Kurti: Radoiçiq është thelbi i problemit të sulmeve në Kosovë

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet kosovare Millan Radoiçiqin, duke thënë se politikani dhe biznesmeni serb është “arsyeja thelbësore” e sulmeve që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin në të ardhmen në Kosovë.
Duke folur në një konferencë për media të dielën në Prishtinë pas një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dy ditë më parë, Kurti tha se “problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”.
Autoritetet kosovare kanë leshur fletarrestim dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Kurti tha se, sikur Radoiçiq të mos lihej i lirë në Serbi, do të “binin gjasa në mënyrë drastike që të realizoheshin të gjitha këto sulme që kanë ndodhur dhe sulme në të ardhmen që ata i planifikojnë”.
“Ne kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtar t’i bëjnë trysni Beogradit ta dorëzojnë kryekriminelin Radoiçiq tek institucionet e Kosovës. Nëse Serbia ka dyshim se Radoiçiq nuk do të kishte gjykim të drejtë në Kosovë, ne e kemi EULEX-in, ai i vëzhgon të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj ai duhet t’i dorëzohet Kosovës”, tha ai.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, gjë që është mohuar nga Serbia.
Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, njoftuan autoritetet kosovare të dielën, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.
Autoritetet kosovare të sigurisë i arrestuan tetë të dyshuar dhe konfiskuan armatim gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës të shtunën, në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Kurti tha se sulmi i së premtes ndaj kanalit të ujit në veri ndërlidhet me sulmet që Rusia është duke i kryer në muajt e fundit kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të mbetej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, tha Kurti.
Ai e shfaqi gjatë konferencës një fotografi për të cilën tha se shfaq emblema të njësive ushtarake të Ushtrisë Ruse të konfiskuara nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të së shtunës në veri të vendit.
“U gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse. Këto emblema ju përkasin njësive të veçanta ruse”, shtoi ai.
Sulmi ndaj kanalit të ujit në veri u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian dhe Gjermania thanë se ai ishte një akt terrorist.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Marrë nga REL
DASH: Do të ndihmojmë në gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin ndaj Ibër-Lepencit

KOSOVË- Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, i cili shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ujë në disa pjesë të vendit dhe kërcënoi furnizimin me rrymë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.
Miller tha në X se “ne e dënojmë sulmin e 29 nëntorit ndaj ujësjellësit të Kosovës” dhe i falënderoi ekipet emergjente të Kosovës dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për punën e tyre në rikthimin e furnizimit me ujë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, gjë që është mohuar nga Serbia.
Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Furnizimi i rregullt me ujë u rikthye pothuajse një ditë pas shpërthimit, njoftuan autoritetet kosovare të dielën, ndërsa furnizimi i Korporatës Energjetike të Kosovës me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua.
Autoritetet kosovare të sigurisë i arrestuan tetë të dyshuar gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës të shtunën, në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Gjatë aksionit policor u sekuestruan mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera.
Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Kosova dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar atë si akt terrorist.
Marrë nga REL
Çfarë dihet deri më tani lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit?

KOSOVË- Në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme, kurse banorë nga Mitrovica nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit. Pas riparimit të përkohshëm, furnizimi me ujë është rikthyer.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë i cili ishte vendosur në një çantë të zezë dhe ishte aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
Autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë për këtë sulm, të cilin e cilësuan si terrorist, duke shtuar se ishte sulmi më i rënd ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga lufta e fundit në Kosovë. Serbia e mohoi këtë.
Pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin, autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv.
Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë për këtë “sulm kriminal dhe terrorist” dhe strukturat kriminale të udhëhequra nga Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim lidhur me shpërthimin. Ai mohoi çdo përfshirje në sulm, duke shtuar se akuzat e bëra kundër Serbisë "pa prova mbështetëse" janë “shumë shqetësuese”. Ai bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar "për këtë akt sabotimi".
Të shtunën pasdite, Bashkimi Evropian dënoi ashpër “sulmin terrorist”, duke shtuar se "është një akt i neveritshëm sabotimi ndaj infrastrukturës kritike civile të Kosovës".
Aksioni i policisë
Tetë të arrestuarit dhe të shoqëruar në polici të shtunën, dyshohen për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Ata dyshohen për përfshirje në sulmin ndaj kanalit të ujit të premten dhe se janë pjesë të "Mbrojtjes Civile", e cila ka vepruar ilegalisht në veri të Kosovës nga viti 2011 dhe cila është shpallur organizatë terroriste në qershorin e vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës.
Gjatë aksionit policor janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera, sipas drejtorit të Policisë, Hoxha.
Në një bastisje të ndarë në Zveçan, Hoxha tha se policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi të fshehur si, dy pushkë AK47, tri revole, një armë gjuetie, dy armë rekreative, gjashtë karikator të AK47, municion dhe uniforma ushtarake. Hoxha tha se armatimi i konfiskuar mund të lidhet me sulmet e kësaj jave dhe me raste të tjera që autoritetet janë duke i trajtuar.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë për media se shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.
Eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”, u përgjigj Sveçla pasi u pyet se si ka mundur të futet një sasi kaq e madhe eksplozivi në atë pjesë të vendit.
Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se kishte shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese.
Marrë nga REL
Shpërthimi në Zubin Potok, rikthehet uji në disa komuna, situata drejt normalizimit

PRISHTINË- Autoritetet në Kosovë thanë se po normalizohet furnizimi me ujë nga liqeni i Ujmanit ne veri të vendit, që u ndërpre përkohësisht pas shpërthimit të së premtes në mbrëmje, për të cilin Prishtina fajësoi grupet e mbështetura nga Serbia.
Të dielën Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok rreth 60 kilometra në veri të Prishtinës, nëpërmjet të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.
Të shtunën autoritetet thanë se janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin për të cilin policia dyshon se është përdorur një sasi e mjeteve shpërthyese prej rreth 15 deri në 20 kilogramë. Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.
Të dielën Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron parapa sulmit.
"Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga (kryeministri Albin) Kurti”, tha Presidenti Vuçiç, duke nënvizuar se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Sulmi i së premtes u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore e cila i ofroi mbështetje Prishtinë në përballimin e situatës së krijuar pas tij. Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore. Sulmi vetëm sa ka shtuar tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. /VOA
Shpërthimi në Zubin Potok, Vuçiç: Ngjarja u shfrytëzua për të sulmuar Serbinë, e dimë kush qëndron pas sulmit

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, iu drejtua qytetarëve serb këtë të dielë lidhur me shpërthimin në kanalin e ujit në Zubin Potok më 29 nëntor 2024. Vuçiç u shpreh se Prishtina ka sulmuar ashpër Serbinë, pasi ata nuk kanë asnjë lidhje me këtë sulm. Vuçiç tha se nuk ka asnjë fakt se Beogradi qëndron pas shpërthimit në Zubin Potok.
"Nuk ka sesi mund të dëshmojnë diçka që nuk ekziston, kështu që njerëzit të jenë të qetë. Beogradi nuk është i përfshirë dhe do të shohim se kush është i përfshirë më vonë. Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj vendit tonë. Meqenëse ne ndoqëm me kujdes gjithçka që u njoftua nga zyrtarët e Prishtinës dhe sponsorët e tyre ndërkombëtarë, si dhe mediat e tyre, nuk mundëm të dëgjonim shumë fakte", tha Vuçiç.
Vuçiç tha gjithashtu se autoritetet serbe kanë mbledhur informacione se kush mund të jetë autori i sulmit, por nuk dha detaje.
“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi,” tha ai.
Presidenti serb shprehu gatishmërinë e autoriteteve të Beogradit për të bashkëpunuar jo vetëm me EULEX dhe KFOR, por edhe me Prishtinën. Ai tha gjithashtu se ka ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore, teksa informoi se 7 nga 8 të arrestuarit nga policia e Kosovës, janë liruar.
Vuçiç gjithashtu kërcënoi se do të arrestojë çdo serb të Kosovës, nëse kanë marrë pjesë apo kanë kryer sulmin terrorist.
“Ndoshta serbët janë fajtorë që u besuan shqiptarëve dhe Kurtit. Ne nuk nxjerrim konkluzione pa përfunduar hetimi, por cilido serb që është i përfshirë do të arrestohet menjëherë”, deklaroi Vuçiç.
Më 29 nëntor, rreth orës 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit. Një nga objektet që furnizohet me ujë është edhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, por banorët e zonës kanë mbetur pa ujë dhe pa energji elektrike. Për këtë sulm, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, derisa kjo e fundit ka mohuar të gjitha akuzat. Reagime ka pasur edhe nga Shqipëria, edhe nga ndërkombëtarët./ZËRI
Shpërthimi në Zubin Potok, Osmani takim me QUINT dhe KFOR

PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të biseduar për zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, njoftoi Presidenca.
Ajo e takoi edhe Enrico Barduanin, komandantin e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Osmani theksoi në takim me ambasadorët se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”.
Çfarë dihet deri më tani lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit?
“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në njoftim.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënojë sulmin dhe “të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë”.
Shtetet e QUINT-it përbëhen nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në takim me Barduain e KFOR-it, Osmani tha se “sulmi terrorist” ndaj infrastrukturës vitale “dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit”. Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë se qëndron pas këtij sulmi, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin. Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme.
Si pasojë e dëmtimit të kanalit, Kurti kishte deklaruar të premten vonë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e kryeqytetit, Prishtina, mund të mbeten pa ujë të pijshëm. Megjithatë, Qeveria të shtunën ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan. Më herët, KFOR-i e dënoi sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe tha se është e rëndësishme gjetja e fakteve dhe sjellja para drejtësisë e personave përgjegjës.
Misioni paqeruajtës tha se nga e premtja në mbrëmje, kur ndodhi sulmi, ka ofruar sigurinë përreth kanalit të ujit dhe zonave në afërsi, si dhe ka ndihmuar institucionet e Kosovës me logjistikë dhe mjete të tjera. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX. /REL
Shpërthimi në Zubin Potok, BE: Të nisin hetimet

ZUBIN POTOK- BE po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë. Shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili rrezikohet furnizimi me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës, Bashkimi Evropian e ka cilësuar si sulm "terrorist” si dhe akt "sabotues” dhe kërkon hetimin e ngjarjes dhe vënien e autorëve të sulmit para drejtësisë.
Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell në largim (nga 1 dhjetori e merr detyrën, Kaja Kallas) në një njoftim për shtyp të shtunën (30.10.), tha se "BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”.
Borrell tha, se mesazhet e solidaritetit dhe mbështetjes ia ka përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e së shtunës. Nga Borrell, po ashtu ka ardhur thirrja drejtuar të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës.
Arrestime në lidhje me shpërthimet veri të Kosovës
Në një operacion që u zhvillua në shkallë të gjerë në veri të Kosovës gjatë gjithë ditës së shtunë, policia arrestoi tetë persona të dyshuar në lidhje me shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, duke konfiskuar edhe sasi të mëdha armatimi, dhe pajisje tjera ushtarake.
Autoritetet bënë të ditur, se policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka zhvilluar operacione në dhjetë lokacione në veri të vendit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha, se tashmë janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm për nxitjen e akteve të dhunës, organizimit apo ekzekutimit të sulmit të fundit dhe të tjerave në veri të vendit.
Dyshohet se janë përdorur 15 deri në 20 kg lëndë shpërthyese
"Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit në vendin e ngjarjes dyshohet që është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri 20 kilogramë, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha. Sipas tij, operacioni dhe kontrolli rezultuan me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarak”.
Armë, veshje e pajisje ushtarake të ekspozuara nga policiaArmë, veshje e pajisje ushtarake të ekspozuara nga policia
Ai tha se policia "ka arsye të besojë se në një formë apo tjetër, personat e arrestuar kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shume të tjera të mëhershëm dhe shumica nga ta janë pjesë të Mbrojtjes Civile”. Këtë organizatë që operon në veri të Kosovës qeveria në Prishtinë vitin e shkuar e ka shpallur organizatë terroriste.
"Gjatë aksionit policor janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera”, tha drejtori i policisë Gazmend Hoxha.
Sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës së Kosovës nga koha e luftës
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për medie se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, aset ky që cilësohet i një rëndësie të veҫantë për termoelektranat e Kosovës, ujin e pijshëm dhe ngrohjen e kryeqytetit, ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovës të vitit 1998-1999.
Xhelal Sveçla në konferencë shtypi, pas tij shihen armë dhe pajisje ushtarakeXhelal Sveçla në konferencë shtypi, pas tij shihen armë dhe pajisje ushtarake
"Ky është sulm i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës”, tha ministri Sveçla.
Në lidhje me armatimet e zbuluara, Sveçla tha, se "shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë prodhim serb dhe se një pjesë e madhe e tyre janë pajisje ekskluzivisht ushtarake që nuk mund të gjenden lehtë në tregun e zi”.
Kosova akuzon Serbinë, Serbia mohon përfshirjen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tështunën bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, që ai e cilësoi "kriminal dhe terrorist" e që ka pasr si qëllim "të dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme dhe vitale të vendit të Kosovës”.
Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e Serbisë në sulmin në veri duke thënë se "Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit. Këtë e di edhe Prishtina”, tha Vuҫiç transmeton RTS.
"Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha Vuҫiç.
Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, duke hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Kurti, tha se derisa "regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm. Gjuriq tha se "Serbia e dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi është thellësisht shqetësues që rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës tashmë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. /DW