Rama thirrje opozitës për ‘armëpushim’, PS propozon projektrezolutën për integrimin në BE

TIRANË- Në mbledhjen e sotme të ministrave dhe deputetëve socialistë, kryeministri Edi Rama i ka bërë një ofertë opozitës për arritur një “armëpushim”, në atë që ai e quan “luftë te tyren”, për të punuar së bashku për këtë qëllim.
Rama tha se PS ka gati një projekt rezolutë për të përshpejtuar rrugën e vendit drejt BE.
“Sot jemi gati për ti paraqitur grupit një projekt rezolutë që të nisim përpjekjet për rrugën në BE. Thirrja ime për ata që janë kundër nesh… ne nuk ju ndryshojmë dot juve, luftën tuaj bëjeni si të doni ju me gjithë arsenalin, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte një zonë të ndaluar.
Një vend pune të përbashkët me aleatë tanë strategjike, me të gjitha institucionet e pavarura, për të adresuar jo dallimet tona të papajtueshme pulitke, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes evropiane të Shqipërisë.
Ju thoni se e keni seriozisht të vini në pushte… Unë u them se zgjedhjet janë vitin ardhshëm, nëse ne gjithë mend do të vini në pushtet ju do të jeni të parët që të jeni të interesuar për këtë iniciativë.
Konsiderojeni këtë iniciativë tonë si mundësi tuajën për të filluar të mendoni se çfarë do të bëni për rrugëtimin drejt BE. Kjo iniciativë kërkon një punë të madhe, dhe na duhet për Shqipërinë e 2030”, tha mes të tjerash kreu i shtetit.
Çfarë përmban rezoluta e paraqitur nga socialistët
Rezoluta:
Bazuar në Rekomandimet e Raportit të BE për Shqipërinë 2023, Raportin Screening të Komisionit Europian si dhe në Deklaratat/ Rezolutat e Samitit për demokraci të SHBA;
Të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë, si shprehje përbashkuese e vullnetit të mbarë zgjedhësve pa dallime partiake dhe të të gjithë shqiptarëve kudo janë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian; në zbatim të parimteve dhe detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës sonë; me bindjen e plotë në mundësitë e politikës dhe shoqërisë për t’iu përgjigjur domosdoshmërisë së një qasjeje kombëtare gjithëpërfshirëse në adresimin e sfidave të kësaj faze vendimtare për modernizimin e mëtejshëm të shtetit.
I. Ne, anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë
Duke e konsideruar moment kyç të historisë sonë të përbashkët, rrugëtimin Evropian të vendit përmes negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, pas përfundimit me sukses të procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screening) dhe vlerësimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për arritjet e Shqipërisë në të gjithë sektorët, si edhe nënvizuar gatishmërinë e vendit për t’iu përmbajtur legjislacionit të BE-së në fushën politike, ligjore, ekonomike dhe sociale;
Duke shprehur vlerësimin e përbashkët për mbështetjen strategjike që Bashkimi Evropian dhe SHBA i kanë dhënë Shqipërisë në avancimin e reformave për konsolidimin e sundimit të ligjit, forcimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
Duke e vlerësuar Reformën në Drejtësi, si një prej lëvizjeve më të mëdha shtetndërtuese në historinë e shtetit shqiptar – më e madhja në procesin historik të kalimit nga diktatura në një demokraci funksionale – dhe duke e çmuar zbatimin e saj si një domodoshmëri për jetësimin e parimit themelor kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet tre pushteteve si dhe për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent, efiçent, profesional dhe të barabartë për të gjithë qytetarët;
Duke vlerësuar rezultatet e derisotme pozitive të reformës në drejtësi, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, nëpërmjet procesit të vettingut për pastrimin e burimeve njerëzore në sistemin e drejtësisë, si dhe nëpërmjet veprimtarisë së strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila po kontribuon në mënyrë domethënësë në dhënien fund të epokës së pandëshkueshmërisë, duke shërbyer njëherësh edhe si një vlerë e shtuar besimi për vendimin e shumëpritur të hapjes së negociatave me BE-në;
Duke qënë të vetdijshëm për domosdoshmërinë e njohjes së problematikave të vendit në këtë fazë vendimtare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe adresimin e përbashkët të prioriteteve veçanërisht në drejtim të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe korrupsionit, duke u mbështetur kryesisht në gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në Raportet e BE dhe Raportin screening të Komisionit Evropian, të cilat kërkojnë një analizë të përbashkët objektive, një reagim të përbashkët institucional dhe një veprim të koordinuar midis të gjithë institucioneve përgjegjëse;
Duke mbështetur angazhimin me plane masash konkrete të ekzekutivit dhe të të gjitha institucioneve të përfshira, për të përmbushur detyrimet e procesit të negociatave dhe duke vlerësuar miratimin nga qeveria shqiptare të dy udhërrëfyesve të rëndësishëm “Për Shtetin e së drejtës” dhe “Për reformën në administratën publike”, si piketa hapëse të Grupkapitullit të Parë që njihet me emrin “Themeloret”;
II. Me vetëdijen e madhe për këto përgjegjësi të rëndësishme dhe për hapësirën gjithëpërfshirëse që i mundësohet Kuvendit nga Kushtetuta dhe autoriteti që i jep kuadri ligjor në fuqi, me bindjen se manifestimi i vullnetit politik dhe institucional i Shqipërisë në konceptimin, miratimin e zbatimin e Reformës në Drejtësi përbën një përvojë të vyer institucionale për t’u zhvilluar më tej, si dhe me besimin e përbashkët se vendi ka nevojë për një cikël të ri reformimi në funksion të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si domosdoshmëri për përmbushjen e objektivit strategjik kombëtar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2030, Kuvendi angazhohet:
1. Të nxisë frymën e dialogut konstruktiv politik dhe institucional brenda kuadrit kushtetues e ligjor, ndërmjet tre pushteteve të pavarura si edhe të gjithë aktorëve institucionalë e faktorëve politik e shoqërorë në vend në funksion të një cikli të ri reformimi përmes një qasje të re gjithëpërfshirëse orientuese për aktivitetin e të tre pushteteve të pavarura të Republikës sonë, që pavarësisht njëri – tjetrit dhe në harmoni me njëri – tjetrin të angazhohen aktivisht për rritjen e ndërgjegjësimit institucional dhe forcimin e kulturës së bashkëpërgjegjësisë të institucioneve në avancimin e mëtejshëm të reformave modernizuese të shtetit në përmbushje të detyrimeve të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në kuadrin e Samitit për Demokraci të SHBA-ve;
2.Për rritjen e fokusit të Kuvendit të Shqipërisë, në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, për konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës duke konsideruar çështje madhore të një rëndësie prioritare thellimin e reformave për përmirësimin e mëtejshëm të mirëqeverisjes, fuqizimin e luftës ndaj korrupsionit, forcimin e zbatimit të ligjit si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
3. Të ushtrojë në mënyrë efektive përgjegjësitë e tij kushtetuese në lidhje me rolin mbikqyrës të komisioneve të përhershme e atyre të posaçme dhe strukturave të tjera përgjegjëse parlamentare, ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese, brenda fushëveprimit të përcaktuar tashmë me Kushtetutë, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve, me fokus të drejtpërdrejtë adresimin e masave të Udhërrëfyesve të miratuar nga Qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike” si dhe rekomandimet e Raportit Screening të Komisionit Evropian;
4. Të përmirësojë rolin e tij ligjvënës, monitorues dhe mbikqyrës në funksion të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, ekzekutive dhe ligjbërëse, qendrore e vendore, përmes mekanizmave dhe rregullave që fuqizojnë respektimin e ligjit dhe rritjen e transparencës në vendimarrje, aksesin e qytetarëve dhe gjithëpërfshirjen e shoqërisë civile në procesin legjislativ dhe vendimmarrjen e qeverisjes qendrore e vendore, parandalimin e konfliktit të interesit dhe lobimit për interesa private, thellimin e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike dhe kontrollin më të mirë ndaj tyre, përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës të pastërtisë së figurës së funksionarëve të lartë të zgjedhur ose të emëruar, forcimin e mekanizmave për kontrollin e integritetit të funksionarëve e zyrtarëve të të gjitha niveleve, ngritjen e mekanizmave funksional për transparencën financiare dhe zhvillimin e kulturës e qasjes demokratike të partive politike etj.
5. Të konsiderojë domodoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj), në të gjithë territorin e vendit;
6. Të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit duke mundësuar një proces analitik vlerësimi dhe rekomandimesh me masa konkrete ligjore dhe institucionale që synojnë ndër të tjera edhe reformimin, me të njëjtën ambicie dhe thellësi siç vepruam me reformën në drejtësi edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit që kanë në përgjegjësi luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe konfliktit të interesit, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj duke synuar motivimin, integritetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin më të mirë të këtyre strukturave në respektim dhe zbatim të ligjit në të gjitha nivelet e qeverisjes;
7. Të garantojë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, duke ruajtur parimet dhe shtyllat kushtetuese të Reformës në drejtësi të miratuar në 2016, për të fuqizuar pavarësinë dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor si dhe njëherësh nxitjen e cilësisë së vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, sipas rekomandimeve të Raporteve të BE dhe Raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë si dhe masave të udhërrëfyesit “Për shtetin e së drejtës” në zbatim të tyre.
8. Të sigurojë në mënyrë transparente, në dispozicion të këtij procesi ekspertizën më të mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA) dhe përmes rregullave, procedurave e mekanizmave parlamentare të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë i konsiderojmë detyruese përmbajtjen dhe angazhimet e kësaj rezolute, pavarësisht dallimeve dhe vijave të qarta ndarëse politike e programatike mes nesh, në çdo aspekt dhe për çdo aspekt tjetër të jetës parlamentare.
Rama-ministrave: Asnjëri prej jush nuk do të jetë punë me tenderat

TIRANË- Kryeministri Edi Rama përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se ministrat e kabinetit të tij qeveritar nuk do të kenë më punë me tenderat publikë.
Rama u shpreh se nuk do ketë më tendera për blerje të vogla, por theksoi se “operatori i blerjeve të përqendruara po ndërton një katalog dixhital të blerjeve të vogla që të mos bëjnë tendera për cdo dërrasë të zezë, për cdo karrige apo tavolina zyre, por të blejnë direkt nga katalogu, i quajtur “agzonë” një lloj amazon i mallrave për të gjitha shërbimet mbështetëse të institucioneve, duke kursyer kohë, para dhe duke i mbyllur derën korrupsionit”.
“Ne nuk na mjafton kaq dhe shifrat që dhashë nuk duan të thonë që në prokurimet publike nuk ka korrupsion. Ne kemi hedhur një hap tjetër para, për të krijuar shoqërinë publike të operatorit të blerjeve të përqendruara që ka nisur punë zyrtarisht në 25 prill dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet.
Pra asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë nuk do të ketë më të bëjë me tendera por do merren me politikat sektoriale. Kjo shoqëri do të asistohet nga shoqëri partnere europiane”, tha Rama.
/ZËRI
Rama kritika Prokurorisë së Tiranës: Ndryshe nga SPAK, është bërë strehë e evazionit fiskal

TIRANË- Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zhvilluar me deputetët dhe minsitrat pati edhe kritika për punën e prokurorisë së Tiranës.
Duke e krahasuar me SPAK, Rama tha se prokuroria e Tiranës nuk ka bërë asnjë reagim për 80 raste të evazionit fiskal ku janë shmangur miliona euro detyrime nga persona që ndryshe konsiderohen si “oligarkë”.
“SPAK dhe prokuroria e Tiranës janë në distancë fizike më pak se 1 km. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë për një procedurë tenderi, në prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiscal. Janë 80 raste. Tani e kam humbur edhe numërimin. Raste që flenë prej vitesh në Prokurorinë e Tiranës për evasion fiskal. Ndër ato raste ka edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë, i kemi çuar ne. Bëhet fjalë për qindra milioan euro të shmangura nga detyrimet tatimore. Tjetër drejtësi në SPAK tjetër drejtësi atje në prokurorinë e Tiranës. Nuk ka mal me dosje që e tund evazionin fiskal që e ka bërë strehë prokurorinë e Tiranës”, tha kryeministri.
Ndërkohë sa i takon SPAK-ut, Rama tha se ai do të ketë vazhdimisht mbështetjen e qeverisë, edhe në hetimet që janë duke u kryer për eksponentë socialistë, apo ish-ministra të qeverisë.
“Nuk lëshoj vetëm Zahon”, Rama: Ncuq, ncuq, nuk mbaj asnjë burrë që mban karrigen me vjedhje

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ka folur për korrupsionin në radhët e socialistëve, për të cilët tha se nuk do të bëhet asnjëherë mburojë. Rama iu përgjigj akuzave të vazhdueshme që atij i bëhen, se i lëshon gjithnjë bashkëpunëtorët e tij. Sipas Ramës, qeveria që ai drejton nuk do të bëhet asnjëherë mburojë e politikanëve të korruptuar, dhe se sa më lartë të shkojë steka e hetimeve, aq më shumë përgjigjen do ta presë vetëm nga SPAK.
PJESË NGA FJALA E RAMËS:
Qeveritë e mia kanë ndryshuar. Jo po PS duhet ti mbajë njerëzit e saj, dhe ti nuk duhet ti lëshosh njerëzit e tu, ncuq, ncuq, unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël, kur do të hidhet nga ndonjë shkëmb i lartë. Por nuk mund të mbaj asnjë burrë që rri me para të vjedhura në karrige, nëse ske bërë gjë nuk ke nevojë që të mbaj as unë dhe as PS.
Jo po nuk kam bërë asgjë, po më bien në qafë. Nëse nuk ke bërë asgjë nuk të mbaj as unë as PS, por e vërteta. Prandaj lufto për të vërtetën tënde. Sepse kjo parti dhe kjo qeveri nuk bëjnë asnjë koment për cështjet që hap SPAK. Jo më avokatin e një drejtori, kryebashkiaku, ministri, deputeti apo ish ministri.
Kjo qeveri nuk bën dot asnjë koment, për asnjë çështje të Spak, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku apo ish-minsitri të kërkuar nga SPAK. Sa më lartë të jetë ngjitur kërkesa e SPAK, aq më shumë ne e presim drejtësinë vetëm nga SPAK. Ne nuk kemi çfarë i bëjmë askujt që nuk e kupton se reforma në drejtësi është e vërteta jonë më e madhe.
Në 40 e ca ministra që kanë punuar në qeveritë e drejtuara prej meje, nuk janë larguar nga SPAK por nga unë. Por nuk mund ti përlyesh të gjithë, jemi ne që krijuam kushte që ata shembuj të krijohen, por nuk mund të përgjithësohet puna e të gjithë të tjerëve.
/ZËRI
Paralajmërimi i Ramës: Kush fut duart në arkën e qytetarëve s'është më pjesë e jona. E përbuzim

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim për të gjithë socialistët. Në një mbledhje me grupin e Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, Rama Rama tha se çdo anëtar i kësaj familje të madhe politike, bën akte korruptive, është tradhtar. Ndër të tjera në fjalën e tij, Rama e bëri të qartë se të gjithë ata që prekin paratë e qytetarëve nuk fiton asgjë tjetër veçse përbuzje nga pjesa tjetër e PS-së. E përveç kësaj theksoi se: Kush flirton me korrupsionin, kush tradhton qytetarët e anëtarët e PS, nuk është as ne dhe as i yni.
"Kemi përgjegjësinë për rolin tonë të pazëvendësueshëm në këtë luftë për Shqipërinë. Sot që flasim, në radhë të parë të gjithë ju s'duhet ta heqin nga mendja luftën ndaj korrupsionit. Ne jemi e para parti politike që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur nga drejtësia duke e vrarë, ne jemi vetëçarmatosur. O e fitojmë ne këtë luftë të madhe për Shqipërinë, ose kjo dallga e drejtësisë së re do të thyehet në shkëmbijtë e kulturës antishtetit. Tek kjo ne-ja, PS, nuk ka dot dhe nuk ka për të pasur një "ne" të njëjtë si kur bëjmë punët, si për këdo mes nesh, sado afër apo larg nga këtu që tradhëton ata që na kanë besuar. Kush flirton me atë armik dhe kush i tradhëton shqiptarët që i ka bërë nderin e jetës, nuk është as "ne", nuk është i yni. Dhe nuk ka punë me ne. Ashtu kush është zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut dorën në arkë, nuk është ne, dhe nuk kërkon asgjë nga ne përveç përbuzjes. Është një tradhtar i dyfishtë i popullit shqiptar, por edhe i PS, si një parazit. Kur një parazit zbulohet nga drejtësia e hidhur është që e kishim mes nesh, por lajmi që u zbulua. Vjen njësoj si tek ju dhe tek unë helmi që hidhet, siç hidheshin minjtë për të helmuar kështjellën. Cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi e përdor për t’i vjedhur këtij shteti, i dëgjoj kur bërtasin hajdutët e Edi Ramës, ia kapën një drejtor a kryetar bashkie, apo një përgjegjës drejtorie dhe nuk pushojnë. Në shoqërinë ku jetojmë individi është sovran,"-tha Rama.
PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:
Dua edhe të jem shumë i qartë këtu me ju: Tek kjo ne-ja, Partia Socialiste, nuk ka dot dhe s’ka për të pasur dot, të paktën sa të jem unë i besuari juaj në krye të kësaj partie, një “ne” të njëjtë, si kur bëjmë betejat dhe punët për të cilat na kanë besuar shumica e shqiptarëve, si për këdo mes nesh, sado afër këtu apo sado larg nga këtu, që tradhëton ata që na kanë besuar, duke flirtuar me armikun e shpallur numër një të kësaj lufte, i cili është korrupsioni. Kush flirton me atë armik, kush i tradhëton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhëton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne!
Ashtu sikundër, kushdo që është zgjedhur në krye të një bashkie ose punon si drejtues dhe përgjegjës në nivelet e tjera të administratës shtetërore, qendrore apo vendore, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe në xhepat e këtij populli, nuk është ne, nuk ka sesi të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes! E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është vetëm një tradhëtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar, si çdo hajdut me kostum që merr ç’nuk është e tija, po edhe i Partisë Socialiste të Shqipërisë, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet. Kur qëllon që fatmirësisht një hajdut e parazit i tillë të zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti se e kishim mes nesh, por ama lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është vetëm shumë i mirë.
Vjen edhe tek unë njësoj si tek ju, helmi që hidhet, duke përdorur raste të korruptuarish apo të dyshuarish për korrupsion, siç hidheshin në mesjetë minjtë në ujësjellat e kështjellave për të helmuar të tërë ata që jetonin në kështjellë. I dëgjoj edhe kur thonë hajde na jep përgjigje ti Edi Rama për këtë miun një karrige më poshtë, tre karrige më tutje apo edhe njëqind kilometra larg teje, se edhe ai i yti është, i Partisë Socialiste është… Jo, jo, s’është as i imi, as i yni, po është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi, në daç si ministër qeverie, në daç si kryetar a drejtor bashkie e në daç si përgjegjës drejtorie, e përdor për t’i vjedhur këtij shteti e për t’i futur dorën në xhep këtij populli. I dëgjoj patjetër, edhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës dhe nuk pushojnë duke bërtitur “ia kapën këtë ministër e ia kapën atë ministër, ia rrasën brenda këtë kryetar bashkie e atë drejtor drejtorie”, në një tam-tam të përditshëm e të dëshpëruar për të shurdhuar e helmuar popullin…Po në sistemin ku jetojmë individi është sovran, ndërsa përgjegjësia e familjes, farefisit, kolektivit, partisë, është vetëm një bisht i mendësisë ende të gjallë të sistemit komunist, ku koka e prerë e një individi rrokullisej me të tjera, sipas oreksit të partisë-shtet që ushqehej me dogmën morale të fajit kolektiv. Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vet dhe nuk ekziston fajësimi me asocim. Ndërsa përgjegjësia morale nuk është vetëfajësim me asocim, për shkak se dikush tjetër shkel ligjin për përfitim personal. Rruga e jetës na bashkon me kaq shumë të tjerë për njëmijë e një arsye, por puna që na lidh për një qëllim në këtë rast shumë të madh a për plot arsye të mira edhe na zgjidh për një vepër të ulët si tradhëtia.
Unë kam pasur detyrën të punoj në këta dhjetë vjet me dyzetë e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje, qysh në ditën e parë të fillimit të punës e jo vetëm, se kush lufton për qëllimet tona të përbashkëta ka mbështetjen time në çdo hap, ka diskrecion të plotë në vendimet e veta e në rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe më ka në krah, kurdoherë që do të sulmohet për përpjekjet që bën në llogoren e përbashkët. Por kush gabon, duke kujtuar se mund të bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë, duke luftuar me mua e me Partinë Socialiste për të mirën e punës së përbashkët për shtetin, e nga ana tjetër duke punojë fshehtaz edhe për xhepin, nuk do të ketë në krah as mua, as Partinë Socialiste, por vetëm avokatin e vet përpara drejtësisë.
Qeveritë e mia kanë ndryshuar, ministrat kanë ndryshuar, shumë gjëra i kemi ndryshuar së bashku në çdo sektor, po kjo devizë as nuk ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë, deri kur të jem unë të paktën. Nëse s’ke bërë asgjë s’ke nevojë të të mbaj unë dhe PS-ja, të mban e vërteta, prandaj lufto për të vërtetën tënde, se kjo parti e kjo qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për çështjet që hap SPAK-u, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo ministri të kërkuar nga SPAK-u./ZËRI
Korrupsioni, Rama mesazh socialistëve: Edhe brenda partisë tonë ka, duhet imunizim

TIRANË- Kryeministri Edi Rama është shprehur se lufta me korrupsionin vazhdon, edhe brenda Partisë Socialiste. Në një takim të mbajtur të martën e sotme me grupin parlamentar, Rama u ndal gjatë tek reforma në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit. Ndër të tjera në fjalën e tij, kreu i qeverisë se sot Shqipëria ka një sistem drejtësie të pavarur poltësisht nga politika, por lufta nuk duhet që të ndalet me kaq.
"E vërteta është që as korrupsioni në Shqipëri sot nuk është mundur ende, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar imunitetin e korrupsionit. Edhe brenda vetë partisë sonë ka ende shumë punë për imunizimin për korrupsionin. Këtu nuk bën përjashtim as pushteti ekzekutiv. Në këto 10 vite kemi krijuar kushtet duke luftuar përditë. Askush të mos ketë asnjë iluzion se gjendet dot në këtë vend një fuqi tjetër nga fuqia e Partisë Socialiste, që të ketë aftësinë, kurajon dhe fuqinë, po tanimë edhe eksperiencën që ta udhëheqë e ta fitojë dot betejën për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, e cila është në thelbin e saj është një luftë e madhe për triumfin e kulturës së shtetit mbi traditën e antishtetit. Këtë të vërtetë nuk duhet ta harrojë asnjëherë, asnjë ditë të vetme, asnjë drejtues, deputet, ministër, kryebashkiak i Partisë Socialiste dhe asnjë anëtar i kësaj partie, jo për t’u mburrur, në asnjë mënyrë, po për të mos e humbur në asnjë rast e për asnjë arsye, vetëdijen dhe përgjegjësinë për rolin tonë udhëheqës, vendimtar, absolutisht të pazëvendësueshëm, sot për sot e për shumë kohë akoma, në këtë luftë për Shqipërinë,"-tha Rama.
PJESË NGA E RAMËS:
Pa forcën udhëheqëse, guximin dhe vendosmërinë e Partisë Socialiste në këto 10 vjet, sot nuk do të kishte rilindur besimi i shqiptarëve tek drejtësia. Nuk do ta kishte Shqipëria e sotme asnjë shans që ta shihte atë që po sheh, rrëzimin e monumentit më të shëmtuar të trashëgimisë sonë. Monumentit të kulturës së pandëshkueshmërisë, por të jemi të qartë, gjurma jonë në histori nuk do të varet vetëm nga kthesa e ndryshimit tërësor ku e kemi futur shtetit shqiptar, por do të varet nga sa më tej akoma, sot e më tutje ne, Partia Socialiste do ta bëjmë të pakthyeshëm këtë progres të dukshëm në sytë e të sotmes, por assesi të mjaftueshëm për sytë e te nesërmen.
Kur i solla më parë tablonë e frikshme të vitit 2013, nuk desha as të them, as të lë të mendohet se ne e kemi mundur korrupsionin, aspak! Ne vetëm jemi futur dhe jemi në mes të një lufte të vërtetë, reale, të stërngatërruar dhe të stërmundimshme me korrupsionin.
Ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Një fakt shumë kuptimplotë. Pikërisht se e kemi me të vërtetë, jo me gjasme këtë luftë, ne nuk e kemi mbajtur lëkuren tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re të cilën shteti shqiptar se ka pasur kurrë, Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit, por edhe ia kemi hequr vetes tanimë me ndërgjegje, guxim dhe vullnet të pa gjendur ndonjëherë më parë çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe të goditjeve të asaj gryke zjarri. Le të thotë c’të dojë kushdo që nuk do ta pranojë, por sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik.
Jo vetëm kaq, por ne me forcën e shumicës sonë qeverisëse i kemi hapur rrugë dhe furnizimit special me municion të asaj gryke zjarri. I kemi vendosur drejtësisë në dispozicion jo vetëm një Kushtetutë dhe një hapësirë ligjore të qepur enkas për këtë luftë. Kushtetuta e BE nuk ka trupa speciale, nuk ka trupa ndërkombëtare monitorimi siç ka në Kushtetutën tonë, por edhe një buxhet pagash që si askush në Europë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar.
Drejtuesit e organeve speciale të drejtësisë qëndrojnë në majtë të piramidës të pagave të këtij shteti më lartë sesa maja më e lartë e hierarkisë shtetërore të çdo shteti, Presidenti i Republikës. Vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë individët më të paguar në të gjithë piramidën e shtetit tonë, përbën pa diskutim një anomali absolute, por ne e kemi krijuar këtë anomali me vetëdije të plotë dhe për asnjë arsye tjetër në botë përveç fuqizimit të përpjekjes anti korrupsion të shtetit shqiptar me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë. E vërteta është që as korrupsioni në Shqipëri sot nuk është mundur ende si një fenomen shqetësues, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar ende imunitetin ndaj korrupsionit. Përkundrazi, edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit në këtë vend, ka shumë akoma për të pastruar. Edhe brenda vetë partisë sonë mbetet akoma shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit.
Shteti ynë në ndërtim e sipër ka ende rrugë të përpjetë për të bërë që të sigurojë sistemin e mbrojtjes së pa depërtueshme nga korrupsioni dhe këtu nuk bën absolutisht përjashtim as pushteti ekzekutiv, dikasteret tona qendrore dhe institucionet e varësisë prej tyre, bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre, por dhe agjencitë e tjera të pavarura përfshirë dhe partitë politike, mediat, shoqërinë civile, biznesin dhe vetë pushtetin gjyqësor janë ende lehtësisht të arritshme nga oferta e korrupsionit. Shpesh janë konkretisht të prekshme nga duart e korrupsionit e nganjëherë janë edhe befasisht të gjunjëzueshme nën këmbët e korrupsionit.
Fushëpamja e kësaj lufte i ngjan sot tamam fushës së një lufte të vërtetë që vazhdon, ku pavarësisht nga terreni që ke marr në zotërim mund të arrihesh nga armiku dhe të goditesh prej tij. Ndërsa armiku ka ende forcë të konsiderueshme për të plagosur dhe për të vrarë, por nga ana tjetër ka dhe një të vërtetë të pamohueshme. Nëse deri dje era ishte në favorin e armikut që e kishte spostuar shtetin nga qendra e protagonizmit, sot era është kthyer në favorin e shtetit i cili e ka ri marrë protagonizmin. Kjo është një luftë përgjatë gjithë vijës së frontit me një armik që prej 33 vitesh e sfidon Shqipërinë frontalisht./ZËRI
“Të vërtetat e ëmbla dhe të hidhura”, Rama në mbledhjen me ministrat dhe deputetët: Shqipërinë e gjetëm si në 97-tën

TIRANË- Ka nisur mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku të pranishëm janë edhe ministrat e qeverisë. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, ka bërë një bilanc të qeverisjes, dhe mënyrës se si socialistët e gjetën vendin, teksa vinin në pushtet. Të jemi të qartë gjurma jonë në histori do të varet nga sa më tej ne do e bëjmë të pakthyeshëm kërë progres të dukshëm për sytë e të sotmes. Kur solla tablonë e frikshme të vitit 2013, nuk dua që të lë të kuptohet se ne e kemi mposhtur korrupsionin. Ne jemi në mes të një lufte, pikërisht se e kemi me të vërtetë ne nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj.
"Unë sot nuk do të ndalem as te gjysëm të vërtetat, të cilat e kanë thënë njerëz më të mençur xse unë që janë gënjeshtrat më të mëdha. Sot do të përqëndrohem vetëm te vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen, ligjin dhe korrupsionin, qofshin këto të vërteta të ëmbla apo të hidhura. Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatinj e parë Shqipëria ishte në pikën më të ulët që nga vitit 1997. Rendi ishte në pikën më kritike, ku krimi kishte fituar qetësinë e tij, vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë në çdo qytet e fshat. Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo pikë takimi të qytetarit me shtetin. Në çdo ndërveprim mes biznesit dhe shtetit, rryshfeti ishte i treti i vërteti. Spitalet nuk kishin më ilaçe, familjarët e tyre vinin në spital me çarçaf dhe batanije. Lëre të gjeje shtrat për një shërbim minimal. Hyrja në universitete ishte si të hyje në autobusin e unazës në vitet 90. Punësimet në çdo institucion bëheshin me urdhër partie, apo lidhje me deputetin. Prokuroritë dhe gjykatat ishin pazar i gjesë së gjallë. Askush nuk dilte që të protestonte kundër qeverisë, kryeministria ishte kthyer si ato godinat e sherifëve amerikanë të viteve 30,"-tha Rama.
PJESË NGA FJALA E RAMËS:
Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhjeje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, dëshiroj shumë edhe vëmendjen e atyre që më kanë dhe na kanë votuar, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013 kur morëm detyrën të rilindim Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave të cilët klithnin ditë-natë të izoluar nga penxheret mes pallateve po bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve. Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët na kanë votuar, besuar, mbështetur pa kursim në gjithë këto vite. Unë sot nuk do të ndalem as tek gjysmë të vërtetat, të cilat, e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, as tek shpifjet, akuzat e rreme apo fabrikimet djallëzore. Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri, 10 vjet qysh se ne jemi në detyrë. Qofshin të vërteta të ëmbla për të cilat s’mund të mos jemi krenarë, qofshin të vërteta të hidhura për të cilat nuk ka sesi të na vijë mirë, po s’ka më mirë se sa t’i shohim në sy, ashtu siç janë.
Të nderuar deputetë dhe deputete, ministre dhe ministra!
Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatin e parë, Shqipëria ishte në pikën e saj më të ulët, pas vitit të zi 1997. Rendi publik ishte përtokë, 124 vrasje në vitin 2012 dhe po atë vit 2075 aksidente nëpër rrugë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambylla me shtetin; vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë në çdo qytet dhe fshat dhe kërkesa e parë e qytetarëve në çdo dëgjesë apo takim spontan, ishte siguri, siguri, siguri. Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo pikëpjekje dhe kontakt të qytetarit me shtetin; në çdo sportel shërbimi dhe udhëkryq trafiku, qytetarët mbanin radha të gjata duke dhënë ryshfet edhe për të dhënë një certifikatë lindjeje apo paguar para për të kaluar policin e radhës. Në çdo ndërveprim mes biznesit dhe shtetit, ryshfeti ishte i treti i vërteti qoftë kur shteti shfaqej në derën e shitësit të bulmetit për një kontroll, qoftë kur biznesi shfaqej në derën e shteti për një prokurim publik. Spitalet nuk kishin më ilaçe, por vetëm receta për pacientët që t’i blinin ato ku të mundeshin; familjarët e tyre vinin në spital me çarçafë dhe batanije nga shtëpia në krahë; qendrat shëndetësore ishin si godina të braktisura pas ikjes së një ushtrie pushtuese; edhe kur e gjeje rrallë një infermier në karrige, nuk gjeje një karrige tjetër e lëre pastaj shtrat apo mjete mjekësore për një shërbim normal.
Hyrja në universitete ishte si në dyert e autobusëve të Unazës në vitet ’90, ku rinia shtyhej për ta çarë me para, me parti dhe me krushqi rrugën drejt derës së fakultetit të dëshiruar. Punësimet në çdo institucion, në çdo komisariat policie, në çdo ambulancë, në çdo shkollë bëheshin me urdhër partie, me ndërhyrje deputeti, shpesh me lekë ose për ata që s’kishin parti apo lidhje me deputetin e me ndonjë bajraktar lokal, vetëm me lekë. Prokuroritë dhe Gjykatat ishin pazare të gjësë së gjallë ku shihte rrushi rrushin e piqej, teksa më i dobëti gjithmonë digjej. Prokurorët dhe gjykatësit me integritet jetonin në rrethimin e llumit të mbuluar me toga të zeza dhe të fryrë nga zullumi i ryshfeteve të majme, të agresorëve të ligjit ndaj njerëzve pa mbrojtje dhe ndaj pronave të shtetit dhe të qytetarëve. Kurse të lidhurit pas qerres së pushtetit politik jepnin e merrnin favore të paligjshme, fare të patrazuar nga syri qorr dhe veshi shurdh i ligjit, duke bërë prokopi dhe vënë katandi hipur mbi kurrizin e popullit që e përkëdhelnin me fjalë dhe e përdhunonin me vepra. Protestat kishin mbetur vetëm punë e Partisë Socialiste, askush nuk guxonte të dilte të protestonte kundër qeverisë pa një flamur partie si mburojë. Kush rrallë tek e provonte ndryshe merrte shkopin e policit kokës edhe po të ishte mbi një karroce invalidi. Kryeministria ishte kthyer në përmbajtje dhe në formë si ato godinat e sherifëve në provincat e Amerikës së viteve ’30, rrethuar me një gardh të ndryshkur hekuri, e nxirë nga papastërtia e mbledhur me muret e shkallëve të saj në vite, e mbuluar ditë-natë nga zymtia e shembujve të forcës dhe e zhveshur nga çdo forcë shembulli.
Protestuesit e vrarë me pushkën e shtetit nga dritaret e asaj godine, trajtoheshin haptazi nga i pari i qeverisë si kriminelë që kishin marrë thjesht dënimin e merituar, ndërsa për drejtësinë, vrasjet e lemerishme shtetërore ishin gabime teknike dhe faje periferike të shërbëtorëve të nënshtruar pushtetit politik. Imazhi i Shqipërisë ishte i mos o Zotshëm. Lajmet në shtypin europian për Shqipërinë ishin sa të rralla aq të zeza. Edhe kur flitej për turizëm shkaku ishte sa shumë plehra kishte Shqipëria. Vizitat zyrtare të nivelit të lartë në Tiranë kishin ndalur prej disa vitesh; shqiptarët në Europë nuk guxonin të përmendin emrin e vendit të tyre. Besimi i bashkësisë europiane se në Shqipëri mund të kishte drejtësi, ishte zero; zero ishte dhe besimi i shqiptarëve. Pandëshkueshmëria ishte bërë emri i dytë i Shqipërisë në sytë e çdo partneri të saj dhe në rreshtat e çdo raportimi serioz ndërkombëtar. Rruga e vendit tonë drejt anëtarësimit në BE ishte bllokuar nga mali i mosbesimit të gjithanshëm. Për ata që 10 vjet më parë ishin fëmijë dhe sot janë të rinj, 20 apo 25 vjeçarë, kjo tablo mund të duket si pjellë e imagjinatës time, por çdo familje shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë, kjo ishte pasqyra e realitetit të hidhur të qeverisjes, korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Shqipërinë e vetëm një dekade më parë.
Sot pasqyra është pa diskutim krejt tjetër. Kush e diskuton këtë fakt ose është pjesë e pandashme e autorësisë së asaj tabloje të vjetër ose nuk di çfarë flet nga padija nga ligësia apo nga të dyja bashkë. Padija dhe ligësia janë sot përbërësit kryesore të karburantit të debateve politike dhe mediatike. Kur linçimi i tjetrit dhe shpërfillja përbuzëse e fakteve të pafavorshme për qëllime të linçuesve, e kanë bërë të vërtetën si një gjysma gjel, shëmbëlltyrë të gënjeshtrës më të madhe. Por nuk është qëllimi im të bëj sot këtu dallimin mes forcës sonë qeverisëse dhe forcave të vjetra keq qeverisëse sepse më mjafton që këtë dallim si dita me natën e bën dhe do ta bëjë përsëri me votë shumica absolute e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Vendosja përballë e dy tablove të Shqipërisë me një dekadë në mes të tyre ka rëndësi vetëm për ta parë sa më objektivisht kontekstin e sotëm të përpjekjes sonë si dhe për ta kuptuar sa më drejtë nevojën e një dallge të re reformimi në funksion të procesit të shtet bërjes europiane të vendit tonë. Kolegë dhe kolege, kjo forcë qeverisëse, Partia Socialiste e Shqipërisë është prej një dekade në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real dhe të respektuar botërisht. Ku mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit të arrijnë nivelin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian. Askush më parë, asnjë forcë me peshë në hapësirën e pushtetit politik qysh nga shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Otomane dhe ngritja e flamurit të pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912 nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga vetë pushteti politik. Askush dhe asnjë! Prandaj dhe asnjëherë, askush që ka qenë pjesë përbërëse apo zgjatimi i pushtetit politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur siç po ndodh sot dhe krenarinë për ardhjen e kësaj dite vetëm falë kësaj lufte vendimtare për Shqipërinë që ne, Partia Socialiste e kemi hapur dhe po e zhvillojmë prej 10 vitesh, nuk na e mohon dhe as na e merr dot askush./ZËRI
Qeverisja, ligji, korrupsioni/ Rama mbledh sot deputetët dhe ministrat: Asnjë mungesë në takim

TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama, do të mbledhë sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrat e kabinetit qeveritar, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit prej një jave janë paralajmëruar që të mos bëjnë mungesa.
Mbledhja pritet të mbahet në ambientet e kryesisë së Kuvendit, duke nisur në orën 10:00, ndërsa temat kryesore që do të trajtohen janë zbuluar në rrjetet sociale nga vetë kryeministri Edi Rama. Në një postim pasditen e djeshme Rama tha se në këtë mbledhje do të flitet për qeverisjen, ligjin, korrupsionin, si dhe për një nismë të re kombëtare për Shqipërinë 2030.
Kjo mbledhje pritet që të jetë publike, ku do të adresohen dhe mesazhet e Ramës si ndaj deputetëve, ashtu edhe ndaj ministrave të qeverisë. Prej kohësh Partia Socialiste ka nisur një riorganizim në të gjitha strukturat e saj, me qëllim përgatitjen për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat do të mbahen përpara verës së vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, në Parlament prioritet është Reforma Zgjedhore, për të cilën palët ende nuk kanë gjetur rrugën drejt ujdisë, por edhe rishikimi i Reformës në Drejtësi, diskutimet për të cilën pritet të rikthehen në Parlament gjatë javës së ardhshme.
Ky takim i kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar dhe qeverinë vjen pak ditë para nisjes së një turi në diasporë për të takuar shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vendet fqinje dhe jo vetëm. Ndalesa e parë do të jetë në Athinë, në datën 12 Maj, ndërsa do të përmbyllet me një takim me shqiptarët e Londrës./ZËRI