Kuvendi shtyn sërish miratimin e rritjes së pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses

TIRANË-Është shtyrë sërish votimi për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Votimi u shty me kërkesë të Partisë Socialiste dhe u miratua vetëm me votat e mazhorancës. Socialistët nuk bënë dot 85 votat që kërkoheshin për këtë projektligj.
Projektligji parashikon se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Me ndryshimet e propozuara rroga tashmë bëhet sa 96 % e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë./ZËRI
Kuvendi sposton seancën për Kombëtaren, Bardhi: Banale dhe fyese, nuk na pyetët fare

TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, për shkak se kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e konsideroi banal dhe fyes vendimin e socialistëve për të spostuar punimet e Kuvendit, pasi deputetët nisen për të parë ndeshjet në Gjermani. Bardhi tha se vendimi ka qenë i njëanshëm, ndërkohë që drejtuesja e seancës së sotme, Ermonela Felaj, tha se opozita ishte e vonuar me kërkesën e saj, pasi duhet të merrte pjesë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve.
Bardhi: Sot është e Mërkurë dhe keni vendosur që Kuvendin ta trajtoni si dyqanin tuaj personal. Në cilësinë e drejtueses së seancës do duhet t’u shpjegoni qytetarëve sepse ka dalë një arsye banale, fyese se pse është zhvendosur seanca nga dita e Enjte për të Mërkurën. Keni detyrimin, sepse keni marrë një vendim të njëanshëm pa u konsultuar me opozitën. Nëse është ajo arsye, është akt i turpshëm dhe ne distancohemi nga ajo arsye banale. Së dyti, me kërkesën e depozituar brenda afatit të përcaktuar nga Rregullorja e Kuvendit, një grup deputetësh duan interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për keqpëdorimin e fondeve publike apo për tenderat publikë.
Nëse firmoset nga 7 deputetë, duhet të jetë pikë e parë e seancës. Jemi njohur me një përgjigjie banale, jeni kthyer në banalë në gjithçka bëni. Na e cilësoni si cenim të nderit dhe dinjitetit të kryeministrit. Kolegët kanë 10 minuta në dispozicion për të shpjeguar qëndrimin e tyre. Ju pasi keni shkelur Kushtetutën e Rregulloren, tani shkelni të drejtën e tyre për të sqaruar interpelancën. Edi Rama nuk i fshihet dot gjatë drejtësisë dhe llogaridhënies.
Felaj: Jeni me vonese, kur u miratua kalendari, është vendimi i konferencës ju nuk denjuat të merrnit pjesë. /ZËRI
Çudira shqiptare/ Kuvendi sposton seancën, deputetët i japin vetes 10 ditë pushim… për të ndjekur Kombëtaren!

TIRANË- Në mënyrë të pazakontë, seanca e kësaj jave në Kuvend, do të zhvillohet ditën e mërkurë (sot), pasi deputetët i kanë dhënë vetes kohë, në mënyrë që të nisen drejt Gjermanisë, për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Ndeshja e parë e kuqezinjve do të luhet të shtunën, dhe duke qenë se një pjesë e deputetëve do të nisen me makina drejt Gjermanisë, Kuvendi e ka parë të udhës të përshpejtojë seancën plenare.
Në rendin e ditës në seancën e sotme është projektligji që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionierit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2023, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”.
Sikur të mos mjaftonte zhvendosja e seancës së kësaj jave, edhe të enjten e ardhshme Kuvendi nuk do të mblidhet. Në këtë mënyrë këto 10 ditë turizëm në Gjermani mund të konsiderohen si një pushim i vogël për deputetët përpara se të rikthehen në fund të qershorit, të punojnë deri në fund të korrikut e më pas të marrin pushimet e verës deri në fillim të shtatorit.
Në një kohë që deputetët, dhe e gjithë kupola e politikës, do të jetë për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares në Gjermani, për shqiptarët nuk ndryshon asgjë, pasi do të duhet që të shkojnë çdo ditë në punë, në mënyrë që të sigurojnë jetesën e tyre.
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit po përgatitet për eksperiencën e dytë në finalet e një Europiani. Kuqezinjtë ndodhen në grupin e “ferrit” së bashku me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Skuadra e Sylvinhos do tentojë që të bëjë surprizën e madhe, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë. /ZËRI