FOTO/ Kjo është pistoleta e përdorur nga autori i plagosjes në Mamurras

MAMURRAS- Arma që shihni, është pistoleta e përdorur këtë të premte nga Endri Baçaku, 21 vjeç për të plagosur 25-vjeçarin Jurgen Ndreca në Mamurras. Pas ngjarjes ai e ka hedhur armën në tokë. Ai u vu në pranga pak minuta pas ngjarjes. Shkak për sherrin dyshohet se është bërë një konflikt i çastit mes të dyve. Ndreca është nisur drejt spitalit të Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën./ZËRI
Plagosja në Lezhë/ Policia zbardh ngjarjen

LEZHË- Policia e Lezhës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me plagosjen e regjistruar mesditën e kësaj të premteje në Mamurras. Raportohet se autori i plagosjes së Jurgen Ndrecës është Endri Baçaku, 21 vjeç. Shkak për sherrin është bërë një konflikt për motive të dobëta. Ndërkohë Ndreca është transportuar drejt spitalit të Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kurbin. Plagosi me armë zjarri, një 25-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, mbërritja e menjëhershme e Policisë mundëson arrestimin në flagrancë të autorit. Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit pistoletë, me të cilën u krye plagosja. Rreth orës 12:00, sapo janë njoftuar për një plagosje me armë zjarri, në hyrje të Mamurrasit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të kapur përgjegjësin/t.
Si rezultat u bë kapja e menjëhershme në flagrancë dhe vënia në pranga e shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Mamurras, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin J. N., 25 vjeç, banues në Mamurras. Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë. I plagosuri po transportohet në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./ZËRI
Plagosja në Mamurras, arrestohet autori

MAMURRAS- Arrestohet autori i plagosjes së Jurgen Ndrecës na Mamurras. Raportohet se ai është vënë në pranga pak minuta më parë ndërsa shkaku i ngjarjes ende nuk dihet. Ndërkohë, Ndreca është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk dihet./ZËRI
Të shtëna me armë zjarri në Mamurras, një i plagosur

MAMURRAS- Një 25-vjeçar është plagosur me armë zjarri në Mamurras, në rrethana që ende nuk janë zbardhur nga Policia. Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 12.00, në qendër të qytetit. 25-vjeçari Jurgen Ndreca ka marrë një plumb në shpatull, ndërsa pasi ka qëlluar objektivin e tij, autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet, ku edhe po merr ndihmën e parë shëndetësore. Ende nuk dihen detaje lidhur me gjendjen e tij. Ndërkohë, Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të krimit.