Përplasja me Spiropalin, Rama kritikon mediat: Nga 7 orë mbledhje, bënë lajm vetëm debatet
TIRANË- Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara në media për një përplasje të supozuar me deputeten Elisa Spiropali gjatë mbledhjes së fundit të grupit parlamentar.
Gjatë një takimi me socialistët, Rama kritikoi mënyrën se si mediat kanë trajtuar këtë çështje, duke theksuar se është nxjerrë jashtë kontekstit një pjesë shumë e vogël e diskutimeve. Ai u shpreh se mbledhja ka zgjatur rreth 7 orë, por sipas tij, mediat janë fokusuar vetëm te debatet e vogla dhe jo te përmbajtja e plotë e diskutimeve.
“Qëndruam në atë mbledhje nga ora 11 deri në 6 pasdite, pra rreth 7 orë. Nga të gjitha diskutimet që u bënë, mediat, nuk po flas për portalet, por për mediat kombëtare, e bënë lajm kryesor se çfarë i thashë unë njërit apo tjetrit. Ku janë njerëzit dhe ku është lajmi?”, -u shpreh Rama.
Tensioni i fundit ishte në mbledhjen e grupit parlamentar të PS mes Elisa Spiropalit dhe Erjona Ismailit, ku një ndërhyrje pati edhe nga vetë kryeministri Edi Rama. Përplasjen e fundit e pohoi edhe kreyparlamentari Niko Peleshi, i cili deklaroi se në mbledhje ka pasur diskutime që kanë zgjatur me orë të tëra, duke i konsideruar si të shëndetshme për frymën e brendshme të partisë./ZËRI
"Nuk do ishte rritur ekonomia", akuzat publike për korrupsion, Rama: Neveri për këtë narrativë
TIRANË- Kryeministri, Edi Rama, në takimin e mbajtur sot në Njësinë 12 iu përgjigj akuzave publike për korrupsion.
Ai tha se e refuzon me neveri këtë narrativë, duke shpjeguar se nëse do të ishte rritur korrupsioni, nuk do të rritej ekonomia, pagat dhe pensionet.
“Pagat i kemi rritur në mënyrë sistematike dhe tani kemi nisur të paguajmë edhe vjetërsinë në punë. Mësuesit, mjekët, ushtarakët dhe punonjësit e policisë po ashtu paguhen për vjetërsi në punë. Kush thotë se është rritur korrupsioni, është një gënjeshtër e madhe. Po të ishte rritur korrupsioni, nuk do të rritej ekonomia, nuk do të rritej pensioni, dhe unë e refuzoj me neveri këtë narrativë që nuk di të thotë asgjë tjetër, vetëm ‘vjedhje, vjedhje’, sepse po të ishte kështu, nuk do të ndodhnin ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur,” - tha Rama.
/ZËRI
Rama nga njësia 12 drejtuar socialistëve: Jemi vetëm drejt BE-së, na duhet më shumë punë
TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, po zhvillon sot një takim me socialistët në njësinë 12 në kryeqytet.
Në fjalën e tij, ai u fokusua te “Punët e Shqipërisë” dhe hapat e saj në integrimin në Bashkimi Evropian. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara, por kjo nuk është e mjaftueshme. Sipas Ramës, negociatat pritet të mbyllen në vitin 2027.
Kryeministri foli për disa arritje të qeverisë, si rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe rritja e ekonomisë shqiptare. Po ashtu, ai iu drejtua socialistëve duke theksuar se qeveria dhe socialistët janë vetëm në rrugën e integrimit evropian. Ai tha se çdokush që nuk është anëtar apo mbështetës i PS-së, shpesh ngatërron kundërshtitë politike me interesin kombëtar të Shqipërisë për anëtarësimin në familjen evropiane.
“Ne e kemi një detyrë më të madhe sesa thjesht ndaj vetes apo për veten. Kjo arsye madhore është mundësia historike që na ka ardhur në dorë. Janë krijuar kushtet që ta shohim derën e Evropës afër dhe të hapur plotësisht. Kemi bërë shumë nga ana jonë për të arritur këtu, por një gjë duhet ta kemi shumë të qartë: nuk mjafton. Ne mund të kemi bërë gjithçka dhe sërish nuk mjafton.
Sepse i vogli, vendi i vogël, populli i vogël, nuk e ka të mjaftueshme vetëm të bëjë më të mirën e vet; duhet që edhe të tjerët ta shohin me sy të mirë. Dhe janë bashkuar yjet e fatit, sepse për arsye që nuk lidhen vetëm me sa mirë kemi punuar ne, por edhe me mënyrën se si po shkon bota, Bashkimi Evropian dëshiron të na marrë brenda vetes. Kjo është e jashtëzakonshme.
Ky moment është konkret. Tani ne duhet të bëjmë deri në fund atë që kemi në dorë. Duhet të bëjmë maksimumin që dera e hapur të mbyllet vetëm pasi ne të kemi hyrë brenda. Ne vazhdojmë punën tonë dhe kemi detyrat sipas kalendarit të përcaktuar nga ata.
Por ajo që po ndodh sot është se të gjitha vendet e nivelit të dytë në BE shprehen se duan ta marrin Shqipërinë në BE dhe, në të gjitha rastet kur dokumentet kanë kaluar nga niveli i parë në të dytin, përgjigjja ka qenë pozitive. Prandaj ne kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave brenda 11 muajve – diçka që asnjë vend nuk e ka bërë më parë.
Megjithatë, ne duhet të kuptojmë se jemi vetëm në këtë betejë, sepse të gjithë të tjerët që nuk janë mbështetës të Partisë Socialiste janë kundër nesh dhe shpesh ngatërrojnë kundërshtinë ndaj nesh me interesin kombëtar dhe të mirën e përbashkët të vendit dhe të fëmijëve tanë. Prandaj është thelbësore që ta shfrytëzojmë këtë moment dhe të hyjmë në BE.
Ne e kemi vendosur Shqipërinë në një pozicion krejt tjetër nga ai që kishte më parë, kemi fituar respekt dhe besim dhe, në të njëjtën kohë, kemi rritur ekonominë,”- u shpreh Rama.
/ZËRI