj SPAK-ut që të merret me këtë ligj.

Jorida Tabaku: Zoti Shalsi kam 3 pyetje; a ndryshohet një akt normativ?; sot në podium keni përmendur një listë rastesh, ka shumë kërkesa thoni ju, kush janë këto raste që të informohet edhe publiku?; projektligji nisi me një nen për të kaluar kompetenca nga Ministria e Financave tek Ekonomia, nuk kam asgjë kundër me këtë sepse është çështje politikash, por propozimi juaj i parë ligjor ka shkuar për mendim tek qeveria dhe është kthyer përgjigje vetëm për këtë, për 2 të tjerat nuk ka përgjigje nga qeveria dhe nuk ka diskutim konstruktiv për këtë problematika. Si mund të ndodhë? Kush janë rastet specifike?

Shalsi: Kush janë problemet? Zoti Braçe psh ka qenë në zyrë dhe 3 urat ishin disa objekte të një ndërmarrje, propozimi ishte për një tharëse gruri që do i shërbente komunitetit. Do shërbente nëse do të prishej ajo karakatinë. Ky është vetëm një rast. Shoh 2-3 deputetë që kanë pasur raste konkrete. Unë të kam parë ty të votosh për ndryshimin e akteve normative, psh bonot. Mund të të jap shembuj të tjerë. Prapë nuk e ke kuptuar që po flasim për proces privatizimi. Lidhet kontratë për atë që ka marrë përsipër të investojë. Lidhet marrëveshja, dhe i jepet leja zhvillimore. Ka nevojë për një akt prishjeje. E kam shumë të vështirë të shpjegoj aktin e shembjes. Nëse pyesni për një gjë kaq të pastër, më vjen të qesh.

Çupi: Qeshni sepse e keni siguruar aferën korruptive të radhës. Ekspertët ulën kokën. Kjo është përgjigja më e mirë që mund të marrësh sot.

Çfarë parashikon ky projektligj që po diskutohet? 

Debati po bëhet për një akt me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…,” synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë. Por akti kishte disa propozime të tjera. Gjatë diskutimit në komision, deputetët e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, që prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Por edhe që objektet shtetërore të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi. Edhe në Komision, opozita e lidhi projektligjin me interesa të ngushta korruptive në dëm të interesin publik. Deputeti Dashamir Shehi akuzoi se pas propozimeve fshiheshin interesa konkrete të ‘oligarkëve” që lidhen me privatizimin e porteve apo pronave të ushtrisë që po kërkohen për investime turistike, por edhe deputeti socialist, Erion Braçe ishte kundër. Ky i fundit tha se ndryshimet duhet të propozoheshin nga qeveria dhe jo nga kolegët e tij. Pavarësisht kundërshtimeve, ky ligj po diskutohet sot në Kuvend dhe pritet që të votohet./ZËRI

1 VITE ME PARE

Shkëmbimi apo shembja e pronave publike në interes të privatëve, PS nuk tërhiqet nga ligji

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Komisioni qe drejtohet nga Shalsi

TIRANË- Në seancën e sotme në Kuvend deputetët e opozitës kërkuan me ngulm që të hiqej nga rendi i ditës i seancës plenare projektligji që i hap rrugë shembjes së pronave publike për interesa private, por socialistët votuan kundër kësaj kërkese.

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi bëri propozimin duke e cilësuar ligjin si  antikushtetues dhe të futur në rend dite me një proces jotransparent. “Tërhiqeni nga votimi. Është antikushtetues dhe abuziv,” iu drejtua ajo kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

“Po synoni në mënyrë abuzive që pronat shtetërore t'ia jepni privatit, t'ja jepni oligarkëve. Po kërkoni të jepni pronën publike tek Teatri dhe shumë prona të tjera,” shtoi më tej Çupi.

Edhe deputeti Arbi Agalliu i mëshoi faktit se nisma nuk ka kaluar në konsultim publik dhe kërkoi që të tërhiqet për të kaluar fazën e konsultimit sipas dispozitave ligjore.

“Këto dy amendamente nuk kanë kaluar konsultimin publik sepse në komisionin e Ekonomisë kur keni sjell këtë ligj, kemi kërkuar të zbatohet procedura me konsultim publik,” tha ai.

Nismëtari i projektligjit, Eduard Shalsi nga PS këmbënguli se projektligji ishte diskutuar në komisione dhe se ishin argumentuar ndryshimet.

“Ua them në rastin më të mirë je e painformuar. Në rastin më të keq me ligësi e dashakeqësi doni të dezinformoni,” iu përgjigj ai deputetes Çupi. Propozimi i Çupit u hodh në votim nga Nikolla dhe u rrëzua me votën e shumicës socialiste.

Nisma e Shalsit për ndryshimin e një akti normativ të vitit 2008 u transformua kryekëput në komisionin e Ekonomisë të mërkurën, duke i hapur dritën jeshile shkëmbimit apo shembjes së pronave publike në rastet kur këto të fundit pengojnë projekte private.

Ndryshimi i propozuar nga Shalsi në aktin me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…,” synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë.

Por gjatë diskutimit në komision, deputetët Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, të cilat edhe pse nuk i janë nënshtruar konsultimit publik, synojnë që t'u japin kompetenca çdo institucioni publik që të vendosë për shkëmbimin apo shembjen e pronave publike, për arsye investimesh private në turizëm apo qëllime të tjera.

Deputetët e opozitës e kundërshtuan si një ligj klientelist, antikushtetues ndërsa kërkuan që ndryshimet të kalonin në procedurën ligjore të konsultimit publik, gjë që u anashkalua nga mazhoranca.

Kjo procedurë u kontestua edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe.

Braçe tha në komision se bëhet fjalë për “ndryshime themelore” që do të duhej të vinin nga ana e qeverisë, e cila është përgjegjëse për politikat.

“Ministritë janë aty për të ndërmarrë politika, pse duhet të marrin deputetët inciativa kaq të rëndësishme për ndryshim politikash,” tha Braçe, duke shtuar si argument dhe përgjegjësinë e ministrive për një proces konsultimi.

Ai po ashtu u shpreh i pakënaqur me përmbajtjen e ndryshimeve, duke shtruar pyetjen: “po pjesëmarrja e shtetit përmes pronës në një investim, përtej shitjes e shkëmbimit, pse nuk përfshihet?”

Sipas propozimeve, “prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore”.

Gjithashtu, objektet shtetërore propozohen të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi.

1 VITE ME PARE

Interpelanca për gjenocidin serb/ Shehu: Rama në arrati, kontribuoni në varrosjen e së vërtetës. Spiropali: I fryn fyellit

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
Tritan Shehu dhe Elisa Spiropali

TIRANË- Seanca e sotme ka filluar me interpelancën që deputeti i PD, Tritan Shehu ka kërkuar me kryeministrin Edi Rama. Në mungesë të tij Rama u zëvendësua nga ministrja Elisa Spiropali në interpelancën e kërkuar për gjenocidin serb në Kosovë. Shehu u shpreh se një hap i tillë nuk parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, por ka pranuar ta bëjë interpelancën. Sipas tij Kuvendi duhet të miratojë rezolutën dhe jo të fshihet pas rezolutës së OKB për këtë çështje.

“Zoti kryeministër është në arrati. Është e kotë të bluajmë teatër. Më duket e rëndësishme, po tentohet në rajon të rivitalizohen metodat ultranacionaliste. Sot jemi në periudhën e rizgjimit të tyre jo vetëm në rajon. Dua të përmend Rusinë me agresionin e saj dhe jo vetëm. Mbështesni ju rezolutën e Kosovës. A mendoni se duhet të sensibilizohemi me këtë ngjarje? A jeni gati të asistoni Kosovën si qeveri në përpunimin e materialit dhe dërgimin e tyre në organizma ndërkombëtare? Apo me pasivitetin tuaj doni të kontribuoni në varrosjen e së vërtetës? Rama e mora mesazhin tuaj dhe jam thellësisht i shqetësuar. Mungesa e vullnetit tuaj për të bërë diçka të dobishme në këtë drejtim. Ju fshiheni pas rezolutës së OKB. Para se të shkojmë aty duhet të bëjmë ne rezolutë ne Kuvendin tonë. Gjërat nisin këtu jo në OKB dhe Strasburg. Mos u fshih si struci pas gishtit. Retë e zeza po lëvizin sërish në kokat tona. Gjërat nuk janë më aq rozë sa dikur. Kosova është e pavarur por shumë larg njohjes përfundimtare.”, tha ai.

Spiropali iu përgjigj akuzave të deputetit demokrat, Tritan Shehu duke deklaruar se maxhoranca refuzon garën e folk-nacionalizmit.

“Një herë ulen, një herë ngrihen. Në një vend si Shqipëria, ky problem kthehet në gjyle. Minamalisht ka 10 vite që qeveria Rama dhe shumica jonë ka bërë një ndarje të fortë, të prerë nga ai lloji që bëhet për të foliur me veten, për të dëgjuar atë jehonën. Është fakt dhe jo dëshirë dhe opinion, se Shqipëria është një faktor i zëshëm dhe i pashmangshëm. E para se po dëshmon aftësi shtetformuse. Jemi në dakordësi me të gjithë partnerët tanë. Ku më shumë se në Kosovë dhe për Kosovën, jemi marrë me politikën e jashtme. Këto janë pasojat e një turbo-politike të tallavasë, që në disa raste është naive dhe në disa raste dashakeqëse. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë garë. Së paku ne e refuzojmë gazën se kush i fryn më shumë fyellit të këtij lloji nacionalizmi. Edhe në Kosovë janë të mësuar me këtë lojë. Ka një detaj që më bën përshtypje. Tema e gjenocidit shfaqet në sallën e këtij parlamenti me simetri mbresëlënëse, të përfaqësuar nga zoti Shehu”, tha ajo.

1 VITE ME PARE

Nga interpelanca me Ramën te pyetjet ndaj Manastirliut, çfarë pritet të ndodhë ditën e sotme në Kuvend

PS kalon e vetme në Kuvend pr.ligjin për pronat shtetërore! Felaj
foto ilustruese

TIRANË-Ditën e sotme mbahet seanca e radhës plenare në Kuvend, ku ndër të tjera është edhe interpelanca që deputeti i PD, Tritan Shehu ka kërkuar me kryeministrin Edi Rama. Por kryeministri pritet të mos paraqitet në seancë pasi do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, i cili do të zhvillohet në Mal të Zi. Nuk dihet nëse Rama e ka deleguar interpelancën te një përfaqësues tjetër i PS.

Në rendin e ditës janë parashikuar të diskutohen 11 pika, mes tyre ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu që do t’i përgjigjet pyetjeve të parashtruara nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.

Më tej, sipas rendit të ditës, Kuvendi do të diskutojë një seri marrëveshjesh, duke nisur nga ajo e Interpol, e cila vjen në kuadër të Konferencës së 51-të të Interpol, që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, Tiranë. Po ashtu, pritet të diskutohet dhe marrëveshja e pensioneve me Italinë dhe një marrëveshje në fushën e arsimit. Gjithashtu, gjatë seancës së sotme në Parlament pritet të diskutohet dhe një akt normativ, si dhe dy pr/ligje./ZËRI

Poll

MOS HUMB