LIVE UPDATES

Vrasja e Egli Progës/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës, Denis Meçe do lirinë, ofroi 10 mln lekë

➤ Zbardhet vendimi i Gjykatës së Korçëës për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg pa afat" për Denis Meçen, autori i vrasjes së Egli Progës, të cilit iu mor jeta më 10 gusht. ➤ Gjykata vendosi për zbutjen e akuzës nga 'vrasje me dashje’ në ‘vrasje nga pakujdesia’ me pretendimin se autori ka qëlluar me grusht dhe nuk ka pasur mjete të tjera për ta lënduar 42-vjeçarin. ➤ Edhe vetë 29-vjeçari pretendon se nuk e ka vrarë të riun me dashje, duke shtuar edhe se i ka kërkuar falje familjes. ➤ Në dosje, zbulohet dhe se avokati ka kërkuar garanci prej 1 mln lekësh për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ por kërkesa nuk është pranuar. ➤ Ndërkohë që çështja po hetohet ende, edhe sot nuk ka ndalur përplasja mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Korçës. 

4 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Akuzoi mediat për dezinformim të vrasjes në Pogradec, “Safe Journalists”: Rrumbullaku tejkaloi autoritetin policor!

Vrasja e Egli Progës/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës, Denis
Muhamet Rrumbullaku

TIRANË- Rrjeti “SafeJournalists” ka reaguar në lidhje me akuzat e ngritura nga kreu i policisë Muhamet Rrumbullaku ndaj mediave në vend, në lidhje me vrasjen e Egli Progës. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i ka cilësuar si skandaloze aludimet se vrasjan e Egli Progës është fshehur nga Policia e Shtetit. Në një konferencë me mediat, të thirrur enkas për ngjarjen, Rrumbullaku tha të gjitha akuzat se Policia e Shtetit tentoi që të fshehë vrasjen janë të pabaza dhe fajtore për këtë bëri mediat. Rrumbullaku tha se do të merren masa për zbardhjen e qëllimit të dezinformimit.

Në reagim, “SafeJournalists” shpreh shqetësimin për deklaratat e fundit të Rrumbullakut, në lidhje me mbulimin mediatik të vdekjes së Progës, pasuar nga shqetësimet e ngritura nga familja për vonesat në mbërritjen e ambulancës dhe reagimin e policisë duke çuar në akuza për një hetim të paplotë. Në reagim thuhet se gazetarët raportuan për këto shqetësime, duke u bërë presion autoriteteve që të reagojnë. Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Policisë së Shtetit të tërheqë menjëherë kërcënimet dhe të ndalojë frikësimin e gazetarëve dhe përdoruesve të mediave sociale që raportojnë për çështje me interes publik.

REAGIMI I PLOTË:

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin e thellë për deklaratat e fundit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Muhamet Rrumbullaku në lidhje me mbulimin mediatik të vdekjes tragjike të një qytetari në qytetin e Pogradecit, pasuar nga shqetësimet e ngritura nga familja për vonesat në mbërritjen e ambulancës dhe reagimin e policisë. ndaj akuzave për një hetim të paplotë. Gazetarët raportuan për këto shqetësime, duke u bërë presion autoriteteve që të reagojnë. Më 14 gusht 2024, Rrumbullaku akuzoi gazetarët se po përhapin “fabrikime dhe akuza të ndyra” kundër Policisë së Shtetit, duke i cilësuar raportimet e tyre si “dezinformim të qëllimshëm”. Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit do të marrë masa ligjore ndaj gazetarëve individualë dhe përdoruesve të rrjeteve sociale. 

Rrjeti SafeJournalists e sheh kërcënimin e akuzave penale kundër gazetarëve dhe përdoruesve të mediave sociale për gjoja përhapjen e dezinformimit si një tejkalim të autoritetit policor, duke mjegulluar ndarjen e nevojshme midis funksioneve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit. Kriminalizimi i raportimit gazetaresk bie ndesh me parimet dhe garancitë kushtetuese të fjalës së lirë dhe lirisë së medias. Kjo përpjekje mund të mbysë gazetarinë e pavarur dhe të minojë rolin e medias si mbikëqyrës i qeverisë dhe institucioneve publike.

Vërejtjet e Rrumbullakut përfshinin një pohim shqetësues se vetëm versioni zyrtar i policisë për ngjarjen duhet të konsiderohet i besueshëm, duke sfiduar kështu detyrën thelbësore të gazetarëve për të verifikuar informacionin përmes burimeve të ndryshme. Ky qëndrim, i miratuar nga kryeministri Edi Rama, kërcënon të minojë rolin kritik të medias në mbajtjen e institucioneve përgjegjëse dhe për t'i ofruar publikut një kuptim të plotë të ngjarjeve. Në një peizazh mediatik si Shqipëria, ku praktika e zyrtarëve publikë për të shpërndarë materiale të përgatitura paraprakisht (audio, video dhe tekst) në media është e përhapur dhe gazetarët kanë akses të kufizuar në burimet e dorës së parë, pohimi se vetëm tregimet zyrtare janë të besueshme. është veçanërisht shqetësuese.

Kjo situatë përbën një kërcënim të rëndësishëm për lirinë e medias në Shqipëri, duke çuar potencialisht në autocensurë dhe një media të pavarur të dobësuar. Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Policisë së Shtetit të tërheqë menjëherë kërcënimet dhe të ndalojë frikësimin e gazetarëve dhe përdoruesve të mediave sociale që raportojnë për çështje me interes publik. Theksojmë respektimin e rolit thelbësor të gazetarëve në verifikimin e informacionit nga burime të ndryshme dhe informimin e pavarur të publikut. Për më tepër, ne kërkojmë respektimin e proceseve gjyqësore për të adresuar dezinformatat e supozuara në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe të BE-së.

Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet me komunitetin gazetaresk në Shqipëri dhe u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara, përfshirë autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare, të mbrojnë lirinë e medias dhe të sigurojnë që gazetarët të mund të veprojnë në mënyrë të pavarur pa frikën e hakmarrjes ligjore. Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë situatë dhe do të avokojë për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së medias në Shqipëri dhe më gjerë.

Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në rrugë./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vrasja e Egli Progës në Pogradec/ Denis Meçe kërkon lirinë, i gatshëm të paguajë 10 mln lekë

Vrasja e Egli Progës/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës, Denis
Denis Meçe

POGRADEC- Denis Meçe kërkon lirinë! Nëpërmjet avokatit të tij, ai ka paraqitur në gjykatë kërkesën që t’i zëvendësohet masa e sigurisë nga “Arrest ne burg” “Arrest shtëpie”, ose të lihet i lirë me një garanci pasurore.

Avokati i tij mbrojtës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ose garanci pasurore me vlerën 1.000.000 lekë. Sipas kërkesës së paraqitur, kjo është një vlerë e konsiderueshme garancie, pasi edhe nëse Meçe arratiset dëmi ekonomik që do t’i shkaktohet do të jetë tepër i madh.

Vrasja e Egli Progës/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës, Denis
Dokumenti i depozituar në gjykatë nga avokati i Denis Meçes

Gjykata caktoi masën “arrest me burg” ndaj tij, por çështja e Denis Meçes ka shkaktuar përplasje mes institucioneve në vend. Pasi Prokuroria e Korçës akuzoi dje se inspektori i Policisë, Artur Lilo nuk e kishte dokumentuar vrasjen, ndërsa me një reagim zyrtar Policia e Shtetit deklaron se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Artur Lilo, ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

Denis Meçe, një ditë më parë, është shprehur i penduar dhe i kërkon falje familjes duke theksuar se nuk kishte qëllim as ta vriste. Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në rrugë. /ZËRI

1 VITE ME PARE

Të gjithë kundër të gjithëve! PSH përplaset me Prokurorinë e Korçës, merr në mbrojtje efektivin Artur Lilo: S'ka lidhje me hetimin e vrasjes së Progës

Vrasja e Egli Progës/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës, Denis
Egli Proga dhe Denis Meçe

TIRANË- Vrasja e Elgi Progës, përveç reagimit publik ka sjellë edhe përplasjen e institucioneve në vend. Prokuroria e Korçës akuzoi dje se inspektori i Policisë, Artur Lilo nuk e kishte dokumentuar vrasjen, ndërsa përgjigjia iu dha sot me një reagim zyrtar nga ana e Policisë së Shtetit. Por kjo nuk është përplasja e parë pasi institucionet kanë disa ditë që "luajnë" për të pasuar fajin.

Por si nisi "ping-pong-u" mes institucioneve?

Data 13, autori del në gjykatë

Autori i ngjarjes u la në burg nga Gjykata e Korçës, me akuzën e 'Vrasjes nga Pakujdesia', në këtë rast dënohet me gjobë, ose maksimumi me 5 vite heqje lirie. Bashkëpunëtorët e Denis Meçes, Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, të arrestuar për moskallëzim krimi, u lanë me masën 'detyrim paraqitje'. Për akuzën, reagimin e parë e bëri "Nisma Thurje" duke njoftuar se do të kallëzojë në SPAK çdo prokuror dhe gjyqtar që bëhet palë me kriminelët, pasi në këtë ngjarje, akuza duh4et të ishte tjetët.

"Vrasja ka ardhur si mënyrë për t'i marrë pasurinë, në formë gjobe, atëherë është qartazi "shtrëngim me anë të dhunës për të marrë pasurinë". Kjo vepër, parashikohet nga Neni 109/b i Kodit Penal, dhe dënimi është eksplicit: 'burgim i përjetshëm'. Të dënosh me gjobë një kriminel që duhet të dënohej me burgim të përjetshëm, nuk ka si të jetë tjetër veçse shkelje e ligjit,"-bëhet me dije në njoftim.

14 gusht, reagon Policia

Në një konferencë me mediat pikërisht lidhur me këtë ngjarje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se nga ana e Policisë, akuza e ngritur ishte ajo e "vrasjes me dashje", duke shtuar se çfarë ka ndodhur më pas i takon institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë dhe Gjykatës. Për akuzën e ngritur nga Prokuroria, një reagim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama. Disa herë në rrjetet e tij sociale, kreu i qeverisë u shpreh i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria.

"“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral,"-shkruan në rrjetet e tij sociale kryeministri.

Pas gjithë këtyre sulmeve, pasdite vonë, me një sqarim doli edhe Prokuroria e Korçës duke pretenduar se e gjiithë ngjarja u raportua e pasaktë nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit. Kur Muhamet Rrumbullaku akuzoi mediat për dezinformim dhe akuza të pabaza lidhur fshehjen e vrasjes të 42-vjeçarit, Prokuroria 'shënjestroi' direkt blutë e Pogradecit. Sipas hetuesëve, ngjarja është raportuar se një person i dehur është rrëzuar dhe ka humbur jetën. Shumë ndryshe nga realiteti. 

"Më datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, u gjet një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale u identifikua si shtetasi E.P. i cili u transportua në spital pa shenja jete. Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M. Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar. A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’,"-thuhet në njoftim.

Ndërkohë sa i përket zbutjes së akuzës për autorin e dyshuar, nga “vrasje me dashje”, në “vrasje nga pakujdesia”, është bërë sepse autori e ka goditur vetëm me një grusht dhe… nuk kishte mjete të tjera me vete për të kryer aktin kriminal.

15 gusht, Policia reagon sërish

Që në mëngjes sot, Policia e Shtetit del me një kundërpërgjigje për Prokurorinë. Fillimisht, Policia e Shtetit ka marrë një mbrojtje efektivin Artur Lilo, i vënë në hetim nga Prokuroria e Korçës. Sipas Policisë së Shtetit, Lilo  ka kryer të gjitha veprimet në përputhje me atë që i përcakton ligji si dhe ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

"Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit,"-sqaron Policia.

Teksa shpreh keqardhjen për reagimin e Prokurorisë së Korçës, Policia përgjigjet edhe për akuzat për akt-ekspertimit ligjor për ngjarjen duke shtuar se akt-ekspertizën e kryen Instituti i Policisë Shkencore. Duke u fokusuar në këtë pikë, Policia shtjellohet më tej edhe për ndryshimin e akuzës. 

Policia e Shtetit nënvizon më tej se ‘nuk komenton arsyet apo shkaqet e këtyre gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentuam edhe ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”.’

"Në respekt të pavarësisë së organeve të drejtësisë, nuk komentojmë arsyet apo shkaqet e këtyre gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentuam edhe ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”. Sqarojmë opinionin publik se, nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes,"-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e sotëm.

E gjithë kjo përplasje institucionesh të paktën e ka një të mirë. Ngjarja nuk mund të fshihet më, është në lupën e opinionit publik dhe ndoshta...për Egli Progën do të ketë drejtësi./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vrasja në Pogradec/ Policia: Ekspertizën e kryen Policia Shkencore, inspektori nuk ka lidhje me hetimin

Vrasja e Egli Progës/ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës, Denis
Egli Proga

TIRANË- Policia e Shtetit ka reaguar sërish pas deklaratave të Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku 42-vjeçari Egli Proga u dhunua për vdekje nga Denis Meçe. Prokuroria e Korçës, një ditë më parë deklaroi se Policia e Shtetit nuk ka dërguar akt-ekspertizën ligjore dhe e akuzoi për neglizhencë të vrasjes. Sot, në reagimin e saj, Policia e Shtetit deklaron se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Artur Lilo, ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

"Fakti është se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Inspektor A.L., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore,"-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Në respekt të qytetarëve, medias dhe të drejtës për informim, nisur nga dy njoftimet e bëra nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në lidhje me veprimet hetimore e procedurale të kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë e Komisariati i Pogradecit dhe materialet procedurale të përcjella në Prokurori nga ana e Policisë për ngjarjen e ndodhur më datë 10.08.2024 në Pogradec, me keqardhje për këto reagime, sqarojmë opinionin publik se:

Prokuroria e Korçës fillimisht ngriti pretendimin se, Policia e Shtetit nuk kishte sjellë akt-ekspertizën ligjore bashkë me të arrestuarit për ngjarjen, por sqarojmë opinionin publik se akt-ekspertizën e kryen Instituti i Policisë Shkencore, përkundrejt vendimeve për kryerjen e ekzaminimit, dhe asnjëherë kjo nuk bëhet aty për aty për vetë mënyrën se si funksionon procesi dhe përpilimi i Aktit të Ekspertimit.

Në reagimin e dytë, Prokuroria njoftoi për ngritjen e një akuze për shpërdorim detyre për një punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Pogradec lidhur me ngjarjen, duke e akuzuar se nuk kishte marrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë të ditur shkakun e vdekjes së shtetasit E. P. më 10.08.2024 në Pogradec.

Por fakti është se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Inspektor A.L., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore.

Kjo bazuar në përshkrimet e punës të Oficerit të Patrullës së Përgjithshme, trupë shërbimi, miratuar me Urdhrin Nr.1024, datë 10.07.2023, “Përgjegjësitë kryesore”, pika “c”, gërma “q”, ku përcaktohet: “Siguron vendin e ngjarjes për të parandaluar ndryshimin/ asgjësimin e provave dhe për të garantuar sigurinë e saj. Identifikon viktimat, denoncuesit dhe dëshmitarët, siguron informacion të nevojshëm prej tyre, si dhe identifikon dhe shoqëron të dyshuarin”.

Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit.

Me marrjen e njoftimit nga mjekët, ka bërë njoftimin për grupin hetimor, që i dëmtuari ka ndërruar jetë. Sqarojmë opinionin publik se, punonjësi i Patrullës së Përgjithshme ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale. Në respekt të pavarësisë së organeve të drejtësisë, nuk komentojmë arsyet apo shkaqet e këtyre gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentuam edhe ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”. Sqarojmë opinionin publik se, nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes. Gjithashtu, në lidhje me hetimin e kësaj ngjarjeje, Policia ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak, materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia. Theksojmë se kontrolli rigoroz i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka gjetur në përputhje të plotë me misionin dhe ligjin, të gjitha hapat e ndërmarra nga strukturat e policisë vendore për zbardhjen e ngjarjes. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të zbatuar ligjin, për të reaguar në kohë dhe me profesionalizëm për parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve kriminale, për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor.

Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në rrugë./ZËRI

Poll

MOS HUMB