DURRËS- Policia e Durrësit ka dhënë sot informacione në lidhje arrestimin e 29-vjeçarit Dorjan Sherifit, në Shijak, i cili akuzohet se ka strehuar Aldo Avdylajn. Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçari ka siguruar banesën me qira në Tiranë, me qëllim fshehej e Abdylajt, i cili ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet që prej 2 tetorit. Sipas njoftimit të bluve të Durrësit bëhet me dije se në banesën në fjalë, ku Avdyli i fshihej autoriteteve, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Njoftimi:
Vijon operacioni policor i koduar “Ghosts”, i zhvilluar dje, nga Forca Operacionale e DVP Durrës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Reparti “RENEA”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e krimeve kundër personit.
Identifikohet nga hetimet, dhe arrestohet në Shijak, shtetasi që përkrahu shtetasin Aldo Avdylaj duke i siguruar banesën me qira, në Tiranë, ku ky i fundit iu fshihej autoriteteve.
Në këtë banesë, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të punës hetimore dhe operacionale të kryer në kuadër të operacionit “Ghosts”, nga strukturat hetimore të Policisë së Durrësit, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Durrës kapën në Shijak, dhe vunë në pranga shtetasin Dorian Sherifi, 29 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçari ka siguruar banesën në Tiranë, të marrë me qira, me qëllim fshehjen, nga Aldo Avdylaj që është i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Aldo Avdylaj u arrestua në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi ishte shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK më 2 tetor, ku u godit grupi i 'Rrumi i Shijakut' dhe fisi Avdylaj. Aldo i akuzuar si organizatori i grupit kriminal që ekzekutoi Ermir Bregun në vitin 2021 në Durrës, ishte fshehur në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik.
Në lidhje me vrasjen e Bregut, në pranga është vendosur vetëm Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume. Astrit Avdylajt masa e arrestit do i komunikohet në burg, pasi ndodhet në qeli edhe për operacionin “Revanshi”. Ndërsa Alfred Doka është shpallur në kërkim./ZËRI
