TIRANE- Një 20-vjeçar nga Kamza ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se është prezantuar si punonjës policie. Policia thotë se i riu me iniciale E. B., u ndalua gjatë një kontrolli rutinë, ku u konstatua i veshur me uniformë dhe stema të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Pas verifikimeve rezultoi se ai nuk ishte efektiv policie, ndërsa në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan një armë sportive pistoletë me dy krehra, një uniformë policie, 16 stema dhe grada, 3 kapele me shenja policore, si dhe 4 dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara.
NJOFTIMI I POLICISË:
Shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të goditjes së paligjshmërisë në çdo fushë që shfaqet, në bulevardin “Nënë Tereza”, kanë konstatuar automjetin tip “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin E. B, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema policore, të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.Pas ndalimit të mjetit dhe verifikimit të mëtejshëm, rezultoi se drejtuesi, shtetasi E. B, nuk ishte punonjës policie.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara;
• 1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra përkatës;
• uniformë e Policisë së Shtetit;
• 16 stema dhe grada të ndryshme;
• 3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin nëse 20-vjeçari mund të jetë i implikuar në veprimtari të tjera të kundërligjshme, që lidhen me përfitime përmes përdorimit të pajisjeve dhe uniformave policore.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B, 20 vjeç, banues në Kamëz, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ZËRI