TIRANË- Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shtetasin Amar Shkëmbi, i cili u ekstradua dje nga Dubai. Ai akuzohet nga GJKKO për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.
Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi është pjesëtar i grupit kriminal të Plaurent Dervishajt.
Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK ndaj Amar Shkëmbit, ai së bashku me Plarent Dervishajn, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, kanë vepruar në vitin 2019 në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpujnimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit, ishte pezulluar me 1 vit në Gjykatën e Posaçme për shkak se ai ishte në kërkim. Ndërkohë me ardhjen e tij, automatikisht procesi i pezulluar riçelet duke vijuar gjykimi. Në këtë dosje penale me Nr.184/1 janë bashkë të pandehur dhe Endrit Sinani, Genti Ndërjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.
Sipas dosjes hetimore që SPAK ka çuar në gjykatë, sulmin me armë që iu bë në 20 qershor të vitit 2019, Plaurent Dervishaj, ky i fundit nuk e harroi lehtë, por brenda vitit, e ktheu në motiv të hakmarrjes së tij, ndaj personit të vetëm që ai dyshonte, të fortit të Shijakut, Aleksandër Laho.
Dy miqtë të cilët kishte në “Range Rover”, Julian Meçja dhe Bashkim Haxhija, i përdori në të paktën 3 plane për të vrarë Lahon, të njohur me pseudonimin “Rrumi i Shijakut”.
Sipas SPAK, Plarent Dervishaj, ish-pjesëtari i bandës së Durrësit, drejtoi një grup kriminal me 10 persona për të vënë në zbatim planin e vrasjes.
Më 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit “Rrumit” iu bë pritë në atentat teksa udhëtonte në makinën e ish-prokurorit Arjan Ndoja. Të dy mbetën të plagosur, ndërsa fatkeqësisht plumbat i morën jetën shoferit, Andi Maloku, një të riu 29-vjeçar nga Fushë-Kruja./ZËRI


