Komisioni për Dezinformimin/ Kuvendi kërkon ndihmën e James Rubin (LETRA)
TIRANË- Kryeparlamentarja Lindita Nikolla i ka dërguar një letër zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin për t’i kërkuar ndihmë në lidhje me ngritjen e Komisionit Parlamentar të Dezinformimit. Komisioni Parlamentar i Dezinformimit pritet të votohet në seancën e 4 prillit në Parlament, por gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, u votua vetëm nga mazhoranca për të çuar përpara procesin. Nga opozita, ngritja e këtij Komisioni nuk u mbështet.
Në letrën e dërguar Rubin-it, kryetarja e Parlamentit argumenton se Shqipërisë i mungon kuadri ligjor për të trajtuar ndikimin e dezinformatave ruse apo kineze. Ndër të tjera Nikolla fton zyrtarin e DASH të vizitojë parlamentin e Shqipërisë dhe të jap vlerësimin dhe eksperiencën e tij.
LETRA:
I nderuar zoti Rubin.
Po ju shkruaj në lidhje me nismën e fundit të iniciuar nga një grup deputetësh për Krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të luftuar ndikimin e huaj, duke përfshirë dezinformimin. Konferenca e Kryetarëve miratoi sot komisionin. krijoi Komisioni u krijua dhe u dërgua në seancën plenare për miratim. Duke qenë se Shqipërisë i mungon kuadri i duhur për të trajtuar ndikime të tilla, unë do të doja që jo vetëm t’ju bëj një ftesë për të vizituar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, por komisioni do të përfitonte shumë nga përvoja dhe njohuritë tuaj të vlefshme kundër këtyre forcave.
Për më tepër, dëshiroj t’ju kërkoj që t’i drejtoheni Kuvendit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje. Kërkoj të inkurajoni bashkëpunimin në këtë çështje vendimtare. Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj.
Sa i përket Komisonit Bledi Çuçi tha se një praktikë e tillë është marrë edhe nga vetë Bashkimi Evropian, i cili po ashtu ka ngritur një komision të tillë të posaçëm për dy vjet. Çuçi tha se dezinformimi është një nga instrumentet që po përdoret gjerësisht për të cenuar vlerat demokratike, ndërsa shtoi se ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme.
"Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë çdo iniciative te mazhorancës. Por nuk është ky rasti. Për shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentet që po përdoret gjerësisht për të cenuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posaçëm për këtë punë. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. S’mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Është në nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni,"-tha ai.
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi shtyrjen e krijimit të komisionit të Dezinformimit, pasi sipas tij duhet më shumë kohë.
"Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet. Flisni për marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrëveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni. Flisni per marrveshje ndërkombëtare, marrveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni. Këto çështje që pretendohen të trajtohen në ketë komision të posaçëm mund të trajtohen fare mire ne komisionet respektive, Komisionin e Medias apo Komisionin e Sigurisë. Pse nuk mund të trajtohen aty? Do duhet të hiqet çdo dileme për nderhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrin kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor. Ka një Rezolutë të Kuvendit në 2019, e miratuat dhe e harruat. E trajtuat si temë dite dhe aq. Aty përcaktohet detyrimi që institucionet e sigurisë të sjellin raport në Kuvend, gjë që nuk e kanë bërë. Duhet të konsuktohemi me shoqatat e medias, që qartësohet objekti dhe motivet, çfarë do të trajtojë dhe pse duhet,"-deklaroi Bardhi.
Komisioni i Dezinformimit do të luftojë informacionin e rremë dhe ndikimet e shteteve të huaja jo miqësore, duke përdorur median, teknologjinë dhe paratë e errëta në fushata zgjedhore. Të gjitha institucionet përfshirë edhe ato të pavarura, si organet e drejtësisë, do të jenë të detyruara të japin çdo informacion apo dokument të kërkuar nga komisioni i posaçëm kundër keqinformimit. Përveç 13 anëtarëve, në përbërje të Komisionit do të jetë edhe një grup ekspertësh nga institucionet kryesore të sigurisë dhe medias./ZËRI
Opozita kërkoi më shumë kohë, PS miraton e vetme Komisionin për Dizinformimin: Afat 1-vjeçar
TIRANË- Me votat e socialistëve, Konferenca e Kryetarëve miratoi ngritjen e Komisionit për Dizinformimin, që është kërkuar nga të majtët. Të gjithë anëtarët e opozitës në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kërkuan shtyrjen e vendimit.
Kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi tha se kjo është një çështje shumë sensitive, që duhet të trajtohet me kujdes të veçantë,ndërsa kërkoi që të shuheshin të gjitha dilemat, nëse puna e këtij Komisioni do të cënojë lirinë e mediave.
“Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të informoni ne dhe gjitha publikun mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet.
Flisni për marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrëveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni. Këto çështje që pretendohen të trajtohen në ketë komision të posaçëm mund të trajtohen fare mire në komisionet respektive, Komisionin e Medias apo Komisionin e Sigurisë. Pse nuk mund të trajtohen aty?
Do duhet të hiqet çdo dilemë për nderhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrin kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor. Ka një Rezolutë të Kuvendit në 2019, e miratuat dhe e harruat. E trajtuat si temë dite dhe aq. Aty përcaktohet detyrimi që institucionet e sigurisë të sjellin raport në Kuvend, gjë që nuk e kanë bërë. Duhet të konsuktohemi me shoqatat e medias, që qartësohet objekti dhe motivet, çfarë do të trajtojë dhe pse duhet”, u shpreh Bardhi.
Mirëpo kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, tha se objekti i këtij komisioni nuk do të cënojë lirinë e medias, por vetëm ndërhyrjet e huaja në Shqipëri.
“Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA, të cilës iu referuar zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe e sjellim në Parlament që të bëhet gjithëpërfshirëse. Fakti që jemi vonë nuk duhet të na bëjë të vonojmë më tepër. Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e 4 komisioneve të tjera parlamentare (Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit) Me afat 1-vjeçar sepse fusha e veprimit të këtij komisioni është shumë e gjerë. Ekzaktësisht ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE”, deklaroi Çuçi.
Në fund u miratua ngritja e komisionit vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita kërkoi më tepër kohë. Afati i këtij komisioni do të jetë 1 vit, pasi sipas Çuçit ka një fokus shumë të gjerë./ZËRI
Xhaçka ‘mollë sherri’, Bardhi-Nikollës: Po nxirrni justifikime absurde! (Të hënën mblidhet Këshilli i Mandateve)
TIRANË- Në konferencën e kryetarëve në Kuvend, ka pasur debate të forta mes Gazment Bardhit dhe Lindita Nikollës, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka. Bardhi i ka kërkuar Nikollës që të zbatohet vendimi i gjykatës Kushtetuese, dhe se mazhoranca është duke vepruar në shkelje të ligjit. Nga ana e saj kryeparlamentarja Lindita Nikolla, njoftoi se të hënën do të mblidhet Këshilli i Mandateve, ku do të merret në shqyrtim edhe mandati i ish-ministres Xhaçka. Kjo e fundit akuzohet se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, pasi gjatë kohës që ka qenë ministre, bashkëshorti i saj Artan Gaçi, ka fituar statusin e investitorit strategjik.
DEBATET
Bardhi: Në shkelje të Kushtetutës ju si kryeparlamentare dhe si mazhorancë po refuzoni të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni nxjerrë justifikime absurde nga janari i vitit 2023 e deri më sot. Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese, është praktikë e njohur por ju bëni sikur nuk e kuptoni dhe e zvarrisni. Doni ta ktheni edhe një herë tek Këshilli i Mandateve ku vendimet e këtij këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit në Kushtetuese.
Nikolla: Të hënën do të mbledhim Këshillin e Mandateve për këtë ceshtje për të vijuar proceduren.
Bardhi: Procedura thotë se çështjet do duhet të vij në Kuvend. Por ju kërkoni ta zvarrisni…
Çfarë ka ndodhur me mandatin e Xhaçkës
Në janar të vitit 2023 Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj duke kërkuar që të vendosë për të kundërtën.
Por, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti me justifikime të ndryshme, ndërkohë që mazhoranca shfrytëzoi krizën e re në Kuvend për shkak të protestave të opozitës, si justifikim për shtyrjen e çështjes pa afat.
Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi në korrik një raport, ku i sugjeronte Kryetares së Kuvendit, rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.
Nikolla, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshme parlamentare, përdori justifikime të ndryshme për mosveprimin. Pasi u justifikua në vjeshtë me axhendën e ngjeshur, në dhjetor kabineti i saj tha se kjo çështje do të shqyrtohej me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as sot.
/ZËRI
Xibraka/ Rama refuzoi interpelancën, Bardhi përplaset me Nikollën: Fute në rendin e ditës
TIRANË- Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme e Konfrencës së Kryetarëve, pas refuzimit të kryeministrit Edi Rama, për të pranuar interpelancën e kërkuar nga opozita, për ccështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë. Kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi, i bëri thirrje Nikollës që ta fusë këtë ccështje në rendin e ditës së seancës së radhës në Kuvend.
Bardhi- Nikollës: Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpeleancën me Kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga Kryeministri, për refuzimin e interpelancës. E keni shndërruar republikën parlamentare në republikë kryeminstrie. Nuk ka tager ligjor dhe kushtetues që kryeminsitri të vendosë arsyet dhe temat e thirrjes në interpeleancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese.
Lindia Nikolla: Interpelanca nuk parashikohet të zhvillohet për çështje personale.
Gazment Bardhi: Çështjet që kam ngritur ndaj Kryeministrit, nuk janë çështje personale. Nuk kam interes se si shkon ai me vëllain e tij apo pse e ka vënë në mbrojtje nga Garda dhe nga kush kërcënohet vëllai për t’u mbrojtur nga oficerët e gardës.
Bledi Çuçi: Kërkesa për interpelancë e Bardhit s’ka lidhje me veprimtarinë e Kryeministrit! Këtu jemi në Konferencë Kryetarësh, jo në mbledhje grupi parlamentar apo mbledhje partie. Përgjigjja është e qartë, s’ka lidhje me objektin e kërkesës për interpelancë që kërkon Bardhi. Nuk mund të jetë çdo tryezë për të thënë çdo gjë që na vjen në mendje. S’ka arsye të zgjatemi në këtë pikë.
Kryeministri Edi Rama bëri sot reagimin e tij të parë pas akuzave në drejtim të vëllait të tij, për lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë, ku refuzoi kërkesën e opozitës për interpelancë në Kuvend.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shkruajti se interpelanca në Kuvend kërkohet duke iu referuar vendimeve të këshillit të ministrave që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe jo me akuza që mund të përfshijnë familjarët.
Rama tha se Gazment Bardhi duhet të presë me durim hetimet e SPAK, sa kohë që të dyja palët i janë drejtuar me kallëzim Prokurorisë së Posaçme. Kryeministri e akuzi Bardhin se po bëhet shërbëtori i Sali Berishës, pasi kjo çështje ishte paralajmëruar prej muajsh, dhe vetëm tani është denoncuar.
Pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi Olsi Ramën si pjesë e grupit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. Sipas Bardhit, Rama kishte lidhje dhe njohje me një prej personat kryesorë të këtij grupi, si dhe përmes sistemit TIMS është faktuar udhëtimi disa herë me të njëjtën makinë me Genci Xhixhën, Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë. Sipas Bardhit emri i Olsi Ramë ishte kursyer nga prokurorët e krimeve të rënda të asaj kohë, dhe për kërë opozita kërkoi në SPAK një hetim të ri për vëllanë e kryeministrit. Nga ana tjetër, edhe Olsi Rama kallëzoi në SPAK Gazment Bardhin nën akuzën e shpifjes, dhe tha se njëri prej tyre duhet të përgjigjet përpara drejtësisë në lidhje me akuzat.
/ZËRI
Akuzat për Olsi Ramën, kryeministri REFUZON interpelancën: Bardhi të presë me durim SPAK-un
TIRANË- Kryeministri Edi Rama në një reagim të parë pas akuzave në drejtim të vëllait të tij, për lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë, ka refuzuar kërkesën e opozitës për interpelancë në Kuvend.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shkruan se interpelanca në Kuvend kërkohet duke iu referuar vendimeve të këshillit të ministrave që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe jo me akuza që mund të përfshijnë familjarët.
Rama thotë se Gazment Bardhi duhet të presë me durim hetimet e SPAK, sa kohë që të dyja palët i janë drejtuar me kallëzim Prokurorisë së Posaçme. Kryeministri e akuzon Bardhin se po bëhet shërbëtori i Sali Berishës, pasi kjo çështje ishte paralajmëruar prej muajsh, dhe vetëm tani është denoncuar.
"Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë", shkruan Rama mes të tjerave në postimin e tij në rrjetet sociale.
REAGIMI I RAMËS:
Rregullorja e Kuvendit thotë shprehimisht se, citoj, “interpelanca është kërkesa me shkrim, që i drejtohet kryeministrit, zv.kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar mbi motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, lidhur me aspekte te rendesishme te veprimtarise se tyre”. Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur.
Kësisoj, Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri.
Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik. Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant”. Për më shumë, rikujtoj këtu se ç’është në dorën e SPAK-ut, për çfarëdoqoftë e për këdoqoftë, aq më tepër për tim vëlla, nuk është dot në gjuhën time dhe nga ana tjetër, një interpelancë parlamentare, ku gënjeshtrat e thëna publikisht kthehen në pyetje për subjektin e tyre, do t’i njihte çdo gënjeshtari të drejtën e padëgjuar të kërkesës së llogarisë për gënjeshtrat e tij, ndërkohë që rregulli elementar i kësaj bote qëkur njeriu i dalë nga shpella u organizua shoqërisht, e do që gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari.
Kështu që nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën time të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, po as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë, që unë të ul përtokë çmimin e kohës së nevojshme për punët e mëdha e të vogla që kam detyrë të ndjek si i zgjedhur i popullit në drejtimin e vendit, për t’u angazhuar në një ndërveprim verbal me një shkelës mendjelehtë të ligjit e të çdo zakoni të mirë të këtij vendi, një kallzues i sapokallzuar për kallzim publikisht të rremë dhe për çfarë?!
Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi Olsi Ramën si pjesë e grupit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. Sipas Bardhit, Rama kishte lidhje dhe njohje me një prej personat kryesorë të këtij grupi, si dhe përmes sistemit TIMS është faktuar udhëtimi disa herë me të njëjtën makinë me Genci Xhixhën, Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë. Sipas Bardhit emri i Olsi Ramë ishte kursyer nga prokurorët e krimeve të rënda të asaj kohë, dhe për kërë opozita kërkoi në SPAK një hetim të ri për vëllanë e kryeministrit. Nga ana tjetër, edhe Olsi Rama kallëzoi në SPAK Gazment Bardhin nën akuzën e shpifjes, dhe tha se njëri prej tyre duhet të përgjigjet përpara drejtësisë në lidhje me akuzat.
/ZËRI